Kulturë
Vangjush Saro: Telenovelat dhe letërsia rozë
E hene, 18.11.2013, 09:05 PM
Intermexo
Edhe njëherë për telenovelat dhe letërsinë rozë
Nga
Vangjush Saro
Duhet të kuptojmë
që gjithnjë janë shkruar letërsi të ndryshme dhe janë kultivuar arte po ashtu. Dy
shekuj më parë, krahas rymave të tjera letrare, lindi edhe një drejtim që u
quajt sentimentalizëm. Nuk është ndonjë mëkat se pëlqen apo shkruan në këtë atmosferë;
përkundrazi, kjo letërsi heraherës lulëzon dhe shitet më shumë se letërsia më serioze.
Autorët e saj janë të nderuar, ndonjëherë të pasur. Nuk është faji i tyre apo i
paraardhësve të tyre që njerëzimit i mbetet pakgjë ose asgjë nga shkolla këso,
ndërkohë që trashëgohen dukshëm pamje të letërsisë dhe artit të klasit më të lartë:
U. Shekspir, M. Servantes, H. De Balzak, L.Tolstoi, F.Dostojevski, O. Uajld, M.
Tuen, Xh. Ostin, K. Kolodi, F. Kafka, Xh. Xhojs, A. Kamy, etj., emra në dimensionin
e të cilëve më vonë qasen bindshëm R. Frost, J. Borhes, H. Saramago, G. Markez,
P.Coelho, D. Lesing (që sapo është shuar), etj.
Kështu
janë punët. Nuk kisha dhe prapë nuk kam asgjë me telenovelat dhe me letërsinë e
lehtë dhe rozë, qoftë poezi, qoftë prozë; shkoi edhe në rimë. Është një letërsi
ku ka shumë afsh-e, psherëtima dhe shtirje, (gjëra që mua personalisht ma
shpifin). Ato mund t’i pëlqejnë dikujt, madje shumëkujt, ato mund t’i çmendin
disa lexues dhe këta, me lektisjet e tyre, i shpien autorët e shkretë në qiellin
e shtatë; por fundja këto janë pëlqime vetiake, që shpjegohen me një sërë arsye
dhe për të cilat duhet një kohë që t’i shtjellojmë. Formimi kulturor dhe shijet
do të ishin më evidente në këtë shpjegim. Që t’i vë pikë, çdo punë, përpjekje e
krijim, ka vlerën e vet. Edhe vendin e vet, doemos. Këtu ndahemi. Nuk ka asgjë për
t’u “adhnuar”...
Lexohemi.