E merkure, 08.07.2020, 03:14 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Berisha: Ngjarje që madhështojnë vlerat kombëtare

E merkure, 01.10.2014, 08:19 PM


NGJARJE QË MADHËSHTOJNË VLERAT KOMBËTARE DHE SHKRIJNË KUFIJTË KULTUROR

Nga Manifestimi Ndërkombëtar Poetik “Trirema e poezisë joniane” që u mbajt në Sarandë

NGA SEJDI BERISHA

Sa herë që mendoj të shkruaj diçka për peshën e mendjes, të shpirtit e të zemrës së njeriut, të kombit, por edhe për vlerat shpirtërore dhe kulturore, sikur para meje më del një almanak i madh historie dhe e rrugëtimit të njeriut, që seriozisht nganjëherë më pengon e nganjëherë më trimëron për të shkruar “hollë” për çdo imtësi të jetës dhe të rrugëtimit përgjithësisht. Sepse, kujtoj, shkrimet e tilla ende na mungojnë, dhe për atë edhe ende sikur nuk është afirmuar sa duhet puna, shpirti dhe vepra e njeriut, për çfarë edhe në trupin e tokës së shqiponjave, më bëhet se ka hije që errësojnë periudhat e ndritshme mu sikurse hije ileti në mushkëritë e njeriut, pengon marrjen e oksigjenit. Edhe kësaj radhe, më ka ndrydhur mendja se si do t’i qasem shkrimit për këtë manifestim, i cili, duket i thjeshtë, por ka peshë të shumëfishtë pothuaj se në të gjitha aspektet.

Për Manifestimin Ndërkombëtar Poetik “Trirema e poezisë joniane”(Edicioni i VIII-të), për çfarë ftesën e kisha marrë shumë kohë përpara, e të cilin e organizoi Klubi i Krijuesve Letrarë Jonianë, i mbështetur nga Bashkia e Sarandës, kujtoja dhe ashtu është, se nuk është edhe aq lehtë të shkruash dhe në cilin rrafsh ta vësh atë. Por më ndiqni nëse e keni në merak peshën e manifestimeve të tilla.

_______

Tërë kohën mendoja se si do ta realizoj udhëtimin nga Peja deri në Sarandë, sepse, nuk është edhe rrugë aq e shkurtër. Por edhe kjo, për fat të mirë, duke iu falënderuar miqve të mi H. Arifit dhe Sh. Bllacës por edhe nipit tim, Hasan Hulajt, i cili me makinën e tij pa përtesë na “shkurtoi” rrugën dhe arritëm në qytetin e Sarandës. Mirëpo, gjatë rrugëtimit nga Peja, më përftonin shumë ngjarje shumë kujtime, shumë rrëfime të babait për atdheun e për vendlindjen.... dhe nganjëherë rrudhesha e ndrydhesha për “tkurrjen” e tokës, të fushave dhe maleve, që ndër shekuj kështu kishte ndodhur. Mirëpo, “mbylla” këtë defter kujtimesh, të mallit e të hidhërimit, kur shihja krahët e Autostradës së Kombit, e cila sikur fortë i lidhte cep në cep të gjithë damarët e tokës, që tash flet lirshëm dhe ecën drejtë lumturisë. Bisedoj me mikun tim, krijuesin, P. Buzhalën dhe me nipin H. Hulaj, për krijimtarinë letrare, për vlerat në këtë fushë, bisedë e cila sërish na nxjerr në binarët e përplasjeve historike, të cilat tmerrshëm e kanë prekur dhe lënduar mendimin, shprehjen dhe peshën e vlerave shpirtërore. Kjo temë, sikur edhe më shumë na shkurtoi rrugën, sepse, tani i tërë vendi ishte në shuplakë dore, të cilin dëshiroja ta shihja si një pëllumb të barë,... E di se pse...?!

Dhe, kalojmë Rrugën e Kombit, kalojmë edhe Durrësin e peshës së lashtësisë, të shpirtit të kulturës, ekonomisë dhe të historisë. Kah nuk më tretët mendja, dhe saora, tërë këtë ta bën “bajat” Vlora, kjo bukuroshe e krenarisë së lirisë por edhe e kallëzimeve dhe ngjarjeve krenare e të dhembshme bashkë. Tash ec e ndale mendjen që të mos “lëvrojë” nëpër madhështinë e njeriut dhe të kombit... por nuk do t’u mundoj me gjëra të tilla...!

Saranda qytet i kulturës, historisë dhe i turizmit

Kthejmë në rrugën për në Gjirokastër. Prapë, rrëfime dhe kuvendime tjera për të kaluarën dhe të sotmen. Përrallë e gjatë duket kjo...! Por, interesant, sa më shumë që pedatem me këtë “histori të çuditshme” njeriu, gjithnjë e më shumë më ngrohet zemra e shpirti për manifestimin letrar, “Trirema e poezisë joniane” në Sarandë. Kalojmë përmes fshatrave dhe vendbanimeve të shumta, për të cilat nuk na shpëtonte komenti dhe mendimi ynë, ndoshta si krijues. Ia shkelim rrugës përbri Gjirokastrës, kurse mua më kujtohet vizita këtij qyteti e para tridhjetë e katër vitesh, e cila në mua ka ngelur si një panoramë e veçantë që i ngjanë romanit gjithmonë të pambaruar, apo pikturës së heshtur e që përbrenda është flakë, zjarr...

Cekim e shënojmë emra e emra fshatrash e vendbanimesh përgjatë rrugës, bile e përmendem edhe fshatin Llazarat, por edhe disa toponime të ngrohta... Duke iu afruar, apo duke i shpenzuar kilometrat për në Sarandë, madhështia e kësaj toke bëhet gjithnjë e më e madhe, nga e cila sikur më tingëllon si një zë dhe nevojë për vetëdijesim edhe më të madh, për ndërgjegjësim të njeriut, sepse, marr guximin të them se këto i mungojnë bukur shumë njeriut për të punuar e menduar me një mendje dhe për ta bërë pjesë parësore të jetës bashkimin,... bashkimin e punës!

Gjatë kësaj kohe, nipi im duke vozitur kujdesshëm, disa herë na e përmendte “Syrin e Kaltër”, të një madhështie mitike të burimit dhe të ujit në këtë pjesë të atdheut. Edhe kjo më asoconte në shumë gjëra,... por ecim tutje.

Tani në të hyrë të Sarandës, përbri rrugës na shoqëron një lumë me ujë të pastër si loti.., Po, nuk di pse themi si loti, sepse, ai ka zjarr, por vërtetë ishte ujë i kulluar, që me siguri shprehë dëlirësinë, virtytin e tokës, madhështinë e njeriut... Për të mos e zgjatur. Posa hymë në qytetin e Sarandës, më dukej se merrja frymë si një fëmijë sugarë, i cili posa merr hapat e jetës...

Agim Mato, Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë duke e hapur manifestimin

Kthejmë te Hotel Grand. Takohemi me Agim Maton, kryetarin e Klubit të Krijuesve Jonianë, një njeri në dukje i thjeshtë e modest, me të cilin  u përshëndetem dhe u prezantuam. Na shprehi ngrohtësi mirëseardhjeje... Nuk vonoi, dhe posa u akomoduam, u takuam me shumë krijues që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Greqia, Bullgaria, Maqedonia, nga Mali i Zi edhe nga Kosova.

Nuk vonoi, dhe të gjithë u tubuam në ambientet hotelit ku edhe duhej të fillonte manifestimi. Ishte atmosferë e ngrohtë krijuese dhe poetike. Derisa ulemi, arrijnë edhe nikoqirët, në mesin e të cilëve edhe krijuesi, Timo Merkuri, një njeri plotë elan dhe alegro. “Triremën e poezisë joniane”, e hap me një respekt e maturi që reflektonte për peshën e kësaj ngjarje që kishte tubuar krijues nga disa treva shqiptare dhe nga disa vende të huaja. Ai, shkurt por shumë me domethënie na përshëndeti me fjalët prej nikoqirit, të cilat edhe pasqyronin mesazhin e kësaj feste letrare, e cila afirmon vlerat krijuese, por edhe bashkon mendimin dhe krijimtarinë ndër popuj e vende të ndryshme, që afrojnë njerëzit, pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe cilave vende u takojnë...

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Stefan Çipa me krijuesin dhe publicistin, Sejdi Berisha gjatë manifestimit

Këtë eveniment të kulturës joniane, me respekt e konsideratë e përshëndet edhe Kryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Stefan Çipa, i cili theksoi edhe rëndësinë e këtyre dhe të manifestimeve të tjera kulturore dhe letrare, për çfarë edhe ky qytet e ka traditën karakteristike. Pas kësaj vazhdon rrjedha e fjalës poetike e afro dyzetë poetëve, në mesin e tyre edhe të qytetit nikoqir.

Herët në mëngjes, të gjithë bashkohemi dhe me autobus nisemi për në Himarë, ku do të vizitonim Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, Himarën e vjetër dhe më pastaj do të merrnim pjesë në një program kulturor, ku do të prezantohej kënga polifonike, e që kjo ngjarje i kushtohej edhe figurës së Neço Mukos, njërit nga ata që ndërtuan dhe ngritën muzikën dhe këngën polifonike në Himarë.

Rrugës gjarpërore përbri detit, na përftonin madhështitë, bukuritë dhe pasuritë e popullit tonë, të kësaj pjese të atdheut, kurse ullishtat kudo kishin ngritur kokë si bimë e fryt i shenjtë jetese.

Vargohen edhe plazhet përgjatë bregdetit, të cilat në këtë pjesë të Shqipërisë ende nuk kanë marrë formën dhe “vrullin” e zhvillimit të turizmit bregdetar, por që sikur qëndrojnë vertikal si zonja të larta për ta “marrë” e arritur zhvillimin e tyre.

Një pjesë e ullishtave

Gjatë udhëtimit, shohim edhe pjesë të fshatrave, të cilat thuaja se kanë ngelur vetëm gjurmë banimi...! Hasim edhe male me sipërfaqe të zhveshura, të cilat me siguri në të ardhmen do të shndërrohen në pishnaja dhe të pyje me drunj tjerë...

Çuditërisht. Duke i shikuar këto bukuri dhe begati, bisedojmë edhe për Korfuzin, edhe për Sazanin dhe për gjëra të tjera. Gjatë kësaj rruge, më pak apo fare nuk kemi folur për letërsinë, për vargun dhe poezinë. Në autobus, gjatë bisedave, më shumë dominonte historia, por edhe historia e kësaj ane të Shqipërisë... Interesant, a?!

Arritëm edhe tek vendi, ku duhej të zbritnim nga autobusi, për ta vizituar një vend me pjesë interesante të historisë pothuaj se në të gjitha periudhat kohore, Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo.

Hyrja në Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo

Zbresim nga autobusi dhe nisemi drejtë këtij monumenti të madh historik shqiptar dhe në tokën shqiptare! Mirëpo, posa zbrita, të ju them të drejtën, në fillim u hamenda për të kaluar atë pjesë të rrugës gjer ke kalaja, e cila ishte thjeshtë vetëm gurë që natyra i ka  dhuruar, por, megjithatë u nisa dhe arrita ndër të parët deri tek porta e kalasë. Aty hasa disa turistë francezë, të cilët pasi kishin vizituar kalanë, zorshëm zbritnin deri tek rruga e asfaltuar nëpër atë pjesë shkëmbore.

Me kërshëri vizitova pothuaj se të gjitha pjesët më interesante të saj, që sipër mendjes ma ngarkuan “pelegrinazhin” nëpër histori. Pak më dhembi, sepse, të gjitha ato kthina dhe dhoma e sipërfaqe të kësaj kalaje nuk e kishin së paku edhe një poçe elektrike,... por ndoshta një ditë këtu do të ndriçojë e duhet të ndriçojë gjithçka...!

Pastaj vazhdojmë për në Himarë. Edhe në këtë qytet, rrugët ishin të ngrohta. Kishte shkrime e mbishkrime...! Ndërsa, Kalaja e Himarës i ngjante një qytetëze që ka histori, që ka kallëzime, që ka begati, të cilat, të gjitha së bashku e forcojnë të sotmen dhe e trasojnë rrugën për një ditë dhe të nesërme edhe më madhështore, e cila librat e historisë, të kulturës dhe të këngës do t’i ndriçojë por edhe do t’i shkruajë të rejat...

Kënga polifonike himarjote, jo vetëm se është karakteristike, por është shprehje e madhështisë dhe e begatisë së shpirtit dhe e kulturës së kësaj ane, e cila ka dhënë e do të japë shumë figura historike, personalitete dhe krijuesë, siç është bie fjala, Petro Marko, sot këngëtarja Katina Bejleri etj.

Nga programi kulturor në Hotelin “Dhima” në Himarë

Pas vizitës në Kalanë e Himarës, largohemi për disa kilometra deri tek Hotel “DHIMA”, ku na priste një program i vlerave të këngës polifonike himarjote.

Para se të fillonte programi nga grupi polifonik në krye me këngëtaren-artisten, Katina Bejleri, para mikrofonit ftohet, Dhimitër Varfi, njëri prej këngëtarëve që i vuri përjetësinë këngës himarjote, i cili tani është i thyer në moshë, por respektohet puna dhe vepra e tij, për çfarë edhe e nderuan duke i dhënë rastin të flasë para mysafirëve-krijues, edhe pse tani me zë që i ngjante mallit dhe moshës së shtyrë, e që edhe lotët e tradhtonin. Edhe kështu, kjo ishte madhështi, apo, jo?!

Edhe pse e pa paraparë me program, para mikrofonit del edhe, Lefter Çipo, po ashtu një njeri i thyer në moshë, i cili tërë kohën e përjetonte këngën, doli për ta “shfryr” mllefin e mallin, dhe për ta respektuar kontributin, veprën dhe jetën e tij si poet dhe si njeri i kulturës, askush nuk i bëri as më të voglin problem deri sa nuk e tha atë që i vlonte brenda. Ani pra. Kështu respektohen dhe përjetësohen kuadrot dhe krijuesit. Këtë shembull duhet ta përqafojnë edhe shumë qytete të Kosovës, bile shumë e shumë...!

Pas programit kulturor, po në të njëjtin hotel ndalemi për drekë, e cila shoqërohet me biseda por edhe me këngët himarjote. Edhe gjatë këtij udhëtimi, organizatorët, respektivisht, z. Agim Mato dhe, z. Timo Merkuri, përpiqen që çdo gjë të shkojë ashtu sipas itinerarit, andaj, gjithnjë janë edhe të afërt me secilin prej poetëve dhe krijuesve.

Një grup krijuesesh dhe krijuesish tek Ujëvara në Borsh

Tani vazhdojmë rrugën për t’u kthyer sërish në Sarandë, ku na pret edhe nata e dytë poetike. Por, gjatë kthimit nuk bën pa u ndalur në Borsh, tek restoranti, që sermie nga natyra e kishte një ujëvare që i shtonte madhështinë këtij objekti. Aty përveç kafesë bëjmë edhe foto dhe vazhdojmë llafet për poezinë, për kulturën dhe për jetën përgjithësisht. Pra, për lumturinë e njeriut...

Sërish jemi te Hotel Grand Saranda. Tubohemi në sallën ku do të mbahet ora e dytë letrare. Organizatorët, Agim Mato dhe Timo Merkuri, edhe tani janë plotë elan dhe respekt. Fillon manifestimi, dhe kësaj radhe vargjet e tyre i lexojnë krijuesit jonianë, krijuesit e Sarandës. Çdo varg e përshkon muzika e lehtë që krijon atmosferë të ngrohtë poezie. Në ndërkohë, Timo Merkuri, del para krijuesve që në dorë mbante bustin, DEA HYJNESHA E BUTRINTIT, dhe e fton autorin e këtij shkrimi, krijuesin dhe publicistin, Sejdi BERISHA, ta marrë këtë skulpturë, me të cilën u nderua nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Stefan Çipa.

Në manifestimin Ndërkombëtar Letrar “Trirema e poezisë joniane” në Sarandë(26, 27 dhe 28 shtator 2014), shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha u nderua nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Stefan Çipa, me DEA-HYJNESHA E BUTRINTIT.

Pastaj, sërish vazhdoi fjala poetike, për të përfunduar dhe për t’u takuar vitin e ardhshëm me suksese edhe më të mëdha. Tani, unë, miku im, krijuesi P. Buzhala dhe nipi im, H. Hulaj, kthehemi për në Kosovë gjithnjë duke komentuar suksesin e këtij manifestimi krijues letrar. Dhe krejt në fund, këtë shkrim timin do ta përfundoj kështu: shpirti poetik, dallgët e detit dhe madhështia historike e karakterizuan qytetin e Sarandës. Miku im, gjatë rrugës për në Pejë, më pat thënë se për të shkruar për gjëra të bukura dhe të mira, shpeshherë lapsi është i rëndë, peshon shumë tonelata. Më la përshtypje...!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora