| E marte, 07.02.2017, 08:03 PM |
Samir Perihana
MOSHA E NËNËS
-Cikël poetik -
Riti ynë
Do ta gjej një këngë të kënduar nga të tjerë,
të krjuar kushedi se ku me stof të shtrenjtë
Do ta gjej një vjershë nga një libër, nga një fletë,
të krijuar në kohëra të tjera, për njerëz të tjerë.
Do ta gjej një valle që Dionisin përshëndet,
nga një kohë që u njom nga tjetër vese.
Me buzët e mia kam për ta kënduar këngën.
Në zemrën time kam për të mbajtur vjershën.
Me trupin tonë kapur me ty dorë për dorë
rrethuar mes malesh me kurorë do të vallzojmë
të dehur nga rrebeshi i dëshirës dhe pasionit
Ky do të jetë riti dhe dëshmia jonë
e më pas nëse na pyesin e dashur
se ku e gjetët këngën, vjershën , vallen
të padëgjuara dhe të papara ndonjëherë
do t’u themi se ato kanë qenë tonat perherë
Mjerim
Vetëm ajo punonte,
herë here edhe ai
E kam parë të pirë udhëve
të kërrusur, të rrudhur të pistë
tek mbeshtetej nëpër mure
në rrugët qorre dhe pa dritë
Vetëm ajo punonte,
herë herë edhe ai
Me një rrogë të vogël,
gjithë gjithë 28 mijë
Vetëm ajo punonte,
herë herë edhe ai
E shihja tek dilte nga dera
e veshur, e mbathur, e mirë
Punonte e varfra nënë.
Punonte në errësirë rënkonte.
Punonte për fëmijët e saj për 28 mijë,
aq sa i bie për çdo ditë 7 kokrra vezë
me një të kuq të mbuluar me mjergull
Ose për dy bukë të zeza me grure
të ardhur nga vise pa dritë
ose për një lakër të bardhë,
ose ...tjetër unë nuk e di
x x x
Është e sigurtë se një ditë do të rrëzohemi në hon
duke lënë të pakënduar një këngë (në fakt shumë )
Do të lëmë pathënë një fjalë ( në fakt shumë ).
Do të lëmë përgjysëm një punë (në fakt shumë ).
Do të lëmë pa ndezur një zjarr (në fakt shumë).
Do të lëmë pa lexuar një libër (në fakt shumë ).
Do të lëmë pa parë një qytet (në fakt shumë ),
pa vizituar një port, pa qënë në një aeroport tjetër,
pa qënë të mundur për të marrë vesh një të vërtetë,
pa pasur mundësi për të dashur më shumë,
pa pasur mundësi për një dashuri,
ah jo veç këtë s’duhet ta lejojmë kurrësesi
Mosha e nënës
U thinja edhe unë o nënë
edhe pse se mbaj mënd thinjën e pare,
atë fije floku të bardhë mbi zverk a qafë
që më bëri të vishem me dëborë në mal
Qesh me vete o nënë u plaka s’jam më i ri
por më vjen çudi si s’pate ndonjëherë moshë ti ?
Poezia
Poezitë e shkruara me gjak,
poezi të shkruara në biruca
nga poetë që xhelatin ne derë
prisnin si të vetmin vizitor dimër verë
Poezi të shkruara pa laps e tastierë
Poezitë e njerëzve të panjohur
që kanë jetuar pa u ndjerë
që kanë dashur pa zhurmë dhe poterë
që kanë shkruar në copa letre
Poezitë e një çifti të dashuruar
mbi një urë në mes të thëllimit
që nuk pyet aspak për kalimtarë
të mbështjellë në mes te dimrit
Poezitë e një të papuni,
e një të droguari sepse do të harrojë
ditët e tij monotone të njëllojta,
poezi pa lustër, poezi në nevojë
Poezi që del nga vatra e një zemre,
poezi që kthehet në një armë të vetme
Beteja
Disa beteja nisin nganjëherë krejt rastësisht
si moti, gjethet që duhet të bien për të dalë sërisht
si gjaku dhe breznitë që duhet të ndërrohen periodikisht
Disa beteja nisin nganjëherë qëllimisht
nisen ja ashtu nga një fjalë nga një dëshirë, ide
për të nisur diçka të re
Disa beteja është më mirë të mos i fillosh asnjëherë
e disa të tjera jane fitore kur nuk marrin fund
si psh beteja ime e përditshme me ty
ku ti kthehesh në një Eve e unë në një Adam
edhe pse kopshtin e Edenit ende se kemi parë
E ëndërrt
Pashë një bohem duke dirigjuar
simfoninë e një ëndrre në vjeshtë
pemët muzikant që loznin
meloditë e degëve me gjeth
“Jeta është e ëndërrt
E ëndërrt je o jetë
Të të prek me duar që digjen nga dëshira
dhe gjithçka humbet “”
Pamjen e bohemit
unë nuk e kam fiksuar
ndoshta ma kujton ti
që më mban në duar.