E diele, 28.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Alban Voka: Opinione të denja për rilexim

E enjte, 09.02.2017, 08:45 PM


OPINIONE TË DENJA PËR LEXIM DHE RILEXIM

(Nehat Jahiu, Opinione, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2017)

Nga Alban Voka

Një libër i mirë përfaqëson pikëtakimin e drejtimeve të mëdha të njohjes. Shfletojmë “Opinionet” e Nehat Jahiut dhe krijojmë refleksione për një botë të panjohur, për botën shqiptare të shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk kemi para nesh një letërsi policiste klasike, por një vepër briliante që inkorporohet në spektrin e vlerave publicistike të një autori që ka botuar mbi 30 libra me poezi, prozë, portrete etj. Nuk është aq lehtë të depërtosh në botën shqiptare të një segmenti të shkëputur e të panjohur aq sa duhet nga lexuesit tanë, por autori na jep dritë lidhur me një fragment panshqiptar që e ndërlidh vendlindjen e tij me korpusin e Shqipërisë etnike në totalitetin e saj. Ai arrin t’i transmetojë lexuesit tonë vështrime, ide dhe propozime, me një gjuhë të zgjedhur që respekton mormat e gjuhës letrare, thellësisht i konektuar në realitetin e ditëve tona.

Në faqet e kësaj vepre defilon e shkuara dhe e tanishmja e betejave tona për liri dhe pavarësi. Personazhet janë emra të njohur që kanë dhënë kontribut për kauzën tonë kombëtare, disa nga ta duke mbetur në hijen e dyshimeve dhe bashkëpunimeve me palën pansllaviste për interesa karieriste dhe nepotiste. Autori na jep rrëfime e përshkrime për të gjitha shijet. Libri i Nehat Jahiut është një provokim letrar me karakter politik, publicistik dhe patriotik. Subjektet aktuale gërshetohen me tema interesante (parti politike, edukata, arsimi, muzika etj.). Në kuadrin e artikujve nga shtypi, autori shpërthen me vrrullin e tij kundër ligësisë në trojet e vendlindjes dhe të Iliridës. Tek tuk shpërthen humori („Na humbën e u shuan si shurra e pulës“) etj.

„Dëshmorët janë histori më vete“, thekson autori në kuadrin e njërit nga shkrimet më të frymëzuara ët tij: „Aty, mbi një lëndinë të bleruar verë e dimër, shihen ca e ca varre të mbuluara me lule. Aty pushojnë eshtrat e bijve dhe bijave më të dashur që ranë për liri. Janë varret e dëshmorëve tanë. Lulet mbi varret e tyre janë të ujitura me gjakun e njomë dhe me lotët e nënave dhe të motrave. Lotët e dhimbjes e të krenarisë. Të gëzimit e të buzëqeshjes. Ata janë të gjallë. Nuk kanë vdekur. Jetojnë në zemrat tona, në zemrat e çdo shqiptari. Janë në çdo gonxhe e lule te këtij kopshti, të kësaj lëndine të bukur me aromë të këndshme.“ Dhe më tej:

„Ata ranë për t‘i buzëqeshur lirisë, vendlindjes, atdheut, ardhmërisë. Aty në atë lëndinë është një histori e dhimbshme, e përgjakur, e lavdishme. Eh, këta dëshmorë rënë nëpër male e fusha të betejës, me trimëri të pashoqe. Dheun e kësaj toke të përgjakur me gjakun e tyre, e puthën, e shtrënguan në grushte, në shpirt, dhe me të mbuluan trupin e tyre. Aty në lëndinë të ngritur në piedestal, eshtrat e tyre përkunden në djep lirie. Buzëqeshin me ninullat e nënave, me këngët e telave të çiftelisë dhe krenohen me historinë e popullit të tyre. Dëshmorët mbeten të pavdekshëm, janë legjendë e një populli. Janë një histori në vete. Ata ia dhanë ngjyrën flamurit dhe me gjakun e tyre e qëndisën shkabën në flamur. Aty, në atë lëndinë të bukur.“

Në kuadrin e artikullit “Maskat e demagogëve dhe hipokritëve”, autori vjen me guximin shqiptar për të demaskuar ligësinë, kultin e personalitetit, mjerimin “intelektual” të sharlatanëve tanë që s’kanë lidhje me intelektin apo mençurinë, demagogjinë dhe hipokrizinë e maskarenjve që shkelin interest nacionale për interesa personale. Po ku jeni more të mjerë, që u ka marrë koka erë, thoshnin rilindësit tanë për këta personulitete të injorancës ballkanike.

Në kuadrin e pamfletit „Art muzikor apo komercionalizëm“, Nehat Jahiu vjen me një gamë mendimesh origjinale që të shpien në botën e meditimit për një segment që josh shijen e lexuesve tanë. Në shkrimin „Politikanët luajnë gogla dushku“, autori jep leksione për dalje nga kriza: „Sot është koha që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë për interesat kombëtare, për interesat e popullit të tyre. Sot të gjithë të ulemi dhe të japim mendimin e përbashkët për interes të popullit të cilit i takojmë, duke i lënë të gjitha interesat partiake më një anë. Ky do jetë patriotizëm, e jo të dëgjojmë fjalë fyese aq të rënda ndaj njëri tjetri që infekton përçarje dhe ndarje vëllazërore mes vete duke e dërguar ujin në mulli të tjetërkujt.” Kaq sa për sot, pak e për merak për këtë vepër briliante që e pasuron spektrin e vlerave publicistike të autorëve tanë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora