E shtune, 27.04.2024, 12:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Marjan Sebaj-Sopi: Intervistë me Prof. Sabit Abdyli

E merkure, 02.04.2014, 08:20 PM


Një bisedë e përzemërt me Prof. Sabit Abdyli-n, me theks të vaçantë mbi gjendjen e shkollës shqipe në Viti e rrethinë (Anamoravë)…

Shqiptari kundër cilësdo fe brenda shqiptare që flet, flet kundër vëllezërve të vet!'' (S.A)

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Marjan Sebaj-SOPI: Prof i dashur, është kënaqësi e veçantë për mua që pas sa e sa viteve të takohemi, të çmallemi, e pimë kafe së bashku. Me këtë rast kisha pasur dëshirë të shpalosim pak nga jeta dhe puna e juaj. Diç nga biografia e Juaj?

Prof.Sabit Abdyli: Unë jam i lindur vitin 1946., në Kabash. Kam kryer shkollën fillore e të mesmen në Viti, pastaj shkollën e lartë pedagogjike në Shkup. Në vitin 1968  fillova  punën në shkollën tetëvjeçare të atëhershme në Viti. Jam ndër të parët nga këto anë që kam kryer shkollën e lartë. Më pas kam vazhduar në shkallën e dytë të fakultetit filozofik, gjuhë e letërsi, në Prishtinë. Vitet 1980-ta vazhdova punën në gjimnazin ku kam punuar deri më 25 tetor 1999. Luftën e Kosovës të vitit 1998/99 e kam përjatua këtu (në Kosovë).

Marjan Sebaj-Sopi: Prof i nderuar, për këto gjëra dmth gjendjen e para luftës e luftën në Kosovë edhe keni shkruar, libra?

Prof. Sabit Abdyli: Po, pikërisht ashtu është, pra kam shkruar ato që kam dit. Kurse pas luftës mu dha rasti të dal jashtë dhe si shkak kryesor ishte faktori ekonomik, shëndeti im dhe pamundësia për t’i shkolluar fëmijët këtu me rrogën e punëtorit në arsim.

Marjan Sebaj-Sopi: Më intereson të dimë që kur keni filluar punën tuaj në arsim, si kanë qenë paralelet apo shkolla, shqip?

Prof. Sabit Abdyli: Po, shqip. Atëherë u mbyllën ato paralelet, klasat e ulëta në Kabash, ato pra u bartën në Viti. Kjo ka ndodhë para vitit 1968.  Kurse, më vonë paralele të gjuhës shqipe si degë të shkollës fillore në Viti u hapë edhe në Binçë, më parë nuk ka ekzistuar, nuk ka pas në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën serbe. E di që mësuesit e parë që kanë hapur ato klasë kanë qenë Iliaz Jakupi dhe Rahman Kamberi.

Marjan Sebaj-Sopi: Kush ishte iniciator për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në Binçë?

Prof. Sabit Abdyli: Po ishte ajo kohë kur filloi afirmimi i shqiptarëve, i gjuhës (shkollës) shqipe, pasi ra ajo tendenca (regjimi) e A. Rankoviqit kur u gjykuan ato veprime të tija antishqiptare, ato deformime që janë bërë kundër popullatës shqiptare. Ishte kohë kur paksa ne shqiptarët nisëm të marrim frymë pak më lirshëm. Kjo pra ishte gjithë kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta (1968/1969). Vitet 70 –ta shumica e shqiptarëve të besimit të krishterë (katolik) të Binçës kanë qenë nëpër shkolla e paralele serbe. Kështu tani filluam me hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe.

Marjan Sebaj-Sopi: Kam dëgjuar se iniciator për hapjen e shkollës apo paraleleve në gjuhën shqipe në fshatin Binçë ka qenë pikërisht +Mark Marku (ekonomist) nga fshati Binçë që atëherë jetonte e punonte në Prizren?

Prof.Sabit Abdyli: E saktë, Marku ka ndikuar shumë që të kthehen nxënësit në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë probleme me pushtetin serb meqë disa arsimtar shqiptarë filluan me shqiptarizimin e mbiemrave (që ishte problem i kamotshëm ky, ku serbët pa pyetur askënd me kohë kishin sllavizuar mbiemrat e banorëve të Binçës dhe fshatrave për rreth psh. Markoviq, Gegiq, Petroviq,  Ramiq…, e ne i bëmë siç duhej të ishin: Marku, Gegaj. Pjetri, Ramaj etj… Pati reagime nga  serbët, pse, qysh.. . Mirëpo, pavarësisht ne e vazhduam punën tonë!

Marjan Sebaj-Sopi: Kjo ishte tendencë e kahmotshme e serbëve që të konvertojnë e më vonë serbizojnë popullatën shqiptare?

Prof. Sabit Abdyli: Po ka qenë kjo tendencë. Më vonë në Viti u hapën edhe klasat e ulëta fillore, sepse në gjuhën shqipe nuk ka pasur mësim vetëm prej klasës pesë e deri në klasën e tetë. Nuk më kujtohet saktë por më duket se nga viti 1970 u hapë edhe klasa e parë  e shkollës fillore në gjuhën shqipe në Viti.

Marjan Sebaj-Sopi: A ju kujtohet kur është hapur gjimnazi në Viti?

Prof. Sabit Abdyli: Gjimnazi për here të parë është hapur në vitin 1968. Ka pas një shkollë bujqësore në gjuhën Serbe (në Binçë), e më vonë u hapë edhe një paralele në gjuhën shqipe në Viti, dhe më duket se nga kjo paralele për here të parë u diplomuan kuadrat vitin 1968/69. Disa u inkuadruan në mësim e disa vazhduan studimet. Pastaj u hapë gjimnazi si degë e gjimnazit të Gjilanit 1968/69. Më vonë u pavarësua gjimnazi i Vitisë meqë shumë shpejt u rritën paralelet (klasat) e numri i nxënësve në Viti.

Marjan Sebaj-Sopi: Kuadri mësimorë nga ishte, nga komuna e Vitisë?

Prof. Sabit Abdyli: Shumica e komunës së Vitisë, por sigurisht që herën e parë kanë ardhur kuadrat e mësimdhënësve nga gjimnazi i Gjilanit dhe kanë dhënë mësim. Më kujtohen se ndër ta ishin edhe Ruzhdi Ushaku, Mujë Rugova Emrush Haliti etj. Ka pas kuadro edhe nga Maqedonia, por kuptohet, shumica ishin nga komuna e Vitisë.

Marjan Sebaj-Sopi: Si studiues i gjuhës dhe letërsisë por edhe më shumë hulumtues i kulturës dhe traditës sonë (historisë), më intereson gjatë studimeve tuaja mos keni has në ndonjë datë të mësimit në gjuhën shqipe nëpër fshatra tanë, përveç asaj që dihet se Stubëlla ka pas shkollën fillore në gjuhën shqipe që nga viti 1905 (shkolla e parë zyrtare shqipe në Kosovë)?Kur kanë filluar hapat e parë të arsimimit?

Prof. Sabit Abdyli: Në Kabash shkolla zyrtare në gjuhën shqipe është hapur vitin 1948. Ka pas edhe më parë por ato janë më tepër kanë qenë tendenca apo shkolla ilegale (sipas shtetit të atëhershëm) me pak nxënës dhe thuajse fshehtas. Vitin 1945 është hapur një kurs për mësim të shkrim leximit, apo më tepër u quheshin shkolla të mbrëmjes. Atë kurs për herë të parë e ka udhëhequr Murat Murati e më pas saktësisht pas një viti atë e ka udhëhequr Sylejman Rexhepi. Sylejman Rexhepi një kohë ka pas jetuar në Shqipëri dhe ka dijtë shkrim-lexim, kështu që siç thash, më vonë, pra vitin 1948 u hapë shkolla. Megjithëse edhe përpara kanë mësuar shqip, në kushte të vështira apo në mënyrë ilegale, në mbrëmje dhe fshehtas, mej teje etj... Lidhje me këtë dhe dashurinë për mësim lexim në gjuhën shqipe, dhe lidhje me një abetare (të parë) shqipe në Kabash se si ka ardhur këtu prej Shqipërie, më kujtohet ajo që më ka treguar baba im.

Marjan Sebaj-Sopi: Këtë e keni cekur edhe në librin Tuaj?

Prof. Sabit Abdyli: Po këtë më ka treguar baba im. Ajo abetare kishte pas ardhur në fshat nga Shqipëria vitin 1932. Atë e kanë mbajtur fshehtas, sepse ka qenë rrezik po të bie në duar të xhandarmërisë serbe. Me një rast ai e përmend (këtë e kam përmendur unë edhe në libër), më duket se ishin aty diku te xhamia e fshatit me Jak Sedaj, Mejdi Halilin etj…ku kanë mësuar alfabetin në atë abetare. Dhe, vazhdon baba; erdhën ata, xhandarët serb, por ne thotë mbanim me vete gjithnjë edhe një bukfar (libër i alfabetit serb). Përdornim dinakërinë, dhe kur i pamë xhandarët serb, ne e fshehëm abetaren dhe hapëm  bukfarin dhe kur panë ata këtë, thanë; aha, shumë mirë vazhdoni e mësoni.

Marjan Sebaj-Sopi: Prof i nderuar, juve si punëtor arsimi, si njeri me përvojë të madhe e në komunikim të përhershëm me njerëz të ndryshëm, na intereson mbi marrëdhëniet mes komunitetit shqiptarë katolik e shqiptar mysliman këtu meqë kemi popullatën me dy konfesione fetare shqiptare? Shkurtimisht, nga përvoja e Juja, diç lidhje me këtë?

Prof. Sabit Abdyli: Marrëdhëniet gjithmonë kanë qenë të mira sa e di unë dhe sa kam dëgjuar nga të tjerët nuk ka pasur ngatërresa apo konflikte serioze. Të natyrës individuale mund të ketë pasur, natyrisht meqë ato edhe brenda familjes së ngushtë ndodhin, por historikisht asnjëherë dhe askurrë nuk kanë pasur konflikte. Gjithmonë kanë qenë bashkë në gjithçka dhe të pandarë, kanë jetuar e kanë ndihmuar njëri-tjetrin, kanë hy e kanë dalë tek njeri tjetri (mes veti), kur kanë pasur  gëzime e hidhërime…kanë ndihmuar njëri-tjetrin, kanë qenë humanitar. Duhet ta theksoj se ka pas tendenca gjithmonë me na përçarë, por nuk iu ka shkuar ajo.

Marjan Sebaj-Sopi: Dhe për fund prof. i nderuar, arsimi sot pikërisht në Komunën e Vitisë ku është? Pasi, juve jeni me siguri jeni në kontakt të përhershëm me  profesor, me ish kolegët etj?

Prof. Sabit Abdyli: Po në një mënyrë jam dhe nuk jam edhe aq, pasi nuk jam përherë këtu. Kështuqë nuk mund të them edhe diç me kompetencë të madhe. Mirëpo, sa kam parë, dhe sa shoh unë, mbetët shumë për tu bërë në arsim, na duhet shumë për të punuar në këtë drejtim. Sepse, arsimi është shtyllë kryesore e shtetit dhe Kombit, kuptohet këtu edhe shëndetësia, mirëpo siç shoh unë dhe dukët se edhe njëra edhe tjetra çalojnë dhe duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Ardhmëria është te shkolla, arsimimi, shtetit i duhen njerëz të ditur edhe të shëndosh.

Marjan Sebaj-Sopi: Ju faleminderit shumë për këtë bisedë prof. i nderuar! Ishte kënaqësi.

Prof. Sabid Abdyli: Me nderë qofsh!



Kosovë, Shtator’2013

___________

PS. Kësaj interviste të shkurtër ia bashkangjesim edhe shkrimin e ztr. Shaban Cakolli:  Mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Sabit Abdyli-t

30 September 2013 at 03:13

Shtypi: Pika 5A Gjilan,2013

Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin e Anomoravës, vend i djepit të kulturës, i cili është rritur e brumosur në përdorimin e prozës tregimtare popullore nëpër odat e Vitisë së Gjilanit, i cili pati aftësinë nga vegjëlia të kap thelbin e këtyre tregimeve, por që individualitetin e vet e formoj si shkrimtar e poet i dëshmuar nga mosha rinore, duke iu përkushtuar poezisë, tregimeve, anekdotave dhe aforizmave. Si shumë krijues, edhe Sabit Abdyli me shpirtin e vet prej krijuesi, ka paraqitur botën e vet shpirtërore, diku me gëzimet e fëmijërisë, diku me rrëpatjet dhe vuajtëjet rinore, të cilat i ka përjetuar nën lëkurën e vet, në kohën e regjimit okupues sllav, shkaktarë i së cilës ishte edhe ikja nga vendlindja e tij e bukur dhe e dashur, ku fati i jetës e përplasi në mërgimin e largët diku në Zelandën e Re. Pushtuesi na ka shkaktuar shumë dëme, na ka ndaluar të njihemi vëllau me vëllaun, duke na vënë bariera kufinjësh, na ka burgosur e ndaluar të shkruajmë, por nëse kemi mbijetuar, nuk ka mundur të na i ndaloj mendimet.

Sabit Abdyli nga vegjëlia ishte intelektual i shquar, student, mësues dhe mjeshtër i shkrimit. Heret filloj me poezinë, asnjëherë i nxituar të bëjë sasi librash, por vlera dhe cilësi. Sabiti nga mosha rinore hulumtoj, rrugëtoj ngadal por sigurtë, kërkoj formulime të ndryshme, shprehu gjendëjen e ti j shpirtërore, pikëpamjet e tij ndaj jetës, ndaj botës që e rrethonte, qoftë për gëzimet që i solli jeta, qoftë për sfidat e kohës.

Sabiti, kishte dhunti nga fëmijëria, lexonte shumë, kjo i ndihmoj madje të shkruaj, të shpalos botën e vet shpirtërore mes shkrimeve, të sjell vlera në krijimtarinë e tij letrare, të cilat e bënë të njohur tek lexuesit

tanë kudo që ndodhen. Krijuesit më së tepërmi i nxitë të njihen në mes vete krijimtaria e mirë, kështu e njoha Sabit Abdylin, fillimisht si poet i mirë, e më pas mes tregimeve të fuqishme, letrave, anekdotave dhe

aforizmave. Letrat për Babuqin, janë shkrimet e Sabit Abdylit në prozë, të cilat kanë pushtuar lexuesit tanë. Ato janë lexuar edhe në shumë mjete elektronike, nëpër shumë radio, janë letra të fuqishme, sado që

duken të veshura me humor, ato luftojnë të keqet e jetës, me mjeshtri shkrimi protestojnë kundër të shëmtuarës. Letrën e parë të tij e kam dëgjuar në orën letrare të Radio Zërit të Arbërit, e cila dëgjohet nga

Norvegjia, më pas me vemendje të kujdesshme i kam përcjellur gjitha letrat e tij, të cilat këto dita Sabiti i ka përmbledhur në një libër Letra, anekdota dhe aforizma. Ky libër i Sabit Abdylit, është një libër i pasur,

i përbërë me dyzetekatër letra, pjesa tjetër përmbanë një kapitull të pasur me "Letra si këtyrehere" dhe përmbyllet me anekdota dhe aforizma, një libër rreth dyqind faqe, i shkruar me mjeshtri dhe plot vlera

domethënëse. Mënyra si shkruan Sabit Abdyli është jo e lehtë për të kapur mendimet e tija, duhet studijuar ngadal, nuk duhet të lexohet sa për të kapur vetëm mjeshtrinë e humorit, e cila edhe si humor është mjaft e dëshiruar, por nëse arrijmë të kapim kuptimin e shkrimit, kjo libër del shumë domethënëse.

Sabit Abdyli u lind më 1946 në fshatin Kabash, komuna e Vitisë të Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Viti, kurse studimet i bëri në Shkup e Prishtinë.

Ka botuar këto vepra:

"Kabashi i Anamoravës,1997,Prishtinë(Monografi)

"Ankthi i pranverës"99"(Ditar lufte)Prishtinë 2004

"Kohë e lumtur,2005,Prishtinë(Përmbledhje me poezi)

"Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha"2010,Auckland,(Artikuj për emigrimet e shqiptarëve në Zelandën e Re,etj)

"Na Kabashi jem t´ndam një zjarrmi"

"Letra,anektdota,aforizma"2013,Gjilan

Sabiti nga viti 1999 jeton dhe vepron në qytetin e Aucklandit dhe vazhdon të mirret me shkrime. Është aktiv në organizimin e aktiviteteve kulturore në mësimin e mërgatës shqiptare në Zelandën e Re.

Andaj, thelbi i anekdotave është qëllimi edukativ, kritika ndaj veseve të liga të shoqërisë në rajone të caktuara, por me vlerë përgjithësuese njerëzore, me qëllim edukues, të përsosjes së karaktereve njerëzore e shoqërore. Ato pasqyrojnë strukturën sociopolitike e psikoetnike të kohës kur kanë lindur e jetojnë, duke vazhduar dhe më tej, ashtu sikur ka ndodhur me të derisotmet.

Shkrimtari ynë Sabit Abdyli, ka përjetuar shumë gjëra të pakëndshme në jetën e tij, një kohë të gjatë nën pushtimin sllav, Luftën në Kosovë, i cili e përjetoi rëndë, madje duke e përjetuar në lëkurën e vet, si mësues e studjues, mes shkrimeve jep mendime të qarta për përjetimet gjatë luftës, situatën politiko-shoqërore, para, gjatë dhe pas luftës, të cilat i ka shprehur mes shkrimeve mes letrave, anekdotave dhe aforizmave, përshkruan vështërsitë e tij nga jeta. Shkrimet e tij dalin të pasura, domethënëse, me një të shprehur artistik, mendime të thella dhe mesazh i kuptueshëm.

Ato kanë humor të këndshëm, thumbues e ironik të përqeshin të metat e njerëzimit, që kanë zënë strehë edhe ndër ne. U tha së shumica e anekdotave të botuara në këtë libër janë krijime të dala nga realiteti i ri në rrethana të reja shoqërore-etnike, si kurdoherë, duke prekur veset e liga të shoqërisë, tani në kushte të reja,Ne jemi të gëzuar me të arriturat e Sabit Abdylit në fushën letrare,për botimet e tij në poezi dhe prozë,e përgëzojmë për librin e tij të ri,e falemnderoj që më mundësoj të e kem dhe të e lexoj, i dëshiroj shëndet dhe suksese të pafundme në fushën e letërsisë.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora