E merkure, 23.10.2019, 11:18 AM (GMT+1)

Aktualitet

Autoblindat hyjnë në Lazarat

E marte, 17.06.2014, 06:57 PM



Autoblindat e policisë avancuan në zonën jugore të fshatit Lazarat. Mëngjesin e sotëm në zonën ku dje kishte shkëmbim zjarri, policia ka pozicionuar më shumë forca me autoblindë.

Nga një grup personash pozicionuar në kodër ka nisur një breshëri armësh dhe plumbat kanë rënë në shtëpitë e banorëve të fshatit. Krismat kanë nisur gjatë natës e për pasojë nje punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, një 32-vjeçar efektiv i FNSH-së së Shkodrës është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë banorët e Lazaratit kanë vijuar të djegin në masë hashashin e prodhuar një vit më parë dhe raportohen edhe fusha me bimësi të shkulur. Policia pasditen dhe mbrëmjen e djeshme ngushtoi rrethimin duke marrë nën kontroll zonën e kultivuar me hashash pranë magazinës së shtetasit Gate Mahmutaj, ndërsa ky i fundit është zhdukur.

Në intervistën e fundit televizive ai u përpoq të shfajësohet, por policia në këtë magazinë konstatoi gëzhoja, fuçi me hashash që digjeshin, hashash nëpër thasë dhe bimë që ishin gati për mbjellje.

Një predhë murtaje është gjetur pranë magazinave të tij. Ndërkohë policia njofton se janë arrestuar 6 persona të akuzuar për sulmin ndaj gazetarëve të A1 Raport. Ata janë Matjas Muhamet Bocia, vjeç 23, banues në Lazarat Gjirokastër, Florian Nexhip Shurdhi, vjeç 29, banues në Lazarat Gjirokastër, Juxhin Avdul Bocia, vjeç  19, banues në Gjirokastër, Xhevahir Miftar Doçi, vjeç 29, banues në Dunavat Gjirokastër, Ali Mato Basha, vjeç 46, banues në Lazarat Gjirokastër dhe Emiljano Bejko Aliko, vjeç 31, banues në Lazarat Gjirokastër.

Këta shtetas janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Gjirokastër gjatë pasdites së djeshme. Nga verifikimi i deklarimeve të tyre në polici, ku janë vërejtur mospërputhje dhe hetimeve të kryera nga policia këta shtetas janë në cilësinë e të dyshuarit dhe ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor, në momentin që këto forca po zhvillonin operacionin policor për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre.

Gjatë pasdites, policia njoftoi për dy të plagosur. Një 19-vjeçar nga Ura Vajgurore, që ishte bari në këtë zonë dhe që ka marrë plagë në këmbë dhe dorë, si dhe një 33-vjeçar nga Pogradeci, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga strukturat e policisë janë kontrolluar 20 shtëpi në fshatin Lazarat. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të konsiderueshme bimë të kultivuara, boçe kanabisi, makineri për presimin e kanabisit, municione në sasi të mëdha. Gjatë paradites të së martës, në Gjirokastër ishte edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptoni të gjithë se, ora kur lidhjet e botës së krimit në Lazarat me Parlamentin dhe politikën, me ata që deri dje i shfrytëzonin, këto lidhje kanë mbaruar një herë e mirë. Kjo që po shihni sot, është shembulli më i mirë i vendosmërisë sonë për të vendosur shtetin ligjor në cdo cep të Shqipërisë. Ne jemi shumë të vendosur të shpëtojmë qytetarët e ndershëm të Lazaratit, nga ata kriminelë që i kanë marrë peng”, u shpreh ministri Saimir Tahiri.

Rreth 800 forca policie mbajnë të rrethuar terrenin dhe ato janë nga policia e Gjirokastrës, forcat speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcës në Vlorë.

Po ashtu, në këtë operacion janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat Elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.

Këto forca janë të mbështetura nga mjete të posaçme. Bazuar në planin e hartuar do vijonë veprimet policore për asgjësimin e parcelave të kutivuara dhe kapjen e vënien para përgjegësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar në kundërshtimin me armë të forcave të Policisë së Shtetit.

Po ashtu janë ngritur grupe speciale hetimi të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, të cilët po vijojnë veprimet paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e e provave materiale.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka mundur të futet së bashku me forcat speciale në thellësi të Lazaratit. Ajo ndodhet në lagjen Mahmutaj që është marrë nga forcat e policisë. E gjithë lagjia është në tym pasi po digjen sasi të konsiderueshme kanabisi. Agjentët e policisë po kontrollojnë jashtë banesave pasi nuk i lejohet hyrja brenda.

Bëhet e ditur se për momentin nuk ka të shtëna.

Gate Mahmutaj: Gati të dorëzohem

TCH në zonën e Lazaratit, që nuk është nën kontrollin e policisë

Gazetarja e TCH, Kristina Fidhi, ka qenë në zonën e fshatit Lazarat, që ende nuk është nën kontrollin e policisë. Ajo ka qenë në shtëpinë e të kërkuarit nga policia, Gate Mahmutaj, dhe ky i fundit ka deklaruar se është gati t’i dorëzohet policisë. Ai bën thirrje që të mos qëllohet më në drejtim të fshatit.

“Dua t’i bëj thirrje bashkëfshatarëve të mi, të mos qëllojnë policinë, të ulin armët dhe të rrinë të qetë, të lënë policinë e shtetit të bëjë detyrën dhe të shkoj edhe unë para drejtësisë, pasi nuk kam mundësi për momentin të dorëzohem”, shprehet Gate Mahmutaj.

I pyetur nga TCH nëse ai nënkupton me këto fjalë dëshirën për t’u dorëzuar dhe nëse ka diçka që e pengon për ta bërë këtë gjë, ai u përgjigj:

“Po ja armët janë sheshit, bashkëfshatarët gjuajnë, policia është poshtë me snajperë etj, ndërkohë që unë nuk dua të ketë përplasje, as nga pala e shtetit dhe as nga ajo e fshatit. Nuk dua të ketë humbje jetësh, apo plagosje. Madje sot kam folur me një njeriun tim që të më sjellë një avokat dhe të paraqitem para drejtësisë dhe të jem të paktën i garantuar. Pasi sa të dalësh ka postoblloqe nga shteti dhe kam frikë se më keqtrajtojnë, gjithçka është e mundshme”, deklaroi Mahmutaj.

MB: Shmangni Lazaratin

Ndërkohë, Ministria e Brendshme permes nje njoftimi per shtyp u ben thirrje banoreve te Lazaratit qe per arsye te sigurise se jetes se tyre te mos dalin nga banesat, ndërsa qytetarëve të tjerë të shmangin fshatin.

“Te gjithe qytetaret e tjere, duhet te shmangin plotesisht hyrjen per ne fshatin Lazarat deri ne nje njoftim te dyte zyrtar te policise. Banoret e zonave perreth fshatit Lazarat keshillohen te bejne kujdes me levizjen jashte banesave te tyre, deri ne perfundim te ketij operacioni policor. Sherbimet e Policise se Shtetit jane ne gatishmeri te plote per t’u ardhur ne ndihme ne çdo kohe, te gjithe qytetareve qe do te kene nevoje”, thuhet ne njoftimin per shtyp.

Policia: Dorëzoni armët

“Po ruajmë qetësinë, po parandalojmë pasojat”

Gjatë paradites së të martës, me anë të një njoftimi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se uniformat blu janë të vendosura në arritjen e objektivit për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që gjatë këtyre ditëve kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat në terren, duke sjellë për pasojë dhe plagosjen e një punonjësi policie në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat.

“Polica e Shtetit u bën thirrje personave të armatosur që të dorëzojnë armët e të vihen në dispozicion të policisë, pasi policia është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj dhe nuk do të mund ti shpëtojnë përballjes me forcën e ligjit”, thuhet në një komunikatë.

“Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”, paralajmërohet në të.

Njëherazi Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të bashkëpunojnë me të dhe të bëjnë të mundur identifikimin e elementëve kriminalë që janë duke u konfrontuar me armë me policinë.

“Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë dhe të vendosur për të përmbushur me sukses operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke kontribuar në sigurinë e banorëve të Lazaratit dhe të qytetarëve”, përfundon njoftimi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT