Kulturë
Poezi nga Jusuf Bislimi?
E diele, 20.10.2013, 04:11 PM
Jusuf BISLIMI
E GJEN NË ËNDËR
Afër dritës së
qiriut
e pash fytyrën
tënde
vrapova të të
takoj
ti
e fike qiriun
u trete në
errësirë
Dridhesha nga
meraku
duke të kërkuar
mbshtjellur në
hijesinë
Një dritë e
zbeht
e hënës drapër
but më
pëshpëriti
-Shko flej sonte
mos gërhatë
në ëndërr do ta
gjesh
pëllumbeshën.
ËNDËRR E GRISHUR
Më josh djepi i
hënës
të nisem drejt
qiellit lahur
pas aromës së
parfumit
atje në lartësi
të prekë ballin
tënd,
Në këtë natë
të yjeve që
flakërijnë
ta gjej ëndrrën
e tretur
Në mëndafshin e
shprishur
të ëndrrës së
grishur
MË JOSH E MË
THËRRET
Fjala më mbeti
peng
s’munda t’a them
në log
mu bë
aritmi e zemrës
mehlem e dhimbë
në afsh dashurie
Nga zemra
më piku si
xhevahir
gjoksin ma
stolisi
jehona e joshjes
është
Syt e tu
dëshmitare të
mrekullisë
i lotit kristal
që më josh më
thërret
që më thërret e
më josh
BUKURIA TË VRAU
TANUSHË
Brigjeve të
detit
më rrëshqitnin
kujtimet nën këmbë
guacat e sedefta
theheshin
unë ecja ngadalë
duke kërkuar
dritën tënde.
Tanushë
Nuk të gjeta.
Buzëqeshja jote
kishte tretur në
baladë
e gjeta në
thërmojat
e skalitjes
Të vrau bukuria
jote
Tanushë
SHKO I DASHUR
Paske qëndruar
mes dy zjarresh
të lutem shko
rruga t’u bëftë
dritë
edhepse ndarja
po më dhemb…
të deshta
Shko…
mos më thirr në
telefon
mos më kërko
sërish
dashuria nuk
blehet,
ajo nuk kërkon
mëshirë
Lotët nuk e
falin mashtrimin
një ditë do të
ngrijnë
do të
shëndrrohen
në akull kristal
Ik pra…
një copë qiell e
morre nga unë
çka po pret...
NË SYTË E MI
Detit të vetmisë
hëna noton sonte
e kishte humbur
ngjyrën e
argjendtë
Anomali
në sytë e tu
Pasqyra ime
fytyra jote
Flakadan olimpik
dhez në zemrën
time
Zgalemët
fluturojnë
deri në
marramendje
Epshi dhe
dashuria
ushtrojnë notin
MË KUJTOHET
Më kujtohet
kur bënim
dashuri
në shoqërim
të xixëllonjave
Mbetëm gjatë
të lidhur
me diçka që nuk
këputej
me diçka që
shtërngonte ëmbël
e ku mbeti frika
atë natë
E mbaj mend
e lumtur ishe
e brisht
mbi bari të
njomë
Afrodita
na përshëndeti
DASHURIA ËSHTË
LULE
Dashuria është
lule
ajo nuk vyshket
as thahet
rritet
nën hijen e
aromës
Është krua i
pashterrshëm
sa më shumë që
pin
të shtohet etja
Është det
Për hënën e
bardhë
Për diellin
krenar
Dashuria është
ëndërr
përjetohet
nuk plaket
nuk vdes.
Dashuria
lule është.
LOT GËZIMI
Nga syri
më pikoi një lot
se ku u tret
nuk ka gjuhë
se tregon vetë
Në qiell u
shndërrua në re
shiu pikoi e
pikoi
por nuk vajtoi
Me buzët e
rreshkura
shijova
njelmësinë e lotit
nën dritën e
vetimës.
Nuk mu tret
shikimi yt i humbur
sytë e tu u
shndërruan
në liqe loti
Përsëri lot
gëzimi
për kthimin tënd
LUM AJO
Edhe në
moqalishtë
ka flluska të
kristalta
ku shuajnë etjen
fluturat.
Edhe në sytë e
tu
shkreptinë
bukuria
e shikimit
joshës
Edhe puhiza
ka gishta
ledhatues
lumë ajo
për flokët
mëndafsh
FRYMËZIM
Gjuhë e zjarrtë
fjalë
hyjnish shqipton
në mbrendësi
rrezon gëzim
hedh valle,
ndezë zjarre
shuan vullkan
Mbi supe e qafë
kurthuron duar
gjen rrugë
shtrëngim e afsh
për të ëmbëlsuar
ecje
edhe mbi thera
edhe mbi
mëndafsh
Në kokën time
mendimet përplasen
si retë e shiut
ruaj kujtimet,
e takimit parë
Ti ike
pa menduar fare
se dikush
për sytë e tu të
zi
vuan e vuan
derisa t’i
mbyllë sytë.
Çdo ditë mendoj
të të mallkoj
ty,
veten
apo momentin
që na bëri një
trup
LUTJE
Në këtë botë
mrekullia vetë
e pazbuluar
nuk vjetrohesh
as në ëndërr
as në zhgjëndërr
Koha të lut
mos ec me mua
në kujtime rri
Të lutem
për ato bebëza
me shiko
pareshtur
të jetoj edhe
nesër.
PROVO Ç’ËSHTË
JETA
Mblidhi të
gjithë lotët e mi
derdhi në një
gotë,
me asgjë mos i
përziej
le ta
ruajnë ëmbëlsinë
dhe pelimin vetë
Nëse e do
përjetimin
puthe atë gotë
edhe me buzë
të shkrumbuara
Do të
shndërrohesh në valë deti
do të luftosh
edhe me zgalem
Provo se ç’është
ëmbël
provo se ç’është
idhët
MOS PROVO
Mos provo të
shkrihesh për diell
dielli le të
shkrihet për ty
mos e provo të
shkrihesh për hënë
hëna le të shkrihet për ty.
Mos provo të zgjohesh për mëngjesin
mëngjesi le të
zgjohet për ty.
mos provo ta
vësh në gjumë natën
nata le të vej
në gjumë ty
Mos provo
ta dobësosh dashurinë
dashuria le të
dobësojë ty
mos provo ta
mohosh takimin
takimi le të ju
bashkoj ju
BASHKË NUMËRONIM
YJE
Rrezet e
argjenta
të hënës pogaqe
ranë në ujin e
qetë
të lumit
mjaltishtë,
shelgjishtet e
brigjeve
flakëruan
Unë në njërin
breg
e ti në tjetrin
ylber i këputur
nën pika loti
Syri yt magjik
tok me rreze
hëne
mbi ujë bënte
dritë
ne dy si
xixëllonja në pyje
bashkë numëronim
yje....
MOS KE LINDUR
VALLË
Mos ke lindur
vallë
në krahët e erës
që më vjen
flokëshprishur
Mos ke lindur
vallë
në rrezet e
diellit
që më vjen me
atë gjuhë të zjarrtë
Mos ke
lindur vallë
në prehër të
hënës
që më vjen aq
ëmbël
posi gjuhë e
nënës
Nuk pata lindje
të lehtë
kur dola nga
skëterra
po të vi gëzuar
me lulet që mi
dhuroi pranvera
KËNGËS IA NISTE
E mban mend moj lule
pranë çarrit të
vjetër
me ngjatjetime
e me bindje të
pjekur
Dikush ta vodhi
gjumin
të kujtoj të
lodhur
me psherëtime
kredhur
e bishtalec të
dredhur
Me butkat e
gishtave
mu bëre pianiste
bilbili në gemb
lajthije
për mua edhe ty
këngës ia niste
KOT E KE OJ VALË
Në rërën e
bregdetit
shkrova emrin
tënd
një valë e sapo
dalë
emrin tënd
kapërdiu
me shkumb
djersësh fshiu
E përsërita
përsëri
aty unë i shkreti
e njëjta valë
erdhi
e mori me veti
Kot e ke oj valë
i thash me
hidhërime
fshije po munde
tash
-e shkrova në
zemrën time
GËZOHU
Gëzohu ti që je
nga gjaku im
edhe ti nga
gjaku
i gjakut tim
edhe ti nga
gjaku
i gjakut të
gjakut tim
gëzohu edhe ti
që i lutesh
Zotit
edhe ti që kalon
zbathur
shtigjeve të
gjembosura
gëzohu edhe ti
që rritë fëmijë
gëzohu edhe ti
që qanë e qesh
në zemrën time
kur unë qeshi e
qaj
në zemrën tënde
gëzohu!
PAS
Pas çdo lindjeje
gëzim
Pas çdo gëzimi
rritje
Pas çdo rritjeje
dashuri
Pas çdo dashurie
dashuri
Dikur vijnë
thinjat
Në ballë e gushë
prrockat
Derdhen
në oqeanin e
pafund
të amshimit.
KOHA T’I KA
MARRË
Të lutem oj valë
falma edhe një
herë
atë buzëqeshje
të ëmbël
buzëqeshjen e
parë
Të lutem trupselvi
falma atë përqafim
me duar e me
faqe
kur mbetëm të
shtanguar
Të lutem oj
zemër
nxirre krejt
pikëllimin
ta
përjetojmë fuqishëm
si atëherë
gëzimin
Po të them o
trim
nuk prehet uji
me sharrë
të gjitha nga
pak
koha t’i ka marrë
Shënime për autorin
Jusuf Bislimi u lind më 10. 05. 1949 në fshatin Bukovik, komuna e Gjilanit. Shkollën fillore katër klasëshe e kreu në vendlindje, ndërsa katër klasët e tjera i vazhdoi në fshatin Pogragjë. Shkollën e mesme – gjimnazin në Gjilan ndërsa Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Fizikë – Kimi në Mitrovicë. Ka punuar 12 vjet në procesin mësimor dhe gjatë kësaj kohe, pa shkëputje nga puna, ka vazhduar studimet në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë, në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në shkollat fillore në Bukovik, Uglar, Malishevë, Pogragjë dhe në Qendrën Teknike në Gjilan. Gjatë viteve 1982 - 1990 ka punuar në Televizionin e Prishtinës në Programin Informativo - Politik. Pas përzënies me dhunë nga regjimi okupues serb, nga TV i Prishtinës është marrë me punëdore – dekorative për sigurimin e ekzistencës. Me shkrime ka filluar të merret që nga viti 1975. Shkruan për fëmijë dhe të rritur në prozë dhe poezi. Jeton dhe vepron në Gjilan dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprat: “Kush e zgjon ditën”, poezi për fëmijë; “Loti në qepallë” , poezi për fëmijë; “Flakë në zemër”, libër me tregime; “Shprishja e ëndërrave”, poezi për të rritur; Mbi krahët e lumturisë, tregime, 2013; “Ferr apo parajsë”, dokumentar, 1013; “Shprishja e ëndrrave” në gjuhën rumune, Bukuresht 2013 (libri gjendet në shtyp).