E premte, 26.04.2024, 04:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Ndjeshmëri e lartë liriko-meditaive

E diele, 26.01.2014, 05:22 PM


Ndjeshmëri e lartë liriko-meditaive dhe poetiko-rrëfimtare

Rreth aktit krijues të poetes dhe shkrimtares Mina Çaushi

Nga Hyqmet HASKO

Qasja që një lexues dhe aq më tepër një kritik i bën një vepre letrare, aq më shumë një vepre poetike apo një autori në tërësi ka të bëjë me një sërë faktorësh letarë e jashtëletrarë, që ndikojnë në formësimin estetik dhe kulturolgjik në përgjithësi të këtij autori, në raport me autorët e tjerë dhe me atë se çfarë shkruhet në përgjithësi në letrat tona kombëtare.

Poezia femërore, që buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive, po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë.  Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, ashtu si vetë bota femërore që i shkruan ato, plot dyzime dhe alternime, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.

Duke e vështruar nën një optikë të tillë një autore të njohur si Mina Çaushi, poete emigrante në Greqi, në Olimpin e perëndive antike, ku u gatua buka e parë e artit poetik të përbotshëm, mund të konstatosh që në këndvështrimin e parë, horizontal, se kemi të bëjmë me një poete të mesazhimit të beftë, të sinkronit të përvojës së jetës njerëore, të një uni që shkrihet me fatin kombëtar, me historinë dhe përditshmërinë e botës shqiptare. Poetja zbulon ishullin e saj ku ndihet mirë dhe në këtë ishull ajo nuk ndërton një kullë të fildishtë, vetmia dhe izolacioni, por ndërton mijëra ura dashurie për tek njerëzit, pë rte koha e saj dhe bashkëkohësit.

Autore e trembëdhjetë përmbledhjeve me poezi dhje tregime, Mina Çaushi përbën një zë më vete, spontan dhe orgjinal në korin e letrave tona kombëtare, që këto vite pas çlirimit nga dogmatizmi dhe ndalesat jashtëletrare po njohin një zhvillim dhe lulëzim të pa parë.

Ajo ka njëzet vjet që punon e jeton në tokën helene, ku me një emocion të pastër dhe fluiditet ndjesor, plot kolorit gjuhësor dhe emocional, na përcjell dramën dhe vetminë e emigrantit, fatin e të ikurve nga toka amë drejt brigjeve të huaja, në kërkim të rrënjëve të reja dhe hapësirave të reja të epokës globale.

Mina Çaushi është autore e këtyre librave me poezi e tregime: “Pikëllimi”, “Album familjar”, “Rrezatimi i copave të pasqyrës”, “Ku do më gjeni”, “Me puthjen e yjeve ju përshëndes”, “Liqeni i luleshtrydheve”, “Pena e poetit”, “Fjalët e fjalorit”, “Ribotimi i pikëllimit dhe albumit familjar”, “Gëzuar 100 vjetorin lulëkuqe”,  “Hapi i një gruaje” –tregime- dhe “Përqafimi”-tregime-.

Poezia e Mines është një poezi e hapësirës, dritës, ngjyrave të ndezura, akuareleve të thyera të shpirtit, e dimensioneve vertikale të hapësirës dhe kohës. Është një poezi e meditimit të thellë, e figurës së gjetur, e detajeve të mprehtë, e një këndvështrimi original, për minibotën që e rethon dhe që ajo e bën object të shqyrtimit të saj reflektivo-poetik.

Theu xhamat dimri mbi tokë,

Shkriu sheqerin, dalëngadalë,

Sythet ndër pemë mbushën natyrën,

Për botën reale, na kish marrë mall’…

(Vëllimi poetik “Një udhëtim në fluturim me ndjenjat”, poezia “Pranvera” faqe 17)

Nga vëllimi në vëllim, vihet re rritja e poetes, zgjerimi i gamës tematike dhe i mjeteve shprehëse, zgjerimi i rrathëve koncentrikë të strukturave dhe mesazheve.  Poezia e Mines ridimensionohet dhe rifokusohet si një akt në kontakt me njerëzit dhe kohën, si një shkundje ndjenjash dhe vrull pasionesh për të bukurën, si një udhëtim shpirtëror, spiritual në botën e ndjesive, impresioneve, gjendjeve, kalamendjeve të brendshme të unit. Në kërkimin e saj poetik, ajo gjurmon dritën, ajrin, krahët e diellit, vetetimat e jetës,  vjeshtën, ikjen, “firmat e një dashurie vjeshte”, çastin e parë dhe të fundit, ngjyrat e ylberit-rozën, të kuqen dhe ngjyrat e ëndrrës, liqenin e luleshtrydheve, etjen, mallin, penelin klasik, pleqërinë “me rroba të bardha”, etj etj. Paqa e pranverës dhe tisi melankolik i vjeshtës, dielli dhe reja, ndriçimi dhe errësimi i ndjenjave, një mazaik gjendjesh dhe dehjesh që vijnë duke i

zgjeruar rrathët e objektit poetik, janë pjesë e spektrit ndjesor, imazhinist dhe mesazhues të poezive të Mines.

Mine Çaushi ka si cilësi të saj ndoshta kryesore këndvështrimin modern të shqyrtimit të objektit poetik, thyerjen e grimcimin e qëllimshëm të këtij objekti, për ta rindërtuar të transfiguruar në aktin e thuajse të shenjtë të krijimit të poezisë. Ky modernitet duket jo vetëm në përdorimin e strukturave formale të zhdërvjellëta dhe të pakornizuara, por dhe në idetë e mesazhet që burojnë nga ky këndvështrim.

Risia e poezisë së Çaushit është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale. Siç thamë pak më sipër, ajo e grimcon objektin poetik, kryesisht me anë të enumeracionit, në dhjetëra miniobjekte, të cilat pastaj i bashkon me anë të një figure bazë, duke e rikrijuar të plotë dhe modern aktin e shkrimit poetik.

Në hartën e “shtëgëtimit të saj poetik” përfshihen gjendje, kujtesa, impresione, imazhe të mbetura pezull në kohë, ku ajo mbledh grimca kujtimesh, që e fton atë të përcjellë një vektor idealiteti femëor.

Qyteti, rruga, “malli kristalor”, shtegtimi, kënga, idili, vjeshta, dehja, iluzioni, guri, pragu, ëndrra, drita, “era e thatë” etj. janë disa nga fjalët e leksikut poetik të Mines, që ajo i ka kthyer në stilema poetike. Prekja e së bukurës, prekja si ndjesi, si përjetim, si kujtesë, si emocion etj., është pjesë e këndvështrimit të saj, një këndvështrim i thyer, plot dritëhije…

Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Mines nga simorat e saj është vokali shumëgjyrësh meditativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të freskëta, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.

Aventura poetike e Mine Çaushit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së saj autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim në thelbin e vetë kohës shqiptare. Poetja konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.

Në poezinë e saj, nga vëllimi në vëllim vjen e kristalizohet profili poetik I autores, duke u identifikuar si një zë i veçantë, tok me poetet më të njohura të botës shqiptare.

Proza e Mines dallohet për stilin e ngjeshur, poetikën e rrëfimit, fuqinë e përshkrimit dhe gjallërinë e mjediseve të përshkruara. Ajo rrëfen në veten e parë, por dhe në vetën e tretë, zhbiron përditshmërinë dhe zbulon tipa dhe karaktere të epokës sonë, në të gjithë hapësirën e botës shqiptare. Bota e emigrantit, ëndrrat dhe pasionet e tij, “Kutia e Pandorës” dhe zhgënjimet përballë realiteteve dogmatike janë pjesë e spektrit rrëfimtar të kësaj autoreje dhe në prozën e shkurtër, ku ajo ka debutuar me botimin e dy librave.

Në analizë të të fundit, mund të themi se tek Mine Çaushi shohim një poete e formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, një prozatore me zë original, që me librat e saj me poezi dhe me tregime, dëshmon një talent e përkushtim përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të ngrohtë, një rrëfim mbresëlënës, akte krijuese të vetvetishme, fine e spontane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora