| E shtune, 16.02.2013, 12:07 PM |
SI E
HUMBI KRYETARI I PD SHANSIN PËR TË PASUR FLAMURIN E INTEGRIMIT EVROPIAN FLAMUR
TË FUSHATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Kryetari
i Partisë Demokratike të Shqipërisë, në këtë fillimviti 2013, po ia tund
Shqipërisë para hundëve flamurin e integrimit evropian, një flamur të cilit, në
të vërtetë, i ka mbetur vetëm bishti i shtizës.
Më 2009,
kur sapo kishte dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin
Evropian, flamuri i integrimit evropian merrte sadopak kuptim domethënës dhe
frymëzues për një pjesë, sado të rrudhur, të elektoratit të Shqipërisë, ende
besues tek figura e kryetarit të PD.
Ndryshimet
kushtetuese të atij viti, të arritura në konsensus me partinë tjetër kryesore
të atëhershme, ia lejonin kryetarit të PD, në rolin e kryeministrit, ta kalonte
vendin në zgjedhje të parakohshme menjëherë sapo ta shikonte se situata ishte
në favor të palës së tij, çka do t'ia mundësonte që t'i kërkonte ndihmë
elektoratit për të pasur një fuqi më të madhe vendimmarrëse në kuadrin e
përpjekjeve për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Rolin
gjoja bllokues të saj ndaj proceseve opozita e këtyre tetë viteve nuk po e luan
për herë të parë. Puna është se sa ajo e ka luajtur këtë rol në pajtim të
heshtur me qeverisjen. Vetëm në vitin 2009, u panë në rol bashkëpunues dhe
jobllokues, dy partitë kryesore dhe kjo ia mundësoi vendit anëtarësimin në
NATO.
Në
Shqipëri, për të përshkruar duelin e gjatë midis krerëve të partive kryesore,
përdoret shprehja e huazuar se "kur ndeshen elefantët, ai që e pëson është
bari", pra, ai që e ka pësuar nga dueli farsë nuk kanë qenë të
ashtuquajturat elita, nuk kanë qenë, pra, klanet dhe familjet, nuk kanë qenë
miliardierët që u konsoliduan gjatë këtyre tetë viteve, por populli gjithnjë më
i mjerë i Shqipërisë.
Kalimi në
zgjedhje të parakohshme në momentet kur klima është e favorshme dhe kur
kërkohen autorizime të reja nga elektorati, është një proces i natyrshëm i
praktikuar nga liderët e suksesshëm. Këtë e bënte, për shembull, për mandatin e
tij të dytë, Gerhard Shröder. Këtë e bënte, për shembull, për mandatin e tij të
tretë, Tony Blair, mandat të cilin, dihet, e ndau me Gordon Brown.
Kryetari
i PD e kishte rastin për të kaluar në zgjedhje të parakohshme në vitin 2011,
një vit që i mbahet, ndoshta, më i suksesshmi për qeverisjen e tij. Menjëherë
pasi merrte bashkinë e kryeqytetit, mbi një bazë të re të fuqishme politike dhe
ekonomike, do të ishte plotësisht e ligjshme dhe e natyrshme që Shqipërinë ta
kalonte në zgjedhje të reja. Këtu kryetari i PD mund të tundte flamurin e
integrimit evropian dhe të kërkonte nga elektorati i Shqipërisë, sado
jorealiste tingëllon sot, një fitore të bujshme si atë të marsit 1992.
Më së
voni, kjo mund të bëhej në fillim të vitit 2012. Dhe, pasi të merrte
autorizimin e ri nga elektorati, pasi të çlirohej nga një koalicion i
panatyrshëm dhe frymëzënës si ai me LSI dhe me një mori të pafund partish të
vogla, i cili, në të vërtetë, ka qenë aspekti më bllokues i qeverisë së këtyre
katër viteve të fundit, atëherë kryetari i PD do të kishte pasur hapësirën për
të ndërmarrë sprintin drejt kryerjes së reformave deri atëherë gjoja të
bllokuara nga "kundërshtari".
Në
vjeshtën e vitit 2011, pra, apo në muajt e parë të vitit 2012, flamuri i
integrimeve evropiane në duart e kryetarit të PD do të kishte ende shkëlqimin
fringo. Por, koha nuk e jep dy herë të njëjtin shans, ajo është e pamëshirë,
ajo ka ligjet e veta me të cilat nuk bën kompromis.
Kryetari
i PD, në vend që të bënte një hap të tillë, parapëlqeu ta përdorte kohën në
dispozicion për të futur krejtësisht në duart e tij institucionet e pavarura të
vendit. Ky veprim assesi nuk mund t'i siguronte kapital të ri politik në sytë e
elektoratit të Shqipërisë, nuk mund të siguronte kapital të ri të simpatisë
ndërkombëtare. Përkundrazi, ky veprim do të shihej si përpjekje për të zgjatur
pushtetin artificialisht, si përpjekje për të krijuar një tampon zbutës për
largim nga pushteti dhe nga politika.
Prandaj
flamuri që kryetari i PD kërkon t'ia tundë para hundëve Shqipërisë është një
flamur më se i vjetëruar, një flamur më se i leckosur, një flamur të cilit i ka
rënë edhe bezja, edhe pjesa më e madhe e shtizës, një flamur, pra, që i ka
mbetur tashmë vetëm bishti i shtizës.