E marte, 30.04.2024, 02:31 PM (GMT+1)

Faleminderit

Shaban Blloshmi, mësuesi dhe luftëtari i shquar i Rilindjes

E diele, 06.07.2008, 11:30 AM


Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare, në trevat e Elbasanit, Strugës, Ohrit, Dibrës, Manastirit, Pogradecit dhe Korçës spikati figura e atdhetarit të shquar Shaban Blloshmi nga Bërzeshta e Librazhdit. Patriot dhe demokrat konseguent, që shkriu gjithçka, duke flijuar edhe jetën e tij, për lirinë dhe përparimin e Atdheut.
Shaban Blloshmi u lind në vitin 1882 në fshatin Bërzeshtë në një familje të dëgjuar dhe me emër. Mësimet e para Shabani i mori në qytetin e Ohrit dhe më tej i vijoi në kryeqytetin e perandorisë turke, në Stamboll. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, nëpërmjet dy bashkëfshatarëve të tij shquar, që ishin miq të vëllezërve Frashëri (Naimit e Samiut), i riu Shaban Blloshmi lidhet me rrethet patriotike, ku mësoi të shkruajë e të lexojë gjuhën e bukur shqipe. Pas kthimit në atdhe, Shabani merret me vendosmëri me aktivitete patriotike, duke u përkushtuar në zbatimin e Programit të Rilindjes Kombëtare. Shaban Blloshmi punoi me vendosmëri për përhapjen e arsimit shqip në të gjitha trevat e Elbasanit, Pogradecit, Strugës dhe të Korçës. Në bashkëpunim me patriotin Dervish Hima hapën të parën shkollë shqipe në fshatin e Bërzeshtë, në ambientet e shtëpisë së Shabanit. Patriotëve shqiptarë të Manastirit vazhdimisht u kërkonte abetare dhe libra shqip për shkollat e fshatrave të krahinave të Çermenikës, Qukësit, Mokrës, Strugës etj. Në njërën prej letrave që i dërgon atdhetarit Gjergj Qiriazit (më 25 tetor 1908) në Manastir, Shaban Blloshmi shkruan: “...Kartën dhe (25) abetaret që më dërgove i mora... dhe i nisa nëpër fshatra, tani kanë zanë të mësojnë shumë njerëz...” .
Krahas mësimit dhe përhapjes së gjuhës së shkruar shqipe, veprimtaria më e rëndësishme atdhetare e Sh. Blloshmit ishte organizimi i kryegritjes së armatosur në këto treva kundër pushtuesve shumëshekullorë turq. Shaban Blloshmi ngriti një çetë komitësh të armatosur, e cila zhvilloi shumë aksione luftarake. Gjatë kohës që ishte kaçak, komit, siç quheshin në atë kohë, dhe kryetar çete atdhetare, ai interesohej vazhdimisht edhe për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Duke qenë edhe kaçak edhe mësues njëkohësisht, Shabanin e patën thërrur “mësuesi kaçak” (E. Jaques : “The shqiptars”, Volumi i parë, Karolina Veriore, SHBA, 1995, faqe 451). Intelektuali i njohur elbasanas Lef Nosi, duke përkujtuar figurën e Shaban Blloshmit, do të shkruante në kujtimet e tij: “Veprat e këtij patrioti nuk i përkasin ndonji historie a përmendore, po janë nga ato që i din kushdo që asht marrë me idenë e punët e shenjta kombëtare... Në vitin 1913 komandant çete në Elbasan kundër rebelëve esadistë, më 1914 komandant çete kundër rebelëve në Qafë Thanë, po në këtë vit ka luftue kundër epirotëve grekë në Arrëz të Korçës e të tjera... Në vitin 1916 komandant çete shqiptarësh kundër Austro-Hungarëzëve...” (AQSh, Fondi 32, Dosja 50).
Në vitin 1920 zgjidhet delegat për në Kongresin e Lushnjës, duke përfaqësuar rrethin e Starovës (Pogradec), ku bënte pjesë edhe Qukësi e Bërzeshta. Për të zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës, Shaban Blloshmi kthehet në Starovë, Qukës e Bërzeshtë dhe organizon popullin e këtyre anëve, duke dërguar vullnetarë për të luftuar kundër imperializmit italian që kishin pushtuar Vlorën.
Në vitet 20 të shekullit të kaluar Shaban Blloshmi u aktivizua me lëvizjet demokratike të vendit. Lidhet me rrethet e inteligjencës më përparimtare të qytetit të Elbasanit duke krijuar grupin “As e pashës dhe as e beut”, ku bënin pjesë Aleksandër Xhuvani, Sali Ceka, Ibrahim Dedei, Qazim Dyrmishi, Kostaq Cipo etj. “Kjo lidhje e ngushtë me inteligjencien përparimtare shqiptare të kohës, do të shkruante prof. dr. Dhimitër S. Shuteriqi në vitin 1979, flet për dëshirat dhe përpjekjet e Shaban Blloshmit për një të ardhme të përparuar të Shqipërisë, përpjekje që ai e kish nisur kur ende ishte në shkollë dhe ndikohej nga rrethi i Vëllezërve Frashëri”.
Në vitin 1924 Shaban Blloshmi përkrahu lëvizjen antizogiste të udhëhequr e të drejtuar nga Fan Nolin. Gjatë kohës së lëvizjes fanoliste Shaban Blloshmi kishte bërë shumë kundërshtarë dhe armiq, disa prej të cilëve ishin edhe në sferat e larta të pushtetit të asaj kohe. Në një letër që u dërgonte miqve të tij elbasanas, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, Shaban Blloshmi do të shkruante: “Kanë kohë që punojnë nën dhé me çdo mjet e mënyrë të më zhdukin nga faqja e dheut...”.
Armiqtë e Shaban Blloshmit, me anë të disa veglave qorre të fshatit dhe të fisit të tij, organizuan atentatin. I zunë pritë pranë shtëpisë së tij dhe e vranë me 5 nëntor 1929. Deputetët në parlamentin shqiptar i kërkuan qeverisë që të jepte shpjegimet dhe hollësitë për shkakun dhe autorët e vrasjes së Shaban Blloshmit. Por vrasësit, megjithëse diheshin se kush ishin, pasi disa prej tyre ishin në pushtet, ata nuk u “gjetën” kurrë.
Familja e Shaban Blloshmit, bijtë e tij, nipërit e mbesat, ndoqën rrugën e babait të tyre. Gjatë Luftës Antifashiste NaÇl, djali i madh, Xhevat Blloshmi, ishte komandant çete partizane, kurse djali më i vogël, Petrit Blloshmi, ra dëshmor në Betejën e Pojskës në moshën 17-vjeçare. Nipi i Shabanit, Sami Leka, ishte komandanti i Batalionit partizan “Bërzeshta”. Xhevat Blloshmi, djali i Shabanit, u shpall “Dëshmor i Atdheut” nga qeveria e vitit 1948.
Jehona e madhe e veprës së patriotit Shaban Blloshmi ka vijuar deri në ditët tona. Shumë personalitete të kulturës dhe të artit janë marrë me figurën, me emrin dhe veprimtarinë e tij atdhetare. Dhimitër Shuteriqi ka shkruar një tregim të titulluar “Hosia e Malit”, ku, në qendër është figura e Shabanit Blloshmit. Skulptori i Popullit Odhise Paskali ka realizuar një portret mjaft ekspresiv me tipare të theksuara burrërore, ashtu siç ishte në të vërtetë Shaban Blloshmi. Portreti gjendet i ekspozuar në stendat e Muzeut Historik të Librazhdit. Televizioni publik shqiptar (TVSH) ka realizuar në vitin 2003 një dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare të këtij personaliteti dhe të dy bijve të tij dëshmorë. Mbesa e patriotit, znj. Myzejen Xhevat Blloshmi, ka vite që është duke përgatitur një libër monografik kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare të patriotit Shaban Blloshmi, i cili së shpejti pritet të dalë në qarkullim.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora