E premte, 26.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Imzot Rrok Mirdita: Kujtojmë porosinë e Gjon Palit që shqiptarët ta shohin me guxim të ardhmen

E marte, 27.05.2008, 06:54 PM


Shkodra ka kremtuar dje 15-vjetorin e vizitës së Gjon Palit II e ka shpallur mbylljen e festimeve për Jubileun e 150-vjetorit të katedrales. Rikujtohet vendimi i Kuvendit të tretë të Arbrit, të vitit 1895, që Zoja e Shkodrës të propozohet edhe si “Pajtorja dhe mbrojtja e Shqipërisë, Nana e Këshillit të Mirë”

Në Shkodër, bashkësia katolike ka përkujtuar dje 15-vjetorin e vizitës së Atit të Shenjtë, Gjon Pali II e përfundoi Jubileun e shpallur me rastin e 150-vjetorit të vendosjes së gurit të parë të katedrales së qytetit. Ashtu si çdo vit edhe këtë radhë, një numër i madh besimtarësh kanë marrë pjesë në ceremonitë e organizuara pranë kishës me të njëjtin emër që gjendet në hyrje të qytetit të Shkodrës, rrëzë Kalasë së lashtë “Rozafat”. Me këtë rast është organizuar edhe mesha e shenjtë udhëhequr nga Shkëlqësia e Tij, Imzot Cristofo Palmieri, Ipeshkv i Rrëshenit në bashkëpunim me, Shkëlqësinë e Tij, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult; Shkëlqesia e Tij, Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkvi i Lezhës dhe meshtarë të tjerë. Ajo çfarë e bën interesante këtë festë, e cila në publik quhet si pajtorja e popullit shqiptar është fakti se në të marrin pjesë edhe shumë pjesëtarë të komuniteteve të tjera fetare, të cilët të gjithë së bashku luten pranë vendit të shenjtë rrëzë kalasë së Shkodrës duke ndezur qirinj. Famullitari i Shkodrës, Dom Gjovalin Sukaj tha se një festë e tillë e ka traditën e saj prej shumë vitesh, atëherë kur “Zoja e Shkodrës” konsiderohej si mburoja e qytetit. E prishur në vitet e komunizmit, kisha në fjalë me kërkesën dhe mbështetjen e vetë besimtarëve është ringritur sërishmi në të njëjtët themele ku ka qënë. Për t’u theksuar është fakti se në themelet e saj u lut edhe Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali i Dytë, gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, duke e quajtur atë simbol të qëndresës së shqiptarëve. Sipas famullitarit, dom Gjovalin Sukaj, në kuvendin e tretë të Arbrit të vitit 1895 Zoja e Shkodrës është propozuar si “Pajtorja dhe mbrojtja e Shqipërisë Virgjine, Nana e Këshillit të Mirë”, e njoftun përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. “Ky vendim u mor njizani dhe iu parashtrua për aprovim Atit të Shenjtë, Papës Leonit XIII. Papa, i cili jo vetëm që shprehi pëlqimin por shpalli të Kremte datën 26 prill, për të gjitha dioqezat e Kishës Katolike në Shqipëri”, shton meshtari Gjovalin Sukaj.
Kujtimet e Imzot Mirditës për shugurimin e tij si ipeshkëv/15 vjet më parë Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë, duke u ndalur në Shkodër dhe në Tiranë. Gjatë vizitës i dhuroi Kishës së martirizuar hierarkinë e re të pasdiktaturës. Katër ipeshkvijtë e rinj, imzot Frano Illia, imzot Rrok Mirdita, imzot Robert Ashta dhe imzot Zef Simoni morën nga duart e tij jo thjesht detyrën për të ngritur në këmbë Kishën Katolike në Shqipëri, por edhe për të mjekuar plagët e rënda të hapura në shpirtin e shqiptarëve nga regjimi komunist. Ka çaste të pashlyeshme në kujtesën e katolikëve e të krejt kombit shqiptar, që sjellin në mend të ndjerin Papë Vojtila, atë që komunizmin e pati provuar në lëkurën e vet, ku pati lënë shenja, që do të dukeshin në vendimet e marra gjatë gjithë papnisë. Kush nuk e mban mend puthjen e tokës shqiptare, sapo Gjon Pali II zbriti nga avioni; pastaj përqafimin me popullin e klerin vendas në Shkodër; buzëqeshjen e fjalët e çmuara dhuruar Nënë Terezës; krjimin e ipeshkvijve, të cilëve Papa iu drejtua një për një; e në fund lamtumirën në sheshin Skënderbej në Tiranë. Dy ipeshkvij nga katër të parët mund të dëshmojnë akoma për atë datë të shënuar, 25 prillin e vitit 1993, kur për herë të parë, një papë shkelte në tokën shqiptare. Njëri prej tyre është imzot Zef Simoni, ipeshkëv nderi i Shkodrës. Ndërkaq, radio Vatikani ka intervistuar dje për këtë ngjarje kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditën, i cili së bashku me vizitën e Atit të Shenjtë, festoi dje 15-vjetorin e shugurimit të tij si ipeshkëv.
Nga katedralja e Shkodrës, Papa Gjon Pali II iu drejtua popullit shqiptar me këto fjalë: Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën… E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë. Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…
Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar! Sa u ndoq këshilla e Papës në Shqipërinë e demokracisë së saporilindur? Sot, në një vend ku politikanët kanë të ardhura më të larta se në botën perëndimore, ndërsa çmimet janë të barabarta me ato evropiane, e qytetarët grinden me pagat e shpenzimet, për të arritur fundin e muajit, Kisha është ringjallur e ka korrur frytet e para, jo pa i ndjerë dritëhijet e shoqërisë ku kryen misionin, ndërsa reflekton për rrugën 15-vjeçare të përshkuar. Imzot Rrok Mirdita kujton: “Në atë ditë të 25 prillit 1993, Ati i Shenjtë Gjon Pali II e pati ftuar popullin shqiptar të shohë me guxim drejt së ardhmes. Duke kujtuar këtë porosi, imzot Rrok Mirdita përmend elementet e shpresës, me të cilat Kisha Katolike karakterizon praninë e saj në Shqipëri, përmes punës e institucioneve të veta. E cilat janë shpresat për të ardhmen…
Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës/Në Qytetin e Veriut që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpëri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figuren e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan. Figurja e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Nëse nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.
Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrenua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”. E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
E ndërsa besimtarët luteshin e luten në Kishën rrëzë Kështjellës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra mijëra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora