E premte, 26.04.2024, 02:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Fritz Radovani: 100 vjetori i Dedë Gajtanit

E hene, 08.06.2015, 07:55 PM


Perkujtimore nga Fritz RADOVANI:

100 vjetori

I  DEDË  GAJTANIT

 

DEDË  GAJTANI

(1915 – 1993)

 

KALASË  ROZAFATIT

 

O mure të vranta të Rozafatit,

Që tash sa shekuj ju besnikë mbrojës,

I patë sa orla të zezë msyen këtij shpatit

Çerdhen shqiponjës!

 

Sa ushtri turku këtu e barbarë erdhen,

Sa herë o shqipe me luftë të kanë mësy,

Por s’muejt asnjeni ta prishi çerdhen

As t’pushtojë ty!

 

Po njikëtu motit shqipet rromake

Fishklluen rreth teje me te shkye me skjepa,

Por ti,o shqipja shqiptare,i flake

Copë copë në këto shkrepa.

 

Sa herë t’u sulen ndër kohna të vjetra,

Sa herë t’u sulen ndër kohna të reja,

Ti, O shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,

Mu, te foleja.

 

Të tana këto troje kreshnike, të lashta,

Që grabitqarët ndër shekuj msyne,

Të tana, të coptueme me kocka e rrashta

Të zeza të tyne.

 

Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,

E ke asht afrumun e ka djegë mbrendë,

Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit

E ka për të kenë!

 

U lëshuen të grabisin, sa herë vandalët

Rromakë e turq e serb, venedikë,

Por te i to ledhe, u thyene valët,

Porsi te i digë.

 

Ledhet hijeranda të kalasë madhshtore

Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare,

Porsi ma e bukua, sot permendore

E tokës shqiptare.

 

O njato mure e njato rrenime!

Mbulue prej myshqesh e shermashekut,

Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,

Të kohës së Skanderbegut,

 

Kur fërshllen era n’ato bedena,

Ndalun pranë ledhesh bariu me dele

Kujton Rozafen, që denesë  mbrenda

N’ato themele.

 

Kujton Rozafen, nusen e re,

Që kur të tre vllazent filluen kalanë

Aty për së gjallit e futen në dhe

Të mjerën nanë.

 

S’i a vune veshin, o lotëve të saja,

Kur vunë themelin përmbi at koder,

Veç keshtu të qendronte, e fortë kalaja

E jote, o Shkoder!

 

Dhe e fortë kalaja qendroi ndër mote,

Se të fortë e bane këte njata lotë,

Sa s’ka qindruemun si kështjella e jote

Kala jo, në ketë  botë!

 

E se kjajnë duket deri zogjë e malit

Prej mallit të nanës, mbas gojëdhanës së lashtë,

Që u lut e mjera, për hatër të djalit

Me i lane, gjinë jashtë.

 

Kur s’mund ta rrejshin me xhingla o ‘i gogel,

Kur ta marrë malli, u tha fëminë për mue,

Të i a çojshin nanës, djalin e vogel

Për me e pajtue!

 

Nën gurë të themelit të kësaj kala,

U lut Rozafa, tu i shkue lotët  rrkajë,

Jashtë me i lanë synin e djathtë m’e pa

Djalin e sajë

 

Se pa te nana, kishte m’u merzitë,

Kishte  m’e kputë malli, nanën e mjerë,

Loçken e zemrës, o ditë për ditë

Pa e pa nji herë!

 

Luti kunetet, luti kunorën,

Burrin e besës, që gojë s’pat çelë,

Jashtë me i lane, nanë zezës dorën

Që fëminë të përkdhelë.

 

Kadalë,  tha unë djepin kam me i përkundë,

Ka me i këndue nana, me i za të letë,

E njomja e nanës, tash bjen në gjumë

E ka me fjetë.

 

Ka me i këndue nana: “Mos harro, o bir,

Se nana e jote, njiktu asht ba fli,

Që ti të rritesh i fortë dhe i lirë

Për Shqipëri!

 

Të ka rritun nana me gjak të zemrës,

Gjinë ta ka dhanun, me lot përzi,

Që kurrë, mos të shkelet ky truell prej themres

T’armikut të zi.

 

Prej vrimes murit, andej nga lindja

Dhe sot do pika binë në tokë ditë natë,

Janë pikat e gjinit, si kallxojnë gjindja,

Të Rozafes së ngratë.

 

S’a e drejtë me kjamun, Rozafë shkodrane,

Tash lene vajin, për hatër tonë,

Për hatër tandin, sa mija djelm nane

Luftuen gjithmonë!

 

Në shekuj sa trima me pushkë në dorë,

Për dashtni tande, janë hedhun në flakë,

E kanë dhanë jeten, sa mija deshmorë

Në luftë përgjakë!

 

O male, o gryga, o termopila,

Kur agon drita, ju u puthë në ballë,

E vjollca e lila e trandofila

Ju hedhë me mallë.

 

O male të larta, male titane,

Mësuemun me vallet e bumbullimës,

Sa të rrebta dukni ju ndër tufane

E në dritë të vetimës!

 

Frigen, rrufenat ju s’mund të ju kallin,

Se vaditë jeni, ju me këto luftra,

Krenare e ngrehni në qiellë të kaltër ballin

Edhe ma të bukra!

 

O male tona, përherë të reja,

Kur shkrepë në qiellë reja, në ju vret ma të nalten,

Të jeni krenare, se kur rrufeja

S’e ka gjujtë balten!

 

Ju vezulloni sikur diamante

Në qiellin e bukur të Shqiperisë,

Shenat e kjarta e gurra t’argjanta

Këndojnë kangë të lavdisë!

 

Si tepër të bukur edhe Rozafen

Armiqtë u lëshuen shpesh me e grabitë,

Por të koritun, e thyene qafen

Me faqe të ngritë.

Pushon e heshtun, e vrantë kalaja

E Rozafatit në ditën e sotit.

Tue mejtue ndoshta, luftat e mëdhaja

Që u bane, këtu motit.

 

Ndoshta këto ledhe, në maje t’ ksaj kodrës,

Ndoshta edhe shqipja, ndalë maje shkrepi,

Mejtojnë rrethimin e gjatë të Shkodrës,

At kohë gazepi!

 

Rozafë, në dorë turkut kur pate ra,

Vunë nanat tona futen e zezë,

Të shkretat të kqyrshin sa herë tue kja

Edhe tue dnesë!

 

Thojshin me vehte: O kalaja e jonë!

Ne rrezikzezat sot ç’na ka gjetë!

A thua , mos asht shkruemun me ty gjithmonë,

Në robni me mbetë?

 

Nuk i këndon zemra as vajzës as djalit,

S’kem darsma as festa ma asnji herë,

Se kjajnë na duket dhe zogjtë e malit

Kur këndojnë në pranverë.

 

As ma nuk ndihet kanga e malsorit

Mbi male të larta tona kreshnike,

Tue dridhë si para, thellë prej krahnorit,

Kangë  ilirike.

 

Rozafë, kur të shofim robneshë merzitë,

Ma fort merzitna tue të pa kështu ty,

S’na ban si para në qiellë dielli dritë

Ma përmbi kry!

 

Ndryshe na duken deri gurët e prronit

Ma teper më bahet na e therin kamben,

I kuq na duket, currili i kronit

Kur mbushim shtamben.

 

I kuq na duket dhe ujët e lumit

Kur shkojmë me shoqe, teshat me i la,

Na duket qielli si ‘i kapak plumbit

Thue asht tue na ra!

 

Kur fëmijve para, u vumë buken në tryezë,

Që e kem gatue na s‘ka ma mire,

S’di pse edhe buka, na danë ma e zezë,

Dhe e kalojmë vështirë.

 

S’dijmë çka asht kështu, o e mjera kalaja e Shkodrës,

Që at ditë që turqit pushtuen Shqipërinë,

Gjarpijë na duken vargojt e votrës,

Kur vemë kusinë.

 

Tue përkundë djepin, tue i këndue letë fëmisë,

Mundohna të shkretat m’e vue në gjumë djalin,

Por se kjajnë të bahet dhe trenët e shtëpisë,

Dhe kangën ndalin.

 

Që atë ditë që rame, na nën kambë të turkut

Na kalon dita si ‘i mort i zi.

Na duket dera e shpisë, si derë e burgut,

S’të bahet me hi!

 

Kur dalim në bahçe, kur mbyllim shtegun,

Ose kur ulemi e pushojmë n’oborr,

Na duket para se kem nji të dekun

Që do të çojmë në vorr!

 

Pyetshin Rozafen me lotë nanat tona

Deri kur do të shofim na atë të zi flamurë?

Edhe u përgjegjte tue kja jehona,

E deri kurë?

 

Me dijtë te zezën tonë, ti o Rozafë,

Ti do tu ndezshe, vullkan shkëndije,

Nuk do të duroshe, të na rrije mbi qafë

Ma gjatë Turkia.

 

Rozafa u thotë: Qindroni motra,

E dij sa e idhtë, o asht vetë robnia,

Shpejt do të vijë dita që e lirë të jetë Shkodra

Dhe mbarë Shqipëria.

 

Motit dhe Roma, e pat pushtue boten

Me ato legjone, me shqipe e krizme,

Por historia tue vertitë rroten,

I mbet një çizme!

 

Sot dhe turkia shplaka e njerzisë,

Me lufta boten, don m’e përpi,

Por s’ka me i mbetun, veç bishti i Azisë

Rreth Detit të Zi

 

Rozafë, këto mure janë dishmitare

Të trathtisë për shekuj dhe të Venedikut,

Shpinës kur i binte ushtrisë shqiptare

Në mes flakësh t’armikut.

 

Përballë armikut, që u dridhte Europa,

Në vend të na ndihmonte, si aleat.

Armikut, turkut, bukë edhe topa

Ai dhanë i pat.

 

Shqipërinë e vogel, pre e anadollakut,

Sa herë trathtuet, o aleatë të pa besë!

Do të shkruejmë në histore me shkronja gjakut,

Ketë faqe të zezë!

 

Na pllambë për pllambë o tuj luejtun gishtat,

Ketë truall kuqë kemi, me gjak t’armikut,

Këtu vend nuk kemi, na me ruejtë bishtat

E Venedikut.

 

Na mbi këto troje të tokës sonë ilire,

Ku shqiptarët flasin shqip, bisht as kambë,

Që mbeten të cungueme të ndoj egërsirë,

Shej s’do të u lamë!

 

Vlerë historike, në paçin këto gjana,

Që hajnisht hyne, dikur në ketë dhe.

I zoti i tyne t’i mbledhin të tana,

T’i ruejë në muze!

 

Kur na luftojshim kundra otomanit,

Në luftë Venediku u bashkue me turk,

Prandaj i a hoqen bishtin luanit

Pse u mblue me turp!

 

E kur u dynde, ti o Cernagore,

E u rrethuen kodrat për rreth me tela,

Sa topa të rrahen, Shkoder mizore,

Sa sharapnela.

 

Sa gjyle të mëdhaja, plumba peticet,

Fishkëlluen, vetuene, mbi ty, o kala,

Prej Shllimit, Bardhajsh e prej Bërdicet

Shtatë muej pa da.

 

U bane lendinat tanë gropa, gropa,

Natë ditë tuj të gjuajtun prej Lodertune,

Me mitraloza të randë e me topa,

Por ti s’u tunde!

 

 

Natë ditë tue krisun topi në llogore,

Oh sa shpi të Shkodres u bane gërmadhe,

Kujtim janë të mëdhajat gjyle mizore

Mbetë ndër livadhe.

 

Po njato gjyle që ranë këtu motit,

Do u thonë breznive, që kanë për t’ardhë,

Se gjithmonë Shkodra kje flakë barotit,

Duel faqebardhë!

 

Për qindresë tande, u habit Ballkani,

Kot në dorë me të shtimun, armiku u mburr,

Ty, mos të trathtonte Esat Pashë Toptani,

S’dorëzoheshe kurrë!

 

Si në kohna të lashta, si në kohna të vona,

Rozafë, me armikun sa je përleshë,

Deshten të grabisin, por mbete e jona

Edhe do të jeshë!

 

Se pa dalë fare, me të madh e të vogel,

Në kullat tuaja në barot pa u kallë,

Ty në dorë t’armikut nuk të lëshojmë,moj Shkoder,

Sa të jem na gjallë!

 

Ende në ditë sotit andej nga maja,

Përmbi ato mure,gjatë atij shpatit,

Se veton të duket natën kalaja

E Rozafatit.

 

Tue u endë si hije përmbi bedena,

Si me i pa, të bahet prap ato trima,

Kah përmbi armikun shkrepshin si rrfena

Zgjetat vetima.

 

Danë ajo maje krater vullkanit,

Që shumë ka flakun prej zemre zjarrin,

Lavë e pervlueme, që ushtrisë së sulltanit

Këtu i ka ba varrin.

 

Kur erdhi turku me ‘i qind toborre,

Shkodren, Rozafen tonë për m’e marrë,

I mbuloi kodrat me’i qind shatorre,

Flamuj gjithfarë.

 

Sa gurë të mëdhaj lëshuene, gurë të rrumbullakë,

Që zgjeta drejt, shkojshin lart deri n’re,

E në tokë kur bishin, u ndezshin flakë,

Si të shkrepte ‘i rrfe.

 

O moj kalaja e Rozafatit,

Ti ke me kenë motit nji punë e madhe,

Por na në ditë të sotit në ty shofim të ngratit,

Veçse gërmadhe.

 

Por këto gërmadha e këto rrefime,

Ku kjajnë bylbylat në dritën e hanës,

Na brez mbas brezi i ruejmë si kujtime

Të dashtuna të nanës.

 

Sa të bukra krisen, moj Rozafë kangët

Ndër njato kodra për bukuri,

Prej duerve të veta kur flaku prangët

Nana Shqipëri!

 

Ma i bukur dielli lindi mbas malit,

Në mes reshë së prarueme, shprishun prej veri,

Prej Taraboshit deri në qafë të Cukalit

Shkelqej ylberi.

 

Si hark triumfit me të bukrat ngjyra,

Mbi ballë të Rozafes kunorë e re,

E Shkodres së bukur, i qeshi fëtyra

E tanë hare!

 

Po qeshi Shkodra e bukur fare,

Rrethue prej malesh,zbardhue prej bores,

Kur kënduene të lira vashat shqiptare

Kangët e fitores.

 

Kënduen fushat, malet dhe valët e Drinit,

Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen,

E ushtritë e hueja përtej kufinit

E thyene qafen!

 

Te ti, me njome të veta për dore,

Vinë sot të mejtueme nanat shkodrane,

E u tregojnë fëmijve njimijë histore

Mbi kalanë tande.

 

Shenim nga Fritz Radovani:

?Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë,  shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët  i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë... Prandej edhe nuk perkujtohet në këte 100 vjetor...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora