Kulturë
Kalosh Çeliku: Babain e ''vranë'' në pusi
E hene, 23.06.2014, 07:55 PM
KALOSH ÇELIKU
BABAIN E “VRANË” NË PUSI
(Shkupi)
Imzot, Shkupi historik i shqiptarëve
Jo, nuk ka faj. Faj kanë dudumët,
“Shehitë”, që pinë gji Njerke si qengja
Matanë, t’i bien not Vardarit për Nesër
Edhe, mbyten në hurdha shiu. Këneta.
Megjithatë, i pavdekshëm kotet brigjeve
Rrëzë Kalasë Dardane. Pasmesnate
Zëra: O burra shqiptar, thërret Atdheu!
Ballë u bëri nëpër shekuj pushtuesve.
Mëkate, që ulem te këmbët e Olimbisë
Nuse pa koçi me fëmijë në gji e prehër.
Dexhalli mbi Urë, e kërkon për Nuse!
Luftë u kam shpallur shtambave me verë
Përinat të Rrufjanit, e Njerkës azgane.
Buçat, pjellin kopila, na i lënë pas porte
Bythekrye xhindet dehen në Bit –Pazar.
Valle heqin me Dexhallin, bien “shehitë”.
Matanë Urës Gurit, Aleksandri i Maqedonisë
I ka hipur kalit. E ka ngritur shpatën për luftë.
Filipi Maqedonisë, grushtin si xhaxhi Enver
Ndalë: këtu është kufiri shqiptaro-shqiptar!
Para Kishës Shën Dhimitrit bëhet luftë fetare:
Mitropolitë Beogradi, kryqin e Biblën në dorë
Shejtanarapët, nateditë e shurdhojnë qiellin
Besimtarët, e harruan Zotin, lartë mes reve.
Skënderbeu në Shkup, moti i ka hipur Kalit
Shpatën në brez për paqe: Ndaluni, o burra!
Car Dushani, sot nuk rrëzohet me çekiç druri.
“Komandantët” pa ushtarë i kemi në xhami
Dehen me çaj rusi në çajtore, deri në “sabah”
Me tespihe kuqezi e ilahi e “vrasin Shejtanin”...
(Dexhalli me trumbeta
Xhadinë merr nuse)
Skëndrebeu
im, herët po më
Dexhalli merr nuse me koçi, në Shkup!
Valle heq nën Rrap, ma tremb poezinë
Miken me dy shtamba verë nën hije
Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve.
Përmidis Shkupit i bie me trumbeta e valle
Tri ditë para Përmbytjes Madhe (Kiametit).
“Sehirxhive” ua vë nga një vulë në ballë…
(Lugati)
Ditën, gërhet keq në gjumë. Ëndërr
Sëpatën e Nuses fsheh nën setre
Shelgje sharron, cungje në Livadh.
Lisat e Babait. Çerdhet e lejlekëve
Datja, që i mbolli për Dimrin e Madh
Zjarrin ta ndezim flakë, në oxhak.
Natën zgjohet lugati, ecën nëpër Shtëpi
Kusi rrokullisë nëpër dhomë. Tepsi
Derën me reze, përplas para agimit.
Dielli, zbret pa frikë nga Baba Tomori
Poezia ime zgjohet jerm në Libër.
Vargu im, tymeflakë shkrep “nagantin”…
(Xhadia)
Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup
Lëmën na e mbushe plot me kopila!
Gjumi, si nuk të mori për “pushtet” argati
Gji pi me kusi, te pragu i Derës madhe.
Ditënatë duke u përkundur në djep druri
Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.
Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup
Burrë, si nuk u gjetë për ty deri më sot?!
“Nagantin” nxjerrë nga brezi, në shtrat.
Nusen e Dexhallit ta zbresë nga koçia…
(Ventilatori)
Nuk më ngroh, as nuk më ftoh
Verë e Dimër. Fryjë, nateditë!
Kotnasikoti i përplas fletët nën Rrap
Unë me vite kam vapë në Shkup.
Lumi nuk ka ujë. Deti pa kripë
Oqeani nuk ma shuan zjarrin.
Mikes te kroni ia thyen shtambat
Gji dua të pi! Fuqi për luftë heroike!
Dexhallin, e vras në mes të Bit-Pazarit...
(Rrakashtrake)
Mikja ime Di, vjen me dy shtamba verë
Nateditë. Ehu, më mbyti nën hije Rrapi!
Thotë: pi, o burrë! Vardari nuk ka ujë
Vargun shkrepe ditën! Natën në Shkup!
Dexhalli, ende delë sokakut me trumbeta
Valle heq halldupi, bën dasëm t’madhe
Xhadinë në Shkup me koçi merr nuse.
Rrapin e kam Tyrbe. Miken Di, poezi azgane
Gji më jep me dy shtamba, ngritem nga varri.
Nesër, ti nën Rrap vetëm një rrakashtrake
Kotnasikoti përpiqesh të më vësh në gjumë.
Rrakashtrake Bit - Pazari, lodër dum-dumi…
(Babain e “vranë” në pusi)
Prill, bre vëlla: sot, m’i jep tri ditë hua
Dexhallin ta shuaj me gjithë kopila!
Pranverën me lule zbres në Katund.
Babai zgjohet nga varri. Tymon oxhaku
Xixat i sulen qiellit mbi çati. Dielli zjarr
Nëna me sfurk, turret të dalë te porta.
Thërret, teposhtë livadhit si e marrë
Çohuni djema, Babain e “vranë” në pusi!
Nesër, kush do ta shalojë për Liri Atin
Sonte, në Shkup e kemi Konakun?!...