E premte, 26.04.2024, 03:34 AM (GMT+1)

Mendime

Azem Parllaku: Burrat e Lumës, çfarë vishnin

E diele, 25.10.2015, 02:51 PM


Burrat e Lumës, tradicionalisht çfarë vishnin

Nga Azem Parllaku

Disa dekada më pas, veshja tradicionale e burrave, ndryshe nga ajo e grave, përdoret më pak.

Gratë dhe vajzat, kryesisht në dasma dhe festa shpesh bëhen pasionante të përdorimit të veshjeve të traditës, ndërsa, për burrat ajo përdoret shumë rrallë, e jo vetëm kaq, por në ato raste që vishet, duket se e ka humbur origjinalitetin e saj.

Nëpërmjet kësaj qasjeje, tentohet të sillen në kujtesë disa nga karakteristikat e veshjes tradicionale të burrave në fshatrat e Shishtavecit, Topojanit, e të tjerëve përreth tyre.

Si lëndë e parë për këtë lloj veshje, është shajaku i cili punohej, duke shfrytëzuar leshin e deles.

Shajaku punohej në vek nga gratë, e më pas përpunohej me ujë të ngrohtë dhe sapun, duke u shtypur njëherësh mbi trungje të mëdha drurësh, apo gurësh të sheshtë, deri në atë fazë, kur nuk binin në sy penjtë e leshit.

Pas këtij përpunimi, i cili zakonisht kryhej pranë përrenjëve e krojeve publike, vinte radha e rrobaqepsit "terziut" për t'i përshtatur dhe bërë të gatshme për veshje.

Tirqit e bardhë me shirita gajtani, anash dhe tek prehëri, u përdorën kryesisht nga të rinjtë, ndërsa më të moshuarit, i përdorën të ngjyera në të zezë ose të murrme. Në pjesën e sipërme të tyre, bien në sy dy të cara (si ato të xhepit të pantallonave), të cilat shërbenin për të pruajtur duart nga të ftohtët, po kështu dhe për ajrosjen e kofshëve dhe kërcirit të këmbëve.

Me mëngë të shkurtra deri tek bërrylat, ngjyra e kapsizës dhe ajo është e bardhë, e zezë, ose e murrme, ku bie në sy jaka e gjërë, që në kohë shiu dhe të ftohti, kapej në formë konike dhe hidhej mbi kokë.

I hapur, e i mbërthyer me sumbulla, me xhep në krahun e djathtë, e i zbukuruar me gajtan në të gjithë konturet, xhamadani më shpesh qepej pa krahë, e në rastet kur i qepeshin krahët, kishte dukje kallcaku në bërryla.

Këmisha prej pëlhure me mëngë të gjëra, e qëndisur në krahë dhe në jakë, ishte një tjetër element i kësaj veshjeje tradicionale. Poshtë këmishës së qëndisur vishej dhe një këmishë tjetër me mëngë të ngushta dhe të plota.

Brezi i leshit me shirita bardh e zi, ishte i gjatë jo më pak se 3 metër, e shpesh në brez mbahej një shami e bardhë, për më të rinjtë në moshë ajo zbukurohej me qëndisma.

Kryesisht në ngjyrë të zezë, corapet e leshit të punuara me shtizë, kur zbukuroheshin në krye me ornamente të ndryshme, nxirreshin mbi tirqi, ku dallonin pjesët e zbukuruara dhe stili i lidhjes së ndortave të bardha.

Në kokë është mbajtur, kapuci i bardhë në formë cilindrike dhe i sheshtë sipër, rreth kapucit në disa raste mbështillej dhe shamia me ngjyra të ndryshme.

Në këmbë mbatheshin opingat, të cilat ishin prej lëkurës së lopës, e në to vendosen ndortat (fijet) e trasha të bardha.

Krahas cfarë përmendëm, elementë të tjerë të veshjes tradicionale të burrave, kanë qenë dhe;

Ferexha, një veshje në ngjyrë të zezë me jakë të gjërë, me krahë të shkurtër dhe e gjatë deri poshtë gjunjëve, që kryesisht është veshur nga barinjtë.

Gëzofi, veshje e qepur me lëkurë të deleje të regjur dhe me lesh të gjatë.

Rrëkzinat, të gjata më shumë se 1 metër, e të gjëra deri 30 cm, të cilat visheshin në vend të corapeve dhe me të cilat këmbët mbështilleshin deri tek gjunjtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora