E marte, 22.06.2021, 11:47 AM (GMT+1)

Lajme

Xhevat Rexhaj: Intervistë me Dr. Ukë Berishën

E hene, 05.05.2014, 06:40 PM


Dr. Ukë Berisha, kryetari i PSHDK-se flet për vlerat demokristiane në Kosovë, për zhvillimet në PSHDK dhe për nevojën që zëri demokristian të jetë prezent në jetën politike të Republikës së Kosovës

Intervistë me kryetarin e PSHDK-së, Dr. Ukë Berishën

Zëri demokristian i duhet Kosovës

Intervistoi: Xhevat Rexhaj

“Kosova ka nevojë për parti që kultivojnë frymën e paqes, tolerancës, drejtësisë dhe solidaritetit. PSHDK-ja në këto vlera prinë, sepse ideologjia e saj, e ngjizur nga lëvizja e madhe demokristiane botërore, është një portë që lidhë ura me këtë lëvizje të madhe, nga më të mëdhatë në botë, për të përmirësuar imazhin e vendit dhe integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike.” -Dr. Ukë Berisha

Në një bisedë për Botën Sot, Dr. Ukë Berisha, flet për vlerat demokristiane në Kosovë, për zhvillimet në PSHDK dhe për nevojën që zëri demokristian të jetë prezent në jetën politike të Republikës së Kosovës.

Dr. Ukë Beerisha, mjek i afirmuar në Kosovë, ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka specializuar në mjekësinë interne dhe studimet pasuniversitare nga gastroenterologjia dhe hepatologjia i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit, kurse specializimin për gastrohepatologji e endoskopi në Zvicër.

Dr. Ukë Berisha njihet për shumë aktivitete në Kosovë. Ai për më shumë se dy dekada, është marrë me shumë aktivitete humanitare dhe politike. Është njëri ndër themeluesit e PSHDK-së me 1990, pastaj ishte Kryetar i Shoqatës humanitare Bamirëse të Kosovës "Nëna Terezë" dega në Klinë (1990-2000). Po ashtu, ai ishte, redaktor e financues i revistës kulturo-politike "Fjala e lirë" (1992-1995). Deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSHDK-së (1998).

Tani drejton Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

Bota Sot: Z. Berisha në fillim na thoni ku gjendet sot PSHDK ja?

U. Berisha: Shoqëri jonë po mësohet me jetën demokratike dhe në këtë kontekst edhe PSHDK-ja është në procese të tilla, duke u transformuar dhe duke u përshtatur brenda realiteteve të reja politike, që kërkojnë më shumë profesionalizëm, më shumë dije politike, më shumë demokraci dhe më shumë qartësi. Pas disa turbulencave dhe ndarjeve që pat PSHDK-ja në vitet e fundit, tashmë demokristianët po konsolidohen, duke u shtrirë në terren, duke krijuar dhe rritur kontaktet me partitë simotra në Shqipëri dhe Europë, dhe duke promovuar filozofinë e saj politike, si një alternativë e dobishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. PSHDK-ja tanimë ka hapur dyert për kuadro të reja. Po thellon bashkëpunimin me partitë simotra të Europës, që tani përbëjnë forcën dominuese politike të Europës së Bashkuar, aty ku synojmë të integrohemi edhe ne si shoqëri. Misioni ynë politik është përafrimi kulturor, ekonomik dhe social me perëndimin, duke krijuar një shoqëri të lirë, në të cilën drejtësia është për të gjithë dhe ku ka stabilitet të qëndrueshëm social.

Bota Sot: Dihet botërisht se PSHDK që nga themelimi ishte pjesë e politikbërjes së Institucioneve të Kosovës, shkurt ishte një parti e respektuar dhe që ka dhënë kontributin e jashtëzakonshëm për këtë që kemi sot, a po forcoheni këto ditë pas disa vite përçarjesh?

U. Berisha: Është e vërtetë se PSHDK-ja ishte një hallkë e rëndësishme që e ndihmoi Kosovën ndër vite të përfitojë vëmendjen e botës së përparuar dhe kështu ajo të vihet në krah të vendit tonë, me ndihma ekonomike, politike dhe ushtarake, për të na ndihmuar të çlirohemi, të mëkëmbemi dhe të arrijmë pavarësinë. Për shumë vite, PSHDK-ja bashkë me LDK-në, ishte promovuese e denjë e kërkesave të shqiptareve për liri, demokraci dhe pavarësi. Ndërkaq dekada e fundit për PSHDK-në nuk ishte e lakmueshme. Ndarjet, fraksionet dhe mbyllja, na lanë jashtë rrjedhave politike. Mirëpo tani janë krijuar realitete të reja dhe PSHDK-ja, si asnjëherë më parë, ka hapur dyert për kuadro të reja, për figura të respektueshme në jetën shoqërore dhe kështu po sanon pasojat e ndarjeve, që të del më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme.

Bota Sot.- Fatkeqësisht sot PSHDK nuk ka asnjë ulëse në Kuvend, kjo është për keqardhje a jeni duke bërë angazhime që në këto zgjedhje të jeni pjesë e parlamentit?

U. Berisha: Po, prej kur kam marrë drejtimin e partisë, kemi bërë përpjekje që të jemi aktiv në jetën politike, nëpërmjet mendimeve tona politike, deklaratave të shumta, që kanë zgjuar jo pak interesimin e opinionit publik. Po ashtu, gjatë kësaj kohe, kemi krijuar degë të reja dhe kemi forcuar ato ekzistuese. Hapja për një brez të ri, PSHDK-së i ka dhënë një dimension të ri dhe gjithë kjo punë është mirëpritur nga opinioni publik. Jemi në kontakte të vazhdueshme me elektoratin, degët dhe po zhvillojmë një aktivitet dinamik me partitë simotra, që të krijojmë kështu parakushtet për të qenë pjesë e parlamentit.

PSHDK-ja, siç u tha këto ditë nga demokristianët e Shqipërisë, përbën një medaljon të çmuar për Kosovën dhe besoj se me punën që po bën, do të arrijë të jetë pjesë e Parlamentit të Kosovës dhe kështu zëri dhe filozofia e saj të plasohen ashtu siç duhet në jetën politike. Duke kontaktuar elektoratin tonë, miqtë e shumtë dhe dashamirë të demokristianëve, kemi kuptuar se zëri demokristian i duhet Kosovës, sidomos pas degradimeve të shumta që ka përjetuar vendi ynë dhe kaheve të gabuara që ka marrë Kosova, me një orientim jo të qartë evropian.

E them me përgjegjësi të plotë, se mungesa e zërit të demokristianëve në Institucionet e Kosovës, në Parlamentin e Kosovës, ka dobësuar dukshëm imazhin e vendit. Kosova ka nevojë për parti që kultivojnë frymën e paqes, tolerancës, drejtësisë dhe solidaritetit. PSHDK-ja në këto vlera prinë, sepse ideologjia e saj, e ngjizur nga lëvizja e madhe demokristiane botërore, është një portë që lidhë ura me këtë lëvizje të madhe, nga më të mëdhatë në botë, për të përmirësuar imazhin e vendit dhe integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike.

Bota Sot:Z. Ukë Berisha, si i shihni zhvillimet e fundit në vend?

U. Berisha: Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm këto vite të fundit, përkundër disa përparimeve të vogla, të cilat pak kanë ndikuar në ngritjen e mirëqenies së përgjithshme. Imazhi i vendit është i rrënuar. Vendi ynë është goditur rëndë nga korrupsioni, drejtësia e mangët, shëndetësia në gjendje të mjerueshme dhe ekstremizmi fetar, që ka gjetur strehe edhe në jetën politike. Ne si parti, e kemi thënë që ekstremizmi fetar, mohimi i figurave kombëtare dhe korrupsioni, janë fenomenet më të këqija që po e degradojnë Kosovën dhe po e prishin të ardhmen e saj, duke tentuar po ashtu të prishet harmonia e brendshme. PSHDK-ja e ka thënë në të gjitha takimet e saja, se integrimet evropiane për ne nuk janë luks, por domosdoshmëri. Në këtë rrugë, duhet të fokusohemi dhe nga ky synim nuk duhet të largohemi, për asnjë çmim.

Bota sot: Çka mund të bëjnë demokristianët në për përmirësimin e këtij imazhi?

U. Berisha: Demokristianët e Kosovës, pra PSHDK-ja, siç e thamë, është pjesë e lëvizjes së madhe demokristiane, që e themeluan Unionin Europian dhe e zhvilluan Europën e mirëqenies, solidaritet dhe drejtësisë. Për këto vlera universale, ka nevojë edhe Kosova, në rrugën e saj të rikthimit në familjen e madhe të kombeve të lira e të përparuara evropiane. Jemi të bindur se këto vlera, janë më të afërta me PSHDK-në.

Bota Sot: Çka pritni nga zgjedhjet e fundit, cilat janë sfidat?

U. Berisha: Mendoj se skena politike në vend, e ka humbur arsyen dhe ka ngecje në zhvillimet e demokracisë së brendshme. Si rezultat i kësaj, partitë e mëdha, në mënyrë oligarkike, me ligjin zgjedhor dhe pragun 5 përqindësh, kanë bërë të vështirë që PSHDK-ja, të del e vetme në këto momente në zgjedhje. Mirëpo, po shohim mundësinë të konkretizojmë një marrëveshje me një nga partitë e mëdha politike, që ka një ofertë të sinqertë, serioze dhe e vlerëson PSHDK-në. Jemi të bindur se do të jemi pjesë e parlamentit dhe kështu do të krijojmë mundësi që të zhvillojmë partinë në vitet e ardhshme, që zëri demokristian, të jetë një zë solid brenda skenës politike në Kosovë.

Bota sot: Çfarë porosi keni për lexuesit tanë dhe opinionin?

U. Berisha: PSHDK-ja është urë lidhëse mes të kaluarës dhe të sotmes. Ajo po ashtu mund të ndihmojë të ardhmen Europiane të Kosovës, ngritjen e saj ekonomike nëpërmjet partneritetit me partitë simotra në Europë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të degjenerimeve të kohëve të fundit dhe krizave të thella. Që të ndalet ky hov, është momenti për një kthesë të rëndësishme. Vendi ynë nevojë për një identitet të qartë dhe orientim të palëkundur europian. Në këtë betejë, demokristianët mund të ndihmojnë shumë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora