Kulturë
Vullnet Mato: Bukuroshja ime
E premte, 25.04.2014, 07:11 PM
Vullnet Mato
BUKUROSHJA IME
(Monument poetik për të gjitha nënat)
Bukuroshja që më lindi në vjeshtën e tretë,
pasi më ushqeu me gjakun e bardhë të gjirit,
më dha edhe bardhësinë e shpirtit të vet
dhe më ruajti si dritën e bardhë të syrit.
Nëna më mbajti plot dy vjet në sisë,
të ma mbushte zemrën me dashuri të madhe.
Më deshi si djalin e parë të shtëpisë,
ndonëse i dha vatrës gjashtë djem radhe.
Kur gjarpëri më goditi me pickim të shpejt,
nëna ma thithi helmin e tmerrshëm me gojë,
pranoi pa asnjë mëdyshje vdekjen e vet,
që nga vdekja e sigurt të më shpëtojë.
Edhe kur gjashtë vjeç, më mori lumi
dhe në gjeratoren e thellë m’u fundos jeta,
nëna u hodh e më rrëmbeu nga uji,
siç vërsulet shqiponja me kthetrat e veta.
Nëna më mësoi t’i kushtohem punës,
me pasionin që më kishin ngjitur në emër.
Të mos gëzohem, kur njeriu vuan dhunën
ndërsa dhimbjen e tjetrit ta ndjej në zemër.
Të urrej fuqishëm tundimin për të vjedhur,
që i ka thonjtë e gishtave të zgjatur te burgu.
Dhe të mos përvetësoj kurrë sendin e gjetur,
se mbetet pa gjumë personi që e ka humbur.
Të mos vras zogjtë që këndojnë pemëve,
as të mos shkel gjallesat ndanë udhe,
se edhe ata kanë shpirtra si të njerëzve
dhe i qajnë nënat e tyre me lot e me kuje.
Pa dashur nënën time, që më solli në botë,
me të gjithë fuqinë e shpirtit që zotëroj,
si mund të dua njerëzit që gjeta mbi tokë,
apo për frymorët e tjerë të sakrifikoj?!...
Sepse, kur nëna nisi për mua krijimin,
duke lidhur rruazat në mitër qelizë pas qelize,
lidhi
për të gjithë kohën e përbashkët jetike.
Nëna ka qenë për mua dashuria e parë
dhe asnjë ndjenjë pasardhëse nuk e lëkundi.
Ndonëse mungon e s’e shoh të gjallë,
Nëna do mbetet edhe dashuria ime e fundit.
Se të gjitha mirësitë që më dhuroi nëna,
i pata hajmali, që më ndihën fatin në jetë.
Prandaj atë bukuroshe s’e ndaj nga zemra,
deri në çastin kur të shkoj pranë saj dhe vetë...