E shtune, 27.04.2024, 06:21 PM (GMT+1)

Faleminderit

Hajriz Demaku: Shaban Palluzha Heroi i harruar

E merkure, 09.07.2008, 07:57 PM


Shaban Palluzha Heroi i harruar

Nga Hajriz Demaku

Në 63-vjetorin e rënies të patriotit dhe luftëtarit Shaban Palluzha, bashkëluftëtarët kanë kërkuar respekt më të madh për luftën e Palluzhës në bashkimin e trojeve shqiptare. Ata kanë kërkuar nga historianët një vlerësim më real për veprat dhe kontributet e Shabanit. Bashkëluftëtarët rrëfejnë për Shabanin.

“Po çka ka ba Shabani për trojet shqiptare e kërkush nuk po e thotë drejt. Është gjynah prej tij dhe prej shokëve të tij që nuk tregohet drejt për luftën që ka ba”- (Hajriz Demaku)
Me shumë interesim është pritur paraqitja në skenë e veteranit të luftës së Shaban Palluzhës, Hajriz Demaku, të cilin vitet e mundimshme dhe pleqëria e thellë kishin bërë që të lëvizë me ndihmën e të tjerëve, por me një memorie të freskët ka evokuar kujtime nga luftërat që bëri Shaban Palluzha dhe luftëtarët e tij.
Shabani edhe kur s’kishte bukë, hante kokrra të kallamboqit. I thoshim jo komandant ti mos ha ashtu, ai thoshte jo, çka të hanë ushtarët e mi, ha edhe unë. Po dua me hëngër atë që hanë ushtarët e mi, kokrra të kallamboqit; e kam pa unë duke pjekur  mbi një stufë me një letër”, tregon Demaku.
Të shumtën, në njërën nga shumë kodra të fshatit Palluzhë ku edhe është lind Shaban Palluzha, në temperatura të larta është shënuar 63-vjetori i rënies së tij.
Në këtë manifestim, figura e Shaban Palluzhës është cilësuar si figura më e ndritur e periudhës para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur popullit shqiptar po i kanosej edhe njëherë rreziku i ripushtimit dhe i e gënjeshtrave të disa historianëve, oborrtarë të sistemit të kaluar, të cilët padrejtësisht shtrembëruan realitetin rreth luftërave të figurave më të ndritura kombëtare, siç ishte edhe Shaban Palluzha.
Historiani  dhe nipi i komandantit Shaban Palluzha, Zahir Kastrati, paraqiti një historik të luftës dhe betejave të asaj kohe, kur patriotët shqiptarë ishin vënë në mbrojtje të tokave jo vetëm shqiptare, por duke u ndihmuar edhe popullsisë së rajonit të Sanxhakut, të cilët po rrezikoheshin së shfarosuni nga çetnikët serbë. Në 63 vjetorin e rënies së Shaban Palluzhës ka folur edhe shefi i zyrës së Shqipërisë në Kosovë Arben Çejku.
Ai është ndjerë i emocionuar meqë, siç tha Çejku, pa parasysh gjithë historinë e popullit shqiptar  për e pavarësi.
Ai ka vlerësuar se rezistenca e popullit shqiptar të Kosovës nuk ka shembull të dytë në Ballkan. Kosova sipas Çejkut ka historinë më të madhe dhe më të ngjeshur nga gjithë vendet e tjera.
“Çdo pëllëmbë toke e Kosovës është e larë me gjakun e dëshmorëve për liri. Shaban Palluzha në historinë e popullit shqiptar është një emblemë e nderimit, ndërsa populli shqiptar i Kosovës, në kërkim të lirisë së vet është ballafaquar me mbretëri të ndryshme si turke e serbe. Lufta e Shabanit nuk ishte një rastësi, por ishte një produkt i familjeve dhe fiseve të Drenicës që nuk  reshtën së kërkuari lirinë e tyre.
Shaban Palluzha u lind në vitin 1871 në fshatin Palluzhë. Ka pasur një familje patriotike dhe dashurinë për atdheun e ka trashëguar nga gjyshi Rexhepi dhe nga baba Mustafa. Ai ka rënë heroikisht më 21 shkurt të vitit 1945.
Ajo ishte sikur edhe të gjitha luftërat tjera në Drenicë, për t’i  treguar botës se të huajit nuk i nënshtrohemi asnjëherë. Dihet që Drenica gjithmonë e ka kundërshtuar të huajin e nuk ka dashtë të jetojë në ribëri, sikur që ishte Ahmet Deli i Prekazit më 1912, kur dëgjon se te fqinjët e tij kishin hyrë komitët, i thirri djemtë dhe iu dolën përpara me sëpata edhe i zmbrapsen, duke i çarmatosur!
Rapsodi popullor i përjetësoi në këngë:

Ngadalë babë ti mos u ngut
Sa ta marr sëpatën te drutë
Mori sëpatën e i ra në ballë
Taban trutë ia qiti në shkallë!
Në mos vdeksha për të parin komshi
Tybe n’vdeksha as për robë të mi!

Pastaj vjen Azem Bejta e Shote Galica: 10-vjet i kanë mbajtur të lira tri katunde Galicë, Mikushnicë e Libovec, këmbë shkau s’ka guxuar të trupojë andej!
Pas tyre vjen Shaban Palluzha: pasi patën bërë aleancë komunistët e Shqipërisë me Enver Hoxhën në krye, me Beogradin e me komunistë serbë, krerët e Drenicës e kuptuan se Kosova prapë do të mbetej nën Serbi, ata nuk ju besonin parullave të hijshme komuniste për vëllazërim-bashkim që thoshin për herë të parë shqiptarët do t’i kenë të gjitha t drejtat e barabarta me të gjithë popujt tjerë të Jugosllavisë, edhepse komunistët e Shqipërisë u mashtruan, krerët e Derenicës nuk iu besonin fjalëve të bukura të komunistëve, andej e këtej kufirit. Drenica përgatitej për t’u mbrojtur nga tradhtia eventuale e komunistë të të dy anëve, dhe u bashkuan e biseduan mesvete që të mbledhin forca e të tubohen e të mos befasohen nga tradhtitë eventuale, u tubuan dhe u konsultuan me trurin e Lëvizjes së rezistencës, me Ymer Berishën, e formuan brigadën e Shaban Palluzhës, si më i besueshmi që ishte, sepse asnjëherë nuk e ka tradhtuar kënd.
Kjo u tregua menjëherë, sepse sapo hyrën komunistët në Drenicë ia nisën kasaphanës. Erdhën në Drenicë çetnikët e Kolashinit nën petkun e partizanëve, kinse si çlirimtarë, por si erdhën në Drenicë ia nisët me pre njerëz natën, Brigada e Shaban Palluzhës rrinte nëpër fshatra të afërme të Skenderajt, e partizanët natën masakronin njerëz pa gjyq, sipas porosive të çetnikëve! Na tregonin të nesërmen se në cilin vend i kanë pushkatuar: një rast vëllain e Miftar Bajraktarit të Llaushës, Halil Gecin vetë i gjashtë në një varr! E xhandarët tanë na tregonin se në cilët vende kanë pushkatuar.
Erdhi një kurir i Fadil Hoxhës, Sadik Tafarshiku, të marrë vesh se kush po hyn në brigadën e Shabanit; ai e lajmëronte Fadilin që ka edhe njerëz që i lyp pushteti e që po hyjnë në brigadën e Shabanit!
E thirrën Shabani në komandën e vendit, Ali Shukrija me Vllada Raiçeviqin e nja dhjetë të tjerë, i kishin përgatitur një atentat, por Shabani shkoi me  truproje të vetat dhe vetë i armatosur, e Hamzë Istogu dhe Ali Kastrati, kur u munduan t’i çarmatosin, ata rezistuan dhe u futën me armë brenda! Atje i thanë:
-Çka po do ti Shaban me atë ushtri?
-Unë dua t’i mbroj popullin tim prej çetnikëve!  Ata i thanë:
-Merri ti ushtarët e çoi në Mitrovicë, e shtini në kazermë, se katundarët s’kanë bukë me t’i mbajt ushtarët, e këtë punë do ta këqyrim ne se s’ka m’u pre më kush sikur deri thash.
Shkuam në Mitrovicë, u vendosëm në një gjimnaz që quhej “Silvia Tomazini”. Më 6 janar, ditën e Krishtlindjeve serbe, më 1945, erdhën oficerët serbë e kërkuan regjistrin prej sekretarit të brigadës, ishte Sali Gjinovci sekretar, dhe në oborr të asaj shkolle na ndanë në 10 grupe nga 300-400 ushtarë dhe në krye të kolonës ushtarët serbë të na shpërndanin nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, në nja 10 qytete. Shabani vetëm shikonte nga dritarja, dhe kur e ka pa se u krye regjistrimi, është dalë në tarracë dhe e ka lëshua një zë, e ka thënë kështu: Vëllazën, a po keni qejf me u nda apo me dejtë bashkë sikur që jemi? Dhe masa njëzëri këlthiti:
-Të gjithë bashkë duam me ndejë! Shabani s’ka fol hiç më dhe vetëm i ka hapur duart dhe i ka afruar duart- bashkohuni! U prishën ato kolonat e ndarjes!
Tani na thanë se del edhe Fadil Hoxha në Mitrovicë, por ai e kishte dërguar njëfarë Rasim Çerkezin, dhe jemi kthyer e jemi ardhur në Drenicë të gjithë së bashku. Kur jemi ardhur në Drenicë, kanë ardhur: Fadil Hoxha, Ali Shukrija e Kërsta Filipoviqi, e na kanë tubuar në Skenderaj, dhe e kanë mbajtur një fjalim nga një ballkon i një ndërtese, Ali Shukrija foli, Kërsta nuk foli hiç, i pasmi foli Fadil Hoxha dhe i tha Shaban Palluzhës që t’i marrë ushtarët e vet e t’i bashkojë me oficerin Shaban Haxhia e të nisen për në Srem. Dhe tha se po ju garantoj se asnjë njeri më s’ka me pësua pa gjyq. Shaban Palluzha, tha se do të presë edhe nja një javë, sa t’i verifikojë fjalët e tija!? Por ato ditë sërish masakra nuk u ndal! Pas një jave erdhi sërish Sadik Tafarshikut, tha se Fadili ka thënë të dilni në Podujevë se edhe unë dal aty dhe do të shkojmë për në Serem. Shkuam ne në ditën e caktuar në Podujevë, ditën e caktuar 20 janar 1945, Fadili nuk doli hiç, por e kishte dërguar Ismet Shaqirin! Shabani u hidhërua, Shaban Haxjija i kishte kaluar ushtarët e vet për në Vranjë e nuk i gjetëm aty asnjë, vetëm Shaban Haxhia kishte pritur me Ramadan Banushin e Sedllarit që të na merrnin edhe neve.
Shabani u hidhërua që nuk ka dalë Fadili, edhe na pyeti neve apo keni qejf me shkua apo po keni qejf m’u kthye? Nja 10 gjeneralë serbë i kishte pas shpine që kishin ardhur me na marrë, këta –tha- për mua nuk janë kurrgjë, unë jam komandant i juaj, e mos thoni se na mori në qafë Shabani, në dashi ju shkojmë e në dashi ju kthehemi, si të doni?
Feriz Bojaj e çoi dorën dhe e kërkoi fjalën:
Shoku Komandant, si të shkojmë kur na kanë hyrë çetnikët në Drenicë, edhe duke qenë aty na i kanë pre njerëzit, e po të shkojmë atje na i presin edhe fëmijët!? Atëherë na ka thënë Shabani:
-Pra kthehuni dhe mos i harroni disa vëllezër tanë që i kemi në burg se sabahu nuk i çel të gjallë! Dhe shkuam e i liruam nga burgu, kishin qenë nja 100.
Jemi kthyer për Drenicë, kemi bujt nëpër katunde se na zuri nata. Të nesërmen, më 12 janar, kemi dalë në rrugë për me shkua në Drenicë, kur jemi ardhur në Barilevë, e kemi lëshuar rrugën për me shkua në Prishtinë, jemi grupuar nëpër batalione e kompani si kemi qenë më parë, na kanë gjuajtur serbët me mitraloz në grumbull! U vra Imer Sheshivari i Dubovcit, janë plaguar nja 4-5 dhe kemi vazhduar rrugën për në Drenicë. Lufta e rreptë ka zgjat rrafsh një muaj: Më 21 janar e nisim luftën, më 21 shkurt u vra Memet Gradica e Shaban Palluzha!!
U vendosëm ne në nja 14 katunde, fronti i gjatë nja 45 kilometra! 8000 ushtarë i patëm në Podujevë, në Drenicë 20.000! Sepse na u bashkua populli, edhe gratë e fëmijët na u bashkuan në logjistikë, ushqim e veshmbathje dhe gatime!! Ishte një orkestrinë e mrekullueshme ushtarake me të gjitha instrumentet të mëdha e të vogla, edhe po të mos ishte topi i tyre, e që ne nuk e kishim, kurrë nuk do të na shkulshin nga ato troje, nga trojet tona!
Na kanë ndihmuar edhe disa figura nga Shqipëria: Marije Shkllaku, Bernard Llupi, Kolë Parubi, Valis Andoni, Reshat Gjebrea... të cilët janë zënë më vonë dhe janë pushkatuar në Prizren.
Kësaj radhe më së shumti na ka ndihmuar Gjilani, Isuf Ibrahimi e Raif Halimi me shokë. Poashtu edhe Podujeva, Nuhi Gashi, Ismail dhe Adem Zakuti, dy vëllezër (na i kanë sjellë dy qerre me armë në Abri ende pa krisur lufta), Ejup Hoxha, Mulla Ramë Govori...
Shaban Palluzha kishte aspiratën që t’i bashkonte që të gjitha trojet shqiptare në një shtet etnik. Kur luftonte Drenica, Rrafshi i Kosovës luajtshin kapuça! E Gjakova edhe më zi: i çoi brigadat me iu ndihmua serbëve e me na nënshtrua neve. Brigada e Mal Sadikut, ai nga Luma e me ushtarë të Gjakovës dhe e të Junikut etj. Ranko Medenica pati shkruar te revista NIN: po të mos ishin brigadat partizane shqiptare të Kosovës, kurrë nuk do ta kishim shpartalluar brigadën e Shabanit.
Shaban Palluzha me atë luftë i kallëzoi botës dhe shqiptarëve kudo që janë se liria nuk vjen vetë por duhet të blihet me gjak, se ka bërë punë të madhe shumë herë, nja 7-8 herë më shumë se krejt Kosova në atë kohë. Përshembull, ka bërë rezistencë, Riza Avdyli- Durra i Kaçanikut, Goga me shokë në Ferizaj, por asnjë herë s’ka pasë më shumë se 100 ushtarë; po ashtu Mulla Idrizi i Gjilanit me 100 ushtar, e ka marrë Gjilanin dy herë, por nuk e ka mbajtur. Hysen Terpeza i ka pasë mbi 100 ushtarë, por iku për në Greqi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora