E premte, 26.04.2024, 03:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Adem Zaplluzha

E merkure, 18.03.2015, 08:00 PM


Adem Zaplluzha

 

SI  ÇAFKAT E SËMURA

 

Nga majat e gishtave pikon dita

Zogjtë e blerimit tim

I kanë harruar çerdhet,

Bredhin hapësirës

Si mjegullat

Pa itinerar

 

Ikin ose vijnë trenat

Nga dritaret e autobusëve

Udhëtarët i gjuajnë letrat e dashurisë

I gjuajnë edhe shikimet e zbrazëta

Në drejtim të vashave sygështenjë

 

Në një katrahurë mendimesh

Përzihen disa lloje emocionesh

Përzihen si mendimet e lënduara

nga rrebeshi

Jashtë dhomës sime

Si për mëri frynë

Një erë e fortë i shkulë lisat.

e sëmurë

 

Veriu i acartë frynë

E nuk ndalet në asnjë portë

Mendimet bien në tokë

Si çafkat e sëmura

 

        Shkëputen degët e mushmollës

Pa shënuar dot-kurrë

Asnjë kuotë!

Një dimër i zi po vjen

Arkeologët me lopata të ngrira

Rrëmihin të kaluarën e hidhur të erës

Duke mos lëkundur fare portat e humnerës...

 

 

ZOGJTË E IKUR TË MENDJES

 

Në kujtesën time të kositur

Sërish po mbinë bari

Zogjtë  e vetmuar të korijeve

Kanë filluar t’u përngjajnë turtujve

 

Vera iku më herët sivjet

Kurse dimri ka mbetur peng

Mes një kohe asnjanëse

Çfarë të bëjë me duart e mia

 

Kjo kohë e ngrysur

Paska hyrë në shpirtin e zgërbonjës

Dhe pret që në befasi ta sulmoj ditën

E cila posa është nisur

Në një udhëtim pak më ndryshe

 

Asgjë më nuk i përngjan etjes

Mëngjesi vuan nga kotësia

Zogjtë e ikur të mendjes

S’fluturojnë më këndej pari

 

 

SI DEVETË E SHKRETËTIRËS

 

Kjo moshë e shtyrë qenka tepër e rënd

Nuk mund të bartet

Zvarritet si mali i lodhur

Më është rënduar mbi supe

Lakohet në dysh kurrizi i thyer

Si te rrapi i bardhë

Frynë erërat në zgërbonjën e shpirtit

 

Përpos hapave të lodhur dhe vetmisë

Askush pranë nesh

Ecim si dy kukëza të drunjta

Pa shpresë

I shkelim udhët e ndrydhura

Të ditëve

Që vijnë dhe ato që ikin

 

Qenka shumë e rënd

Tepër e rënd kjo peshë e padurueshme

Rëndojnë mbi supe ditët

Muajt dhe vitet

Kjo barrë e madhe sa bota

S’durohet dot

Ama as nuk mund ta heqim

 

Si devetë e shkretëtirës

Pushojmë nëpër oazat e kujtesës

Për inatin tonë

S’ndalen buzëqeshjet e drurëve të shtrembër

Qeshin e qeshin me ne zhapikët prej dune

Kurse pesha

Në çdo hap më e rënd se jeta

 

 

SHTËPIA IME

 

Shtëpia ime e ngrohtë

Më pret diku në vetmin time

Askush brenda

Përpos fëmijërisë së hidhur

Dhe sandaleve të motrës

 

Një palë këpucë të vjetra

Të arnuara nga duart e babait

Ai njeri i mirë

Për çdo festë fetare

Na arnonte këpucët dhe dhimbjet

 

Shtëpia ima mbuluar me kashtë thekre

Asnjëherë nuk pikoi trishtim

Me duart e saja të ngrohta

Na mbante gjallë

Dhe shpeshherë

Recitonte poemën e mjerimit

 

Por ishte shtëpia e jonë

E ngrohtë si zemra e nënës

Kur kishim mall

Për diellin e përflakur të atdheut

Krah më krah i hapnim dritaret

 

 

PËR TA MBËRRI  FUNDIN

 

Rrugët janë të gjata

E kur të mbërrimë në fund

(I cili asnjëherë

askund nuk ekziston)

Mu aty mbërrijmë

Mund t’i prekim mendimet e erës

 

Ndoshta njerëzit nuk kuptojnë

Por në fundin e një fundi

Fillon një tjetër fund pambarim

Pa emër

Dhe pa mbiemër

Ku mund të humbim

Si zogjtë e ngrirë të një stine

 

Ne duhet të ecim, bijtë e mi       

Domosdo duhet të ecim

Përtej ngadhënjimit të fjalës

Nëse ndalemi

Te fundi që nuk ekziston

Do filloj sërish një tjetër fund

 

Në hapin e parë

Të vrapit të kaprollit të verbër

Fillon përmbytja e yjeve

Dhe detet fundosen në univers

 

          Për ta mbërri fundin

Nuk duhet shumë mençuri

Ne edhe ashtu jemi në fund

Andaj duhet të fillojmë të ecim

Nga fillimi i një fundi

Që s’duket askund

Në horizontin e imagjinuar



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora