Kulturë
Blerim Rrecaj: Skicë për fotografitë dhe takimin
E hene, 21.10.2013, 06:56 PM
Skicë për fotografitë dhe
takimin
Nga Blerim
Rrecaj
Ky shkrim a më
mirë të themi ky përshkrim u “nxit” nga postimi i fotografive që postoi miku im
në facebook. Ashtu sikurse takimi ynë ndodhi pas “hedhjes” së ca fotografive të
vendlindjes së tij po ashtu në rrjetin social dhe një bisede të papritur e u bë
ashtu siç thuhet “rastësisht me dashje”.
Me mërgimtarin u
pata takuar edhe “pa u takuar” në njërin prej panaireve të librit në Prishtinë.
Pra u pata takuar me librin e tij, të cilin si dhuratë ma pat bërë njëri nga
familjarët e tij derisa bridhja e vështroja nëpër stenda librash atëbotë derisa
punoja në njërën prej gazetave të përditshme që botohen te ne. Më
pas derisa ca fjalë u patën thenë për panairin dhe ca rreshta paten zënë vend
edhe për librin e tij, aty diku pas tri vjetësh pas komunikimit me email në një
të pëprjavshme bashkadhetarësh nga Zvicra u pat botuar një portret për
mërgimtar-bashkatdhetarin tonë me të cilin në një ditë të këtij tetori do të
takohemi në kafenenë “Bulevard” e cila gjendet përballë Grand Hotelit. Aty do
të rrijmë e bisedojmë për dy tri orë dhe do të na zë terri i cili sadopak do të
“thyhet” nga dritat artificiale të neonit, nën ritmet e lëvizjeve të
kalimtarëve a fjalëve të atyre që ecin a qëndrojnë ulur nëpër karrike
kafeneshë. Më pas “zvicerani” do të më tregoj se do shkoj ta shoh shfaqjen
“Dilerat” të mikut të tij regjisorit Bekim Lumi duke më pyetur se nëse ke kohë
mund të vish. I përgjigjem ftesës me kënaqësi duke bërë shaka në llogari të
dinamizmit fallco që paj po themi që ekziston e mbretëron te ne. Dhe duke lënë
karriket e tavolinën dhe fjalët e bisedën tonë që mund ta marr era a ta mbulojë
terri, nisemi drejt ish pallatit “Rilindja” në bodrumin e së cilës do jepet
shfaqja. Para pjesës së këtij pallati do të takojmë aktorin Luan Jaha me të
cilin do t’i ndërrojmë disa fjalë për ndeshjen Shqipëri-Zvicër dhe për
katrahurën e fjalëve që kanë marrë dhenë sidomos të nxitura nga rrjetet
sociale.
Miku nga Zvicra
do i dhuroj aktorit tonë me shumë dashamirësi librin e tij dhe Luani do marr
dhuratën e këndshme e të papritur, do e vë në çantën e tij dhe më pas do marrim
udhën brenda asaj pjese të ish Rilindjes, në atë bodrum ku pas shpërndarjes së
fletë palosjeve në të cilat gjendet njoftimi për shfaqjen, pak fjalë shpjeguese
përpara nesh do t’i thotë regjisori Lumi. Afër nesh i ulur Luan Jaha i cili do
jap vlerësimin për artistin e ri që do të diplomojnë në këtë shfaqje. Karriket
që nuk janë të shumta mbushen me studentë të aktrimit. Aktorja Melihate Qena
thotë këto fjalë që pos që janë fjalë në stilin
“Thumba helm” janë dhe të këndshme dhe mund të kuptohen varet se si e qysh i merr. “Eh, si nuk kam pasur fat të
jem studente e Luan Jahës”, thotë ajo. Luani dhe ndokush qesh. Nëse këto fjalë i zbërthejmë pak më tepër ato
duken si thikë me dy presa. Në njërën anë aktoren do ta kthenin në rininë e
saj, e në tjetrën anë duken se kanë një doze ironie kur dihet se çka po heqin
edhe artistët “e shkretë” në ditët e sotme… Sidoqoftë fillon shfaqja. Në këtë
bodrum ku ndjehen erëra vajrash të makinerive të vjetra të shtypshkronjës që
kanë mbetur si relike dinosaurësh. Mes ndriçimit e territ, aty këtu fluturon
dhe ndonjë insekt që shquhet nga drita e
reflektorëve që ndriçojnë ambientin.
Aktorët bredhin skenës me tepsia nëpër duar e litarë elastik nëpër këmbë,
flasim, hedhin tepsiat në tokë, marrin mjete tjera dhe kanë vetbesim e siguri
në rolet që luajnë. Për të mos e zgjatur
shumë tash po e marr një pjesë nga katalogu shpjegues që na u shpërnda:
“…Tue qenë palë
të pashmangshme të një ‘marrëveshje’ të këtillë, ‘tregtari’dhe ‘blemësi’,
përmes monologjeve, përkatësisht dialogut me karakter ‘polemizues’, shpesh me
intonim poetik e metaforik, në një ‘kohë të palejueshme e në vende të errëta të
palejueshme’, aty, pra, ‘ku nuk ka as ligj e as dritë elektrike’, njeni me
‘ofertën’ e tjetri me ‘kërkesën’ e tij të çuditshme, të ngjashme me një
‘dhuratë’, së jashtmi të mbështjellun me ‘kordele hijeshuese’, por së
mbrendshmi të mësheftë dhe të pazbulueshme, në atmosferën e një ‘lufte të
ftohtë’, qëndrojnë përballë dhe ashpër, egër e kërcënueshëm, ‘i mbrehin
dhambët’ dhe i kundërvihen njëri tjetrit…”, thuhet pos tjerash në njoftimin për
shfaqjen.
Vazhdon e mbaron
shfaqja. Pasojnë duartrokitjet, përshëndesin aktorët e regjisori, thuhen fjalë,
diplomon studenti që më pas hidhet në përqafim të prindërve e kolegëve dhe
nëpër korridorrin e terrtë zbrazet bodrumi ku u mbajt shfaqja. Vazhdon nata. Me
mikun vazhdojmë ndejën tash në kafenenë Prince House Coffe, duke vazhduar
bisedën e në shoqërinë e ëmbëlsirave dhe kafeve që na sjell kamarieri, i cili
me shumë dashamirësi e buzëqeshje na fotografon, para se ta lëmë Prishtinën e
të përshëndetemi , diku pak para mesnate…