E marte, 30.04.2024, 11:34 AM (GMT+1)

Faleminderit

Dalan Luzaj: Mjeku nga Qeparoi buze Miciganit

E enjte, 26.06.2008, 11:10 PM


Dalan Luzaj
Mjeku nga Qeparoi buze Miciganit

Nga Dalan Luzaj

Janë ato ndjenja humane të përcjella në gen duke rënë në truall të shëndetëshëm rriten e lulëzojnë, duke zbukuruar e lartësuar njeriun dhe punën e tij.  Jo rrallë në jetë njeriu gjen oaze të tilla, ku e përditëshmja hesht dhe të merr me vehte freskia plot jetë e tyre, gjithësesi këto qëndresa janë karakteristikë e racës sonë.
Para ca vitesh u ndodha i ftuar në një darkë familjare tek një miku im këtu në Çikago;kuptohet që jo të gjithë të ftuarit i njihja. I zoti i shtëpisë bëri njohjen dhe ky shërbeu si çelës për të hyrë në biseda me njëri tjetrin simbas radhës dhe llojeve të
tyre. Pikërisht aty zë fill njohja fizike me Dr.Minella Aleksin. Kam një tjetër mik të vjetër nga Qeparoi, Petraqin buzagaz dhe të sinqertë; poet e prozator, të birin e të nderuarit Janko Pali.
Dr.Minella e rriti njohjen time më tej me njerëzit si dhe një nga perlat e bregdetit. Me trup mesatar, ballëlart e sy kërkues, edhe pse ka horizont të gjerë kulturor, doktori. flet më pak se të tjerët, por gjithësesi tepër i saktë. Shpesh gjatë bisedave, kur të tjerët me
arsyetime s'ndërtojnë sakt konkluzionin, ai ndërhyn me tepër takt, pa e fshikur parafolësin, shtjellon dhe vendos aty ku duhet mendimin e tij të pjekur.
U ndamë atë natë, unë duke marrë me vehte respektin për të gjithë të ftuarit, por diç më tepër të anoja nga ai. Pas syve të tij plot jetë, kërkues, më dukej se fshihej diçka e
bukur, ndaj dhe vendosa të gërrmoj.  Në biseda të zakonshme që zhvillojnë shqiptarët, kisha dëgjuar shpesh për Dr.Minellën.
Ai pa pyetur ditë apo natë, larg apo afër, u gjëndej kujtëdo që e thërriste duke vënë dijet
në praktikë. Por Çikagua shtrihet sa gjërë e gjatë. Atij i ka rastisur të bëjë edhe 40 milie rrugë dhe kryesorja pa asnjë shpërblim. Shqiptarë të tjerë tregojnë se kur shkojnë për vizitë tek klinika ku punon Minella, ndihen krejtësisht të çliruar e të rehatosur. Ai
bisedon me ta për problemin që kanë , u përkthen dhe u krijon rrethana lehtësuese.
Një pasdreke dhjetori të vitit që shkoi, u ndodha në një familje shqiptare për vizitë. I zoti i shtëpisë ishte pa qejf. Duke pirë kafe, u dëgjua zilja e derës dhe brënda hyn Dr.Minella me pak borë flokëve,dihet se Çikagua veriore është e pakursyer në borë.
Që në fillim doktori tha se kafen do ta pinte pas vizitës së të sëmurit. Vizitoi të sëmurin, i
dha qetësues të rastit e të tjera këshilla për orët e mëvonëshme me porosinë që të nesërmen të shkonte për të bërë analizat. Piu kafenë dhe kërkoi leje për tu larguar se
diku një tjetër e priste. Portretit të këtij mjeku duhet t'i shtojmë thjeshtësinë, sinqeritetin, bujarinë, inteligjencën, sakrificën, mikpritje, por mbi të gjitha dashurinë, ndjenjën më njerëzore( e dyta në radhë) të cilën ia ka mëkuar mëma bashkë me qumështin e bardhë të
saj. Këtë dashuri ia rriti e lulëzoi profesioni që e bëri të pakufishme si kaltërsia e Jonit pa horizont dhe gjithmonë i
kthjellët. Dr. Minella ka << infektuar me këtë mikrob >> edhe zonjën e tij,Zanën. Rastis që Dr. Minella s'ndodhet në shtëpi, kur dikush e thërret për ndihmë, e ajo bën të pamundurën gjersa të komunikojë me atë dhe ta nis atje ku e kërkojnë. E po kështu edhe fëmijët. Rasti e solli në një gëzim familjar të bëheshim bashkë sërish me Minellën. Megjithëse kishte njerëz dhe kur ka njerëz ka dhe zhurmë, por këtë radhë s'doja
të më ikte pa shkëputur ca gjëra nga ai. E ftova diku në një qoshe ku zhurma vinte e thyer dhe fillova ta pyes:
-Ore mik, ku kërkon të dalësh?
Këtë radhë hyra drejt e në temë.
I thashë se dua të shkruaj diçka për ty në gazetën Iliria, që pa dyshim është një nga gazetat më serioze që kemi brënda dhe jashtë atdheut.
- Unë s'kam asgjë të veçantë nga të tjerët, ka shumë mjekë të tjerë,
ndoshta me më shumë aktivitet pune se unë në komunitet, përse më
zgjodhe mua?
Edhe, pasi e binda, fjalët ia nxorra si me pincë.
Mjeku Minella Aleksi është dipllomuar si mjek i përgjithëshëm në vitin 1979 në Tiranë dhe për rezultatet e mira të arritura u urdhërua nga instancat shtetërore që të kalojë e ushtrojë profesionin e mjekut në radhët e ushtrisë, sikurse shumë të rinj të tjerë në profesione të ndryshme. Në vitin 1987 kryen specializim pasuniversitar 2 vjeçar në
spitalin Nr.1 Tiranë për sëmundje të brendëshme. Pas këtij kualifikimi punon si specialist për sëmundje të brendëshme në korpusin e më pas divizionin e Fierit deri në vitin 1998.
Përgjatë viteve 1980-1997 duke punuar në profesionin e mjekut boton dhe përkthen artikuj të karakterit profesional të publikuara këto në revista mjekësore apo organe të shtypit periodik. Në vitin 1996 përkthen
dhe boton nëpërmjet shtëpisë botuese “Dituria” në Tiranë librin mjekësor me titull - Libri i Zemrës - të kardiologut italian Vincenzo Rulli, shef i katedrës së elektrofiziologjisë në spitalin San Camilo të Romës. Në libër trajtohet rehabilitimi fizik dhe moral e psikologjik i të sëmurëve mbas gjëndjeve me infarkt miokardi. Riaktivizimi i tyre i plotë në jetën e përditëshme dhe pjesëmarrja në shoqëri duke e ndjerë vehten jo më si invalidë mbas kësaj gjëndjeje traumatizuese psikologjike e fizike, por si pjesëmarrës aktivë që jetojnë një jetë
normale sikurse para infarktit. Libri mjaft i shitur në Itali pati të njëjtin interes edhe në Shqipëri.
Në vitin 1997 përkthen dhe boton nëpërmjet shtëpisë botuese
Em.Hatzitheodorou, Athinë, librin mjekësor me titull – Si të përballojmë stresin – me autor Tom Trauer, shef i katedrës së neuropsikiatrisë në King's Hospital të
Londrës dhe sot shef i neuropsikiatrisë në Universitetin e Melburnit, Australi.
Libri u mirëprit për tematikën që trajtonte, veçanërisht për shkak të
situatës tepër stresuese që kalonte shoqëria shqiptare, e cila përjetonte në ato muaj të daljes së librit, rënien e piramidave të fajdeve. Ishin këto libra një përzgjedhje
profesionale për të cilat kishte nevojë lexuesi shqiptar dhe veçanërisht të sëmurët, të cilët gjenin në trajtesat në libër përgjigje për pyetjet që i shqetësonin.
I vendosur në Çikago më 1998 mjeku Minella Aleksi fillon punë në një klinikë mjekësore private në rolin e asistent mjekut dhe ndërkohë ka mundësinë dhe vullnetin që krahas punës së përditëshne, të çfletojë literaturë mjekësore të kohës dhe të ndjekë pasionin e të
shkruajturit në shërbim të të sëmurëve. Si pasojë e kësaj pune e sheh ditën e botimit në Maj 2005 libri –Abetare e Trajtimit Klinik të Hipertensionit Arterial – botuar nga
shtëpia botuese Protea Publishing në Las Vegas. Në librin me 130 faqe, shoqëruar me fotografi për kuptim më të mirë të materialit mjekësor informues, Minella Aleksi bazuar në arritjet më të fundit të studiuesve amerikanë në fushën e hipertensionit, i jep mundësi lexuesit të zakonshëm, por edhe atij profesioal, që të zgjerojë njohuritë rreth rritjes së presionit të gjakut dhe faktorëve që e favorizojnë atë, duke bërë kështu parandalimin e kthimit të prirjes për hipertension nga sëmundje virtuale në reale. Shpjegohet gjithashtu se pse shpesh gjejmë shifra të rritura të presionit të gjakut në zyrën e mjekut ndryshe nga
shifrat normale në shtëpi dhe si duhet vlerësuar ky fakt në lidhje me fillimin e mjekimit. Në libër bisedohet me lexuesin për mënyrat e favorshme që
ndihmojnë të sëmurët në uljen e mbipeshës trupore nëpërmjet menaxhimit të mirë të mënyrës së të jetuarit e ushqyerit të përditëshëm, menaxhimin e hipertensionit arterial me sa më pak ilaçe kur është e mundur dhe parandalimin e gabimeve të dyanëshme, si nga ana e mjekut ashtu edhe e vet pacientit, në kurimin e hipertensionit. Shpjegohet mënyra e të ushqyerit për të sëmurët me hipertension dhe kriteret e parandalimit
të hipertensionit që në moshë të re. Theksohet nevoja e aktivitetit fizik dhe kriteret e
këtij aktiviteti për hipertonikun, ndërkohë që trajtohen gjatë me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, roli i faktorëve të tjerë të jetës së përditëshme, në kurimin e hipertensionit arterial. Në libër do gjeni përgjigje për pyetje të tilla si – kur është më mirë që të fillohet mjekimi i ipertensionit dhe nëse duhet filluar mjekimi me një ilaç apo 2 e më shumë. Cili do jetë ilaçi i fillimit të mjekimit më i zgjedhur në varësi nga një hipertension i shoqëruar edhe me diabet apo çfarë do e ndihmonte më shumë hipertonikun në parandalimin e komplikacioneve që jep hipertensioni në trupin e njeriut dhe konkretisht cilat organe shënjë dëmton presioni i rritur i gjakut. Po ashtu në libër shpjegohet me të dhëna konkrete se çfarë ndodh me ata njerëz të cilët neglizhojnë kujdesin dhe kurimin e hipertensionit.  Mbas leximit të librit lexuesi kupton më mirë se si të veprojë që të arrijë të bëjë që trupi dhe mëndja e tij të flasin, dëgjojnë, respektojnë limitet përkatëse dhe ndihmojnë njëri tjetrin duke harmonizuar një aktivitet ditor komfort
për punë dhe jetë . Librin mund ta gjeni pranë librarive BARNES & NOBLE në zonën tuaj dhe librarive BORDERS dhe Andersons, apo duke i telefonuar vet autorit në tel. (630) 858-9619.  Duke lexuar Abetaren e Trajtimit Klinik të Hipertensionit Arterial mësoni se si mund të mbani vehten tuaj larg këtij shqetësimi serioz për shëndetin dhe pakësimin e efekteve të dëmshme të tij në trupin tuaj.  Me punë të tilla të mirëfillta shkencore, Minella sjell ushqimin më gjallërues nga shkenca botërore, ai shtron tavolinat shqiptare për të jetuar më gjatë çdoshqiptar.  Ky libër kaq i nevojshëm për njeriun duke u bërë i ditur edhe në Iliria, iu jep mundësinë të gjithëve, edhe atyre që s'përdorin
kompjuterin, që të kenë në duart e tyre këtë material interesant dhe të vlefshëm për shëndetin e tyre. Brezi ynë duke jetuar nën thundrën e diktaturës më të egër,
është i stresuar dhe streset i hapin rrugën rritjes së tensionit arterial me pasoja të rrezikëshme për trupin. Në qoftë se Abetarja e shkollës është fillesa e pafund e dijes Abetarja e Dr.Minellës zbulon rrugët e sigurta nga duhet të shkojmë për të jetuar mirë e gjatë.
Një dallgë gëzimi ma ngriti gjakun gjer në sy kur pashë redaktorin e Abetares, Z.Mërgim Korça, ky autoritet, pinjoll i njërës nga familjet më në zë në historinë tonë. Gjithë përpjekjet e asaj familje, në breza, për liri, kulturë e demokraci, ju shpërblyen ashtu si dinte të shpërblente diktatori gjithë pishtarët e lirisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora