E premte, 26.04.2024, 06:13 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Sytë e kaltërsive

E diele, 03.05.2015, 05:09 PM


SYTË E KALTËRSIVE

NGA PËLLUMB GORICA

Ka shumë njerez që kohën e lirë e shfrytëzojnë me mënyra të ndryshme. Xhevahir Cirongu është nga ata njerëz, që kredon e vet shpirtërore e shpalos në shkrime të sinqerta e të thjeshta. Ai me mënyrën e tij fotografon pjesën e fragmenteve nga realiteti që jetojmë, duke vënë në kornizë ndërmjet fotografimit, fjalën e tij. Kjo për mendimin tim është një lloj vlere, që autori e shpalos herë pas herë me mjete të thjeshta dhe me një gjuhë komunikuese të ngrohtë, të botës së ndjenjave shpirtërore.

Është për tu theksuar se nga libri në libër ky autor vjen duke shpërfaqur gradualisht elementët të cilët arrijnë të performojnë profilin krijues të tij. Kjo krijimtari që vjen së brendëshmi, prej ngacmimeve të vazhdueshme të shpirtit, si karakteristikë e çdo natyre krijuese në misionin e tij, të shoqëron si jehona e përrenjëve të rrëmbyeshëm e ujëpastër të vendlindjes së tij, që teksa rrjedhin drejt detit përhapin freski, mirësi jetëdhënëse. Xhevahiri përshkuan episode, portrete, dhimbje, tavolinat e gëzimeve, natyrën e papërsëritëshme me imtësi detajesh e ndjesish përjetuese.

Nuk ka gjë më bukur se të lexosh krijime të tilla me plot pathos e përkushtim qytetar, ndjenja të sinqerta dhe besnike për dashurinë ndaj njeriut, dashurinë ndaj atdheut, dashurinë ndaj asaj që është në shërbim të së mirës për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Mënyra me të cilën është shprehur në krijimtarinë e tij, të cilat janë të pashkëputura nga këndvështrimet pozitive për heronjtë e kohës, vlerat e mirëfillta, më së shumti i shërbejnë evidentimit të vlerave kombëtare, shoqërore dhe artistike, duke krijuar një ndjenjë respekti për kohën që ndodhemi me vrulle jete, imagjinatë pasionesh e aftësinë krijuese për t’i shëndërruar në vepra artistike.

POEZI NGA XHEVAHIR CIRONGU

 

Shi në qytetin tim

 

Mbi  kodrën e qytetit tim
Si pulëbardha retë zbresin atje,
Në dallgët e detit lënë puthjet
Dhe lotin e qiellit te një ulli.

Atje në tapetin e gjelbër diku
Këmbëkryq ulën e pinë  vesën,
Ndërsa, nëpër degët e pemëve
Qëndrojnë varur retë e yjet.

Pse u larguan yjet e  retë
Mos i tremba unë ato?
Nëpër kaltërsinë qiellore
Nxitojnë që të marrin
një grusht ujë për të shuar etjen.

Herët në mëngjes atë ditë gri
Filloi të lotojë syri i kaltër vjeshtak.
Pas kësaj, ashtu në fshehtësi
U lanë muret e kalasë së lashtë.

Ndaloj e vështrimin hedh në horizont
Pas shiut një fjongo ylberi ullishten vesh,
Unë, së bashku me njerëzit e qytetit tim
Bisedojmë me valët e  bardha të detit.

 

Kënga e lotit


(Mbretëreshës së këngës shqiptare, Artistes së Popullit Vaçe Zela)

 

Lotët e shkurtit u dërdhën mbi arkivol
dhe yjet zbritën nga qielli
duke e përqafuar.
Në heshtje mes lotëve
dëgjohej zëri i saj që këndonte
valsin e këngës.
Heshtje, heshtje, heshtje!
Vetëm tingujt e kitarës dëgjoheshin.
Pranë arkivolit të Vaçes
Shqiponja kishte hapur krahët për të fluturuar.
Në sytë e saj lexova fjalën - Atdhe!
Dhe plisi i dheut shkroi me gërma të arta Vaçe!
Pastaj, këndoi valsin e këngës të Vaçes.
E dëgjoj mbretëresha e këngës shqiptare
Së bashku me yjet në qiell ndaloi mbi re,
Atje me yjet
Në përjetësi do këndojë këngët e atdheut.
Edhe unë këndova për Vaçen
Mbi arkivol këngën e lotit.

 

Në rrugicën e lagjes

 

Në lagjen time është një rrugicë
Anash saj është shtëpia ime,
Sa herë që mbi atë s’kalon njeri
E shoh të trishtuar e të plakur,
por edhe të heshtur.
Kur kaloj mbi gurë të shtruar kalldrëm
I ndjej hapat e mij që trokasin mbi gurët,
Pa dashur ajo bëhet e gëzuar, e qeshur
Sepse mbi gurët e saj hodha hapin e parë.
Edhe unë jam plakur me thinja të bardha në kokë
Më kujtohen moshatarët kur luanim në rrugicë;
Aty te ata gurë të lëmuar nga hapat tanë
Kur ishim fëmijë pa dashur gjunjët edhe kemi vrarë.
Kanë kalur shumë vite e të freskta ruaj kujtime
Diku mbi gurët e rrugicës ka ende gjak të tharë
Nërsa në shpirtin tim ,gurët ndriçojnë si yje
Prandaj, ata gurë të rrugicës sime si kam sharë.

 

Emrin e ka nënë

 

Hapësirës së qiellit pashë yjet
Pastaj, si gonxhe zambaku të bardhë,
Udhës së qumështit, diku  ata  ndaluan.
Atje  gjetën zemrën e nënës
Me dashuri  derdha  si  petalet
Kujtimet  e lotët  si ujvarë.
Ndriçon loti im  si  një  yll  polar
Nënën kërkon çdo ditë në thërmija  dheu,
Kaluanë  vitet e loti u bë ar
Me dashuri puthi yllin në qiell
Se, ai si nëna  i ngjau.
Ah, kjo botë pa nënën se si qënka
E veshur me fustan akull të antraktidës,
Të gjitha fjalët heshtin si statuja
Dhe shkrihen si meteorët në hapsirë
Nga fjala e zjarrtë që emrin e ka nënë!

 

Ndaloni një çast

 

Në terrin e natës
Natën pa hënë,
Kërkoja të gjeja diçka
Kërkoja të gjeja buzët e saj
Dhe puthjen t’i merrja pastaj.

Kërkoja të gjeja dy sy të zinj
Por kërkova dhe gjeta
Një trup njeriu;
Me një tufë lule
Vendosur aty përbri.

Pra, kërkova dhe gjeta
Dy sy të mekur,
Dhe një njeri
Gjysëm të tretur!

Hej , ju
Kortezh i përmotshëm varrimi!
Ndaloni një çast
Ku jeni aty,
Vajzën në duartë e mija e lini
Një çast…,
Sa t’i shoh të bukurin sy.
Hej , ju
Kortezh i përmtshëm varrimi!
Ndaloni një çast
Ku jeni aty,
Vajzës t’i tregoj
Për kë lotojnë këta sy.
Lotët që u derdhën mbi arkivol
Puthjen e fundit atje lanë
Në përjetësi, fshehur nën kraharor.

 

Unë flas me plepin

 

Te plepi dikur kam bërë gjumin e fëmijërisë
Dhe zogjtë në foletë atje nëpër degë,
Meloditë e këngëve i derdhën mbi mua
Së bashku me flladin e pjalmit të erës.

Ashtu, pa kuptuar vitet vraponin
Zhurmimi i gjetheve iso u mbante,
Nëpër  gjumin ëmbëltor ëndrrat zgjonin
Enigmën e jetës që askush se dinte.

I mblodha vitet në shportën e qërshive
Një nga një nën hijen e plepit i numërova,
Lëvorja e plepit pa dashur ishte plakur
Lot i dyllt i ditëve nën gjethe rrinin të fshehura.

Intervista e jetës do zverdhet si limon
Dhimbja një ditë  vjen e do bëhet gur,
Pas kësaj, kuçedra vdekje të gjitha i helmon
Kurse  nesër një plep i ri do u flasë
Atëherë  ju lexoni epitafin e do heshtni.

 

I putha gjethet e vjeshtës

 

Erdhi vjeshta me ngjyrat e saj

peizazhi i gjetheve,

nëpër degët e pemëve

në gji zjarre ndezur mban.

…Kurse dielli i përflakur vjeshtak

nga syri i zjarrtë në perëndim,

ngadalë mbi kolorin e gjetheve

lë ngrohtësi,

pastaj, nën zë me to kuvendon.

Degët lakuriqe të një peme

qanin në vetminë e pyllit,

kolori i gjetheve të viteve

qe tretur së bashku me gjethet.

Pse u venitët,

ju gjethe të gjelbra?!

Aty mbi trung,

në degët e thata

këngën e vajit latë.

As këngën bilbilat

më aty s’e këndojnë,

sa herë ata kthehen

te dega e thatë,

flatrat e krahëve shkundin

si për t’i thënë lamtumirë.

Pas kësaj

në ditën gri të vjeshtës,

edhe unë vrapove te pema e thatë

te shelgu lotues degëvarur,

një gjethe vjeshte kolori

e putha me vrapë.

Pengu i lotit

Shiu i pranverës butësishtë ra ngadalë

Nga qielli u derdhën një nga një luleloti,

Shtëllunga resh të çara si me daltë

Ndaluan trishtimin atje te shkëmbi.

Dhe nata ra të flejë në gjumin e sajë

Jorgan hodhi mbi vete retë e bardha,

Lartë në qiell yjet tirrnin fjalë

Te shtrati i gjumit tregohej veç përrallë.

Dalngadalë u thërrmuan vitet nga ai shkëmb

S’bashku të dy ecëm nëpër kohën e trishtë,

Një çast ndaloi shiu te plaga që dhëmb

Kurse xixëllonja bënte dritë te lastari i hardhisë.

Në shtratin e gjumit tek të dy erdhën

Vitet e jetës me thinja kujtimesh malli,

U zgjuan ëndrrat të bardha pëllumbi fluturuan

Ndërsa yjet e këputura pengun e lotit lanë.

 

Sytë e kaltërsive 

Sytë e asaj vajze janë të kaltër 
Dhe brenda tyre lexon vetëm jetë, 
T’i kisha dhe unë, jo për hatër 
Sa çudi do të ishte me të vërtet! 

Vrapova rreth botës si Magelan 
Askund s’gjeta të tillë sy të kaltër, 
Aty mes malesh si jagavan 
Dy vajza e djali rrinë sy hapur. 

Njëra vajzë e ka emrin Lurë 
Dhe tjetëra emrin Prespë e ka, 
Ujëra rrjedhin nën akull e borë 
Tek sy kaltëra vallzon veç zambak. 

Dhe djali mes pulëbardhave-Ohri 
Shtegëton nga Korabi në Mal të Thatë, 
Takon motrën Lurë e Prespë me dashuri 
Kështu janë vendet e mija, hoje mjaltë.

 

Në folenë e dritës hënë

 

Nën hijen e hënës

Ëndrrat vrapuan për te ty vendlindje,

Pastaj, një çast aty ndaluan

E takuan Netën, Rovenën e motrën  Xheni.

Një zog pëllumbi,  nga retë zbriti

Me emrin Riklajdo, vëlla na erdhe,

Dhe drita e hënës  ngjyrë floriri

Në zemrat tona u derdhën lumenjë gëzimi!

Dhe engjëlli me flokë gështenjë

Tunjatjeta na përshëndet çdo ditë,

Në kullë të shpirtit të motrave

Fluturon   Xixëllonja – dritë,

Me ty vëlla, vallzojmë çdo ditë.

Këngën në djep të këndoi  Nerënxa

Dhe puthjet e flladit të erës,

Nina- nina- Niati dhuroi

Së bashku me dritën e hënës.

Pastaj, këngët  e zanava ndaluan,

E puthjet  çelën në gush zambak

Te Riklajdo aty qëndruan..

Sa herë prekim  ballin tënd

Dhe puthjet   lëmë te liqenet e kaftë,

Aroma e vendlindjes – Leskovë

Fushës në  Vranisht  takon

E përqafohet me erën e malit të Thatë.

Në  folenë e dritës  hënë

Miliona  yje  atje   vezullojnë,

Mbi gjethet e akullta të reve

Së bashku me netët  e janarëve

Në gjokse mburojë jorgani

Të qeta  gëzimet  aty  flenë.

 

Fletëza urimi të bardha bore

 

Vendlindja ime çdo ditë më thërret

Se, nga gurët e dheu yt u bëra poet,

Te krojet e fshatit ndalovea një çastë

E ngjeva penën me ujë të kristaltë,

Pastaj, me mall shkrova vargun e artë.

 

Dallgëndezur në zemrat tona malli

Kujtimet u zgjuan atje mbi Selishtë,

Loti i vesës me dritën e diellit

Lotuan mbi emrat e skalitur

në gurët e mermertë.

Ashtu  në heshtje,

Në Qafën e Obruzit

I puthin me radhë çdo ditë.

 

Ju lule të bardha  akace

Pikëllimit të zemrës i falni petale,

Atje në Tomorr  ku dielli përëndon

Së bashku me ujra  t ë vendlindjes  Leskovë,

Ndalojnë te deti adriatik, një çastë

Takojnë poetin e fjalën i lënë uratë.

 

Nuk e fsheh dot lotin nën qerpikët

Le të rrjedhë në faqe e gushë;

E dëgjoj oshëtimën e ujrave të Ravenit,

Dhe pjalmin e luleve të mollës e qërshisë

nga larg ato i thithë.

Me kallzat e grurit, ia thonë këngës,

Nën hijen e gorricave atje në fushë.

 

Mbrëmjeve hëna  fshatit  vesh

vellon e nusërisë,

Kujtimet e mija aty lundrojnë

Me heshtjen – dritën e artë.

Kuvendoj me gurët, baltën, krojet…

Si e lash vendlindjen

Ku piva qumësht nga sisa e nënës!?

Fjalët obelisk shkruar mbi çdo gur,

Emiljani shkrep aparatin e qëndis

foto atje në fshat.

Pastaj, dashuria zgjohet te çdo bashkëfshatar

Miliona  fletëza urimi të bardha bore,

Ju uron poeti, mbarësi e fat!

 

Në udhëkryqe semaforët ndezur

I vetmuar eci në rrugën e jetës gri
Nëpër shtigjet e pashkelura kërkova diçka,
Atje, te ai lis shekullor fjalët qëndisë
Me fjongodrite shkruaji,dikush më tha.

Nën hijen e degëve të lisit,gjethet numërova
Nga flladi i erës u shkundën, supeve më ranë,
Eca i vetmuar, rrugës së kujtimeve s’u ndala
Pse u trembën gjethet, në ç’yll ata ndaluan!?

Dhe shirat e viteve, u derdhën mbi mua
Gjethet e lisit ranë si yje në shportën hënë,
Atëherë kuptova se jeta vërtet qënka si liman
Le të fryjnë erërat e kohërave, ato i putha deri në rrënjë.

Pluhëri i kohëve, shkruar nëpër epitafe
Te emëri nënë, puthjet la drita-hënë,
Statujat e vdekjes era i shtyn deri te yjet
Dhe unë në heshtje gdhenda veç fjalë.

Kohët në udhëkryqe, semaforë ndezur
Vështrimin treta tutje atje te ajo kodër,
Lisi shekullor në trung çfarë mban fshehur!?
Hënën mban supit, dritë ari larë.

Kush tha se vdes dashuria

 

I hapa portat e shpirtit tim

Dhe flladi i erës  pjalmin

Të luleve derdhi aty.

Dallgëve të detit çdo ditë u buzëqesh,

Me mallin e zambakëve të bardhë

Në heshtje takon dashurinë

Që fshehur qëndron diku.

Ashtu vjen një ditë, si lind i shkreti njeri,

Ecën kalëruar mbi vitet e jetës

Dhuke shkundur petalet e viteve

Dhe s’u vë dot  fre.

Ah’ kjo vdekja jonë si lakuroq i natës

Te shpirti ynë ajo fle.

Ikën- ikën e tretet materia e trupit  tonë,

Dhe pas si shenjë gurin e lë atë mbi dhe.

Unë s’flas dot se isha aty nën  tokë,

Por e pash ndjenjën e dashurisë

Ajo s’kishte vdekur!

S’ishte e vërtetë ashtu si më thanë

Te gonxhet e luleve të prillit

Me diellin e vesën putheshim

Unë e dashuria  ishim  gjallë.


Fyelli i Çobanit 

Aty nën gunë fyellin ai mban 
Si një këlloçkë me zogj e cicërima, 
Zgjohen atëherë kur puthin buzët 
Fryma merr jetë kur lëvizin gishtat 
mbi brimat e hekurit të ftohtë. 

Gunën e dhirtë çobani krahëve hedhur 
Fyellin përkëdhel i ulur tek ai gur, 
Tingujt oshëtijnë grykës tutje derdhur 
E ëmbla melodi monopatit gjithë nur. 

Dhe këngën zogjtë e pyllit ndaluan atë çastë 
Melodinë e fyellit me ëndje dëgjuanë, 
Bisqet e barit po mbinin në tokën e zbraztë 
Prapë valsin e këngës zogjtë kënduanë 
dhe me melodinë e fyellit u bashkuanë. 

 

Vargu i poetit t’u bë kurorë

  (Heroinës Antigona Fazliu)

 

Antigonë motër, nur  si drita e hënës

Si nuse e bukur shtegtoj drejt lirisë,

Dhe kokën mbështeti  në gjirin e  nënës

 Nëpër plisa dheu , atje në Gradicë

 Bukur fjalën shqipe  aty  e qëndisë.

 

Lulet e bardha të marsit, t’u bënë jastëk

Le të ishte i acartë  mot  i vitit ’81,

Antigona Fazliu, - puth qiellin e Kosovës

Dhe jehonën e këngës dëgjoi e shtrenjta Liri!

 

 Dëgjoj meloditë e gjetheve të lisave nëpër kosovë

Plagët e shekujve u zbrazën si rrufe në zemrën tënde;

Si pesha e shkëmbinjve të sertë atje në Drenas

Kobzezës së shekujve me gjakun tënd u vure fre.

 

Ç’emër të bukur plot dritë t’a thirri ajo nënë

Si xixa gur stralli emrin Antigona të tha babai Agush,

Me dashuri mjekove plagët e luftëtarëve të lirisë

Se në zemrën tënde qe ndezur zjarri i lirsë, prush.

 

Ah, motër Antigonë, e veshur me këmishë

Të kuqe të ngjyrosur dhe  nga gjaku yt ,

Atëherë ishe shtatëmbëdhjetë vjet, shqiponjë

Kur në rreshtat e brigadës 114-të, të UÇK-së

Mbete yll i pashuar për atdheun, gjithmonë.

 

Ajo fluturon  e lirë me krahët e shqiponjës

Në qiellin e kaltër të kosovës, - dielli ngroh i lirë;

Vendlindjen Verboc  të Drenasit , përshëndeta

Heroinën Antigona Fazliun me grushtin lartë.

 

Antigona motër, lule prilli mbete

Kur shkojmë në Prishtinë na thotë: Tunjatjeta!

Me petale gjaku, - emrin ta skalitëm

Zërin tënd të ëmbël, ta dëgjon rrugica.

 

Mëngjeseve çelur trëndafila  në Kosovë

Çdo ditë ujiten me gjakun e dëshmorëve,

Në gjokse luftëtarësh, shkruar fjala Liri

Antigona e lirë në tokën Dardane.

 

Emrin Antigona, - shkruar në mermer të bardhë

Nga ai çast vargu i poetit t’u bë kurorë,

Toka Dardane dëshmorët mban në gji

Se nga gjaku i tyre u shkrua emri Liri!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora