E premte, 26.04.2024, 09:44 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Shansi i humbur i kryetarit të PD

E shtune, 16.02.2013, 12:07 PM


SI E HUMBI KRYETARI I PD SHANSIN PËR TË PASUR FLAMURIN E INTEGRIMIT EVROPIAN FLAMUR TË FUSHATËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, në këtë fillimviti 2013, po ia tund Shqipërisë para hundëve flamurin e integrimit evropian, një flamur të cilit, në të vërtetë, i ka mbetur vetëm bishti i shtizës.

Më 2009, kur sapo kishte dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, flamuri i integrimit evropian merrte sadopak kuptim domethënës dhe frymëzues për një pjesë, sado të rrudhur, të elektoratit të Shqipërisë, ende besues tek figura e kryetarit të PD.

Ndryshimet kushtetuese të atij viti, të arritura në konsensus me partinë tjetër kryesore të atëhershme, ia lejonin kryetarit të PD, në rolin e kryeministrit, ta kalonte vendin në zgjedhje të parakohshme menjëherë sapo ta shikonte se situata ishte në favor të palës së tij, çka do t'ia mundësonte që t'i kërkonte ndihmë elektoratit për të pasur një fuqi më të madhe vendimmarrëse në kuadrin e përpjekjeve për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Rolin gjoja bllokues të saj ndaj proceseve opozita e këtyre tetë viteve nuk po e luan për herë të parë. Puna është se sa ajo e ka luajtur këtë rol në pajtim të heshtur me qeverisjen. Vetëm në vitin 2009, u panë në rol bashkëpunues dhe jobllokues, dy partitë kryesore dhe kjo ia mundësoi vendit anëtarësimin në NATO.

Në Shqipëri, për të përshkruar duelin e gjatë midis krerëve të partive kryesore, përdoret shprehja e huazuar se "kur ndeshen elefantët, ai që e pëson është bari", pra, ai që e ka pësuar nga dueli farsë nuk kanë qenë të ashtuquajturat elita, nuk kanë qenë, pra, klanet dhe familjet, nuk kanë qenë miliardierët që u konsoliduan gjatë këtyre tetë viteve, por populli gjithnjë më i mjerë i Shqipërisë.

Kalimi në zgjedhje të parakohshme në momentet kur klima është e favorshme dhe kur kërkohen autorizime të reja nga elektorati, është një proces i natyrshëm i praktikuar nga liderët e suksesshëm. Këtë e bënte, për shembull, për mandatin e tij të dytë, Gerhard Shröder. Këtë e bënte, për shembull, për mandatin e tij të tretë, Tony Blair, mandat të cilin, dihet, e ndau me Gordon Brown.

Kryetari i PD e kishte rastin për të kaluar në zgjedhje të parakohshme në vitin 2011, një vit që i mbahet, ndoshta, më i suksesshmi për qeverisjen e tij. Menjëherë pasi merrte bashkinë e kryeqytetit, mbi një bazë të re të fuqishme politike dhe ekonomike, do të ishte plotësisht e ligjshme dhe e natyrshme që Shqipërinë ta kalonte në zgjedhje të reja. Këtu kryetari i PD mund të tundte flamurin e integrimit evropian dhe të kërkonte nga elektorati i Shqipërisë, sado jorealiste tingëllon sot, një fitore të bujshme si atë të marsit 1992.

Më së voni, kjo mund të bëhej në fillim të vitit 2012. Dhe, pasi të merrte autorizimin e ri nga elektorati, pasi të çlirohej nga një koalicion i panatyrshëm dhe frymëzënës si ai me LSI dhe me një mori të pafund partish të vogla, i cili, në të vërtetë, ka qenë aspekti më bllokues i qeverisë së këtyre katër viteve të fundit, atëherë kryetari i PD do të kishte pasur hapësirën për të ndërmarrë sprintin drejt kryerjes së reformave deri atëherë gjoja të bllokuara nga "kundërshtari".

Në vjeshtën e vitit 2011, pra, apo në muajt e parë të vitit 2012, flamuri i integrimeve evropiane në duart e kryetarit të PD do të kishte ende shkëlqimin fringo. Por, koha nuk e jep dy herë të njëjtin shans, ajo është e pamëshirë, ajo ka ligjet e veta me të cilat nuk bën kompromis.

Kryetari i PD, në vend që të bënte një hap të tillë, parapëlqeu ta përdorte kohën në dispozicion për të futur krejtësisht në duart e tij institucionet e pavarura të vendit. Ky veprim assesi nuk mund t'i siguronte kapital të ri politik në sytë e elektoratit të Shqipërisë, nuk mund të siguronte kapital të ri të simpatisë ndërkombëtare. Përkundrazi, ky veprim do të shihej si përpjekje për të zgjatur pushtetin artificialisht, si përpjekje për të krijuar një tampon zbutës për largim nga pushteti dhe nga politika.

Prandaj flamuri që kryetari i PD kërkon t'ia tundë para hundëve Shqipërisë është një flamur më se i vjetëruar, një flamur më se i leckosur, një flamur të cilit i ka rënë edhe bezja, edhe pjesa më e madhe e shtizës, një flamur, pra, që i ka mbetur tashmë vetëm bishti i shtizës.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora