E premte, 26.04.2024, 01:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe

E marte, 22.10.2013, 10:07 PM


Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe

Nga Dr. Myzafere Mustafa

Dihet se përralla[1] është  njëra ndër format më të rëndësishme dhe më komplekse të prozës gojore, këtë e kushtëzon  universi i saj, pasuria tematike dhe motivore, struktura  e konsoliduar kompozicionale, figurat e botës reale dhe mitike, aksionet e shumta dhe të papritura të heroit, gjuha simbolike, motivet e sublimuara etj. Të gjithë këta përbërës  realizohen në një botën të pasur që është unike për përrallën e cila ka një kronotopi specifike, nëpërmjet të së  cilës  rënohen kufijtë hapësinorë dhe kohorë.

Duke qenë fryt i imagjinatës, përralla e zhvendos veprimin nga bota tokësore në botën qiellore dhe në atë nëntokësore. Në universin e saj mrekullitë janë të natyrshme, ndërsa magjitë janë rregull. Elementi mbinatyror si përbërës qenësor përfaqëson substancën, ligjshmëritë dhe frymën e saj. E mrekullishmja është element i veprimit dhe pranohet si e vetëkuptueshme dhe është shprehje e stilit abstrakt[2], e ideve të përrallës dhe modeleve përkatëse të universit të saj.  Në përrallë veprojnë një sërë personazhesh, qeniesh mitike dhe mjetesh mitike të cilat atë e pasurojnë në planin sintagmatik dhe paradigmatik. Personazhe të përrallës janë njerëzit e rëndomtë apo edhe  njerëzit me veti të trashëguara mitike, por edhe kafshët dhe qeniet e ndryshme mitike.

Heroi i përrallës vepron dhe është në marrëdhënie me antagonistët. Marrëdhëniet në përrallë ndërtohen sipas sistemit  të opozitave (i mirë - keq, i veti -  huaji, kjo botë- ajo botë ) , i   cili sistem përbën botën e saj.  Përveç heroit, në përrallë aktivizohen dhe veprojnë edhe qeniet apo figurat mitike, e që në përrallën arbëreshe  kryesisht i takojnë arealit mitik kombëtar.

Ndër figurat mitike më të njohura të përrallës arbëreshe janë: fatazit, orku, brigandtë, e Bukura e jets, dragoi, burri i egër etj.

E Bukura e jets, është sinonim i  të Bukurës së Dheut të përrallës shqiptare dhe të përrallës arbëreshe, pra nënkupton të njëjtën figurë. Ajo është simbol  i të bukurës dhe i  të përkryerës. Synimi i heroit  për arritjen e saj shënjon realizimin e dëshirave  dhe të idealit jetësor të tij, ndërsa  kërkimi i saj shënjon hyrjen në peripeci, vështirësi, vetëmohim, formim të identitetit etj. Arritja te e Bukura e jets, përvetësimi i saj dhe martesa me të është simbolikë e integrimit të personalitetit të heroit dhe e ndërrimit të statusit të tij familjar dhe shoqëror.

Fatëzat janë figura mitike që në planin sintagmatik janë në funksion të ndihmësve, apo këshilldhënësve apo thënë me terminologji të Klod Bremonit, në funksion të aleatit.

Brigandtë, orku, dragoi janë në funksion të figurave antagoniste me të cilat ballafaqohet heroi. Në sistemin e opozitave i veti  – i huaji; i mirë – i keq  ; kjo botë -  ajo botë, këto figura i takojnë pjesës  së dytë. Këto qenie mitike jetojnë në botën tjetër, zakonisht në pyll, në botën nëntokësore por edhe në botën qiellore.

Bota tjetër ka konotim negativ meqë konsiderohet se në të jetojnë fuqitë e panjohura dhe forcat e papastra. Vetëm  shtëpia për heroin e përrallës konsiderohet vend që konoton sigurinë, hapësirën e mbrojtur, ku nuk mund të depërtojnë forcat e panjohura.

Shtëpia është arketip universal i sigurisë së njeriut, pra edhe i heroit të përrallës. Takimi i heroit me qeniet mitike  provokon dhe nxit ambiciet e tij  për ta njohur botën e panjohur dhe për t’u ballafaquar me qeniet mitike, në mënyrë që ta zotërojë atë botë por edhe të ballafaqohet me problemet botës së vet të brendshme, në mënyrë që pas  tejkalimit të peripecive të dalë i ndryshuar dhe i transformuar si në aspektin psikologjik ashtu edhe në aspektin e statusit social.

Në një sërë përrallash arbëreshe personazhe janë Vajza  e Hënës  apo e  Diellit, Djali gjarpër apo Vajza gjarpër, apo Vajza me diellin apo hënëzën në ballë. Të gjitha këto figura kanë veti mitike. Mirëpo, figura të shpeshta të përrallës arbëreshe janë edhe  Shën Pjetri, Shën  Mëria, Shën Mikel Arkangjulli. Këto figura arketipe biblike në planin  sintagmatik janë në funksion  të aleatit, që ndihmon kryerjen e detyrave dhe të veprimeve të heroit  të përrallës, ndërsa në planin paradigmatik dhe semantik janë pjesë e universit botëkuptimor të njeriut.

Tematika dhe syzheu i përrallës arbëreshe  është  pjesë  e  fondit të lashtë indoeuropian, prandaj edhe pjesa më e madhe e këtyre  përrallave  gjejnë vendin në indeksin e tipeve të syzheve të Aarne-Thompsonit. Por një gjë është me rëndësi të theksohet, se përkundër faktit se syzhetë e tyre i takojnë fondit ndërkombëtar të përrallës, ato në strukturën tekstore dhe kuptimore  përmbajnë specifika të botës dhe të mendësisë  të etnisë  arbëreshe, të filozofisë, të etikës dhe  urtisë popullore. Përkundër faktit se përralla nuk e preferon përcaktimin e vendeve dhe të personazheve, në përrallën  arbëreshe hasen  shpesh mbiemrat përcaktorë dhe pronorë, vashëz arbëreshe, katundth arbëresh, Kuvendi Frasnits, Sheshi Pulinit. Heroi emërtohet Kostandin, ndërsa heroina Rina etj., që në përrallë marrin kuptim përgjithësues, por të arbëreshët këta emra kanë edhe kuptim identifikues.

Rrëfimtari arbëresh i përrallës bën  përpjekje që  gjatë rrëfimit të brumosë edhe ndonjë detal që është specifik për arbëreshët, apo që shpreh veçori te jetesës apo të etikës arbëreshe  dhe të botëkuptimeve dhe të filozofisë  popullore. Kështu bie fjala në përrallën  “Vajza e bukur e i biri i  regjit “, pas takimit të vajzës (heroinës  së përrallës) me të birin e regjit(mbretit MM) rrëfimtari bën këtë koment:

“ Nderi i  nji vajzeje isht si nji pasqyre; edhe ahti e vren” Këtu rrëfimtari jo vetëm që është bartës i një tradite letrare gojore shumë të rëndësishme, por edhe  komenton normat morale  popullore.

Në përrallën “ Binoshet “ rrëfimtari e  thotë këtë mendim nëpërmjet të  heroit të përrallës kur ai  rrezikon jetën e vet :

” - Ka rreziqe më te keqe se vdekja !  Ndo herë, njeriu fiton jetë  të pasosme tue vdekur ; si te luftat për të mirë të vëndit, a për të mpruar të drejten, grat të grymosurit…Po këtu, bashk me jetën, humbet edhe nderi” .

Edhe pse përralla nuk i preferon komentet, këtu jo vetëm që nuk bie intensiteti i rrëfimit, por përkundrazi përralla fiton  peshë si në rrafshin artistik ashtu  edhe në planin etik dhe edukativ. Përralla këtu përçon mesazh të hapur se për arbëreshin mbrojtja e atdheut dhe vdekja për atdhe  është barabartë me jetën e pasosme, përjetësinë .

Rrëfimtari i përrallës arbëreshe gjithnjë bën përpjekje të vërë në pah atë që është specifikë e identitetit kombëtar, meqë e ndien se po i rrezikohet ai identitet.

Edhe pse përralla si zhanër nuk i preferon përshkrimet detale, qoftë të gjendjes shpirtërore të heroit,  qoftë të ambientit që e rrethon atë, megjithatë herë pas herë  hasen  edhe përshkrime shumë të qëlluara të bukurisë së personazheve, të gjendjes së tyre shpirtërore dhe të ambientit që i rrethon personazhet. Përshkrimet e tilla jo vetëm që nuk e lëndojnë strukturën e kodifikuar të përrallës, por e ngritin në nivelin e veprave  me vlerë artistike. Epitetet dhe krahasimet  e qëlluara ia rrisin bukurinë e përrallës arbëreshe. Kështu bie fjala përralla  “ Vajza e bukurë e i biri i regjit “ ka  këtë situatë hyrëse :

“ Një herë e një herë ish  një bujar, që  i  kish tri bija . E madhja  ish e zezë si  nata, e dyta  ish e zeshkë si mbrëma, e  vogla e bukurë si mënata.

Si kishën faqën ashtu kishen  edhe zembren.  E para ish e ligë si murtaja ; e mesmëja ish e keqe si uria ; e treta  ish e mire e e butë si një  qëngjeze.

Në këtë situatë iniciale të përrallës rrëfimtari arrin disa qëllime, së pari me epitete të zgjedhura bën tipizimin e personazheve  pjesëmarrëse në veprim, pamja e tyre e jashtme determinon jo vetëm karakterin e tyre njerëzor por edhe veprimet e mëtutjeshme.

Nga kjo situatë iniciale  supozohet se motra më e vogël  “ e mirë e e butë si një qëngjëze”, që në fillim do të jetë viktimë e dy motrave më të mëdha, e për pasojë do të  jetë bartëse e veprimit, pra heroinë e përrallës. Dy motrat e mëdha do t’i shkaktojnë dëme motrës së vogël. Evitimi  i  dëmit do të bëhet shkas për hyrjen e heroinës në peripeci të shumta, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin dinamik të veprimit të mëtutjeshëm.

Vlen të theksohet edhe një gjë që ka rëndësi për krijimtarinë letrare gojore e sidomos për përrallën, është kjo lashtësia e saj, meqë dihet letërsia gojore ndër të gjithë popujt e botës i ka paraprirë letërsisë së shkruar. Shumë nga popujt me kulturë dhe  ekonomi të zhvilluar kanë arritur që  krijimet letrare gojore t’i shënojnë apo edhe t’i botojnë shumë herët. Te ne shqiptarët fatkeqësisht krijimtaria letrare gojore është shënuar, dhe botuar vonë.

Një faktor që dëshmon  lashtësinë  e një krijimi letrar gojor shqiptar  apo të një motivi të njohur  ndërkombëtar  është edhe elementi arbëresh i cili me  vete mori edhe kulturën shpirtërore materiale që nga shekulli i XV, të cilën e ruajti me  xhelozi deri në ditët e  sotme. Kështu bie fjala shumë nga këngët për  Skënderbeun dhe për bashkëluftëtarët e tij janë ruajtur më të plota te arbëreshët sesa ndër shqiptarët e viseve etnike, kështu ndodh edhe me disa përralla të cilat kanë motive të njohura ndërkombëtare. Ndodh bie fjala që disa përralla në viset etnike shqiptare të rrëfehen pak ose aspak e për pasojë të harrohen, ndërsa te arbëreshet vazhdojnë të ruhen dhe të barten brez pas brezi. Në këtë kontekst mund të flasim për përrallën me motivin e bukuroshes së fjetur e cila njihet ndër  shumë popuj të botës. Kjo përrallë nuk haset të jetë shënuar  në vëllimet e prozës popullore shqiptare të Tiranës as në përrallat e mbledhura dhe të botuara nga prof. Anton Çetta, mirëpo e hasim te  Zef  Skiroi me titull “Boshti “ subjekti i së cilës është rënia e bukuroshes në gjumë  të thellë. Fatin e saj, pra rënien  në gjumë të thellë në një periudhë njëqindvjeçare, e kishin  përcaktuar Fatëzat me rastin e pagëzimit. Gjumi i rëndë do të pasojë, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, (pra në moshën  e pas pubertetit) pas therjes së saj në boshtin e tjerrjes së leshit.

Rënia në gjumë të thellë simbolizon fazën e kontemplacionit pas pubertetit e cila fazë shpie kah vënia e ekuilibrit shpirtëror, pas të cilit do të pasojë formimi i personalitetit të pjekur fizikisht dhe psiqikisht në nivelin më të lartë. Vajza  bie në një gjumë të thellë dhe gjatë asaj kohe rreth pallatit të saj rriten gjemba të shumta që e bëjnë të pamundshme hyrjen në pallat. Gjatë tërë kohës shumë trima  provojnë të  arrijnë deri te e Bukura e fjetur, por nuk ia dalin dot. Pas kalimit të kohës të paracaktuar nga  fatëzat vjen princi afër pallatit, gjembat hiqen vetvetiu dhe ai shkon te e Bukura e fjetur, arrin ta puthë atë dhe pason zgjimi dhe martesa e lumtur. Me atë rast zgjohen edhe të gjithë anëtarët e familjes dhe pjesëtarët e pallatit mbretëror.

Është kjo një përrallë me një simbolikë të pasur lidhur me formimin e personalitetit të fëmijës  dhe kalimin nga faza e fëmijërisë në fazën e pjekurisë. Falë mbledhësit Zef Skiroi dhe mbledhësit dhe studiuesit Luca Perone kjo përrallë ruhet e shënuar dhe i bashkohet fondit të përbashkët ndërkombëtar të përrallave  me këtë syzhe.

Përrallat arbëreshe kanë një strukturë të konsoliduar kompozicionale e cila kryesisht përkon me strukturën e përrallës shqipe por edhe të asaj evropiane. Struktura e saj e kanonizuar shihet nëpërmjet të veprimeve të personazheve por edhe nëpërmjet të sistemit modelativ të konsoliduar. Përmbajtja e pasur, tematika e larmishme, personazhet, figurat mitologjike dhe ato të religjionit  përfaqësojnë një thesar të kulturës së traditës sonë letrare gojore përkatësisht arbëreshe. Gjuha specifike arkaike shqipe edhe pse  e përzier me barbarizma është po ashtu një dimension me vlerë i krijimtarisë së letërsisë folklorike të arbëreshëve.


[1] Për këtë punim kam përdorur veprat: Giusepe Schiro, Canti Tradicionali Ed Altri Saggi Delle Colonie Albanesi Di Sicilia,Napoli, Stab. Tip. Luigi Pierro & Figlio, MCMXXIII dhe   Novellistica Italo – Albanese, Testi  orali   raccolti dal  Prof. Luca Perrone, Firenze Leo S. Olschki Editore, MCMLXVII.

[2]Stilin abstrakt të përrallës, e trajton studiuesi i njohur zviceran Max Luthi  në veprën e tij Përralla evropiane



(Vota: 39 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora