E premte, 26.04.2024, 09:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

Quhet Arian Çani, i lejohet gjithçka

E diele, 13.07.2008, 01:19 PM


Shkruan: Revista Mapo

Kushdo që e merr suksesin e Arian Çanit si rastësor apo të konuiktural gabohet rendë, sepse Çani ka mbrujtur një karrierë gazetareske të dorës së parë dhe me kujdesin e një profesionisti. Në fakt, kur erdhi të bënte televizion, Arian Çani kishte eksperimentuar me sukses në median shqiptare disa gjini, në disa media, të cilat kishin parapërgatitur tek ai “ZONEN E LIRE”. Natën e 27 qershorit 2008, në Teatrin Veror Kame, në Ibë, që Cani e pagëzoi IBE CITY, ai bëri emisionin e tij të 185, në përfundim të edicionit të 5-të. E gjitha një natë deliri televiziv afro 30 të ftuar, të gjithë përsonazhe që kanë “bashkëpunuar” në vite me praninë e tyre të shpeshtë në ndërtimin e atij forumi të madh politik, social, kulturor, siç ka qenë këto 5 vite ZONE E LIRE.
Kundër-kulturën gazetareske në raport me normën e kohës, Arian Çani nisi ta manifestonte që në faqet e gazetës Koha Jonë, aty nga marsi i vitit 1998, kur nga një gazetar politik, u bë redaktor i faqes …..sociale, një rubrikë që deri atëherë nga gazetat shqiptare kishte statusin e një rubrike për gazetarët fillestarë apo për gazetarët pa perspektivë. Ai e ndryshoi konceptim e kësaj faqeje, duke flakur tej lajmet e vogla e të mërzitshme dhe duke e zëvendësuar këtë faqe me fenomenin dhe tipin social, apo më saktë me alter-tipin social, i cili ishte që nga prostituta e deri tek varrmihësi, që nga lypësi e deri tek i sëmuri me SIDA.
Pas kësaj, një ide gjeniale, që e mësoi atë përfundimisht të “lironte gojën” dhe të perfeksiononte të shprehurin. Edhe pse nuk e pranon asnjëherë zyrtarisht, Arian Çani është autori i emisionit të famshëm “Klani i Natës”, cili që nga vitit 1998 në radio Klan, la pa mend të gjithë njerëzit që bënin radio apo që dëgjonin radio, me dialogun e lirë, me telefonuesit dhe thurjen e të gjitha pragjeve gjuhësore në një media, duke e bashkuar të folurën e përditshme pikante të tavolinave me të folurën radiofonike. Ky emision çliroi shumë shpirtra të ndrydhur dhe u shndërrua në një rrëfimtore të madhe publike në këtë qytet, ku mungon rrëfimi tek prifti, por sidomos, kur askush nuk ka qejf të të dëgjojë. Çani u bë prifti radiofonik i të gjithë atyre që donin të shpreheshin dhe njëkohësisht të ruanin anonimatin.
Karriera e tij si kryeredaktor i “Gazeta Shqiptare” është po ashtu një tjetër kulm dhe risi. Që në fillim, ai bëri të kthejnë kokën drejt saj për faktin që ai ishte tanimë tek gazeta shqiptare. Ai botoi tituj dhe foto provokative, të cilat ngjallën më së pari debat për limitet që ka në dispozicion një gazetë e përditshme në mënyrën dhe teknikat e pasqyrimit të aktualitetit. Duke mos pretenduar aspak të jetë konform kanoneve gazetareske “shoqërisht korrekte”, Arian Çani ndërtoi “gazetën e tij”, duke i dhënë GSH një tirazh të paparë ndonjëherë për një gazetë me dyfishin e çmimit të të tjerave. Ndërkohë, besnik i interesit publik, Arian Çani ndërmerr me guxim disa tema, të cilat i ndjek me insistim dhe formëson një debat publik të thelluar e të zgjeruar. Kështu u shpall luftë mashtruesve të tillë si Gazmend Male dhe Eleonorës së Kombinatit që pretendon shenjtërinë. Shtjellon me guxim çështjen e Erieta Abdylit dhe bën të lëvizin të gjitha strukturat shtetërore e shoqërore për të parë me emancipim një ngjarje në çift që ndëshkohet me një vdekje. Gjithnjë duke shkaktuar debat, gjithnjë duke shkaktuar habi, kritika. Por gjithnjë duke rritur tirazhin dhe duke i shërbyer publikut.
Derisa në tetor të vitit 2003, Arian Çani vendos të dalë ne ekran, jo thjesht me emisionin e tij, me logon e tij, por me “televizionin e tij”. Frymëzuar fort nga ajo pjesë e kulturës televizive franceze jo-konformiste, Arian Çani fillon emisionin ZONE E LIRE ne TVA me një sukses të shpejtë dhe shokues. Formula të reja, kënde të reja të shikimit të personazheve, pyetësorë të sikletshëm dhe të këndshëm. Por kjo nuk mjafton. Deri në fund të vitit 2005, pas gati dy vjet e ca emision, kur tashmë është “blerë” shtrenjtë nga KLAN - Arian Çani formëson plotësisht fizionominë e emisionit të tij, ku ndeshim qartë të aplikuara disa parime si: “Ta bëjmë inteligjenten të lexueshme” – ja pse filozofinë dhe librat me përmbajtje mjaft elitare etë thellë, mund të promovohen dhe kuptohen për publikun e gjerë vetëm te Arian Çani. Madje të bëhen dhe best-seller, si libri “Rrota e mundimit” i Artan Fugës dhe romani “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit ; “gjithçka mbi ekran” – dhe pse të ftuarit nuk janë të ngrirë si kallkan por “jetojnë” edhe gjatë kohës kur janë në studio, si normalisht në pjesën tjetër të ditës; “personazhi atipik” – ja pse autostrada e inxhinier Ngjeqarit, librat për Pellazgët, Ilirët dhe Shqiptarët e Elena Kocaqit apo formulat e fizikës fantastike të Stef Stakut, janë të këndshëm për të gjithë; “përthyerja ndryshe e aktualitetit politik”, ja pse ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 u skanuan dhe u paralajmëruan tek ZONE E LIRE më parë se kudo tjetër. “pa tabu”- ja pse hapja e seks-shop-it të parë në Shqipëri promovohet tek ZONE E LIRE me harenë e një akti emancipues për qytetin. Sepse Çani di të trajtojë me cinizmin publik dhe të zbresë në toka temat e fryra dhe të rënda. Ashtu siç di të trajtojë shumë seriozisht gjërat që duken të thjeshta dhe të sipërfaqshme. Quhet Arian Çani ndaj ndoshta i lejohet gjithçka.

Kur të pyet Çani...

Mapo pyeti disa prej personazheve më të njohura që kanë vizituar studion e “Zonë e lirë” në lidhje me ndjesinë dhe emocionet që ata kanë patur kur kanë qënë në transmetimin live të këtij emisioni. Secili prej tyre vlerëson aspekte të ndryshme të këtij emisioni, por në fakt, po t’i vëresh mirë, ata të gjithë vlerësojnë Çanin!
I pyetëm nëse mendojnë se “Zonë e lirë” është tashmë një fenomen apo një kundërfenomen i medias shqiptare dhe nëse ata kanë qenë realisht të lirë, apo janë stepur deri diku kur u është dashur të jenë të ftuarit e këtij emisioni. Përgjigjet janë secila më origjinale se tjetra!
Kryetarja e Kuvendit, Topalli thotë se ndjehet mirë në emisionin e Arian Çanit. Artan Fuga, një njohje e vjetër e emisionit thotë se Çani është shpikësi i të folurit pa alfabet.
Ardit Gjebrea nuk thotë dot nëse Çani është fenomen apo kundërfenomen i medias shqiptare, por lehtësisht thotë se  “ai është unik”.
Rajmonda Bulku e pranon se nga jashtë, Çani të tremb, por kujton se sa herë ka qenë prezente në studion e “Zonë e lirë” është ndjerë çuditërisht shumë më mirë, për shkak të atmosferës së ngrohtë që sipas saj “vetëm Çani di ta krijojë”.
Timo Flloko mendon se “nëse Çanin nuk do ta quanim dot kundërfenomen, do të duhet ta pranonim si fenomen”.
Çiljeta thotë për Mapo se kur është e ftuar në “Zonë e lirë” i duket sikur është në një kafe ndaj dhe ndihet vetvetja. “Flas atë që mendoj, dhe në cdo moment jam e relaksuar”, pohon ajo.
Henri Çili mendon ndërkohë, se Çani dhe “Zonë e lirë” është tashmë fenomeni i “kundër fenomenit të gazetarisë zyrtare të tranzicionit shqiptar”! Çani, paradoksalisht hapi ekranin, shpërtheu listën dhe temat zyrtare të debatit zyrtar të tranzicionit. “Vetëm se, ndryshe nga të tjerët, ai e bën këtë në mënyrë të këndshme”, shton Çili.
Ndërsa Ingrid Gjoni është e mendimit se secili promovon veten dhe kauzën e tij në “Zonë e Lirë”. “Për herë të parë kam qenë e ftuar në këtë emision para dy vjetësh dhe mbaj mend që kam dalë shumë e kënaqur nga ai emision. Çani di kë ngacmon…, jo mua…!”, thotë më tej ajo.

Topalli: Zonë e Lirë më bën të ndihem mirë
Zonë e Lirë përbën një fenomen së pari për vetë moshën, që në mos gaboj, po i afrohet shifrës 200. Sigurisht është fenomen në mënyrën e trajtimit të fenomeneve në Shqipëri. Mua me pëlqejnë gjërat e lira dhe liria e mendimit dhe e shprehjes është fenomen brenda fenomenit tek Zonë e Lirë. Numri të ftuarve është tejet i madh dhe do t’ju sugjeroja t’i numëronit pasi është një statistikë që do ia vlente të përmendej.
Zonë e Lirë më bën të ndjehem mirë në tërësi dhe nuk kam refuzuar asnjëherë ftesën e Arianit për të marrë pjese në të, intervistat e mprehta më pëlqejne. Nëse duhet ta them, do të më pëlqente më shumë që femra tek Zonë e Lirë të vlerësohej më shumë si mendje dhe më pak si fizik apo aparencë, megjithëse po flas për raste mjaft të rralla. Si pjesëmarrëse në emision gjithmonë jam ndjerë komode në pozicionin tim si politikane dhe grua.Arjani është gazetar simpatik që e bën emisionin shumë të këndshëm dhe unik.

Ardit Gjebrea:  Arjan Çani është unik!
Unë nuk mund të them dot nëse Çani dhe “Zonë e lirë” është një fenomen, apo një kundërfenomen në median shqiptare. Për mua, ai është unik!
Mendoj se nuk ka, nuk ka patur, e nuk do të ketë si formati që Çani që ka zgjedhur, por mbi të gjitha si Çani vetë. Sepse, në fakt, nuk është thjesht formati i emisionit, por Çani ai që e bën unik “Zonen e lire”. Në botë ka shumë formate origjinale, por suksesi nuk varet vetëm te formati, por mbi të gjitha në personazhet që marrin përsipër t’i konkretizojnë këto formate.
A jam ndjerë i lirë te Çani? Te thuash “i lire”, është pak…

Rajmonda Bulku: Jashtë ekranit të tremb, në studio të ngroh!
“Zonë e lirë” mendoj se është një fenomen. Studioja e saj është e rrallë, e veçantë, mikpritëse. Kjo, falë natyrës së Çanit. Në studion e “Zonë e lirë” krijohet gjithmonë një vorbull gazmore, e ngrohtë, dhe është e çuditshme se si nga jashtë ekranit krijon të tjera perceptime dhe ndjesi në krahasim me kur gjendesh vetë në studio.
Nga jashtë ekranit, Çani të tremb! Dhe thua gjithmonë: “Mos! Te Zonë e lirë nuk kam për të shkuar asnjëherë”. Por kur je aty në studio, gjithçka është ndryshe.

Çiljeta: Kur jam në “Zonë e lirë” ndihem vetvetja
Arianin e kam shumë mik. Jam ndjerë shumë mirë sa herë që kam qenë e ftuar në emisionin e tij “Zonë e lirë”. Mendoj se ky emision përbën një fenomen për median shqiptare dhe tregon fytyrat e vërteta të personazheve të cilët njerëzit i njohin përmes ekranit, ose i njohin për herë të parë në “Zonë e lirë”.
Në siklet më bën të ndihem gjatë pyetjeve që ai më bën, pyetje që zakonisht m’i bën për herë të parë në emision, pra pyetje të cilat unë i dëgjoj pikerisht atje për herë të parë. Megjithatë kur jam e ftuar në “Zonë e lirë” më duket sikur jam në një kafe ndaj dhe ndihem vetvetja. Flas atë që mendoj, dhe në cdo moment jam e relaksuar.

Henri Cili: Fenomen i kundërfenomenit të gazetarisë së tranzicionit
Çani dhe “Zonë e lirë” është tashmë fenomeni i “kundër fenomenit të gazetarisë zyrtare të tranzicionit shqiptar”! Çani, paradoksalisht hapi ekranin, shpërtheu listën dhe temat zyrtare të debatit zyrtar të tranzicionit. Vetëm se, ndryshe nga të tjerët, ai e bën këtë në mënyrë të këndshme.
Ç’të bën të jesh i lirë e ç’të bën të stepesh në këtë emision? Mënyra se si Çani i qaset çështjes tënde! Ai i jep njëkohësisht të drejtë gjithkujt e njëkohësisht është skeptik ndaj gjithçkaje që thua.

Artan Fuga: Çani  dhe e folura pa alfabet
E ndjek Zonë e Lirë që nga fillimet, dy mijë vjet më parë, kur Çani e themelonte tek TVA. Për herë të parë kam marrë pjesë kur më pyeste: Çfarë do të bëja po ta dija se do ishte nata ime e fundit? Arian Çani ka shpikur të folurin pa alfabet, imazh-objekt-gjest, pa të cilin bëhen vetëm fletërrufetë. Personalisht ndjehem mirë kur ai bën sikur i pëlqen ajo që unë them, ashtu siç ndjehem keq kur Arian Çani më kërkon të përgjigjem me “Po” dhe “Jo”

Skënder Minxhozi: Zonë e Lirë nuk të le indiferent
Zonë e Lirë është një emision që nuk të le indiferent, në të mirë dhe apo në të keqe. Është një nga ata emisione të tregut mediatik që zgjojnë ndjenja ekstreme, pëlqimi apo edhe mospëqimi në disa raste. Gjithsesi, në të dyja anët kjo është në fund të fundit një histori suksesi. Personalisht e kam të vështirë ta gjej veten tek ajo pjesë e emisionit e cila fillon me ato mbishkrimet në anë të ekranit që ndalojnë ndjekjen nga një publik nën një moshë të caktuar.
E kam njohur Arianin qysh në bangat e shkollës, besoj se për këtë arsye jam ndër ata njerëz që e kam ndjekur më nga afër metamorfozën unikale që pësoi studenti i frëngjishtes i fundit të viteve ’80, drejt një gazetari dhe prezantuesi të njohur, aq sa edhe ai vetë do ta kishte, mendoj, të pamundur të parashihte një të ardhme të tillë profesionale për veten e tij. Në këtë paradigmë të habitshme transformimi gradual nga mësues i frëngjishtes (siç e kemi të shkruar të gjithë në diplomat tona të shkollës), në shoëmen, Çani i ka dhënë jetë një formati krejt të ri për veten dhe për emisionin që drejton.

Erion Veliaj: Një pit-stop i detyrueshëm për të gjithë
Teksa të gjithë talk-show në Shqipëri konkurronin brenda një zhanri, Çani bën të kundërtën. Nuk futet në lojë, përkundrazi krijon një lojë të vetën, ku tani duan të futen të gjithë personazhet publike e jopublike. ‘E zeza’ e Çanit është sot moda më e dallueshme në TV.
Zonë e Lirë është hapësira më demokratike në Republikë ku politikani e maratonomaku, aktori e fallxhori, trafikanti e polici, kampioni e dështaku gjejnë ‘agorën’ e ideve dhe pasioneve të tyre. Nje pit-stop i detyrueshëm për këdo që ka zell për jetën publike.

Ingrid Gjoni: Çani di kë ngacmon
Unë nuk e kam parë “Zonë e lirë” në këndvështrimin e të qënit fenomen apo kundërfenomen në median shqiptare. Për mua “Zonë e lirë” është thjesht një emision që të lançon. Dhe unë në këtë këndvështrim e kam parë gjithmonë. Si natyrë unë jam e lirë dhe nuk kam frikë nga kamera. Megjithatë në emisionet “Zonë e lirë” kam parë njerëz që më sikletosin ndonjëherë apo dhe të ftuar që më janë dukur deri diku banalë, po ama secili promovon veten dhe kauzën e tij. Për herë të parë kam qenë e ftuar në këtë emision para dy vjetësh dhe mbaj mend që kam dalë shumë e kënaqur nga ai emision. Çani di kë ngacmon…, jo mua…!

Timo Flloko: Më pëlqejnë ngacmimet e Çanit
Mendoj se nëse Çanin nuk do ta quanim dot kundërfenomen, do të duhet ta pranonim si fenomen!
Unë nuk jam stepur asnjëherë nga emisioni “Zonë e lirë”, sepse kam ndjerë gjithmonë frymën e tij miqësore. Më pëlqejnë ngacmimet e arsyeshme që Çani bën në emisionet e tij. Sigurisht ka dhe ngacmime të tjera, që në pamje të parë duket se dalin njëçikë jashtë natyrës tënde, por mendoj se fundja pikërisht këto lloj ngacmime i japin më shumë interes emisionit.

Ben Blushi: Stepem kur Cani nuk më pyet!
“Zonë e lirë” është një fenomen mediatik pa dyshim, një reagim urban ndaj një shoqërie folklorike e cila po emancipohet me ritmin e një ecjeje dhe jo të një muzike. Ndjehem mirë te “Zonë e lirë” sa herë që Çani më pyet dhe stepem sa herë që nuk më pyet.

Fidel Ylli: Gjjithçka që s’e gjen në emisionet e tjera
Zonë e Lirë është një fenome i rrallë në mediat shqiptare. Ky format i përzgjedhur nga Çani është ka shumë elemente brenda, politikë, aktualitet, kulturë, sport. Gjithçka që nuk e gjen në asnjë emision tjetër shqiptar. Secili mund të gjejë veten. Kjo mendoj se është arsyeja që që e ka bërë të jetë emisioni më i shikueshëm. Drejtimi nga Çani është perfekt, pasi i përshtatet dhe natyrës së tij. Mundësia për tu ndjerë keq është e vogël. Vetëm në pjesën e fundit të emisionit kur shpesh ai fton këngëtarë që të cliruar nga komplekset, të bëjnë të ndjehesh pak në siklet kur ke edhe minorene në krah, por “-16” legjitimon të tërën

Mark Marku: Demokratizim i ekranit
Zonë e lirë është një fenomen dhe fenomeni quhet: demokratizim i ekranit. Unë për vete jam ndjerë i lirë sa herë që ka qenë i ftuar në këtë emision dhe kjo ndodh sepse drejtuesi i emisionit e ndan lirinë e vet me të ftuarit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora