Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Një zemër që pikon luleloti
E enjte, 17.10.2013, 09:49 PM
NJË ZEMËR QË DI TË PIKOJË LULELOTI
Mendime pas
leximit të trilleve poetike “Lind nga perëndon” i poetit elbasanas Fatmir Musai
NGA PËLLUMB
GORICA
Kam lexuar mjaft
vëllime me poezi, por metaforën luleloti, edhe pse e kam hasur shumë rrallë,
nuk më ka bërë aq përshtypje, se sa tek vëllimi poetik “Lind nga perëndon” i
poetit elbasanas Fatmir Musai. Gjuha metaforike, e ngjeshur me elokuencë brenda
një strofe katërvargëshe plot nuanca popullore,
më bën të them, se gjetja poetike “ luleloti”, është kuintesenca e gjithë
vëllimit poetik, gjë që tregon, se poeti Musai, i pjekur tashmë artistikisht,
njohës i thellë i të përditshmes, di të jetojë me dinjitet midis lotit të
dhëmbjes dhe atij të gëzimit, të cilët janë të përjetsuara në damarët e
jetës e që kur duhet pesimizmin e
kthejnë në shpresë e besim, dhe mbushin me plot luleloti sytë e njomzuar të
pranverës së jetës.
Poeti e ndan
librin e tij në gjashtë kapitull, ku secili titull sintetizon një periudhë plot
tensione jete e pulsime dashurie: 1- Lotë të qelibartë,
2-Mos ma shisni fëmijërinë, 3- në një cep të hënës, 4- Si qindra hirushe, 5-
Dashuri mëkatare, 6- Rishikimi i Ferrit.
Poeti ëndërron për
qiejt e lumturisë, përkundet e bën sikur dremitet në pekulet e një kohe
plot butësi e shkëlqim, endet në honet e një të shkuare që e josh me mirësinë e
nostalgjinë e saj, por shpejt zgjohet, mpreh shikimin, kthjellon gjykimin dhe e
sheh në sy realitetin që jeton, realitet që i ngërthen në vetvete gjithçka,
sinqeritetin dhe djallzinë, egon dhe miopinë, hipokrizinë fetare dhe ëndrrën
për dijen, guximin për të ecur para, por
edhe plogështinë që herë të gozhdon në vend e hërë mundohet të tërheqë prapa.
“Ëndrra të përkund, realiteti të zgjon” – thotë Irvin Stoung. Ndaj edhe poeti
Musai ëndërron kur duhet, e zgjohet e bëhet i gatshëm për tu zgjidhje
problemeve shqetsuese të kohës.
Brenda katërvargjeve që autori i përdor me mjeshtëri të rrallë artistike, lëviz një koncizitet i
madh, enden metaforat e ngjiten epitete, dhe ashtu si tulla të pjekura fort në
nxehtësinë e zjarrmisë së jetës, vendosen në faqet e librit ndarë në 6 kapituj,
si gjashtë dritare të mrekullueshme që shpërndajnë rreze drite e vesë mëngjesi.
Për moshën e
pjekurisë që ka arritur, poeti mundohet tu thurë një himn gjithçkaje që ka
kaluar në jetë, por sidomos të ngrejë në piedestal fëmijërinë me çapkënllëqet e saj, rininë me
dashurinë e pavdekshme, që një zemër edhe pse e kalitur në dallgët e jetës, nuk
i ndal dot lotët ë qelibartë. “Mos ma
shisni fëmijërinë”, është titulli i një kapitulli. Gjetje e bukur. S’ka gjë më
të bukur, thesar më të vyer se fëmijëria, sidomos kur ajo është e vuajtur,
kryeneçe dhe ëndërrimtare. Ja se sa me
ndjeshmëri mediton poeti para dy fshatarëve që shesin manaferra: “Pashë dy
fshatrë që shesin manaferra/mes tregut të ëmbël ku grerat venë e vinë/sërish më
dhëmbin të çarat e duarve në ferra/Dhe bërtita: Ej mos ma shisni fëmijërinë.”
Është kjo arsyeja shtytëse e ndjenjave të tij që shkon e shpesh; “Koven e
motiveve na e mbushka/në pusin e kulluar fëmijëri.”
Gjashtë kapitujt e vëllimit bëjnë bukur lidhjen morale e psikologjike të poetit me mjedisin rrethues, gërshetojnë natyrshëm moshën e pjekurisë që bëhet shpesh nostalgjike me çdo gjë të bukur që kaloi e që jeton, kritikën për të shëmtuarën dhe meditimin plot shpresë rreth vazhdimësisë së brezave, duke qenë kjo lidhje e mbrujtur me afshin e pashtershëm të dashurisë së pavdekshme, ndjenjën më fisnike të njeriut.
Por dashuria te poeti Fatmir Musai nuk është deklarative, pompoze e
mburravece, e fituar nëpër tavolina duke pirë limonata, por është e thellë e
brendshme, që buron nga një shpirt i dlirë, që herë herë sikur i del padashur
në sipërfaqe, por më shumë rri e fshehur, si motiv për arritje të mira e të
pavdekshme. Ai kërkon dhe poetizon atë dashuri që të bëhet edhe akull edhe
avull, të bëhet edhe gjethe peme e të çojë në zhveshjen e vajzave, por edhe të
pulsojë gjak të freskët në damarët e njeriut. “Ajo kurrë s’më ka thënë/pse
s’duhet të rrijë me të/Pse don të jetë me mua/Ma pëshpërit shpesh nën zë”
Herë nostalgjik,
e herë ëndërrtar, herë mes miqsh e shokësh, e herë i braktisur nga ato, Musai
kërkon të jetë kudo i pranishëm në konglomeratet e kohës, herë si erë që
mbështjell gjithçka e herë si Robinson i vetmuar, herë duke lotuar mbi një varr
e herë duke thur një varg për dasmën e nuseve, ndaj janë të plotkuptueshme
vargjet: “Sa bukur të jeshë erë/ca flokë të ledhatosh/gjithkund dhe askund/Mbi
tokë të mbretërosh./Sa mirë të jesh Robinson/në ishullin tënd të
vetmisë/vec dallga mesazh të dërgon /nga
botë e zhurmërisë.”
“Lind nga
perendon”, do të thotë se vazhdimësia e jetës është dialektike dhe e
pandalshme, sado lot mjerimi e gjak pengesash të ketë. E në këtë rrugë të pandalshme zhvillimi poeti
vlerëson njerëzoren,arsyen, shpresën e besimin, ngre lart idealen dhe morale
mbi pragmatizmin bajat : “Trupi është i pangopur/hambar që se mbush dot/
shpirti që të gjallojë/i mjafton vetëm një pikë lot.”
Në kapitullin
“Si qindra hirushe”, poeti i thur himne dashurisë, ashtu si dhe në
kapitullin”Në një cep të hënës”, por ndonëse“në cep të hënës ai kërkon e gjen
dashurinë ëngjëllore, të cilën e zbret në tokë dhe e bën pjesë të pulsimit
jetik, nëpërmjet “qindra hirusheve” ai bën dallimin mes dashurisë hipokrite dhe
asaj të kthjellët njerzore, duke u çorrur maskën tërë atyre besimtarëve, që mbajnë mjekra dhe
çallma në sipërfaqe,por në fakt mbajnë
djallin në bark: “Me partinë e Krishtit ish bota/më pas me Muhamedin të
tjerë/këmbëkryq mes tyre rri Buda/përqark- hosanna skllevërit e mjerë.” Është
kjo hipokrizi fetare, më shumë për privilegj e interes se sa për Bibël e Kuran,
që e “detyron” poetin që “të bëjë çorape me mjekrën e hoxhës e priftit” e të
mos pajtohet me atë besimtarin hipokrit që me”perëndinë në stomak, ngrefoset i
devotshëm se bën kurban”. Poeti i mallëngjyer për kohën e shkuar, që ndoshta qe
e varfër në pasuri, por që ishte plot
njerëzllëk, plot shpirtbardhësi, ku njerëzorja mposht mekanikën, ndaj shkruan:
“S’vinë më si dikur miqtë në shtëpi/Ku ison e ndizte flakë një dolli/ Miqëve u
rezervojmë vend vakant/Mirëseerdhët u themi në restorant.”
Që nga vargu i
parë ku “pisha qan me lot të qelibartë rrëshire” e deri tek vargu i fundit tek “një natë e pagjumë”, bota e madhe e
poetit është në luftë me të keqen dhe hipokrizinë dhe derdh pika djerse për tua
shtuar më shumë lotët e gëzimit njerzëve, ndaj ai kërkon që të mbetet gjithmonë
zgjuar, në lëvizje, në ndryshim sado që “deti mbetet po det”. Poeti është i vetëdijshëm, se kush ka lindur
pa tjetër do të vdesë, ashtu siç bëhet përsëritja dielektike, lind - perëndon e
perëndon - lind, ndaj tregon hapur se është krenar për jetën që bëri, për
kontributin e sinqertë që dha në këtë rrjedhë të vështirë jete, ndaj nuk është
pishman për çka ka ikur. Atë e shqetson vetëm një gjë: Pas të lëjë emrin e
mirë, shokë e miq të gëzueshëm, një shoqëri harmonike plot ndjenja njerëzore,
që lindja të burojë gjithmonë nga perëndimi, e udhët e jetës të jenë plot dritë
për brezat që vijnë. Ai pasi kërkon që për vete të lëjë një vepër të mirë pas e
një emër që rrojë ndër vite, kur shkruan se: “Natën e mire po iki më parë nga
ju/diku larg në humbëtirë/po shpirtin po e lë këtu/që tju thotë natën e mire”
nuk mbetet vetëm tek meraku i vetvets, për të kaluarën, por e shqetson më shumë
vazhdimësia e jetës, që pasardhësit të ecin në gjurmë të sigurta, ndaj ai
shkruan me fjalë zemre për nipin: “Je mjalt i mjaltit/shpirti im në gen/sepse
unë po iki/edhe ti po vjen.“
Kjo është më shumë se një ngazëllim poetik, është shprehje e garancisë së burrit, babait e gjyshit se kur je i përkushtuar, e ardhmja është në duart të sigurta.