E premte, 03.02.2023, 01:13 PM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Natë me shi

E diele, 05.10.2014, 09:55 AM


NATE ME SHI

Novelë

NGA KRISTAQ TURTULLI

I

Mu bë sikur u tund dhe u shkund dysheku ku flija së bashku me gjyshen. Pastaj dëgjova rënkime dhe gërhima të zgjatura, por s’mundesha të  zgjidhesha prej litarëve nyje të ëndrrës. E përnjëmend besova se ishte vazhdim i saj. Në krah të majtë, timin, më ndukte xhuxhmaxhuxhi, luante, kërcente, bënte kolotumba, dhe qeshte me mua. Më tërhiqte për krahu, kërkonte me ngulm, të hidhesha hopa mbi dyshek, së bashku me të. Unë kundërshtova, nuk doja të zgjoja gjyshen. Xhuxhi qe fytyrëgjatë, veshgjatë, trupshkurtër, këmbë të shkurtra, të shtrembra, të neveritshme dhe bisht të gjatë, të hirtë. Unë për ta inatosur i thosha, je mi.

‘Nuk jam mi,’ më tha dikur: ‘Dëgjon, jam thjesht xhuxh. Pa dallime të veçanta.’

‘Pse xhuxhët e tjerë kanë dallime të veçanta!’

‘Jo, nuk kanë,’ u grind ai, ‘ janë xhuxhë. Çdo më tepër se kaq?’

‘Xhuxhët kanë bisht?’ e pyeta.

‘Uh, sa fëmijë i bezdisshëm je. Jo, nuk kanë,’ ma ktheu me nervozizëm.

‘Ky bisht ç’është?’ E pyeta.

‘Hej, qorr je, nuk e sheh, është pala e xhaketës,’ më tha.

‘Të dëgjoj. Mos bërtit dhe mos rënko,’ i thashë. E shihja që gënjente, xhaketën e kishte ngjyrë vishnjë, ndërsa bishti i tij qe ngjyrë hiri.

‘Qorr i bibës,’ mu gërmuq xhuxhi. Turivarur bëri disa hapa larg meje.

‘Mua nuk më prish punë edhe po të kesh bisht,’ i thashë.

‘Nuk të prish, hë! Atëherë përse më fyen dhe më thua që kam bisht?’ ia bëri dhe përplasi bishtin pas truallit. U bë pluhur i rëndë. Lëviza duart kuturu. U Kollita. Nuk shihja asgjë. Ai u zgërdhi dhe përqeshi hutimin tim.

Gërhima dhe rënkimi i përsërit dhe besova se xhuxhi e bënte kastën, të më trembte. Ai qe hakmarrës i prapë, merrte e jepte në ëndërr dhe gjendej brenda meje. Të dy ishim rrasur në një palë pantallona me arna. Nuk morra vesh si isha futur në rraqet e tij. Tërhiq ai një cep të rripit, e tërhiq unë nga tokëza. Xhuxhi ma shkuli rripin prej duarsh, më dërmoi gishtat:

‘Oh! Më vrave!’ bërtita.

‘Është lojë lufte,’ më tha.

‘Mos rënko dhe shtyhu më tutje. Më zure frymën me këtë rrip,’ i thashë. Ai më nxori gjuhën, më përqeshi dhe më shtyu me bërryl, të gremisesha në humnerën e thellë që gjendej në krah të djathtë.

‘Edhe kjo gremisje është pjesë e lojës?’ e pyeta.

‘Të gjitha janë pjesë të lojës. Lojë lufte,’më tha.

‘Pse lojë qenka lufta?’

‘Ëhë, lojë..,’ mërmëriti dhe më shkeli syrin.

‘Mos më shty. Ikë tutje, po fundosemi të dy,’ i thashë dhe shtova: ‘Xhuxh, përse gërhet dhe rënkon kaq keq?’

Ai ma ktheu:

‘Gremisu dreq i vogël. Xhuxhët nuk rënkojnë...’

‘Mua më thua dreq i vogël, ti, që je sa një mi,’ e ndërpreva i fyer.

Doja të shkëputesha nga ai, por nuk munda.

‘Nuk ta kisha me të keq. Kemi qenë dhe jemi miq apo harrove?’më tha.

‘Jo nuk harrova.’

‘E përsëris nuk jam mi dhe si xhuxh që jam, mbahem pas çdo dege. Kam bishtin me vete. Uh, dreq. Kam palën e xhaketës doja të thosha.’

‘E shikon, vetë e the, që ke bisht.’

‘ Jo, nuk kam bisht,’ bërtiti i inatosur. Prej inatit u bë më i vogël. Këmbët iu zvogëluan fare. U...u...u...u Xhuxhi pa këmbë! Ai po bëhej për ti qarë hallin. Veshët, gjuha dhe bishti u zbutën, u bënë si brumi që punon gjyshja kur bën lakrorin. Ato filluan të zvarriteshin përdhe dhe po turreshin me nxitim drejt meje. Bëra të klithja. Xhuxh,ç’po ndodh kështu me ty, ku i ke këmbët? doja ta pyesja. Ai s’më la kohë. U mblodh, u bë lëmsh dhe...Fët, mu fut nën këmishë, mu ngjit si shushunjë dhe nisi të më ndukte, të më kafshonte.

‘Shko xhuxh, shko, më lër rehat. Oh nëne, po më mbahet fryma...’

Kur po përpiqesha ta shkulja xhuxhin prej vetes dhe ta flakja tutje, dëgjova shfryrje të zgjatur si kamerdare e shpuar biçiklete.

‘Xhuxh, mos më tremb, mos bëj kështu!’ Iu luta.

Ai zgjati kryet.

‘Unë përmjerr, më tha, por nuk bëj kështu.’

‘Hej,’ ia bëra dhe e kërcënova me gisht, ‘ xhuxh.’

Ai nuk më ktheu përgjigje. U përdrodh, luajti veshët e gjatë. Nënqeshi trishtueshëm dhe kërceu, humbi në këpucën e shqyer të gjyshes.

Një copë herë heshtje dhe gjumi mu leqendis. Zura veshët me duar dhe ngjesha hundën pas nënkresës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora