Shtesë » Lajme
Jusuf Buxhovi: Qeveria Thaci e ka humbur legjimitetin
E marte, 27.05.2014, 07:45 PM
INTERVISTË ME JUSUF BUXHOVIN:
QEVERIA THAÇI E KA HUMBUR LEGJITIMITETIN, POR KËTU EKZISTON DYSHIMI I MADH SE
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Jusuf
Buxhovi, një emër i madh në aradhen e figurave më të spikatura në historinë
moderne të këtij gjysmëshekulli, krahas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, të
cilët i dredhuan letërsisë për një kauzë të madhe si vazhdon të mbetet në
sendërtimin e paqes, në një rrugëtim që
Pas çlirimit të Kosovës, Jusuf Buxhovi duket sikur i ka dredhuar politikës, ndërkohë mospërfshirjen në politikën aktive ai e ka plotësuar me një angazhim të jashtëzakonshëm për të demonstruar permes shkrimit identitetin evropian të shqiptarëve. Për të rrënjosur atë që është synuar të çrrënjoset, rrënjët e shqiptarëve, produkt i së cilës ishte edhe lufta e Kosovës, si e fundit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Vepra e tij historiografike në tri vëllime “Kosova” ështe një Monumet, që mund të kishte ardhur si rrjedhojë e punës të Akademisë të Kosovës a asaj të Shqipërisë, o të dyjave sëbashku, ndërsa Jusuf Buxhovi e ka arritur vetë. Shoqëruar nga një sukses i jashtëzakonshëm i publikut shqiptar në trevat shqiptare dhe diasporë. “Kosova” e Jusuf Buxhovit është ribotuar disa here, kështu edhe romani i tij më i ri “Jeniçeri i fundit”.
Pikërisht në kohën më të zezë të krizës për librin shqiptar, ku shitjet janë minimale, librat e Jusuf Buxhovit arrijnë kuotat më të larta të shitjeve si bestseller. Ai ka pohuar të kundërtën e Ivo Andriçit. Si një të vërtetë qetësuese, e cila është ilaç në kohën e integrimeve për të gjithë, kur Ballkani thuhet se e ka humbur konotacionin e dikurshëm si “FuçiBaruti”, ndërsa keqqeverisjet shqiptare iu ngjajnë fuçive të barutit.
Shitja e veprës tregon se ai gëzon një besim të padiskutueshëm tek publiku shqiptar, i cili, nëse Jusuf Buxhovi do të përfshihej në politikë, do t’i shndërrohej në votëbesim.
Unë si gazetare e kam ftuar ashtu si Ismail kadarenë, edhe Jusuf Buxhovin të përfshihet në politikë, sepse përfshirja e tij do të gjeneronte katarsis dhe do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për të mirën e Kosovës dhe lexuesit të tij. Deri tash nuk më ka dëgjuar.
Bashkë me pyetjet për intervistë, katër syresh, pasi përgjigjeve që dha të cilat do t’i lexoni pak më poshtë, i dërgova këtë shënim:
“I nderuari Profesor, ju falënderoj shumë. Ju jeni emri i vetëm në Kosovë i padiskutueshëm për ato që shprehni dhe që shkruani. Nga kjo rrjedh suksesi juaj, të cilin e garantoni me personalitetin që keni. Njerëzit e dinë edhe kur ju ende e keni veprën në laborator, pa e publikuar, se ajo që keni shkruar e po thoni përmes shkrimit, është padiskutueshmërisht me vlerë. Pra lexuesi ju beson, sepse këtë besim ju e keni ushqyer. Prandaj angazhimi juaj në politikë është shumë i rëndësishëm, jo për ju, por për Kosovën dhe shqiptarët.
Shqiptarët kudo që jetojnë janë të etur të dëgjojnë të vërtetën ku ndodhemi dhe si dalim prej kësaj baltovine. Mos u shqetësoni kurrë prej zagarëve. Kaloni në rivistë se çfarë i kanë bërë Rugovës, Kadaresë, Nënë Terezës dhe Skënderbeut. Sulmet e zagarëve merrini si sport dhe angazhohuni. Kurrë nuk jeni vonë. Tani gjithsesi koha duket më fatlume, sepse ka të paktën 15 vjet dështime në qeverisje. Ne ju duam shumë dhe vlerësimet tona janë të padiskutushme, deri në qiell. Presim të takohemi, këtu apo atje. Shumë të fala Zonjës, fëmijëve, mbesës dhe nipave - Gjinit të vogël, që e dini se ju ngjan fort. Shumë të fala prej nesh, me përqafime, Elida“
Më poshtë vjen intervista.
Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia së paku do të heshtnin - tek ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!
Elida Buçpapaj: Përfaqësuesi i CDU në Bundestagun gjerman Michael Brand ka dalë deklaritivisht hapur kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. „Deri tani - tha ai përpara Parlamentit - në Kosovë nuk kemi as stabilitet, as shtet ligjor, as struktura stabile shtetërore“. Në këto kushte, a ka të drejtë partia e Hashim Thaçit të pretendojë fitore të zgjedhjeve ?
JUSUF BUXHOVI: Edhe pa vlerësimet e qëlluara te zotit M. Brand, qeveria Thaçi qysh moti e ka humbur legjitimitetin qeverisës. Mjafton të shihet shkalla e korrupsionit, pastaj kriminaliteti dhe dukuri të tjera ku shteti zhvatet në të gjitha segmentet e tij, ndërkohë që qytetarët lokalë gjenden në një situatë kur shteti jo vetëm që nuk ua jep ato që ka për detyrë, por edhe ua merr edhe ato që kanë.
Pos këtyre është edhe çështja e krimeve të luftës dhe të tjera me të cilat ngarkohen shumica e bosëve të partisë së Thaçit, të cilët janë në qeveri dhe faktori ndërkombëtar (SHBA, Bashkimi Europian dhe NATO) përditë bëjnë me gisht kah ata.
Mjafton të shihet se si këto ditë fushata zgjedhore e kësaj partie përcillet po ashtu me një seri shkrimesh në "Kohën ditore" me plot e përplot akuza për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga pjesa më e madhe e liderëve të kësaj partie!
Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia, së paku do të heshtnin përderisa gjyqi ta thotë fjalën e fundit. Te ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!
Elida Buçpapaj:
JUSUF BUXHOVI: Sa i përket "Mafias politike", që zunë n‘gojë gjermanët, ata e dinë më mirë se ne se çfarë janë përmasat e saj, siç e dinë edhe amerikanët dhe të tjerët, të cilët, megjithatë nuk mund të bëjnë vetëm me gisht, siç po bëjnë tani, kur ata kanë përkrahur këto garnitura qeverisëse dhe shumë prej tyre i kanë përdorur dhe shfrytëzuar për të futur në dorë resurset e caktuara ekonomike të Kosovës (Telekomin e Kosovës, Elektroekonominë dhe resurset tjera).
Këtu tashmë ekziston dyshimi i madh, se ne kemi këtë qeverisje mafioze pse si të tillë e deshën të huajt, ku nuk mund të përjashtohen as gjermanët, që kanë të përzgjedhurit e tyre në këtë lëmsh kriminal, të cilët i futën në lojë qysh para luftës dhe veçmas gjatë saj, pasi përjashtuan intelektualët dhe idealistët që e donin shtetin e Kosovës të pastër dhe properëndimor.
Është për keqardhje kur dihet se Kosova si projekt perëndimor euro-atlantik, që u vu nën protektoratin ndërkombëtar, instaloi një armatë të tërë mekanizmash ndërkombëtarë nga ata të sigurisë e deri te ekspertët dhe këshilltarët e shumtë, të cilët në vend se të punonin për këtë qëllim, vepruan për të kundërtën, gjë që katandisja e Kosovës në këtë gjendje është edhe meritë e tyre e madhe!
Në farsën mediale nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar
Elida Buçpapaj: Në Bundestag u përmend edhe liria e mediave, e cila në Kosovë është pothuaj 100 % e komprometuar, çfarë do të thotë kjo për një gazetar me përvojë dhe krijues si ju, dhe çfarë duhet të bëhet?
JUSUF BUXHOVI: Liria e mediave në Kosovë ka kohë që nuk ekziston. Kemi një farsë mediale, fund e krye në sherbim të bosëve politikë, të cilët e kanë degraduar profesionin e gazetarit tmerrësisht! Me ndonjë përjashtim të vogël, gazetat dhe televizionet drejtohen nga politika dhe interesat e tyre. Edhe këtu nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar, i cili, në vend se të forcojë fjalën e lirë dhe gazetarinë e pavarur, ka investuar te disa grupe dhe mediume që kanë qenë në shërbim dhe grupeve politike dhe mediale. Kështu që mizeria politike në të cilën ndodhet Kosova nuk do të mund të ishte e tillë pa meritën e gazetarëve dhe të gazetarisë së Kosovës dhe pa sponsorët e jashtëm, që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë vasalë dhe jeniçerë!
Me librat e mi i kundërvihem rënies të madhe morale
Elida Buçpapaj: Jeni gjithnjë në aktivitet krijues, me trilogjinë Kosova, të përkthyer edhe në anglisht, me Jeniçerin e Fundit, gjithkund jemi i zënë në promovime, librat tuaja janë më të shiturit, ndërsa Kosova është në degradim, a nuk duhet t’i ktheheni angazhimeve qytetare si pjesë e elitës, sikur keni bërë bashkë me inteligjencien 24 vjet më parë kur themeluat LDK ?
JUSUF BUXHOVI: Është e vërtetë se librat e mia (“Kosova” dhe “Jeniçeri i fundit”) janë më të shiturat dhe më të kërkuarat, gjë që tregon se jo gjithçka e ka humbur besimin. Kjo më bën edhe më të përkushtueshëm. Përcaktimi kah krijimtaria nuk është vetëm një satisfaksion për krijuesin e dëshpëruar në kohë krize të thellë siç është kjo e jona, por është një mjet i fuqishëm që t'i kundërvihet kësaj të keqeje. Suksesi i veprave të mia si dhe interesimi i madh për to e dëshmon këtë. Ndaj, nuk do t'i kthehem politikës së papastër, e cila të kthen në shërbëtor dhe jeniçer, por do të mbetem te librat, në mënyrë që me anën e tyre t'i kundërvihem rënies së madhe morale, shoqërore në për të cilën po kalojmë.