Kulturë
Poezi nga Ramiz Lushaj
E enjte, 06.03.2014, 08:08 PM
Ramiz LUSHAJ
DHE VJEN NJË DITË
Mikut tim, Haki Zllami, poet, publicist
Dhe vjen një ditë
që as Sahati i Madh i Tiranës
nuk punon si Orët Diellore të Vendlindjes.
Dhe vjen një ditë
Kur i thinjur i rikthehesh Vendlindjes
Në aromën e tokës, flladin e bjeshkëve,
në udhët, ëndrrat, malet,
Ku të njohin njerëzit, lulet, piedestalet,
Ku njeriu rritet e rritet,
Rinohet e rinohet,
Bashkë me vitet.
Tirana i ka të gjitha nga pak e nga pak
E bëhet e madhe,
` E madhe,
Kap edhe lartësi epokale.
Tropoja i ka të gjitha me shumë, e shumë,
Endrrat, malet, lapidarët,
Lumenjtë, gështenjat, arrat, hallet,
kangët, vallet, Orët, Zanat, bukuritë,
E nuk mbetesh i vogël
Në asnjë ditë, në asnjë vit.
Dhe vjen një ditë
Kur Tropojës i rikthehen bijtë...
PLAVË - GUCI
Plavë-Guci:
Sofër e Diellit.
Kupë e Qiellit.
Gjelbrim i Prilllit.
Plavë- Guci:
Sy i kaltër i Valbonës.
Lot i sotëm i Limit.
Plis i bardhë i Alpeve.
Palcë e asht i kombit
Në njëmijë faqe.
Plavë-Guci:
Arbani e Vogël.
Ballkon i Alpeve.
Fortesë e Pejës.
Derë e Shkodrës.
Kojshi eparë i Malësisë së Gjakovës.
Plavë-Guci:
Luftë me shtatë krajli.
Djepe në gjashtë kontinente.
Lavdi sa për tetë planete.
Plavë-Guci:
Zana e Pavarësisë,
I dhe gji Historisë,
Dritë bujarisë...
Plavë-Guci:
Shkambi i Vujkut
Kufindarësi yt në tri shtete:
Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi.
Pjesë e shtyllës vertebrore të kombit mbete,
Në Përjetësi.
Plavë-Guci:
Me fiset e tua: Kelmend, Hot, Berishë, Kuç, Triesh...
Në tre bajrakë: Vuthaj, Martinaj, Arzhanicë.
Në gurë të varreve me mbetë
Ringrihen martirët e lirisë si në legjenda
E ndezin vendin flakë...
Ringjallesh prapë.
Plavë-Guci:
E nderuara e Kombit.
E bekuara e Zotit.
Bukuri e Qiellit dhe e Tokës.
Mrekullia e Tetë e Botës.
Vuthaj, 2 gusht 2012
Shkrue tek shtëpia e Avdyl Dedushaj