Shtesë » Lajme
Arbana Xharra: Isa ose Ramushi Kryeministër
E premte, 23.05.2014, 07:51 PM
Intervistë me Arbana Xharrën: Ose Isa ose Ramushi Kryeministër
Në një intervistë të dhënë për Gazetën Express, njëra prej analisteve kryesore në vend, Arbana Xharra, vlerëson se ky estabilishment politik, i udhëhequr keq për shtatë vite nga PDK, meriton dhe duhet të largohet prej qeverisjes së vendit. Sipas saj, kjo alternativë nuk është një zgjidhje kushedi se çfare, por e rëndësishme është që të ndodhë rotacioni, për hir të demokracisë.
Express: Cili eshte vleresimi i juaj per fushaten zgjedhore, deri me sot?
Xharra: Deri me tash nuk kam parë të ketë bërë fushatë dikush tjetër, pos kreut të PDK-së, Hashim Thaci. Nga pozicioni i tij me komoditet ka arritur që të manipulojë shtresën e njerëzve që kanë pësuar nga regresi ekonomik, ku shkaktarë është pikërisht ky Kryeministër. Pra, është paradoksale që t’i besohet për të ardhmën një njeriu dhe një klase politike që ka sjellur vec varfëri dhe skamje në vendin tonë. Nga ana tjetër ai është duke bërë përpjekje që të reflektoj reformim, ndonëse kjo është diskrepancë e qartë mes gjendjes aktuale dhe diskursit politik që po provon ai ta instalojë – për mendimin tim – në ditët e fundit të karrierës së tij politike. Këto ashiqare po vërehen se janë përpjekje dëshpruese të tij, sepse Thaci është i vetdijshëm për imazhin degradues që kanë një grup njerzish brenda PDK-së, e që realisht janë njerëz të afërt të tij, me vet faktin që fushatën është duke e udhëhequr i vetëm. Edhe pse për mendimin tim, as imazhi i tij personal nuk është për lakmi. Është qesharake të bëhet fushatë e stilit të Obamas, kur në listat e PDK-së, e cila ka pasur nevojë urgjente për reformë të brendshme, për pastrim të radhëve nga të dyshuarit për krime, vazhdon të jetë e njëjtë.
Express: A mendoni qe LDK eshte duke u deshmuar mjaft e përgatitur per ta sfiduar Partine me te madhe ne vend, PDK'ne?
Xharra: Opozita, në këtë rast LDK si parti e dytë në vend, ka pasur mundësi shumë më të mëdha të jetë më kritike karshi një pushteti të tillë për të cilin ka skandale të panumërta. Kam pritur se do të angazhohet më intenzivisht në reformimin e partisë. Por sic po shihet qartë, kreu i saj Isa Mustafa, është duke e instaluar një frymë konservatore brenda partisë, ku jo aq lehtë mund të radhitesh në krye të saj. Sidoqoftë me dobësimin e PDK-së, largimet e fundit, pas daljes në skenë të partisë NISMA, dhe pakënaqësive në rritje, kjo kohë mund të konsiderohet si momentum i fundit i LDK’së dhe vetë Isa Mustafës. Prandaj, në këto kushte unë e konsideroj të kotë që tash ne të fillojmë të gjëjmë gabime tek LDK, kur e kemi përpara vetës një të keqe kaq të madhe sic është PDK. Me LDK’në merremi kur të vijë në pushtet.
Express: Si i konsideroni levizjet e PDK'se drejt nje flirtimi me partine kryesore religjioze ne vend, Partine e Drejtesise?
Xharra: Është një strategji tashmë e njohur e Thaçit, i cili arrin që të kalkuloj, manipuloj dhe, epilogu i pritur, në fund t’i djegë të gjithë partnerët e tij, që i afrohen për bashkëqeverisje. Them të drejtën asnjë veprim i tij politik për mua nuk është befasues, kur kemi parasysh eksperiencat nga e kaluara. Kujtojeni vec Komedinë e zhvilluar për gjatë këtyre viteve, me viktimën kryesore politike, Gjergj Dedajn. Sa herë e largon prej vetës, aq herë e afron nga vetës, sapo Dedaj kërcënon se do të flasë për ca zhvillime në kohë lufte. Pra qëllimi është pushteti, duke shkelur mbi secilin parim të mundshëm.
Express: A konsideroni se nje qasje e tille do t'i lekunde themelet e shtetit tone sekular, kur dihet se eksponent te kesaj partie kane qene mjaft kritik ndaj figurave kombetare, si Nene Tereza dhe Skenderbeu?
Xharra: Hashim Thaci përgjatë këtyre viteve i ka lëkundur themelet e shtetit tonë me politkat absurde, si në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë (shikoni cfarë po ngjet me Grupin e Drenicës!) zhvillimit ekonomik etj., etj. Kjo me Partinë e Drejtësisë, krahasuar me dëmin që i është shkaktuar me politikat zhvillimore duket, së paku sipërfaqësisht, vetëm si një manipulim elektoral. Por nëse e analizojmë shumë më më vëmendje, dëmi që Kryeministri i ka shkaktuar vendit në arsim, shëndetësi, drejtësi etj., është prapë se prapë i riparueshëm, kur të vijë në shprehje një qeverisje tjetër. Në anën tjetër, dëmi që mund të shkaktohet në fushën kulturore, sic është religjioni, mund të zgjasë me dekada të tëra, dhe vjerret një pikëpyetje e madhe nëse ky dëm mund të ripartohet fare. Porn ë këtë drejtim, Kryeministri në largim, si i ekspert në manipulime dhe si krejtësisht i papërgjegjshëm, as që mendon për dëme të tilla. Megjithatë, për vet faktin që Thaci, për vota bënë cfarëdo kompromisi, tregon se nuk e ka halline cështjes kombëtare, apo rrezikut të shtetit sekular.
Express: Cili do te jete roli i AAK'se ne keto zgjedhje, kur tashme dihet se formimi i cfaredo qeverie do te varet prej votave te ketij subjekti politik?
Xharra: Nëse i besojmë deklaratave të zyrtarëve të LDK’së, se me asnjë kusht nuk bëjnë koalicion me PDK’në, pas zgjedhjeve, dhe duke e marrë parasysh gatishmërinë e AAK’së që më cdo kusht të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, me PDK’në ose me LDK’në, atëherë lirisht mund të konstatojmë se roli i AAK’në në këto zgjedhje do të jetë ai i Ilir Metës, në zgjedhjet e Shqipërisë. Haradinaj, tashmë duket se edhe vet është i bindur që ka gabuar rëndë që ra në kurthin e PDK’së, kur u kthye nga Haga. Një fakt i tillë e ka dëmtuar bukur shumë në publik. Ka rast tash për ta përmirësuar atë gabim, duke e dërguar përfundimisht në opozitë PDK’në dhe kushtimisht t’i hakmerret për turpin që i ka shkaktuar muaj më parë. Pra, unë mendoj që një marrëveshje në mes Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt për themelimin e qeverisë së ardhshme, aktualisht është opcioni kryesor në tavolinë për ta dërguar PDK’në në opozitë.