E shtune, 27.04.2024, 01:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Ajete Zogaj: Intervistë me shkrimtarin Shefqet Dibrani

E marte, 21.04.2015, 06:22 PM


Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Shefqet Dibrani

Libri, viktimë e mentalitetit të përgjithshëm

Nëse tërë qytetarët e Kosovës janë ngopur me të qenit qytetarë të saj, unë do të mbetem nostalgjiku i fundit që e ndjej mungesën e Kosovës, në çdo hap, në çdo kohë, madje edhe në ëndrrat e mia të shumta...

Intervistoi: Ajete ZOGAJ

Zotëri Dibrani, e keni mbaruar shkollën teknike, drejtimi Kimi–Teknologji në Kastriot, kurse SHLP drejtimi Biologji–Kimi në Gjakovë. Jeni shumë i suksesshëm në krijimtari letrare dhe publicistikë, si e arritët këtë?

Shefqet Dibrani: Letërsinë e kam dashur si fëmijë. Në klasën e tretë, mësuesi im më pati regjistruar në bibliotekë. Kolonën e librave për atë nivel e pata shteruar në afat rekord, sa që bibliotekisti më pati detyruar t’i mbaja librat disa ditë në shtëpi. U regjistrova në degën Kimi–Teknologji në Obiliq, thjeshtë për arsye sociale, me shpresë se do të gjeja punë në Kombinatin e Energjetikës në këtë qytezë. Edhe shkollën e lartë Biologji–Kimi e kam nisur sa për të siguruar një vend pune si mësues, me ëndrrën për t’iu kthyer studimit të letërsisë që mbeti vetëm në nivel dëshire!...

Dihet historikisht se një pjesë e mirëfilltë e letërsisë shqipe dhe zhvillimeve letrare, kulturore dhe historike është zhvilluar në mërgim. Pjesë e këtyre zhvillimeve, është edhe letërsia juaj, krijimtaria juaj e cila është voluminoze. Si është sot letërsia e një mërgimtari?

Dibrani: Fillet letrare nisen bashkë me angazhimet e mia politike e kulturore. Pra, publicistika lidhet me nevojën e referateve dhe kumtesave nëpër tubime e manifestime, ndërsa kritika lidhet me nevojën për të plotësuar boshllëkun në promovimet e shumta që bënim për libra të caktuar. E poezia, më duket se është rezultati i leximit dhe i asaj që i thuhet dhunti krijuese. Nga këto që i thamë shihet një përkushtim, e me kalimin e kohës është bërë një lloj mjeshtërie, kështu mendoj se është krijuar një kulturë krijuese që i ka dhënë rezultatet e saj.

Zotëri Dibrani, një pjesë e krijimtarisë suaj i takon edhe kritikës letrare, ngase keni të botuara edhe libra me recensione dhe vlerësime për libra dhe autorë të ndryshëm. Sipas jush në çfarë niveli është kritika letrare shqipe?

Dibrani: Kritika letrare po zhvillohet paralel me të gjitha zhvillimet tjera, sociale, politike kulturore e mediatike që po i përjeton Kosova. Nëse këto zhvillime nuk përkojnë me dëshirën dhe nevojën e qytetarëve, edhe kritika letrare është pjellë e këtij amoraliteti të skajshëm që nuk i plotëson dëshirat e lexuesve, krijuesve dhe vet studiuesve. Nuk mund të pritet diçka më e mirë në këtë kohë kur janë degraduar vlerat krijuese, humane dhe njerëzore. Është për keqardhje por gjendja është kjo që është, pavarësisht ndonjë zëri kritik i cili mbytet nga interesa të dirigjuara.

Vlerat e mira krijuese nuk mund të pengohen nga zhurma dhe pompoziteti

Lexuesi shqiptar tani më ju njeh edhe si poet i suksesshëm, sidomos është vlerësuar lartë libri juaj “Anatomia e Brymës”. Si e shini poezinë sot, ku shumëkush e quan veten poet?

Dibrani: Po, është e vërtetë se shumëkush kanë shkruar libra me poezi, me kriter e pa të. Por, vlerat e mira krijuese nuk mund të pengohen nga zhurma dhe pompoziteti që iu bëhet “X” autorëve, as çmimet që ndahen brenda një rrethi të caktuar, as shumëzimi i pakriter i tirazhit, as drekat dhe as darkat që bëhen ose i bëjnë vet autorët. Edhe libri është viktimë e mentalitetit të përgjithshëm, edhe poezia po ashtu lëngon nga kjo mani, qoftë nga grupet, po më shumë nga një vetëdije, e cila është dekoruar me grada të larta akademike. Megjithatë ka zëra që premtojnë dhe kemi një numër të caktuar autorësh që kanë vazhduar krijimin letrar me dinjitet dhe përkushtim, gjë që ata do të mbeten gurët ballorë në kalanë e poezisë, të tjerët janë grimca , të cilët edhe ata kanë meritën e tyre për të qëndruar më mirë në muret e kullës, gurët ballorë.

Libri “Letrat e Agimit” është një libër, i cili lexohet me shumë ëndje. Madje letërkëmbimi i këtij libri është i mrekullueshëm, i cili me përmbajtjen dhe elegancën ia vlen të futet edhe në kolonën e lekturës shkollore. Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë libër?

Dibrani: Libri është konceptuar nga letrat origjinale, korrespondencë kjo e bërë në tre vjetet e fundit të jetës së poetit kuksian Agim Spahiu. Atëherë, nuk është menduar se po shkruhet një libër, as i kësaj natyre. Vdekja tragjike e poetit më cyti të rikthehem tek ai letërkëmbim i cili është ruajtur me xhelozi. E këto letra personale janë bërë publike në 15 vjetorin e ikjes në amshim të Agim Spahiut. Libri është pritur mirë dhe ka luajtur rolin e vet, ndërsa sa i përket idesë për t’u futur në kolonën e lekturës shkollore ndoshta me ndonjë thjeshtësim a herrje të gjerave të përsëritura do të ishte mirë, pasi (siç është thënë edhe nga të tjerët), është libër i sojit të vet, dhe mbase i vetmi i kësaj natyre në letrat shqipe. Të shpresojmë se institucionet përkatëse do ta kenë parasysh këtë ide tuajën të cilën e keni theksuar edhe diku më parë.

Monografi të shkruara me fakte, sinqeritet dhe përkushtim maksimal

Të kthehemi tek pyetja e fillimit: Keni studiuar në shkencat e natyrës kurse jeni të përkushtuar në letërsi, e kohëve të fundit i jeni qasur shkrimit të monografive, të cilat pak a shumë kërkojnë një qasje më të gjerë. Cila është metoda e punës të cilën e praktikoni në hartimin e monografisë?

Dibrani: Sa i përket shkollimit tim e theksova më lart, të mos e përsërisim arsyen themelore. Ndërsa, sa i përket metodologjisë së punës, mendoj se përveç përkushtimit këmbëngulës për ta thënë të vërtetën dhe për t’i pasqyruar ngjarjet ashtu siç kanë qenë, nuk besoj se ka ndonjë metodë specifike. Por, librat e kësaj natyre dhe ata të karakterit leksikografik e enciklopedik duan përkushtim, qasje serioze dhe kritere përkatëse, ndërsa ana profesionale me kalimin e kohës përvetësohet. Mendoj se kriteri i vetëm për mua si autor mbetet regjistrimi i ngjarjeve dhe bëmave ashtu siç kanë qenë, pa lustrime, pa falsifikime e zbukurime të rastit e çastit. Ngjarjet kanë ndodhur dhe ato nuk mund të ndryshohen e përmirësohen kurrë, e pse këtë ta bëjmë nëpër librat që i shkruajmë më pas. Natyrisht janë ankronike gjithë ato ndërhyrje në të kaluarën që nuk mund të ndërhyhet. E pse gjithë këto lustrime e falsifikime për bëmat e trimëritë e pa bëra kurrë, mbetet si një sintagmë e pa shpjeguar, tendencë e keqe që e ka mbërthyer faktin historik, për fat të keq?!...

Të ndalemi tek dy monografitë tuaja: “Sfidë për demokracinë I–II” dhe librin e fundit të cilin e promovuat para disa ditësh në Pejë dhe Prishtinë, “Pinjollët e Rrustem Llukës”. Çka i bën të veçanta këto monografi?

Dibrani: Dyvëllimëshi “Sfidë për demokracinë” dhe “Pinjollët e Rrustem Llukës”, janë libra që janë pritur më mirë se e gjithë krijimtaria ime e mëparshme. Ndoshta pse kanë pasur të bëjnë me ngjarje faktike e reale dhe jo të imagjinuara.

Derisa në monografinë “Sfidë për demokracinë”, flasim për ngjarje dhe veprimtari të ndodhura në Zvicër, të cilat lidhen drejpërdrejt me zhvillimet politike në 20 vjetshin e fundit, ka qitur në pah atë raportin e mirë Kosovë – Zvicër, përkatësisht Kosovë - Diasporë, raporte këto që nuk kanë qenë kurrë më në nivel se sa në atë kohë. Ishte edhe një lloj obligimi për bashkatdhetarët e mi, për punën e tyre, për përkushtimin që patën për Kosovën tonë.

Ndërsa“Pinjollët e Rrustem Llukës”, është një monografi e karakterit publicistiko–historik, ndonëse edhe në këtë monografi janë dy kapituj që flasin për zhvillimet politike e ushtarake të kohëve të fundit. Gjithsesi dy promovime në Prishtinë dhe nga një në Gjakovë e Pejë, (që kanë ndodhur vjet dhe sivjet), kanë dëshmuar se lexuesi ynë di të vlerësoj veprën e mirë, e cila është shkruar me fakte, sinqeritet dhe me përkushtim maksimal.

Zotëri Dibrani, njiheni edhe njëri ndër themeluesit e protonizmit. A mund të na shpjegoni me pak fjalë çka është protonizmi?

Dibrani: Jo, unë nuk jam themelues i protonizmit! Atë e ka themeluar profesori i letërsisë në Dallas të Amerikës dr. Gjekë Marinaj, i ndikuar drejtpërdrejt nga libri im “Libra dhe mbresa” 2005, një libër me kritikë letrare, i konceptuar nga recensionet dhe përshtypjet të 130 librave e revistave të ndryshme. Të jemi më të qartë, libri im ka qenë vetëm një shkëndijë për themelimin e kësaj rryme letrare e filozofike, e cila ka për qëllim për të trajtuar një vepër të caktuar i nisur nga motive e qëllime pozitive, jo i shtyrë nga vreri e inati. Kështu e thotë vet themeluesi i kësaj rryme në librin e tij “PROTONIZMI nga teoria në praktikë” 2010, ide kjo e pritur mirë në Amerikë dhe deri diku edhe në Tiranë, Prishtina ka mbetur mbrapa, të mos themi është treguar shpërfillëse si në shumë plane të tjera kulturore e artistike. Mua si autor, kjo ide, dhe vet profesori i letërsisë dr. Gjekë Marinaj më kanë ndihmuar shumë. Më kanë udhëzuar drejt një suksesi të pashmangshëm!

Dhe për fund, çka mund të pret lexuesi shqiptar nga pena e Shefqet Dibranit?

Dibrani: Nuk punoj me plan, por ka plane të koordinuara mirë. Të shpresojmë se sivjet, përveç librit me poezi gjermanisht – shqip, lexuesi do të ketë në duar e veta edhe një leksikon me shkrimtarët shqiptarë në Zvicër, të cilët kanë jetuar apo jetojnë edhe sot e kësaj dite në këtë vend, si dhe një monografi për veprimtarinë e LDK-së, në kantonin St. Gallen të Zvicrës, aty ku jetoj e veproj që prej më se 30 vitesh.

Që i ri keni marrë rrugën e mërgimit. A e ndjeni mungesën e Kosovës dhe të njerëzve të vendit tuaj?

Dibrani: Nëse tërë qytetarët e Kosovës janë ngopur me të qenit qytetarë të saj, unë do të mbetem nostalgjiku i fundit që e ndjej mungesën e Kosovës në çdo hap, në çdo kohë, madje edhe në ëndrrat e mia të shumta. Ndërsa për njerëzit e vendit tim, përveç asaj si e thotë letërsia ime, deklaroj me shpirt se ushqej dhe kam dashuri të pafundme!...

Prishtinë, 23. 03. 2015.

*Botuar në gazetën “Bota sot”, 26 mars 2015, faqe 21.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora