Shtesë » Lajme
Demolohet dhe vidhet kisha ortodokse shqiptare në Maqedoni
E hene, 19.05.2014, 05:35 PM
(I vetmi shqiptar ortodoks në fshatin Kiçinic, Branko Manojlovski, për TVM2 thotë se në orët e hershme të mëngjesit e ka vërejtur që dera kryesore e kishës ka qenë e hapur dhe një pjesë e jashtme e kishës ka qenë e demoluar)
“Në mëngjes unë u zgjova dhe dola të mbledh disa lule dhe e shoh që dera e kishës ishte e hapur. Thashë me vete cila është belaja, sepse kjo derë gjithmonë është e mbyllur. Kur hyra brenda, dritarja ishte e thyer. Menjëherë thërrita policinë dhe ata erdhën menjëherë për të parë se cili është problemi. Shumë gjëra janë thyer, shumë gjëra janë marrë nga brenda. Për momentin kisha është në gjendje shumë të keqe”, deklaroi Branko Manojllovski.
Branko dyshon që kjo vepër e keqe vjen si rezultat i meshës që planifikohej të realizohej në këtë kishë për shqiptarët ortodoks. “Unë e kuptova që kanë vjedhur në shumë kisha në këtë rrethinë, në Galiçnik, Lazaro Pole, tash edhe në Kiçinc, e vërteta është kjo, por kjo kishë është specifike, sepse këtu është i pari ortodoks shqiptar, ai jam unë dhe më duket se e kanë bërë qëllimisht, sepse e kishim në plan të sjellim një prift nga Shqipëria, që të mbajë meshë në gjuhën shqipe këtu, e kuptuan këtë dhe kjo nuk iu pëlqeu”, tha Manojlovski.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, njoftojnë se dy ditët e fundit janë lajmëruar tre raste vjedhjesh, dy në vikend-shtëpizat në zonën e Rekës së Epërme në fshatin Kiçinic dhe vjedhja më e rëndë në kishën “Shën Nikollë” në këtë fshat.
Sipas SPB-së në Tetovë, vjedhës deri tani të panjohur kanë hapur me forcë derën kryesore të kishës dhe kanë thyer mbrojtësen metalike të dritares. Nga kjo kishë janë vjedhur 4 ikona me dimensione 25.15 cm, një ikonë druri pa kornizë, si dhe një tapiceri. Më pas vjedhësit janë larguar pa u vërejtur nga askush. Policia ka filluar menjëherë hetimet dhe në afërsi të kishës është gjetur edhe një kazmë me të cilën mendohet se janë thyer dera dhe dritarja e kishës.
Megjithatë shqiptari ortodoks, Manojlovski, thotë se asnjëherë nuk do të braktisë shtëpinë dhe kishën “Shën Nikollë” në Kiçinic, por do të angazhohet që shqiptarët ortodoks të vetëdijësohen dhe të deklarohen ashtu siç janë. “Tjerët si ndjehen nuk e di unë, por një e di, Maqedonia ka mbi 300 mijë ortodoks shqiptarë që janë asimiluar dhe unë e mora përsipër që sa ma shumë ortodoks shqiptarë të deklarohen si të tillë, do të shohim pastaj se sa do të bëhen, por ka presione. Por asimilimi është punë e vështirë dhe i transformon njerëzit 100 %”, u shpreh Manojllovski. Manojllovski gjithashtu thotë se deri në frymën e fundit do të angazhohet që të kontribuojë të kthejë identitetin e të gjithë të asimiluarve shqiptarë ortodoks në Maqedoni.