E shtune, 27.04.2024, 10:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kozma Gjini: Dr. Sami Berati, veprimtar i shquar i Lushnjës

E enjte, 10.07.2008, 07:26 PM


Dr. Sami Berati, veprimtar i shquar i Lushnjës
    
Me rastin e 70-vjetorit të vdekjes

Nga Dr. Kozma Gjini

Doktor Sami Berati ka qënë një intelektual i kompletuar, humanitar, mjaft popullor dhe atdhetar i shquar. Njihej për idetë e tij përparimtare. Tërë jetën punoi për të luftuar sëmundjet më të përhapura, sidomos ndaj malarjes e sifilizit. Ai e donte popullin, prandaj dhe populli e nderonte dhe e respektonte atë. Samiu nuk kursehej për t‘i dhënë ndihmë të sëmurit, jo vetëm në qytetin e Lushnjës por dhe në fshat, ditën dhe natën. Në mjaft raste ai gdhihej tek koka e të sëmurit. Ai këtë ndihmë e jepte edhe ditët e diela dhe në ditët e festive kombëtare dhe fetare. Ai nuk u lodh asnjëherë. Dr.Samiu ishte dashamirës ndaj njerzve sidomos ndaj të varfërve.Në shumë raste vizitat dhe mjekimet i bënte falas, sidomos për fëmijët dhe për pleqtë.
Sami Berati u lind në qytetin e Beratit, në vitin 1876, në një familje patriotike. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Stamboll. Fillimisht u emërua mjek në Shkodër dhe pas disa vitesh u transferua në Kavajë. Në vitin 1923 transferohet mjek i nënprefekturës dhe i bashkisë së Lushnjës. Është mjeku i parë në historinë e qytetit dhe të rrethit të Lushnjës. Doktor Samiu punoi në qytetin e Lushnjës me përkushtim dhe devotshmëri, për 15vjet, derisa vdiq në vitin 1938 në moshën 62-vjeçare.
Doktor Samiu rridhte nga një familje e pasur. Ai kishte pronat e tij në fshatin Kasimbej të rrethit të Lushnjës. Por megjithse ishte bir beu, ai ishte shumë i thjeshtë, e hiqte veten si shërbëtor të popullit, jo vetëm se ishte mjek, por dhe për faktin se ai nga natyra ishte shumë i sjellshëm, i urtë, gojëmbël. Ai nuk nevrikosej dhe nuk mërzitej, ishte shumë zemërgjerë dhe shumë fisnik, prandaj dhe populli e donte dhe e respektonte shumë, sepse emri i tij ishte i njohur në çdo familje. Për këtë dashuri dhe respekt që kishte populli për të, flet edhe fakti që në varrimin e Doktor Samiut morrën pjesë qindra qytetarë dhe fshatarë. Ai u varros me nderime të mëdha në çifligun e tij, në fshatin Kasimbejas, gjë që e kishte lënë amanet qysh kur ishte gjallë. Shumë të tjerë që nuk mundën të merrnin pjesë në ditën e varrimit të tij, i bënë këto ndere më vonë jo vetëm tek familja e tij, por edhe te dhëndri Masar Qemal Karaosmani si dhe tek Halit e Teki Libohova. Mjaft njerëz të thjeshtë i bënë këto ndere dhe te varri i tij në Kasimbeaj. Aty shkonin ditët e shënuara jo vetëm njerëzit e shëndoshë, por edhe ata që ishin shëruar nga dora e doktor Samiut. Në këto rite mortore morën pjesë njerëz pa dallim feje si dhe mjaft gra. Të gjithë, shumica fukarenj, me lot në sy, shprehën dashurinë dhe dhimbshurinë për humbjen e këtij doktori të madh. Pas vdekjes së tij, në qytetin e Lushnjës nuk erdhi doktor tjetër. Në këto kushte populli merrte rrugën për në qytetet e tjera e deri në Tiranë si dhe te doktor Loni Gjini, që në fakt ishte deputet, por në kohën e lirë punonte si mjek në fshatin e tij, në Rrapezë. Doktor Samiu ishte mjek i nënprefekturës dhe i Bashkisë së qytetit të Lushnjës, por ai në këto kohë punonte në ambulancën e qytetit që ndodhej pranë bankës. Në ambulancë e pritnin me dhjetra dhe qindra të sëmurë që qanin kur e shihnin të vinte. Ata qanin nga gëzimi pasi e dinin që ai ishte e vetmja shpresë që mund t‘u shpëtonte jetën ose t‘u lehtësonte dhimbjen. Kurse në darkë, deri natën vonë, ai vizitonte nëpër shtëpi të moshuarit e qytetit të Lushnjës. Nipi i tij, djali i vëllait, tregon se megjithëse doktori punonte aq shumë, ai nuk tha asnjëherë u lodha. Ai kënaqej vetëm kur shërohej i sëmuri. Me kalimin e kohës karakteri i tij patriotik sa vinte dhe theksohej, madje kjo veprimtari e tij kishte rënë në sy edhe të qeverisë. Ai u bë një fanolist i shquar, kurse në vitin 1935 mori pjesë në lëvizjen e Fierit dhe u burgos së bashku me Llazar Bozon, Rahman Ruçin dhe Taulla Sinanin, pasi i akuzuan si terroristë, akuzë kjo që nuk u vërtetua, prandaj pas disa ditësh i lanë të lirë. Doktor Samiu ishte martuar me Merjeme Libohovën, që ishte bija e e Halit Zenel Libohovës. Familje e këtij të fundit dhe ajo e Teki Libohovës njohen si familje patriotike dhe pjesmarrëse në luftën nacionalçlirimtare. Doktor Saiu pati katër vajza dhe dy djem. Njëra nga vajzat, Myseretja, u martua me djalin e Qemal Karaosmanit, me Masarin. Është rasti të theksojmë se Qemal Karaosmani ishte përkrahës i Ismail Qemalit dhe në nëntor të vitit 1912, kur ky i fundit u nis nga Durrësi për të shkuar në Vlorë, Q. Karaosmani u informua se valiu i Janinës kishte dhënë urdhër arresti për të kur ai të kalonte në Lushnjë. Kështu Qemal Karaosmani i doli para Ismail Qemalit pranë lumit shkumbin dhe e infromoi për situatën duke i thënë të kalonte nëpërmjet fshatrave të Çermës, në drejtim të Divjakës. Ky kalim ishte i mundur pasi tokat ku do të kalonte ishin pronë e tij. Në delegacionin e Lushnjës, që mori pjesë në shpalljen e pavarësisë ne Vlorë, merrnin pjesë edhe dy patriotë të mëdhenj nga Lushnja, Qemal Karaosmani dhe Nebi Sefa (Lushnja), të cilët janë edhe firmëtarët e dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912. Djali i Qemal Karaosmanit, Masari ishte martuar me vajzën e doktor Samiut dhe kishte mbaruar studimet në Gjermani. Por gjatë luftës ai ndihmoi lëvizjen nacionalçlirimtare dhe pikërisht për shkak të aktivitetit të tij patriotik u zgjodh anëtar i këshillit nacionalçlirimtar për rrethin e Lushnjës. Për jetën dhe aktivitetin e doktor Samiut kanë folur me respekt bashkëkohësit e tij si doktor Kërçiku, Profesor Fejzi Hoxha, doktor Mustafa Libohova( vëllai i gruas së Samiut), që vdiq në Kavajë në vitin 1953, si dhe djali i vëllait të Samiut (Fatmiri), që megjithse në moshë të thyer, flet me lotë në sy. Po kështu me shumë respekt flet edhe Gëzim Libohova, vëllai i Skënder Libohovës. Kontributi më i madh i familjes së doktor Samiut është fakti se të dy djemtë e tij, Ibrahim 17 vjeç dhe Eshrefi 20 vjeç janë dëshmorë të luftës nacionalçlirimtare për rrethin e Lushnjës. Ata u kapën në befasi dhe pasi u torturuan barbarisht, i pushkatuan më 3 shtator të vitit 1943, pranë urës së lumit që lidh Lushnjën me Rrogozhnën. Mbas kësaj ngjarjeje familja e e doktor Samiut shkoi në tiranë dhe më pas në qytetin e Kavajës.

Si përfundim doktor Sami Berati shërbeu 15 vjet në qytetin e Lushnjës. Ai dha një një kontribut të madh patriotik, si pjesëmarrës në lëvizjen e Fierit dhe me dy djem dëshmorë të atdheut. E megjithatë organet e partisë e të pushtetit të rrethit të Lushnjës e mbyllën dosjen e tij, e futën në shtresën e bejlerëve dhe “harruan” që figura e doktor Samiut është e madhe, jo vetëm për qytetin e Lushnjës, por edhe më gjerë. Me rastin e 70-vjetorit të vdekjes besoj se do të vihen në lëvizje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Ministria e Shëndetësisë dhe Këshilli Bashkiak i Qytetit të Lushnjës, për t`i dhënë doktor Sami Emin Beratit vendin e nderit që meriton. Ky vlerësim do të ishte një nder i madh për qytetin e Lushnjës që figura të tilla kaq të mëdha të mos harrohen kurrë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora