Kulturë
Zejnepe Rexhepi: Qyqalla - ''Buzëqeshje e trishtë''
E marte, 19.11.2013, 07:40 PM
“Buzëqeshje
e trishtë” në portretin e një artisti
(Vështrim
mbi vëllimin poetik “Buzëqeshje e trishtë” – Hasan Qyqalla
Përvijime të përgjithshme mbi veprën
Nga Zejnepe Alili - REXHEPI
Të njohësh artin poetik, do të thotë të dish të përzgjedhësh
fjalën, të ndërfutesh në thelbin e atyre vargjeve që vijnë si drithërimë e
kohës, e më pas e përçojnë porosinë e tyre përmes botimit, që në të vërtetë nuk
nënkupton vetëm një lajm të zakonshëm, por akoma më thellë, një
vetëshpalim poetik.
I tillë, para lexuesit, vjen libri “Buzëqeshje e trishtë”, e
poetit Hasan Qyqalla, një libër plot vlera ideo-artistike, të pleksura si
shtrirje tematike midis dy linjash gjeografike: si poezi e mërgatës, që e
artikulon ndjenjën e mërgimtarit dhe të vetë poetit me këtë rast, si dhe linja
e atdheut - Kosovës, të cilën poeti dukshëm, me një ndjenjë krenarie e ka burim
frymëzimi. Falë estetikës dhe figurshmërisë së pasur të vargut, që t’i
ngacmon mendimet, analiza dhe interpretimi i vlerave krijuese në të, nuk të
imponohet si domosdoshmëri, por si kënaqësi.
Duke gjetur një laryshi tematike në vepër, të duket sikur ke të
bësh me një antologji të pakundërshtueshme mesazhesh didaktike. Aty,
reflektohet një botë e begatshme, si portretizim i shumë ngjarjesh, mbështetur
në linjën e trikohësisë: e kaluara, e sotmja, e ardhmja.
Në këtë linjë, jepen imazhe për pikëtakimet e brezave, që sajohen
natyrshëm nga vargu në varg, ndonëse përmes një klithme filozofike, poeti
shpreh diferencën, papajtueshmërinë…, ndarjen e botëve! Pra, risjell në kujtesë
të brezave një të vërtetë historike mbi fatin e mërgimtarit nëpër udhëkryqet e
botës, fatin e atdheut kornizuar si në pandehmat e stinëve plot furtunë…,
shprehur këto përmes poezisë refleksive dhe frymës filozofike. Në këto
fletërrudhosje kujtimesh, përvijohen ecejaket e mërgimtarit dhe gjakimi i
poetit për të gjetur harmoninë e jetës. Kështu, sytë e poetit, të duket sikur
shpërndajnë magjinë e përthyerjes së reflekseve plot dromca malli e dashurie,
për një vend, një atdhe…, të paharruar ndër vite.
Edhe ndryshimet socio-politike dhe ato kulturore, si bartëse
tematike të vëllimit, relativizohen, kur kemi parasysh aftësinë sintetizuese të
artit, veçmas artit poetik. Andaj, në poezinë “Muzeu i heshtjes” (83), poeti
shkruan: “…dhe jeta ecën, gjarpëron si lum/burimin i gjen e rrjedhën
askund!”, që dukshëm të lë përshtypjen që poezia nuk është e destinuar
për institucionet memece të botës sociale, por mesazhi i saj duhet të jetë i
fuqishëm, jehonëbërës, e madje ky mesazh të vijë si një paradigmë e problemeve
sociale, sepse i tillë trajtohet misioni i vërtetë i poezisë.
Kjo përkapje tematike, si dhe trajtimi i tyre, qasja ideore,
niveli artistik…, mundësojnë që ky libër të jetë ngjizur nga bota e perceptuar
e një krijuesi të Mërgatës, me reflekse të tëra ngjarjesh. Frymëzimi dhe
ndjesia, që pikaset brenda fletëve, gjegjësisht vargjeve, nuk është një
përshkrim i rëndomtë, i kudogjendur, por ai përjetohet dhe shënohet në kujtesë.
Madje, sipas Hans Robert Jauss-it, teoricien i letërsisë, “lirika
gjithmonë ka qenë Hirushja e Sociologjisë së letërsisë dhe ka mbetur e tillë…”. Edhe
ky vëllim poetik është një transmetues i mesazhit social.
E tërë vepra përshkohet nga një bosht i mirëfilltë poetik, me ide e porosi të qarta. Andaj, “Buzëqeshje e trishtë” synon vëmendjen dhe syrin vëzhgues të kritikës, sepse në të, nuk përçohet vetëm një buzëqeshje “e trishtë”, por më shumë se kaq…, vetë sfidat e mërgimtarit larg atdheut, shpirti i të cilit i përngjet një pelegrini, që nuk resht së ëndërruari për atdheun.
Përsiatje mbi vargjet
Nëse “Buzëqeshje e trishtë”, studiohet sipas një kriteri përcaktues tematik, atëherë në të ndeshim një gamë të tërë shtrirjesh tematike, si: poezinë e vendlindjes në një shtrirje të gjerë; atë atdhetare, si një linjë e pandashme me të parën; poezinë refleksive e atë erotike, të pleksura mjeshtërisht e të vargëzuara si një trup i ngjeshur; poezinë filozofike, e cila të mundëson udhëtimin nëpër kohë. Ky është edhe identiteti i zërit poetik, do thoshte kritiku letrar, Ali Aliu, megjithëse në këtë shumësi temash, hetohet qartazi tendenca e komparacionit përsa i përket poezisë lirike në kohë, por kjo do të shërbente thjesht, më shumë si nxitje e vlerave. Ky libër, vjen si një paralele midis lirikës dhe tharmit filozofik në të.
Relacioni poetik: Vendlindje - Atdhe
Rrjedha poetike e atdhetarizmit të poetit, është një emocion, në
relacion me ngjarjet historike, në kohë të trazuara…, që të ngrijnë
buzëqeshjen. Antiteza të shumta, shprehur përmes revoltës e heroizmit
njëkohësisht, formësojnë simbolikën e buzëqeshjes së trishtë. Frymëzimi
atdhetar, nga poeti, as që kërkon referenca e pikëpamje të thukta teorike, por
si çdo poeti tjetër, edhe H. Qyqallës i mjafton gurra e pashterur e
krijuesit të vëmendshëm, si dhe ndjenja e lartë kombëtare. Kjo përvojë jetësore
e poetit derdhet natyrshëm në format e përvojës letrare, duke sendërtuar një
raport të qëndrueshëm ndaj parimeve estetike.
Frymëzimi atdhetar është i patjetërsueshëm për çdo poet,
megjithëse shtrohet dilema: si konceptohet një botë kaq e ndishme poetike që
poetin e vë përballë ndjenjës atdhetare?
Mos ndoshta, pse poeti është ai lumi i pandalur që rrjedh në
kërkim të identitetit mbi shtratin e tij, drejt një bote novatore, në të
cilën i prin etja që përmes lirikës të bashkojë brigjet e atdheut të vet, një
mrekullie të ëndërruar me shekuj?!
Kam përshtypjen se kjo ëndërr vjen më bukur përmes poezisë “Epokë
Dielli” (35), për të cilën do thosha se duhej të hapte siparin e poezisë
atdhetare, pasuar nga poezitë elegjiake: “Dozë pluhur Kosove” (37), “Art
gjakimi” (Agim Ramadanit) (38), “Plëng” (Sali Çelikut) (39)… Mandej,
bashkëngjitur poezitë: “Eni” (Drenicës) (34), “Gërshetat” (Shukrie Obërtincës)
(33), “Çapkënja”(36), si një hymn kushtuar gocës së rënë për liri,
e që këto të fundit vijnë si tipizime femërore poetike. Përgjithësisht,
dashuria për atdhenë nuk mbetet vetëm një aureolë mistike pse poeti gjakon për
një epokë Dielli! E kjo, a s’është epoka e luftëtarëve të Drenicës, Prekazit?!
Në këto shtigje të vështira, kthim pas, për bijtë e Kosovës, nuk
ka! Ata janë “flamurtarët” që me: …shekuj shkundëm blozën
marazit/ngritëm çatinë në themel të Dardanisë (34). Vargje këto, që të
imponojnë idenë se poeti, nuk i pranon thyerjet as goditjet e jetës..., e
mosnënshtrimi i heronjëve, të pajisur me ideale fisnike, e përshkojnë veprën si
një credo jetësore e tyre. Poezia e këtij motivi përkap mesazhet e fuqishme të
shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, si: Asdreni, për të cilin atdheu i
lirë është esenca e idesë së Pavarësisë; Nolin, koncepti për liri, i
të cilit s’është iluzor, megjithëse përjetoi kohën, kur triumfalizmi i lirisë u
kthye në një piramidë të përmbysur, e më pas Konica e Fishta, të cilët sfiduan
kohët e liga përmes shtigjeve të atdhedashurisë, e veçmas Migjeni, Dielli
alegorik i të cilit e përshkoi atdhenë.
Zëri krijues, si një shtytje e brendshme, e poetit, frymëzuar nga
epoka e Rilindjes, ndihet fuqishëm në vargun: “…Plagën i fal tokës, e
gjakun Flamurit…!, të poezisë “Epokë Dielli (35), e po ky vokacion është
jehonëbërës edhe në poezitë: “Atrozë” (qytetit djep i Alfabetit),
Manastirit - qytet konak i mendjendriturve të kombit e i kangjelave të
skllavërimit më pas…, poezi këto, të cilave do t’u kisha shtuar si
përshtatshmëri tematike edhe ca poezi nga cikli “Aromë vatre”.
Lirizmi tejet modern i poetit, gjithsesi përshkon edhe
kapërcyellin e një kohe të vështirë për fatin e atdheut. Për këtë, shpeshherë
vargjet përmbajnë dhembje, formësuar me anatema të theksuara: Ofshamë e
thellë nëne, heu i preftë damlla, në poezinë “Ofshamë pranvere” (13), Le
ta marrë djalli, në “Mbyllur dashuroj” (12), Le të shterren
krojet, le të shuhet bota/qoftë dhe për një çast, heu, t’marrtë mortja! në
poezinë “Përsiatje” (14)... Anatemizmi i këtyre vargjeve, të duket se kulmon me
poezinë “Mbyllur dashuroj”, teksa vargjet e fundit që e përmbyllin strofën e
dytë, tingëllojnë kësisoj: Pres një shenjë kumti mes qiellit
regrisur/Heshtje monotone… “le ta marrë djalli”! (12), që vijnë si
vargje bukur të përkapshme me ca përdorime kompozitash: regrisur - natëvarri.
Si simbole e metafora të përzgjedhura mjeshtërisht dallohen ato që
pleksin vargjet e poezive: “Të fala nga Mëmëdheu” dhe “Porta”, ku i veçantë për
nga vlerat estetike dhe figuracioni i përdorur vjen distiku: S’shterron
dot vargu, kënga merr dhenë/vendlindja, oxhaku, i shenjti imi vend! (62)
dhe Porta e kullës, prore rrin hapë/Pret e përcjell plagët e shekujve për
të vazhduar në distikun tjetër, ...sot në portë më pret malli/Dhe më
ndanë plisi e loti...! (63).
Në “Polilog poetësh” (11), e tërë poezia jep boshtin e
kohështrirjes së historisë sonë më të ndritur, ku palosur rrinë: “Formula e pagëzimit”,
“Meshari”..., për të përvijuar më pas, madhështinë e veprës së Rilindasve...,
me një përmbyllje tejet të veçantë, përmes vargut të fundit: Arti
dizajn në gjergjef poeti vdes i rilindur...!
Mendoj se, poezi ajzbergiane mbetet poezia “Nënë” (8), kjo qenie e
brishtë që e ngjiz dashurinë në botë... E poeti i këndon me dhimbje e admirim,
duke sajuar distikë të rimuar që tingëllojnë këndshëm, ndonëse dhembja në to
është e papërballueshme: Nënë... sa herë ndahem nuk buzëqesh,/Dhe lisat
shkulen... stuhi... rrebesh. Pasojnë vargjet që e përmbyllin këtë poezi:Nënë...
sa herë ik të lë ul në sofër/Në pjatë lë dhembjen, plagën në votër. E
një binomi me këtë është edhe poezia “Ndjenjë refugjati” (52), e cila
jorastësisht në dy strofat e fundit ka distikë: Plaga rri peng statujë
mërgimi me (pa) fat/Buzëqeshje e trishtë përsiatje refugjat dhe
vazhdon: Ndjenjë refugjati vargjet statujë lënë/Gacë prush djegë djegia
fatzënë. Pikërisht në këto vargje, edhe poeti, siç duket, gjeti idenë
për të titulluar librin “Buzëqeshje e trishtë!
Poezia e vendlindjes dhe ajo atdhetare vijnë si gjakimi pr liri,
veçmas në ato treva, ku krijuesit ende e shohin ëndërr lirinë. Në ëndrrën e
tyre, metaforike, gjithmonë s’ka kamuflim, përmbysje tezash, as koncepte të
konvertuara dhe ky është model i të gjitha kohërave, pikënisje e të gjithë
krijuesve, që për atdheun përherë të shkruhet me koherencën e mendimeve të
kristalizura. Meqë, sot e ndër mote, poetët mbeten Emblema e
kombit
Relacioni poetik: erotiko - refleksiv
Shikuar në këtë relacion, vëllimi “Buzëqeshje e trishtë” vjen me
një pleksje të gjetur ideore e begati figurash stilistike, si një parafrazim
lirik që synon të pushtojë fronin e poetikës shqiptare, gjë që s’është e lehtë,
por të afrosh vargun kah thellësia e mendimit, kjo është thelbësorja.
Invencioni i erotizmit poetik vjen si një spikatje shijesh e
përjetimesh. Janë poezi drithërimash poetike për një dashuri të zjarrtë në
fillet e saj, ndonëse të trazuar a të humbur më pas. Shtegëtimet më të bukura
poetike, në këtë libër, poeti Qyqalla i realizon pikërisht me poezinë
refleksive-erotike. Domosdoshmëria e kësaj ndjesie vihet në spikamë qysh kur
poeti francez, Sh. Bodler-i do ta botonte “Spleen”, që poetika botërore të
njihte një tjetër diskurs.
Vëllimi “Buzëqeshja e trishtë”, tani më, bëhet zëri poetik i një
vetmitari të braktisur…., mbi shpirtin e të cilit derdhen shira që i hapin
shteg vajit: rigë shiu qullos të dehurit shtegut t’vajit, shkruan
në “Buzëmbrëmje” (82), e më pas, si në një refren kënge
vazhdon: Kah treti buzëqeshja si valë deti/nuk më kujtohet se t’humba
sot/shekull i rëndë u bë dhe çasti/apo heshtur drithërinë për mot.
Një poezi, e zërit unikal të H. Qyqallës, do e cilësoja poezinë
“Vetmitar” (9), në të cilën aq përmbledhës e domethënës sajohet vargu: “Lapsi
shkund vargje oqean zu loti”, që rrezonon vetëm mall, trishtim,
dhembje..., që skalit pena e poetit.
Lirizmi poetik, në disa vargje troket vrullshëm dhe, si për nga
pikëpamja strukturale, ashtu edhe nga metrika e figurshmëria e vargut,
sjell një vepër të konsoliduar. E bukura e kësaj, qëndron në shkathtësinë
poetike që përmes krahasimesh mitike të figurave e personazheve nga bota e
hershme e artit, të krijojë diç novatore e të bukur, si në poezinë bartëse të
ciklit “Vetmisë”, titulluar “Strukem në qepallë syri” (7), e
cila pothuajse e bart tërë peshën e mallit që poeti ka absorbuar ndër vite.
Vargëzimet tematike me figura mitologjike apo ato të antikitetit: I
bëra tradhëti Hënës/Dhe yjet hodha mënjanë/të të prek dellin e zemrës/Të pi lotin
natën vonë!... E loti pikon esëll/jehonë gandoi në zemër/…Loti Ofelisë nga
poezia “Loti Ofelisë” (85), janë kompozime krahasimesh të veçanta, të cilat
i sjellin personazhet e dikurshme në kohën tonë, më saktësisht, në kohën e
krijuesit.
Kështu, heroina e poetit apo vasha e ëndrrave të tij, është e
tipizuar dhe konkrete, megjithëse ajo shfaqet në më shumë imazhe: si vajzë
idilash që e gjejmë tek poetët romantikë, që plot naze e andrralla e imagjinon
jetën; një vajzë të bukur e fjalëpak, që të josh vetëm me shikim e buzëqeshje…,
ku të duket se janë frymëzime të vargut popullor: dhe vasha e sotme,
bashkëkohore në çdo pikëpamje të konceptimit të jetës, që e kalon traditën dhe
vazhdon tutje pa droje, poashtu shpërndanë aromë dashurie, madje më shumë se heroinat
e tjera, sepse ajo e posedon magjinë e fjalës, veprimit dhe shfaqjes së saj
para botës. Pozicionimi kësisoj i qenies femërore, duke e ndjerë atë, jo vetëm
si domosdoshmëri jetësore, por edhe një mike e bashkëudhëtare të denjë, edhe H.
Qyqallën, e pozicionon tek krijuesit me vlera e invencion poetik të
admirueshëm.
Refleksioni i vargjeve të H. Qyqallës, megjithëse nganjëherë, në
ca poezi, vjen i shkruar në formë elegjiake, qoftë një madrigal, epigram, a
poezi meditative…, sërish mbetet i këndshëm dhe i ndjerë si varg. Poezia
“Imagjinatë poetike” (76), sikur përmban mozaiqe të këtij refleksioni,
megjithëse më duhet të shkëpus për lexuesin vetëm strofën e fundit: Kur
dashuron poeti vrullshëm/Vargjet sfidojnë tallaze, për jetën/Qirinj ndez, e
lutje përkulshëm,/Digjem pa më dëftuar fare të vërtetën! Pra,
edhe kur vargu vjen i brishtë e i ashpër, edhe kur është nazar e rebel…,
edhe kur mëkaton e bekon…, të ofron një universalitet konceptesh, figurash e
idesh. Poezia mbyllet me këtë varg: Të desha, të dua! Jetësim dhe pikë!
Ky sintetizim artistik e përvijon tërë vëllimin poetik “Buzëqeshja
e trishtë”. Ndjeshmëria dhe gjetjet metaforike, metrika e stilistika e përdorur
mjeshtërisht…, janë një botë e tërë e shprehur përmes mesazhesh të qarta për
poetikën e sotme. Për t’u theksuar është edhe pasuria gjuhësore, e cila të
krijon një imazh të ri për poezinë, teksa nuancat narrative, të rivendosura si
gërshetime tingujsh e ngjyrash, të sjellin para sysh formën e lirikës moderne.
Mendimi poetik në “Buzëqeshje e trishtë”, zë një shtrirje komode përmes të shprehurit e rrjedhës logjike të ligjërimit dhe një begatie figuracioni letrar që e kompleton tharmin poetik. Poezia përbën fluskat e vetëdijes, ku jo që zbehen faktet, por realiteti i copëzuar të fut në labirintin e një ndjenje pezull, derisa merr formën e mesazhit etik për të gjetur shtegtim deri tek lexuesi, pra t’i referohet receptimit.