E premte, 26.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: 10-vjetori i gazetës “Dëshnica”

E enjte, 28.11.2013, 09:43 PM


Në 10- vjetorin e gazetës “Dëshnica”.

(Fjala e mbajtur me rastin e 10-vjetorit të gazetës “Dëshnica”, 28 nëntor 2013)

Nga Kujtim Mateli

Në fillim të këtij mijëvjeçari pati një zgjim të krijuesve dëshnicarë. Ky zgjim është i lidhur me kushtet e reja që u krijuan pas viteve `90. Lëvizja e një pjese të konsiderueshme të popullsisë, nga Dëshnica drejt qyteteve të tjera shqiptare, por edhe jashtë vendit, bëri që këta dëshnicarë të ndiejnë për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë ende ta ndiejnë mungesën e vendlindjes së tyre. Lindi kështu nevoja për të krijuar një shoqatë atdhetare kulturore që u emërtua me emrin e krahinës sonë “Dëshnica”. Shoqatës i lindi nevoja për të krijuar një gazetë dhe gazetës i lindi nevoja që të kishte një numër sa më të madh bashkëpunëtorësh. Përfshirja në gazetën “Dëshnica” e një numri të kosiderueshëm dëshnicarësh, bëri që të lindin studiuesit e parë që studiuan truallin e Dëshnicës, në fillim për nevojat e gazetës, një krahinë e pasur në folklor e etnografi, me dëshmi arkeologjike e burime historike.  Deri në vitin 1990 ka patur për Dëshnicën vetëm një studim gjuhësor mbi formimin e fjalëve të përbëra, i Prof. Nexhip Mërkurit, me të cilën mbrojti dhe Doktoraturën.

Në vitin 2006 e në vijim, studiuesi Nuri Dragoj botoi historinë dhe etnografinë e Dëshnicës në tre vëllime: “Dëshnica dhe dëshnicarët” ku krahina jonë shihet në një vështrim tërësor në etnografinë dhe historinë e saj . Të një vlere të veçantë janë studimet e tij për Kasëm Trebeshinën, duke u munduar ta ndriçojë figurën e tij nga hijet që kishin rënë mbi të gjatë rregjimit komunist. Pasi u siguria se këto kërkime i kishin dhënë mundësinë për të ecur më tej, e zgjeroi hapësirën e studimeve të tij në të gjithë Shqipërinë jugore, në një raport të ndërlikuar të vendit tonë me fqinjin jugor duke i shpalosur  pikëpamjet e tij në librin “Shqiptarët dhe grekët” një analizë e detajuar e këtyre marrëdhënie në një kontekst historik 2000 vjeçar.

Libri studimor i Gëzim Vodës “ Fjalë shpirti të dëshnicarëve” është  një tjetër libër me vlerë që e shikon Dëshnicën në aspektin gjuhësor e kulturor të saj. Ka qëmtuar nga e folura dëshnicare mbi 6.000 fjalë që përbëjnë dhe karakteristikën kryesore të krahinës sonë të ndara në dy kapituj: në fjalë që gjenden në fjalorët e gjuhës shqipe dhe në fjalë që nuk gjenden në këta fjalorë. Kapitulli II që përmban 646 fjalë që autori i ka gjetur në Dëshnicë dhe nuk ndodhen në fjalorët e gjuhës shqipe, përbëjnë dhe vlerën reale të këtij studimi duke u dhënë mundësinë studiuesve të ditëve tona, por edhe të atyre të kohëve të mëvonshme të depërtojnë nëpërmjet gjuhës në mijëvjeçarët e historisë. Po studimi Gëzim Vodës tij përfshin dhe fushat etnografi dhe folklor duke dhënë një ndihmesë të cmuar në njohjen e vlerave të krahinës së Dëshnicës.

Nuredin Nurçe e Tare Kaso në librin monografik “ Nderim dhe mall për nënë Neslijen” kanë përshkruar Dëshnicën në cilësinë e një etnologu. Kapitulli i dasmës së Neslisjes me Ferikun tregon realitetin e dasmave dëshnicare në gjysmën e parë të shekullit XX, realitet që etnologu i ditëve të sotme nuk mund ta gjejë më në Dëshnicë, sepse edhe Dëshnica si dhe gjithë Shqipëria e ka modifikuar traditën me modernen.Po ajo që ia shton vlerën këtij libri është dhe portreti i Ferrikut i parë në syrin e një etnologu, ku mund të gjesh më shumë material për për Dëshicën e dëshnicarin se sa tek nje vepër e mirëfilltë etnologjike.

Tomorr Çaushi është një tjetër kontribues i rëndësishëm ku spikat mjeshtëria e tij për të dhënë Fratarin, vendlindjen e tij si pjesë e mozaikut të Dëshnicës. Personazhet e ngjarjeve realeve në tregimet e tij janë portreti i dëshnicarit në të gjithë hapësirën e shekulli XX.

Duke u munduar të shkruajnë për gazetën “Dëshnica”, krahas shkrimeve publicistike u lëvrua edhe letërsia artistike. Gazeta shërbeu si nxitje dhe frymëzim për krijuesit e rinj, por edhe për ata që ishin afirmuar më parë si të tillë. Para viteve `90., krijuesit dëshnicarë ishin të paktë, megjithatë ata arritën të afirmohen në shkallë vendi  duke u renditur në listën e krijuesve të Shqipërisë. Vetën tre emra rezultojnë si autorë librash para viteve `90-të. Këta janë: Kujtim Halili, Sadik Murraj e Zenel Anxhaku (dy të parët ishin ushtarakë) dhe që të tre të larguar nga krahina e Dëshnicës dhe rrethi i Përmetit në moshë të re.

Zenel Anxhaku e formoi profilin e tij krijues në poezi. Poezitë e tij u bënë tekste këngësh në Festivalin e Këngës që organizonte Radio-Televivizioni Shqiptar  para viteve `90. Po Zenel Anxhaku la gjurmë edhe në krijimtarinë pas viteve 2000, ku në publicistikë, por veçanërisht në poezi, u fokusua vendlindja e tij, Dëshnica, duke i dhënë një dimesion të ri artistik. Krijimtaria artistike e shkrimtarit Sadik Murraj ka si personazh të tregimeve të tij fëmijët, duke qënë kështu i vetmi autor dëshnicar që ka shkruar për fëmijë.

Kujtim Halili, tregoi se është një poet i talentuar, poet i ndienjës dhe dhimbjes njerëzore. Mund të themi se e arriti pjekurinë e tij poetike me vëllimin poetik “Akuarele dashurie”. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ai botoi 7 libra. U nda nga jeta në kulmin e prodhimit të tij artistik duke lënë pas një vepër të çmuar që pret të vlerësohet.

Gazeta “Dëshnica” e ka patur prioritet të saj afirmimin e krijuesve të rinj. Cdo gjë që shkruhet ka si destinacion botimin për t`u bërë pronë e shoqërisë. Po derisa një krijimtari të arrijë në formën  e saj më të plotë që është botimi i një libri, kalon në disa faza dhe secilën prej këtyre fazave autori dëshiron ta ndajë me të tjerët deri sa të arrijë në një nivel të caktuar artistik. Gazeta “Dëshnica” këtë ka bërë: ka pasqyruar me prioritet krijimet artistike duke inkurajuar dhe nxitur krijuesit e saj. Madje nuk kanë munguar edhe analizat dhe komentet për disa nga librat që krijuesit dëshnicarë kanë nxjerrë në këto vite. Dhe numri i librave që dëshnicarët kanë arritur deri në këta muajt e fundit e ka kapërcyer shifrën 100. Kjo është arritje dhe në këtë arritje ka pjesën e vet dhe gazeta “Dëshnica”. Në këtë numër kaq të lartë, shumë prej këtyre librave e kanë kapërcyer pragun si krijime dëshnicare, duke u futur denjësisht si pjesë e letërsisë së Shqipërisë.

Gazeta “Dëshnica” në respekt të punës së tyre si bashkëpunëtorë të gazetës, gjen rastin që për  disa prej këtyre krijuesve, të japë në mënyrë të përmbledhur tiparet themelore të krijimtarisë së tyre

Ylli Hoxhaj është i pëlqyer dhe i vlerësuar për nivelin artistik të krijimtarisë së tij. Sigurisht kurorën e kësaj krijimtarie e përbëjnë vëllimi poetik “ Balada pa mite” dhe libri me tregime e novela “Deri te kloni”. Që nga poezia e parë e vitit 1960, botuar tek gazeta “Rinia” e deri në botimin e vëllimit poetik “Balada pa mite” është një hark kohor prej 46 vitesh. Një gjysmë shekulli, pena e Yllit Hoxhajt nuk rreshti duke shkruar poezi apo shkrime studimore në fushën e pedagogjisë. Realiteti shoqëror e politik i kohës, nuk u përthye pozitivisht në realitetin artistik që krijoi poeti. Një realiteti  të gjymtuar edhe për shkak të luftës së klasave, nuk mund t`i thureshin lavde siç e kerkonte politika zyrtare e kohës. Ndaj pena e Ylli Hoxhajt heshti artistikisht duke e dhënë dëshpërimin që ndjeu nga ndarja me poezinë tek vjersha “Prag pranvere” që e ka shkruar në vitin 1972, sikundër e tregon vetë autori. Po pas një ndërprerje gati 20 vjecare me letërsinë artistike, me krijimin e kushteve të reja demokratike, Ylli Hoxha iu rikthye përsëri poezisë dhe disa nga poezitë e tij janë të denja të futen në tekstet shkollore për nxënësit e shkollave 9- vjeçare e te mesme apo në antologjitë poetike që hartohen në mbarë hapësirën shqiptare.

Lumo Kolleshi u prezantua si poet në fund të viteve `80 me ciklet e poezive të botuara në gazetën lokale të asaj kohe në rrethin e Përmetit dhe u kristalizua si poet me botimin e vëllimit poetik “Kur derdhen vetëtimat”. Poezia e tij realiste fshikullon fenomenet negative që lindën në këtë periudhë të tranzicionit. Është një poezi e shëndetshme e me nivel të lartë artistik. Konsiderohet krahas disa poetëve të tjerë si poeti më në zë, jo vetëm për Dëshnicën, por edhe për rrethin e Përmetit. Poezia e tij ka lexues e dashamirës të shumtë në mbarë vendin, por dhe ajo pret nga institucionet kulturore e letrare në shkallë vendi të vlerësohet më tepër. Botimi i disa cikleve të të poezisë së Lumo Kolleshit në faqet e gazetës “Dëshnica” ka qenë inkurajim për krijuesit e rinj dëshnicarë.

Poezia e Edlira Xhanit përfaqëson njeriun e pas viteve 90, që jetën e ndau midis një atdheu të braktisur dhe të një vendbanimi të ri gjysmë të rrëshqitur, në ishullin e Kretës. Ndaj heroi lirik i poezive të saj kalon papritmas nga një gjendje gëzimi në atë të trishtimit, shpresa alternohet me zhgënjimin, optimizmi ia lë vendin pesimizmit. Tematika e poezive të saj ka kërkuar një strukturë të re poetike. Strofa, që shërben tek të gjithë poetët për të ndarë një gjendje emocionale nga një tjetër, i mungon poezisë së Edlirës. E gjithë poezia është një strofë e vetme dhe heroi lirik jepet në gjendje emocionale të pandryshuar. Kjo sepse poetja nuk ka parë ndonjë ndryshim në planin e afërt që ndan të sotmen me të nesërmen. Realiteti i këtyre 20 viteve për emigrantët në fqinjin tonë jugor ka mbetur i pandryshuar.

Në planin artistik ky konceptim i ka bërë mirë poezisë së Edlirës. Edhe në shumicën e poezive që klasifikohen të arrira tek shumë poetë, do ta gjesh mbylljen e poezisë ose me një strofë deklarative ose me një strofë moralizuese. Po deklaratat se si dilet nga një gjendje e vështirë nuk i bëjnë poetët, por politikanët. Edlira Xhani si poete e ka bërë punën e vet dhe kjo është detyra e krijuesit: paraqitja e realitetit pa zbukurime. Tani e ka radhën politika të kujdeset më shumë për atë pjesë të shqiptarëve që ndodhen jashtë trojeve të Shqipërisë.

Një tjetër poet që e ka ndarë poezinë e tij me gazetën “Dëshnica” është dhe poeti  Dashnor Selmi. Talenti i tij spikati që herët, në fillim në publicistikë e më vonë në krijimtarinë artistike duke zënë një vend të merituar në letërsinë dëshnicare dhe me rrezatim brenda dhe jashtë vendit, duke u bërë i njohur edhe në Greqi midis shqiptarëve që në këtë vend e kapërcejnë shifrën e gjysmë milioni. Poezia e tij rrezaton vendlindjen e vet, Goricën, aty ku kaloi fëmijërinë. Poezia e tij rrezaton Dëshnicën që laget nga dy lumenj: Vjosa dhe Dëshnica, emër i cili nuk dihet se kush ia dha i pari: krahina i dha emrin e vet lumit apo lumi krahinës. Poezia e Dashnor Selimit paraqet artistikisht mrekullinë dëshnicare, mrekulli që shfaqet në natyrë dhe në botën shpirtërore të banorëve të saj. Realiteti i ri ku jeton e punon në Selanik të Greqisë i ka dhënë poezisë përmasa të reja. Poezia e tij paraqet njeriun e kohëve moderne që punon e jeton ku t`i jepet mundësia, por që nuk e harron kurrë folezën prej nga nisi fluturimin.

Artur Vrekaj është një tjetër dëshnicar që poezinë e tij e ka ndarë në radhë të parë me banorët e krahinës së vet në faqet e gazetës “Dëshnica”. Arturi punon dhe jeton në Amerikë dhe aty u formua si poet. Përveç dy botimeve poetike në shqip ka edhe një botim poetik në anglisht. Ka hedhur themele të reja atje ku ka shkuar jo vetëm si qytetar i përkushtuar ndaj shtetit, por ai kërkon të depërtojë në shoqërinë amerikane edhe si poet, duke treguar se vendi nga ai vjen i përket një qytetërimi të vjetër sa dhe vetë njerëzimi. Poezia e tij në shqip është e lidhur ngushtësisht me Dëshnicën. Në librin e tij të dytë dhe në disa poezi të shkruara më vonë është paraqitur artistikisht edhe Dodona dhe tempulli i saj, më i vjetri i Europës, siç e pranojnë disa nga studiuesit më në zë europian. Heroi lirik i poezisë së tij është njeriu modern i kohëve të sotme: njeriu që aspiron për më shumë të drejta dhe liri, shqiptari që ndihet europian se qe i pari  që i dha Europës nëpërmjet Dodonës modelin e njeriut që jeton në një shoqëri dhe rregullat që ky individ duhet të zbatojë për të funksionuar një shoqëri njerëzore.   Flamur Dalipi edhe ky emigrant për disa vite në Angli, shkroi në këto vite një nga poemat më të bukura në letërsinë dëshnicare dhe i poezisë që është krijuar në diasporë. Poema është ndërtuar mbi figurën letrare të Personifikimit dhe poeti i drejtohet Hënës si një qënie njerëzore, e vetmja e mundshme që mund t`i tregojë e t`i thotë të rejat nga atdheu i vet, Shqipëria. Ky kuvendim është ndërtuar mbi detaje konkrete, tepër prekëse e mallëngjyese, duke e bërë lexuesin a dëgjuesin të dëgjojë deri në fund këtë kuvendim të poetit me të afërmit e tij, të njohurit a të panjohurit që për poetin janë të dashur e të çmuar.

Po kështu poema tjetër e tij e botuar në gazetën “ Dëshnica” për teqen e Bubësit të Dytë, institucionit fetar të besimit bektashi, i ndërtuar nga vëllezërit Zaimi, është një himn që shpirti i dëshnicarit e ka thurur për besimin e tij, një nga besimet më të dashura për shqiptarët, sepse mbi të nuk ka asnjë ndikim të huaj sikundër ndodh me besimet e tjera ku ndikimi fetar përzihet me atë politikë dhe që ka krijuar probleme edhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Qendra e besimit botëror bektashi është Shqipëria dhe dhe në qendër të këtij besimi shqiptarët kanë vendosur parimet e Naim Frashërit duke e bërë këtë besim të dashur e të kuptueshëm.

Mustafa Fezga apo Muci siç e thërrasin në perëndim, matematicieni  përmetar i njohur në të gjithë Shqipërinë për kontributin e tij në shkencat ekzakte, doli para lexuesit dëshnicar e përmetar me romanin e tij: “Financieri rebel i Përmetit”. Është romani i parë në letërsinë dëshnicare dhe një nga librat konkurues në letërsinë e trevës së Përmetit. Personazhi kryesor i romanit është lokalizuar nga autori si një banor i Dëshnicës, i cili Pas Clirimit vepron në Qarkun e Gjirokastrës, në qytetet Gjirokastër, Përmet e Këlcyrë. Në personazhin kryesor të romanit është skalitur këmbëngulja dhe ndershmëria, tipare këto karakteristike të banorëve të trevës sonë. Më në fund edhe Dëshnica hyn në letërsinë mbarë shqiptare duke u dhënë trevave të tjera të vendit tonë modelin e qënies njerëzore, modelin e njeriut që lufton për drejtësi e përparim shoqëror.

Gazeta “Dëshnica”  ka treguar një nivel të lartë falë penës dhe punës jo vetëm të këtyre krijuesve dhe studiuesve që përmendëm deri tani, por edhe të mjaft të tjerëve, gjithashtu të talentuar e të përkushtuar.

Myslim Xhaferaj që jetën e ka ndarë midis Tiranës dhe Mazhanit ka sjellë në poezitë e tij natyrën e bukur dëshnicare. Mali i Trebeshinës, me stanet e shumtë e flladet ledhatues, është bërë pjesë e krijimtarisë së tij. Po shoqëria dëshnicare është tronditur derisa shikon shtëpi e lagje të braktisura. Njerëz që kanë marrë udhën e emigrimit apo janë vendosur në qytete të tjera të vendit tonë. Poezia e Myslimit është një apel që këta njerëz ta kthejnë fytyrën nga vendlindja, qoftë dhe  përkohësisht.

Po malin e Trebeshinës dhe Dëshnicën i ka bërë pjesë të krijimtarisë së tij edhe poeti Belul Arapi. Banori i rrëzës së Trebeshinës, i lidhur ngushtësisht me stanet dhe tufat e bagëtive, na është dhënë në një kontekst konkret. Tingëllojnë bukur emrat e vendeve si: Dejani e Shpella e Sehanëz, Cezma e Kumënit e faqja e malit me emrin Dunicë. Në këtë mjedis lind dashuria të cilën Beluli e përshkruan me nota romantike.

Mystehak Kapo jetësoi me krijimtarinë e tij vendlindjen: Podgoranin, Dëshnicën dhe Përmetin, jetësoi bukurinë e natyrës dhe mallin që ka për ato vende të bukura. Vargu i tij ka emocion, i cili përcillet natyrshëm tek lexuesi.

Bujar Elamazi ka arritur të krijojë artistikisht vendlindjen. Poezia e tij tregon se kemi të bëjmë me një poet të talentuar, i cili ka aftësinë ta paraqesë Dëshnicën në madhështinë e saj të papërsëritshme, me detaje konkrete, vargje të ngrohta e plot kolorit, me figura letrare që janë të lidhura organikisht me vargun e poezinë. Paraqitja e poezisë së tij në faqet e gazetës “Dëshnica” ka shtuar numrin e lexuesve të poezisë së tij dhe të vetë gazetës.

Gazeta Dëshnica në këto vite ka pasqyruar në faqet e saj edhe krijimtarinë e shumë poetëve të tjerë. Veçojmë Bujar Bejkollarin i cili nuk i është shkëputur gazetës edhe gjatë këtyre viteve të fundit ku jeton në Amerikë. Poezia e tij i drejtohet në radhë të parë krahinës sonë. Një poezi e qetë dhe e shtruar, ku elementin bazë të ndërtimit të saj e përbëjnë detajet, në të cilat  jepet portreti i dëshnicarit në marrëdhëniet e tij me tokën e natyrën.

Shefqet Saliaj  ka sjellë në poezinë e tij plagët shoqërore që krijoi lufta e klasave, i cili me kënaqësi kërkoi që poezia e tij të pasqyrohej në faqet e gazetës “Dëshnica” si një gazetë ku e gjejnë vetën të gjithë dëshnicarët. Pasqyrimi i jetës dëshnicare, në publicistikë apo në art, do të ishte jo i plotë, nëse do të cungohej nga paragjykime e mentalitete që kanë qenë produkt i shoqërisë shqiptare në një hark të caktuar kohor. Nëse gazeta “Dëshnica” gëzon një popullaritet, kjo është falë hapjes që gazeta ka bërë ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë.

Po gazeta “Dëshnica” ka qenë e mirëpritur nga lexuesi i saj, sepse ajo ka pasqyruar në faqet e saj edhe humorin dëshnicar.

Kadri Cenka në tregimet dhe rrëfenjat e tij na jep edhe këtë anë të jetës shoqërore. Çdo dukuri shoqërore ka segmentin e saj të ekzistencës që është lindja, zhvillimi dhe fundi i saj. Pikërisht pjesa fundore e segmentit të këtyre dukurive përcillet me humor apo dhe satirë. Kadri Cenka ka përcjellë me humor pjesën fundore të shoqërisë komuniste që në Shqipëri mbijetoi për 50 vjet. Personazhet e tij që i ka marrë nga jeta reale dhe i ka kthyer në personazhe artistik, bëhen pjesë e humorit nga pena e tij dhe janë mirëpritur nga shoqëria shqiptare.

Et`hem Bundo nëpërmjet fabulave ka treguar anën negative, që disa individë, si mbartës të këtyre dukurive, i sjellin dëm  shoqërisë. Nënteksti i fabulës është i lexueshëm qartë, duke i shërbyer cdo individi për të pastruar vetveten prej zakoneve apo veseve që janë të dëmshme për shoqërinë.

Gëzim Voda në tre librat e tij poetik ka përcjellë tek lexuesi humorin e hollë dëshnicarë, atë humor që i bënte bisedat më të ngrohta dhe njerëzit më të dashur e më të komunikueshëm me njëri-tjetrin. Sa herë që situata tensionohej në çaste të caktuara, njerëzit e kthenin në humor, si të vetmen mundësi për të dalë nga një gjendje e acaruar  në caste të gëzueshme e mirëkuptimi. Gëzim Voda e ka njohur mirë këtë anë të qënies njerëzore dhe në poezitë e tij ka përcjellë këto copëza gazmore të trajtuar artistikisht.

Gazeta “Dëshnica” ka pasqyruar në faqet e saj pjesë nga puna studimore e krijuese edhe të shumë dëshnicarëve të tjerë për të cilët, për arsye kohe nuk mund të flasim gjerësisht si: Islam Kalemi e Novrus Muhametaj, Miro Xhunga e Hajrulla Muhametaj, Petrit Brahollari e Et`hem Kaso,  Et`hem Bejo e  Xhaferr Sadiku, Muharrem Kamani e  Selman Deliu, Ylli Selfo e  Alket Arapi,  Kadri Serani e Samit Lako, Tomor Mullaraj e Shyqyri Selimi. Lista mund të zgjatej edhe më, sepse të gjithë meritojnë vëmendje për përkushtimin që ata kanë patur për mbarëvajtjen e gazetës “ Dëshnica”.

Në fund do të vecoja financuesin e këtyre viteve të fundit të gazetës “Dëshnica”  z. Bashkim Zaimi. Porosia e tij për një përfshirje sa më të gjerë të dëshnicarëve në faqet e gazetës ka bërë që gazeta të jetë e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të shkruajnë.

Gëzuar festat e Nëntorit  dhe 10-vjetorin e gazetës “Dëshnica”

Ju faleminderit.

 

Botimet artistike e studimore të dëshnicarëve.

 

1-Nuri Dragoj, nga Zhepova.

1-Më thuaj kush je, (tregime) 1990.

2-Lumo Pavari, (monografi), 2004.

3-Hajrulla Muhametaj, (monografi) 2005.

4-Dëshnica dhe dëshnicarët, Vol I e II. (studim) 2005

5-Penë dhe pushkë për mëmëdhenë, (studim) 2006

6-Eshtra që akuzojnë, (publicistikë) 2006

7-Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e Lidhjes, (studim) 2007.

8-Trebeshina një jetë para gjyqit, (studim) 2009.

9-Shqiptarët dhe grekët, (studim) 2009

10- Rreziku i shkombëtarëzimit 2011.

11- Prapaskenat e konferencës së Londrës 2013.

 

2- Ylli Hoxhaj nga Xhanari
1-Profile (studim)  2000

2-Balada pa mite (poezi) 2006

3-Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën (monografi) 2009

4-Deri te kloni (tregime e novela) 2009

5-Ëndrra të këputura (monografi) 2011

 

3-Zenel Anxhaku, nga Vinokashi.

1-Valët, (poezi)  1978

2-Lisi i jetës, (poezi) 1981

3-Rrëkezat e pranverës, 1982

4-101 trëndafilat e Korçës (2 pjesë) 1992

5-Luvri i Shqipërisë 1993

6-Kthimi në shtëpi 2006

7-Poetët në vendlindje 2007

8-Menaxhuesi i shpresës 2009

9-100 familje shqiptare 2009


4-Islam Kalemi nga Katundishta

1-Mars I përgjakur (poezi) 2000

2-Lotët e zemrës sime (poezi) 2002

3-Malli i zjarrtë (poezi) 2003

4-Shpirti në lundrim (poezi) 2003

5-Në gjerdan të Atdheut (monografi) 2003

6-Kujt t`I besosh (fabula) 2004

7-Valle në terr (fabula) 2005

8-Ju pres te usha (pezi e fabula) 2005


5-Kujtim Halili, nga Psarri

1-Pranvera e pozicioneve, (poezi) 1974.

2-Piano e natës, (poezi) 1975.

3-Rruga e Kuqe, (poema) 1976.

4-Liria, (poezi dhe prozë) 2000.

5-Violinëz malli, (lirika) 2002.

6-Hutimi i zjarreve, (lirika) 2003.

7-Zhvigjërimi,  (poema) 2004

8-Poezia në telajo (ese, intervista për artin) 2005

9-Fjalor biografik ushtarak, iliro-shqiptar 2006.

10-Akuarele dashurie, lirika 2006


6-Sadik Murraj nga Mërtinji

1- Dhuratë nga Naim Frashëri (tregime për fëmijë) 1983

2-Ushtari i vogël fitimtar (tregime për fëmijë) 1983

3- Dhuratë mësuesit (tregime për fëmijë) 1999

4-Monumenti i dashurisë (tregime) 2000

5-Qemal Hoxha (monografi)  2005


7- Lumo Kolleshi nga Mërtinji

1-Mars (poezi) 1998

2- Bufi në siklet (fabula) 2000

3-Lotët e Nastradinit (fabula) 2002

4-Kthim nga vdekja (tregime) 2002

5-Derdhen vetëtimat (poezi) 2002

6-Dorëheqja e tigrit (fabula) 2003

7-Djersët e poetit (tregime)   2004

8-Përrallë e pambaruar (poezi) 2007

9-Nga nje autor tek tjetri (ese dhe komente) me dy vëllime 2008-2009

10-Nata vjen e natë s`kam (poezi) 2009


8-Gëzim Voda nga Çorrogunji

1-Mos m`i merrni për shaka, (poezi) 2002.

2-Pengu i qiellit, (monografi), 2005.

3-Fjalë shpirti të dëshnicarëve, studim, 2008.

4-Diku gozhdë e diku thumba (poezi) 2011.

5-Qesh nga derti, qaj nga qejfi (poezi) 2011.


9- Nuredin Nurçe nga Gorica

1-Me fizarmonikën e Shyqyri Selimit (monografi) 2006.

2-Etja për dije dhe kulturë në trevën e Sukës, 2008

3-Nderim e mall për nënë Neslijen, (monografi) 2011


10-Tomorr Çaushi nga Fratari

1- Me njerëzit e mirë 2006

2-Vëllazëri e dashuri 2010

3-Lajmëtari i lirisë (monografi) 2010.

4- Jo vetëm mirënjohje


11-Edlira Xhani nga Mazhani

1-Dashuri të brishta, (poezi) 2011
2- E futur ne Petale (poezi) 20122

 

 

 

 

12- Novrus Muhametaj nga Pavari

1-Mehmet Pavari, figurë përjetësisht e mohuar, 1999

2- Dëshnica  2003


13-Bujar Elmazi nga Podgorani

1-Kopshti im i këngëve, (poezi) 2005

2-Mall për vendlindjen, (poezi) 2010


14- Miro Xhunga nga Ballabani

1-Vajza me numër 67203 (kujtime) 2000

2-Mos harroni (kujtime) 20011


15- Bujar Bejkollari

1- Pengu i shpirtit tim, (poezi) 2010.

2- “Magazina të shëndetit” përkthim nga rusishtja, 2010.


16-Kujtim Mateli nga Mazhani

1- Kur mendon për të tjerët, (poezi) 2009

2- Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, (studim) 2011


17-Kadri Cenka nga Rodenji

1- Qesh nga brenga (rrëfenja humoristike) 1999


18- Belul Arapi nga Balli

1-Balada jonë (poezi) 2000

 

19-Myslim Xhaferaj, nga Mazhani

1-Mjegullnajë pa mbarim, (poezi) 2010.


20-Flamur Dalipi

1-Nata e puthjeve (lirika) 2000


21- Petrit Brahollari nga Xhanaj

1- Krevati i tradhëtisë (tregime) 2009


22-Et`hem Kaso nga Gorica

1- Një jetë me basketbollin përmetar, 2005


23-Et`hem Bundo nga Bënja

1-Dhia me delen ç`u ndesh, (fabula) 2004


24-Et`hem Bejo nga Toshkësi

1-Sporti në Përmet 2005


25-Xhaferr Sadiku nga Shelgji

1-Gani Jashari, (monografi) 2010


26- Hajrulla Muhametaj nga Kajca

1- Malli i vendlindjes, studim  1999


27-Muharrem Kamani nga Shelgji

1-Era e viseve të mia, (poezi) 2003


28-Selman Deliu nga Katundishta

Mes lulesh hedh zemrën, (poezi) 2002


29-Ylli Selfo nga Çorrogunji

Dashuri e mërguar, (poezi) 2008


30- Alket Arapi nga Balli

Rastësisht në kohë, (poezi) 2002


31-Mystehak Kapo nga Podgorani

1- Zemër që qan, (poezi) 2011


32-Kadri Serani nga Ribani

Ka përkthyer këto libra:

1-Xhek London, “Tregimet e veriut”, (tregime e novela) 2003

2- Leon Tolstoi,  “Djalli”, (novelë) 2003

3-Honore de Balzac, “Piereta”, (roman) viti 2005

4-Luigi Pirandello, “ I ndjeri Matia Pascal”  (roman) i pabotuar. 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora