E premte, 03.02.2023, 10:03 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Vladimir Muça

E premte, 03.10.2014, 05:15 PM


VLADIMIR MUÇA

(Nga cikli “Burimet e jetës”)

 

NË SPAÇ

 

Shkëmbijt e kuqerremtë

këtu janë më të ashpër,

Era në mbrëmje

grykave lepihet më me vrull.

Mbi shkëmbij degë të thyera,

dhe një fanellë e grisur mbi murë.

 

Vdekja kaloi sa e sa here

duke mbjellë vrima nga gozhdët e sajë,

Këto vrima në zemër

po nga ato gozhdë janë.

 

Dhe sytë më mbeten atje,

Si dy gurë të zezë në shkretetirë,

Si buka mbi gjurin e të uriturit,

Si zera të thënë nga gjuha erë,

Si fjalë e shkruar nga një dorë e prerë.

 

 

MANI I KOLZËS

 

Të erdha pranë,të dy ishim  plakur:

Mani kuqalosh i Kolzës që fëmi

atje bëja gjumë me krahë hapur

sikur pushtoja tërë hijen e tijë.

 

Të erdha,të pashë,të ndenja pranë:

Shumë u dëshpërova kur të pashë të çarë.

Shikoja vehten:Nuk isha me djalë,

I rrudhur e thinjur,vite,pa të parë.

 

 

THËLLËNXËS

 

Moj e bukura,  kanakare

çdo ditë më trëmbje dhitë,

mu tek shullëri me lule

i kishje të gjithë stolitë.

 

U rrite shkrepave pa ujë,

Atje ku gjenden bukuritë,

Laramane gjumë-prishur

Pikaloshe m’i ke sytë.

 

Kush të qëllon ju thaftë dora

-Do e mallkoj nga çdo anë

Se dua të ta ndëgjoj zënë

E të më ngjallesh xhanë.

 

 

NË TORRË

 

E dashur,mbi këtë murë të lashtë

U qëllua me topuzë legjendash,

Bajlozët e zinj nga deti

Vështruan egër bedenat.

 

Këtu,nën këto mure të lashta

U zverdhën barërat pa dritë,

Aty poshtë nën Torrë.

Ku grinden e lozin fëmijët.

 

Nën mure fle qyteti ynë.

Se ç’gjumë bën nuk e dimë,

Mbi krye kaltërsi e dritë mbrëmjes

Buron në muzikë hyjnishë.

 

Dhe ne,tek ngremë dolli në Torrë

Me sytë nga bota e madhe e njerëzve,

Të zjarrtë,të çiltërt, si dy dashnorë

Peshojmë gjithë lavdinë e shekujve.

 

 

BJER SHI!

 

Bjer shi!

Me gishtat e tua

derdh më shumë thinja

mbi flokët e mi:

Mbi trishtimin tim të thellë

derdhu shi!

 

Bjer shi!

Të shoh vreshtat si qëmoti:

Gërshet stërmadh i blertë,

Të shoh të bulojnë ndanë rrugës

qiparisët me trupat e drejtë.

 

Të shoh mbi to fenerët e makinave

të shpejtojnë në lëmej që herët

e në një ylber tej horizonit

Mbi të le të vrapojnë shoferët.

 

Bjer shi!

Përkëdheli në agim të lashtat

Me gishtrijt e tua vlagë,

Tregoju njerëzve hambarët e mbushur

mbi kalldrëmin e mërzitshëm dhe të gjatë.

 

Bjerë mbi gjurmët e makinave,

mbi erën e benzinës bjerë,

Në trotuarë ku një fëmijë

ka rënë të flerë.

 

Dhe unë o shi!

Dua të bie nga lart si ti,

mbi çdo truall ku më shkeli këmba,

E shpresa të zgjohet

E unë si ty nga skaji në skaj

të jem shtrirë,

prej teje të lazdrohem.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora