E marte, 22.06.2021, 03:32 AM (GMT+1)

Lajme

Xhihadistët e Drenicës, nxënës të Dukës

E marte, 22.04.2014, 06:06 PM


Nga Kajtaz Gecaj

Skenderaj është komuna prej nga po rritet numri i të rinjve dita e ditës që po ia mësyjnë luftës në Siri. Ata nuk “çajnë kokën” për ligjet që nxjerr Qeveria e Kosovës e cila dënon deri në 15 vjet kushdo që shkon për të luftuar jashtë vendit.

Madje edhe ata që njëherë kanë marrë rrugën për në Siri pasi që janë kthyer në Kosovë nuk kanë mundur të qëndrojnë në vendin e tyre por janë kthyer sërish atje.

Dyshohet për dhjetëra të rinj nga kjo komunë që kanë marrë rrugën drejtë Sirisë. Bashkësia Islame e Kosovës, dega në këtë komunë është e shqetësuar me këtë fenomen. Kurse komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, toger Basri Durmishi, ka thënë se policia ka të dhëna zyrtare vetëm për pesë qytetarë të Skenderajt që luftojnë në Siri, por ky numër sipas tij mund të jetë tri herë më i madh.

“Ky numër mund të jenë edhe më shumë”, ka thënë toger Durmishi. Qytetarët e Skenderajt kanë një adresë dhe person që akuzojnë për përhapjen e kësaj ideologjie. Ata thonë se gjithçka kishte nisur në Drenicë, me ardhjen e imamit nga Shqipëria i njohur me emrin Xhemajl (Kastriot) Duka, në fshatin Marinë pas luftës së vitit 1999.

Ai me ndihmën e donacioneve të jashtme pat ndërtuar edhe xhaminë jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) duke qëndruar për shumë vite duke ju ofruar mësime fetare fëmijëve kryesisht jetim të këtij fshati.

Dhjetë ditë më parë nga kjo komunë, Valon Musliuu vra në Falluxha të Irakut.

Nga Zyra e Gjendjes Civile në Likofc, mësohet se Valon Musliu e kishte ndërruar emrin, nga Valon në Salajdin Al Ejup

BIK: “Policia nuk po vepron”

Kryetari i Bashkësisë Islame në Skënderaj, mulla Nexhmi Maksuti, ka sugjeruar që institucionet të merren me çështjen, si dukuri dhe fenomen që ka marrë përmasa shqetësuese. “Edhe policia ka shumë faj, ata i hetojnë rastet, i dinë edhe kush janë me emër e me mbiemër, i evidenton, por nuk vepron më tutje”, ka thënë ky imam.

Sipas tij policia duhet të vijë në Bashkësinë Islame, ta zëmë, dhe të thotë, se këta njerëz janë të përfshirë në luftën e Sirisë. “Ndoshta ka edhe ndonjë punëtor i imi që është i implikuar në ndonjë mënyrë në këto punë, e unë nuk e di”, thotë mulla Maksuti.

Ai ka ripërsëritur, se ata njerëz nuk kanë të bëjnë fare me Bashkësinë Islame. “Ky djali nga Tushila (Valon Musliu), ka qenë hoxhë, e ka përfunduar medresenë, por kurrë nuk ka ardhur në xhami. Ai nuk na ka ba hesapë neve, na ka konsideruar të padijshëm. Bile kur dëgjova që është vrarë jam çuditë, sepse unë kam menduar se ende është këtu, e pata parë në Skënderaj”, ka thënë Maksuti.

Ky imam bënë thirrje që shqiptarët të mos shkojnë në Siri për të luftuar. “Po ta kishim Sirinë në kufi, ndoshta do të na imponohej lufta, por kemi shumë shtete në mes. Pos kësaj, atje bëhet luftë vëllavrasëse. Ne kemi apeluar që të mos shkohet atje për të luftuar”, ka thënë për “Zërin” Maksuti. Ai ka treguar se në takimet me imamët u sugjerojnë që të jenë të kujdesshëm me xhematin.

“Ata mund të flasin për luftën në Siri, por nuk guxojnë t’i nxisin shqiptarët për të shkuar atje në luftë”, thotë Maksuti. Sipas tij, një pjesë të fajit për t’i nxitur qytetarët që të shkojnë atje për të luftuar e kanë mjetet e informimit. “Mjetet e informimit po i bëjnë reklamë secilit rast, atyre që vriten në luftën e Sirisë.

Ta zëmë, për ç’arsye të shkruhet aq shumë për vrasjen e këtij djalit të Tushilës. Kur po i lexojnë gazetat e kur po i shohin në televizion, po vijnë njerëz nga shumë anë të Kosovës në të pame, dhe në këtë mënyrë po i jepet publicitet dhe pastaj njerëzit po inkurajohen”, thotë kryetari i BIK-ut në Skënderaj.

Pasojat e ligjëratave të Dukës

Në vitin 2010, Ajnishahe Halimi, një aktiviste nga qyteti i Skenderajt, organizoi një peticion kundër imamit Kastriot Duka . Peticioni i Halimit mori me mijëra nënshkrime dhe mbështetjen e politikanëve vendas. Shumë nënshkrues të peticionit ishin të shqetësuar nga veprimet e imamit, të cilat edhe pse nuk ishin të jashtëligjshme.

Edhe Bashkësia Islame e Kosovës i ishte bashkuar iniciativës që të largohet ky hoxhë nga fshati Marinë.

Fshati Marinë është një nga zonat më të varfra në Kosovë, ku pas luftës së vitit 1999 ka një numër të madh jetimësh.

Puna e Dukës në Marinë financohej nga një organizatë humanitare islamike britanike “Rahma Mercy”. Përfaqësuesi i saj, Khalil Patel ka bërë të ditur për një hulumtim të BIRN-it se organizata e tij i ka dhënë ndihmë humanitare fshatarëve qysh prej luftës, më 1999.

Ai sipas këtij hulumtimi kishte deklaruar se hixhabet u ishin ofruar vajzave që po studionin besimin, por nuk kishin qenë të detyrueshme për t’i veshur ato jashtë xhamisë. “Ne krijuam një mjedis të mrekullueshëm atje. U dhamë uniforma djemve dhe mbulesa vajzave”, ka thënë kohë më parë udhëheqësi i kësaj organizate në një intervistë për BIRN-in.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora