E premte, 26.04.2024, 09:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Luleshtrydhja që çeli në janar

E shtune, 11.02.2017, 09:18 AM


"Luleshtrydhja"  që çeli në janar

Tregim

Nga Përparim Hysi

Qe aty nga pragu i viteve shtatëdhjetë të shekullit që shkoi, që në shkollën tonë, mu pas pushimeve të semestrit të parë, të emërohej një mësuese e re. E re, por dhe e bukur, sa,edhe pa e parë mirë, të luante çargu i kokës.  Se, sado që punonim në një shkollë fshati, kolektivi ynë qe  goxha i madh. Kjo ndodhte se edhe numri i nxënësve në total qe gati mbi 700. Nga tri paralele në ciklin e lartë të  8-vjeçares. Natyrisht, në këtë kolektiv mikst kishte dhe femra të bukura, por kjo,e janarit, na zilepsi të gjithëve. Kur shkruaj kështu, nuk dua që  t'u hyj në hak atyre kolegeve tona, sa të mira dhe aq fisnike, por, kur veçoj këtë të janarit, nuk do ma marrin si një karshillëk, se ato më njohin mirë: mundohem që të jem i përpiktë dhe i saktë.

Pastaj në këtë metaforë timen, janë "pjesëmarrës në vrasje", një pjesë e kolektivit maskilist ku, për çudi,ai që qëlloi mu në shënjë, është një njeri  që juve, femrave të kolektivit tonë, as u shkon në mendje: është Ismeti. Është po ai Ismeti i urtë e padëmshëm, që vetëm tymos cigar pas cigari dhe, kur vjen  në personel, rri magru dhe as flet dhe  as kundon.

I tillë është vërtet Ismeti, po, kur flet, fjala  e tij është si gozhdë që ngulet mbi mur.

*     *    *

Prezantimin për emërimin e ri para kolektivit,e bëri drejtori. Të porsardhurën e quanin Fidane! Ndërsa ajo qendronte në këmbë, ne, secili për hesapin tonë, po i mirrnim përmasat. Drejtori bëri prezantimin dhe iku në drejtori, kurse Fidanen e morën ato "matkat" (koleget e vjetra) dhe shkuan tek një nga klasat bosh. Se të nesërmen do rifillonte mësimi. Fidanja, kjo e ardhura, do jepte  djathtësi (muzikë, punë dore, vizatim) në vend të Afërditës që ishte martuar në Tiranë.

-Aha, heq kjo shkolla jonë,- tha duke qeshur "Rriqeza",- iku një Afërditë dhe erdhi një dritë. Rriqeza qe kolegu ynë, më i shkurtër nga shtati, por qejfli i madh dhe këtë paronom "rriqez" ia kish vënë vetes, vetëm e vetëm për t'u mbrojtur nga sulmet e mia.

Po ik, - i thashë një ditë,-  nuk e di se çfarë pëlqejnë femrat tek ti që je sa një mutçobani!!!

Ai, pa e prishur gjakun fare (ne kishm nga 20-vjet në të njëjtin kolektiv), tha para të gjithëve:- I shkurtër, i shkurtër, po jam si rriqez unë që nuk shkulem kollaj! E tha duke qeshur, por i mbeti dhe sot e kësaj dite.

Por ne,si të ngeshëm që ishim, po bluanim badjava shijet tona dhe mundoheshim si e si të qëllonim në shënjë.

"Bumja" e parë qeshë unë që, para se të gjeja ndojë emër emblematik për të porsaardhurën, zura me fjalë që të bëja portretin fizik të saj: m'u  duk,- thashë unë,- si një bredh alpin që ka mbirë në një masiv të mbuluar nga bora. Se është e bardhë qumësht dhe me ata flokët e zinj e të harlisur sikur të bën për vete. Pa shkuar tek ata gjinjët e rrumbullaktë si ato globet në gjeografi.

Nuk di se ç' molloisën të tjerët, kur në mjegullën e tymit që nxirte nga goja dhe nga hundët, njëkohësisht, foli Ismeti:

Aha,- nuk iu durua atij,- e di si ka thënë Gorki për Eseninin? Erdhi si luleshtrydhe që çeli në janar!

Shkurt muhabeti: na vuri poshtë të gjithëve dhe ne pranuam njëzëri.

*        *      *

Natyrisht, ne  nuk e ngrysnim kohën me të tilla, si mbill e mos korr, por për FIDANEN kishim afeksion të veçantë. Ajo nuk  e dimë në na shikonte me atë sy, por ne e ngisnim anijen  e dëshirave në det të qetë e pa dallgë. Ajo, jo vetëm që ishte e bukur, por dhe shumë punëtore. Ngriti menjëherë grupin e korit dhe, pas dy muajësh, brenda shkollës dhe një miniekspozitë me punëdore. Edhe djemtë, nën udhëheqjen e saj, konkuruan femrat në qendisje e me punëkryq. Jo vetëm Fidane,- thashë unë,- por dhe punëxhane!

Kur thashë "punëxhane", Fidanja u skuq, por një nga femrat m'u hodh mbi kokë:- Po ngadalë se po jep xhanin dhe ti dhe do na mbetësh "theror".

Këto "hidh e prit" në kolektivin tonë ishin të shpeshta dhe pa zarar. Kishim vjete me njëri-tjetrin, sa na dukej që secilën prej tyre, e kishim motër.

Kur aty nga muaji prill, ra "bumja" e dytë. Këtë "bumje" e zbrazi Rriqeza. Sa hyri në personel, sikur po vinte nga komiteti, tha:- E morët vesh? Fidanja u fejua me një oficer në Tiranë.

- E paska tërhequr këmbën zvarrë Afërdita,- thashë unë.

-Epo të trashëgohet!- tha njëra nga femrat.

- Kush pordhi, kush mori groshin?!- mend ulëriti Ismeti.

-Ore, Ismet, po paske qenë thëngjill i mbuluar,- iu lëshua Oli.

-Po nuk më tregoni, nga e ka burimin ky proverbi i Ismetit?

-Jua them unë,se ma ka treguar gjyshja,- nxitova sikur kisha frikë se më "vidhnin" erudicionin.

Dhe fillova të tregoj:

Në shtëpi qe vjehrra me nusen. Befas hyn dhe burri. Nuses , pa dashje, i shpëtoi një nga ato. Burri u murrtye dhe bërtiti:

- Kush e bëri?- sokëlliu.

Askush nuk u ndje. Kur burri e ngriti dhe ca më shumë zërin, atëherë e ëma (vjehrra e nuses), për t'i shpëtuar emrin  nuses,e mori fajin mbi vete.

-Unë, o bir,- tha,- se jam plak dhe nuk e mbajta dot.

Burri e pa mirëfilli fajtoren, por e lozi ca më bukur "lojën" e tij. Hapi portofolin dhe i dha së ëmës: një grosh (se e tillë qe paraja asj kohe).

Nusja, ndërsa ndiqte si fajtore, tërë atë "teatër" që luhej para syve të saj, mend plasi nga zilia, kur vjehrra mori groshin dhe e zbrazi:

-Kush pordhi, kush mori groshin!

Kolektivi shpërtheu në gaz dhe sytë ia ngulën Ismetit, asaj "nuses fajtore".

Fidanja jo vetëm u fejua, por oficeri kish qenë hazer-xhevap. Për arsye që vetë e dinin, një javë pas fejesës, pa dasëm, e mori Fidanen në Tiranë.

Po ku Tirana dhe ku ne. Do e shihnim a nuk do e shihnim më. Zumë tani dhe mallkonim atë oficerin e panjohur që na kish rrëmbyer atë"luleshtrydhën" që çeli në janar.

*     *   *

Për festën e 1 majit kisha dalë në qytet dhe, mu aty para turizmit, FIDANIA! M'u duk si tjetër qyteti dhe, pa dyshim dhe Fidania. Qe e tëra si ajo"luleshtrydhja" që thoshte Ismeti.

U takuam si të malluar dhe, tek do ta pyesja, për burrin, për punën, për Tiranën, ajo, pa më lënë të fliste, më tha:- Ore mat mirë ai Vangjeli apo jo?

-Po pse?- pyeta, pa iu përgjigjur pyetjes së saj.

-Shiko,- më tha,- isha me Nashon (burri i saj oficer), kur na pa Vangjeli dhe, pa e bërë të gjatë, u afrua. I dha dorën Nashos dhe, pa iu dridhur as zëri dhe as qerpiku, bubulloi:

- Fidane, si të kam?!!!

Kur dëgjova këtë" si të kam?", mend më ra qielli mbi kokë, pale Nashua u nxi dhe u bë sterrë nga e keqja.

Me demek,- tha Nashua,- je"imja" dhe si të kam,se mezi të pashë.

U ndjeva  aq keq, sa u skuqa si të kisha bërë një turp të madh.

Po Vangjeli,- thashë unë,- është babaxhan nga shpirti. E ka patur pa të keq.

Po ku duket shpirti,- flakëroi Fidania. Më vuri në një pozitë të vështirë që vet e di.

*     *    *

KIshim kaq vjete që Fidania qe martuar në Tiranë dhe, pse nuk të lënë këmborët e tua për të dëgjuar zilete botës, ne, pothuaj, e kishim harruar Fidanen. Kur një ditë prej ditësh, na e kujtoi Rriqeza.

Dëgjoni,- tha ai. Do t'ju jap një lajm që do t'ju çudis të gjithëve, por me një konditë:- Dua dy kremkaramel tek turizmi.

Unë, që hidhem si zorra në prush, bërtita:- Po ia vlejti, t'i kam bërë hallall!

-Jo, jo,- tha Rriqeza,- nuk e ha  Rrrapoja atë. Nxir napolonin, lërja Ismetit mbi tavolinë dhe do tregoj.

Bëra,- siç tha Rriqeza.

Dhe, tek prisnim sy e veshë kumtin e Rriqezës, ky tha:- Fidania është ndarë nga burri me dy fëmijë!!!

Po dukej ai që ishte mut-muti,- shpreha unë mllefin tim. Mandej tregova atë"Si të kam" të Vangjel Babaxhanit dhe, tek tregoja, ndiqja me sy Ismetin. Ky, sa shoi njërën cigare, ndezi tjetrin dhe e nxori  tymin si "gjyryk vapori". Të tërë, si të vënë në rresht për një, morëm në mbrojtje Fidanen dhe ia bëmë kurrizin copë atij Nasho "Maskarait".

*      *    *

As që do ta shkruaja këtë histori të vërtetë, sikur mos kisha takuar Fidanen, para ca muajësh. Ndodhi aty, tek holli i Pallatit të Kulturës. Ish plakur, kështu si  unë, por tiparet ende i ruante. U përqafuam si dy miq të kahershëm, se ëndrrat e dikurshme kanë vdekur dhe, hymë brenda  për kafe.

Sa u ulëm (epo ku lë radhë unë për të folur), unë e zbraza:

- Fidane,- i thashë,- ia ke bërë mirë atij Nasho "Mutit" që e ndave!

Ajo e priti me prudencë fjalën time dhe, gjysëm me të qeshur, ma priti:

-Sado që je plakur, ke mbetur po ai: Impulsiv dhe shpërthyes. Po a e di atë shprehjen që"pa e vrarë arinë, mos ia shit lëkurën!".

Opo, lëre Fidane atë muhabet  se dardhën e qullur e ha breshka.

Sa erdhi ekspresi dhe bëmë gëzuar, filloi:

- Dëgjo, qe si qe Nashoja, ndaj meje nuk pati ndonjë faj. Kur u martova me të, nuk është se e dashuroja, por, pak nga pak, dhe, ca më tepër, kur më lindi çupa, filloja që ta doja.

Fillova që ta doja dhe më dukej se tanimë qeshë bërë një familjare dhe grua siç janë të gjitha gratë e mira. Po kot nuk thonë: kur mendon se çdo gjë po të shkon për bukuri, atëherë mundohu të ruash ekulibrin se, kushedi,  ç'mund të ndodh?

Ne kalonim mirë. Qemë bërë dhe me çupë dhe na dukej se nuk na mungonte gjë. Kështu qe... deri sa një pasdite, Nashoja erdhi bashkë me një shokun e tij për vizitë.

Shoku, epo pse do ta bëj hasha, kish një portret pak si shik, por unë, fillimisht,as që e pashë me atë sy. Mysafiri, kur erdhi, kish prurë një kukull që,siç vura re, nuk qe blerë në dyqanet tona ku binte miu e thyente kokën.

Nashoja ma prezantoi:

-Ky është Cezari që zëre se e kam vëlla. Ka një punë me rëndësi dhe,shpesh,del jashtë shtetit. Tek dëgjoja ç'fliste imshoq,e kuptova që kukulla për çupën qe blerë jashtë. Ia dhuroi simebije dhe, ku e pyeti, a e pëlqen? Çupa vrapoi dhe e puthi në dy faqet "sivëllanë" e burrit tim. Natyrisht, edhe unë e falnderova dhe, tek shtova "se jini harxhuar", pashë që m'i nguli sytë (u rrënqetha, në të vërtetë, se kishte sy të bukur)dhe tha:- Të lutem, po ç'është ajo fjalë? Po unë Nashon e kam si vëlla e shkuar vëllait.

Mysafiri si mysafiri. E pritëm me raki e meze dhe,sado që erdhi për herë të parë, sikur nuk po ngrihej të ikte. Tek e ndiqja, pak shkarazi, natyrisht, m'u duk si krejt i afërt dhe tepër ngjitës. Megjithatë, bëja sikur qeshë fare indeferente në atë gosti. Ndërhyja, vetëm kur u duhej ndonjë gjë. Aty nga ora 9 ( e mbaj mend se fillonte radioposta), u ngrit dhe iku. Kur u ndamë, puthi çupën që nuk e lëshonte kukullën nga dora dhe,tek rroku dorën time, tthashë se  ma kapi një morsetë. Epo "sivëllai" i burrit."Kunat" hesapi"! Nashoja zbriti shkallët  dhe e përcolli deri jashtë. Mezi prisja që imshoq të më fliste për të. Erdhi dhe nuk e lëshonte nga goja. Cezari kështu! Cezari ashtu... sa unë ndërhyra:- Mos  është asi Cezari që mundi Pompeun!

Imshoq e rroku tamam aluzionin dhe, si për ta mbyllur atë muhabet, më tha:- Është miku im më i mirë. As ai nuk ka vëlla, por dhe as unë.Pra, jemi byrazerë me gjak! Ndodh,- shtoi,- që mos jem në shtëpi, po nëse vjen Cezari, ta presësh sikur jam dhe unë aty.

Cezari, pak nga pak, po i shpeshonte vizitat. Asnjëherë, pa diçka për çupën. Një mbrëmje, kur Nashoja qe me shërbim, mbrriti "sivëllai". I dha një çokollatë çupës dhe, ndërsa ajo po i gëzohej dhuratës, Cezari nxorin nga çanta një dhuratë dhe për mua.

-Ç'është kjo?- bëra të habiturën.

Më tha Nashua që pas një jave do shkoni në plazh dhe të  kam blerë në GJermani një kostumbanje! Dua,- vazhdoi,- që t'i befasosh ato zoçkat spitullaqe.

Cezar (të them të drejtën nuk e mbajta gëzimin) dhe iu hodha në qafë!  Se ti e di:gjithmonë më ka pëlqyer që të vishem bukur. Ai, u mat që ta bënte më të ngrohtë përqafimin, por unë e kuptova rrezikun dhe,sakaq, u largova. Më fal,- i thashë,- se u bëra si një fëmijë.

-Pse, ç'të keqe bëre që më kërkon falje?- pyeti ai.

E,- tha ajo,- unë rashë në dashuri me "sivëllanë" e burrit tim. Herë e parë që dashuroja dhe CEZARI më dukej sikur qe doravetë ai CEZARI I ROMËS- Perandori! Aq u dhashë pas tij, sa Nashoja po më dukej i largët apo si një barrierë në këto çaste lumturie. Dhe e vendosa:-  Cezar,- i thashë,- dua të nis me ty që të bëj një "Cezar a Cezare të vogël" që të ngjaj ty dhe, në çastet kur mos jesh me mua, të loz e qesh me të. Nashos ia vura kufirin tek thana,deri sa me"sivëllan" rashë shtatëzënë.  Pasi u binda plotësisht, hoqa dhe "kufirin" e Nashos për ta bërë"pjesëmarrës në faj". Mund të shkruash faqe të tëra për ato çastedashurie me Cezarin. Dhe, pas 9 muajësh, lindi ai "Cezari i vogël". Imshoq, Nashoja, nuk mbahej nga gëzimi. Gosti e madhe dhe mu në krye të tavolinës, Cezari i madh. Unë kisha filluar ta doja më shumë Cezarin se, tashmë, ishte dhe babai biologjik i tim biri. Dashnor ia vumë emrin dhe imshoq nuk e lëshonte nga prehëri.

Eh, sikur ta dinte të vërtetën!

*      *    *

Pas një muaj plasi dhe bomba! Ne qemë zhveshur kollopan (si unë dhe Cezari), kur, (megjithëse e kisha mbyllur derën me çelës,Nashoja qe me shërbim jashtë Tiranës; po ku kishte më mirë, vallë) hapet dera dhe u  rrëfye një nga ata që kish kohë që më vinte rrotull.

Aha,- bërtiti,- ju zura dhe, në mos më jepesh dhe mua, atëherë kam për t'i thënë tëtshoqi.

Qe skandal i vërtetë dhe,siç i rashë në erë,qe kurth i  Cezarit.  Natyrisht, që nuk pranova, por ai më la një afat. Iku dhe,pas tij , Cezari!!! Ç'zhgënjim!!!  E vrau dashurinë time aq të pastër! Qeshë mes dy zjarresh. Nuk dija si të bëja dhe, më së fundi, kur erdhi Nashoja, u rrëfeva.

Ou!-bërtiti nga  e keqja dhe,sidomos, nga befasia. E mblodhi mendjen dhe më tha:

-Ftoi që të dy në një ditë. Do t'i vrasë.

Por unë ia mbusha mendjen që mos merrte veten më qafë, për "sytë  e mi të bukur" dhe bëmë ndarjen. Për fajin tim. Pranova dhe kafshova gjuhën. As zumë  në gojë njeri dhe fëmijët i mora mbi vete. Tani ata kanë krijuar familjet e tyre dhe unë, si gjyshe e mirë dhe e devotshme, shkoi sa tek njëri e tek tjetri. Nashoja i shkretë,siç duket nuk e përtypi dot tradhtinë time, dhe vdiq nga një sëmundje e pashërueshme. Dy të  tjerëve as nuk ua pashë më sytë. Ja, kjo është historia e vërtetë, dhe, po dëgjove Fidanen, kurrë mos u shpejto të japsësh gjykim për gjëra që nuk i di mirë.

-Të më falësh, Fidane, se të hapa plagë të vjetra,- i thashë

Dëgjo,- më tha,- mos kujto se këto "hallet e mia" i bëj këmborë për t'i dëgjuar të tjerët, por, në t'u rrëfeva ty, e bëra se, kështu. sikur heq një pjesë të fajit.

Të falnderoj, Fidane,- i thashë.

U përqafuam, si dy miq të mirë dhe, pasi shkëmbyem telefonat, e lamë që të takohemi sërish.

* përkimi me emra është vetëm rastësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora