E premte, 26.04.2024, 11:24 PM (GMT+1)

Mendime

Kudusi Lama: Ngrijeni tytën e armës

E shtune, 26.01.2013, 06:23 PM


Politikanë shqiptarë ngrijeni tytën e armës

Nga Kudusi Lama

Serbia e hoqi lapidarin e dëshmorëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës – Metvegjës e Bujanovës. Një lajm i pritshëm ky, kur askush nuk i tha mos. Një lajm i pritshëm ky kur shqiptarët e mbajnë shikimin në ballin e njëri tjetrit për ta etiketuar armik. Një lajm i pritshëm ky kur duke e mbajtur shikimin mbi vetëveten, shikimi errësohet për të parë armikun e vërtetë. E në këto kushte armiku i vërtetë që deklarohet vetë, siç u deklarua Serbia sot, të bën hatanë në vatër. Të zhgërryen historinë, të tërheqë zvarrë luftën tënde të lavdishme të identifikimit të kombit.

Serbia, dihet dhe shihet se nuk ka hequr dorë prej cilësimit armiq për shqiptarët. Ajo vazhdon të ndjekë ndaj shqiptarëve të njëjtën politikë që ka ndjekur Ilia Graçanini, Pashiqi, Çubriloviçi, Titua, Milosheviçi etj. Dhe është krenare dhe deklarative në ndjkjen e kësaj politike.

Ndërsa nga ne qetësi. Sepse politikanët shqiptarë janë shumë të zënë duke kërkuar armiq ndërmjet njëri tjetrit e nuk kanë mundësi të shikojnë më tej se u është errësuar shikimi. Rrezja e shikimit të tyre arrinë nga pozita tek opozita, nga opozita tek pozita. Nga e djathta tek e majta, nga e majta tek e djathta. Më tej është terr politik. Më tej për ta nuk ka armiq. Më tej me gjithkënd mund të gjendet fjala. Anipse Serbia nuk don të gjendet fjala, përderisa duan politikanët tanë 50 përqind është e rregulluar puna.

Të gjithë e dinë dhe e dimë se Serbia mbetet ajo që ka qënë. Ndërsa politikanët shqiptarë sapo u mor njoftimi sot për heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë, vrapuan kush më parë se tjetri, t’u bëjnë thirrje shqiptarëve në Kosovën lindore të mos bijen pre e provokimeve serbe. I bëra pyetje vetes: Pse? Por nuk arrita të gjejë përgjigje. Veçse në mendje më mbeti një pyetje për të gjithë: A edhe kur të përdhosen dëshmorët këta e quajtkan provokim? Sa çudi.

Unë di se kur tjetrit i kërkon të ruaj qetësinë duhet ta mbrosh. Kur i ke kthyer krahët, nuk ke më as të drejtë fjale as të drejtë këshille. I braktisuri e di vetë se çfarë bën. Realisht në këto momente mua më duket se Kosova lindore është prapa krahëve të politikës shqiptare në gjithë hapsirën e saj. A nuk e kuptojnë politikanët shqiptarë se është turp, t’u thuash shqiptarëve vetëm të durojnë, kur nuk merret përgjegjësi për t’u zgjidhur problemet? Nëse nuk e dinë ua them unë: Është turp.

Serbia priti mjaft. Ajo e ndoqi situatën me shumë korrektesë dhe kur pa se askush nuk u shqetësua, për atë që kishte deklaruar se duhej bërë, ajo bëri atë, që iu duk më e mirë për interesat e saj në kurriz të shqiptarëve. Ajo nuk ka dhënë asnjë provë se ka dëshirë t’i respektojë shqiptarët. Ata që pritën të vepronte ndryshe janë miopë. Unë nuk kam pritur të veprojë ndryshe. Por as nuk më ka shkuar mendja të besoj se politika shqiptare në gjithë spektrin e saj nuk do të thotë asnjë fjalë e nuk do të mbajë asnjë qëndrim institucional, për këtë çështje nderi për të dhe për kombin që ka marrë përgjegjësinë ta udhëheq drejtë të ardhmes. E ardhme që nuk di cila është kur na përdhunohen edhe dëshmorët në mes të ditës, nga ai që na i ka vrarë.

Dëshmorët janë krenaria dhe siguria kombëtare. Ata kanë dhënë për atdheun, atë që kishin më të shtrenjët – jetën. Ndërsa ne nuk jemi në gjëndje as të mbrojmë kujtimin e tyre. Sa e turpshme për politikën shqiptare. Sa e turpshme për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë. Sa turp më vjen.

Sot politika shqiptare vajtoi gjithë ditën, duke konstatuar se nuk paska vdekur politika fashiste e Milosheviçit. Po kurë kanë thënë serbët se ajo politikë ka vdekur? A duke vajtuar do të shkojmë gjithë jetën? Deri kurë kështu?

Unë e di se politika legale shqiptare deri sot kurrë nuk u ka thënë shqiptarëve ndaluni dhe qëndroni fortë përpara armikut. Atë e ka bërë gjithmonë politika ilegale. Po pse kështu? Kam menduar se ka ardhur tashmë momenti kur duhet t’u thuhet qëndroni. Kemi dy shtete shqiptare, jemi 7 milion shqiptar të pavarur në Ballkan, njësoj sa grekët dhe serbët, kemi një spektër politik më masivin në Ballkan (Ilirikum). Askush nuk ka forca politike sa ne, as serbët, as grekët, as bullgarët e as të tjerët. Por ky spektër politik është shumë i zënë. Ka shumë punë, ka shumë telashe, ka shumë armiq brenda vetes. Këta politikanë masiv kanë mjaft prej atyre, që nuk ua japin dorën e nuk duan t’ua japin dorën, kanë njëri tjetrin. Ndërsa kur vjen puna për grekët, serbët e të tjerë, nuk ka gjë, se ata mbajnë qëndrime antishqiptare, vrapojnë t’ua japin dorën e pse jo të puthen me ta. Kanë shumë punë, se sa herë takohen me ta, lodhen duke mësuar fjalët e përshëndetjes për t’ua thënë në gjuhën e tyre. Sa e ultë më duket. Ju them sinqerisht gjithnjë prej të tillëve më ka ardhur turp. Dhe e kam ditur se edhe kur i lavdrojnë ata të huajtë i përqeshin me sarkazëm sapo të largohen prej tyre.

Serbia sot hoqi lapidarin në nder të dëshmorëve në Preshevë. Ajo e bëri testin,  mund të vijë e të rrëzojë edhe Skënderbeun në sheshin “Skënderbej”, se të jetë e sigurtë askush nuk i thotë asgjë, sepse nuk jemi nga ata që bijem në kurthin e provokimeve ne, jemi të zgjuar, asnjëherë mos të mendojë Serbia se na e hedh ne, se na lëshon në kurth duke na provokuar. Jo ne politikisht qëndrojmë jashtë kurtheve, por kombëtarisht mos të mendojë Serbia se e durojmë shumë. A nuk ia kemi treguar këtë? A e ka harruar atë që e ka cilësuar vetë “ferri Kosovë”?

Njëkohësisht dua të sqaroj se me sa kam mësuar, di që gjuha shqipe është gjuhë heroike, jo gjuhë përkuljesh, si ka mundësi që ne kemi mësuar vetëm ato fjalë që na përkulin para të tjerëve politikisht? A vërtetë të gjithë jemi prej këtij malli? Apo mos ka ndonjë rregull që unë nuk e di dhe duhet që për t’u bërë politikanë, duhet të kesh frikë dhe mund të bësh si i fortë vetëm para qytetarëve që të kanë vënë t’i udhëheqësh?

Jo, jo, ne bëjmë politikë. Serbia na kërcënon, ne heshim – bëjmë politikë. Ajo na ze rrugët, ne kalojmë në rrugë të tjera – bëjmë politikë. Na prishë përmendoret ne heshim se nuk bijem në kurth – bëjmë politikë. Bllokon 30 përqind të territorit të Kosovës ne bisedojmë – bëjmë politikë. Na tregon grushtin, ne ikim – bëjmë politikë. Greqia nuk pranon të bisedojë për Çamërinë, ne nuk bëjmë dot as një rezolutë parlamentare – bëjmë politikë. E kërkon kufirin në Shkumbin, ne nuk themi gjë – bëjmë politikë. Kërkon 400 km2 det shqiptar, ne ia japim – bëjmë politikë. Sllavomaqedonasit na vrasin djemtë – ne buzëqeshim e duartrokasim – bëjmë politikë. Ç’është kjo politikë? Kujt i sherben politika nëse nuk i shërben kombit tonë? Pse na duhet kjo llojë politike? A është sukses politik, vetëm po të mbushim barkun me bukë?

Të bësh politikë nuk është të mbashë karrigen ngrohtë e t’u shesish mend qytetarëve të tu, por t’i mbrosh ata e t’u realizosh interesat dhe aspiratat.

Serbët, sllavomaqedonasit dhe grekët ndërtojnë interesat dhe aspiratat e kombeve të tyre mbi parcelat e interesave të kombit shqiptar, ndërsa ne nuk guxojmë të marrim atë që është e jona. Pse duhet të pranojmë të qëndrojmë kaq poshtë? Kush na detyron? A vërtetë duhet menduar se jemi tjetërsuar? Pse kërkohet me çdo kusht të vihet në provë ndjenja jonë kombëtare?

Sot Serbia hoqi lapidarin e dëshmorëve. Po nesër çfarë plani ka, a e dinë politikanët tanë këtë? Ajo do të vazhdojë të thellojë më tej konfliktin. Ajo do të kërkojë të marrë edhe më shumë, deri kur t’i thuhet ndal. Por më duket se politika jonë nuk di t’i thotë ndal askujt, që na cënon atdheun e kombin. Megjithatë iu siguroj se do t’i thuhet ndal. Kombi ynë ka djem si zana.

Një lapidar në tokën shqiptare i pengon shumë Serbisë. Nderimi për ata që e çliruan edhe atë vetë nga diktatura e pengon shumë. Çdo gjë shqiptare i pengon shumë, sepse ajo ka dhënë prova se i intereson vetëm toka e shqiptarëve pa shqipëtarë dhe këtë ka luftuar të realizojë me shekuj e do të vazhdojë të kërkojë e realizojë sa të mundet edhe në të ardhmen.

Prandaj unë do të kisha dëshirë që politikanët tanë sa harxhojnë gjithë energjitë duke akuzuar njëri tjetrin, le të mblidhen njëherë e të shikojnë përtej tyre atje ku thuren intrigat antishqiptare. Le të ndalen njëherë e të mendojnë se nuk janë pronarë të tokave të shqiptarëve dhe të vetë atyre, por janë të ngarkuar me detyrë të bëjnë ato punëra që u interesojnë shqiptarëve dhe që janë në interes të atdheut e kombit. Nuk dua që nesër kur politikanët tanë të jenë qytetarë ta zakonshëm, t’u vijë turp për punërat që kanë bërë. Ndaj unë dua t’u them të gjithë politikanëve: merreni pushtetin dhe e gëzofshi. Shfrytëzojeni sa të mundeni. Por shtetin ndërtojeni për shqiptarët. Kombin forcojeni dhe nderojeni se i përkisni, sado të mëdhenjë të bëheni, atë nuk e ndryshoni dot. Nëse nesër do të shikoni prapa greminat që keni lenë mbi fytyrën e kombit, do të jetë e turpshme për ju, se kombi prap me gjithë anomalitë që i krijoni do ta marrë veten. Ai ka jetuar e mbijetuar nëpër furtunë edhe në kohët më të errta të historisë, jo më sot që zhvillimi është ngjitur në stadin më të lartë.

Një tufë policë të Serbisë bëjnë si të fortë në tokën tonë. Bëjnë një paradë dhe e bëjnë mirë, për të cilën kombi i tyre i lavdron, sepse politikanët e tyre i kanë bindur se ata po veprojnë në interes të kombit të tyre. Por realisht atë paradë do të ishte mirë ta bënin në Beograd, jo në Preshevë. Mirëpo ata kanë marrë një detyrë, të shkatërrojnë përmendoren e lavdisë kombëtare të një kombi tjetër, për t’u konsideruar madhështor prej kombit të tyre. Me këtë rast unë dëshiroj t’u jap edhe atyre mesazhin se: Siç kanë vepruar me përmendoren e dëshmorëve tanë, ka për të ardhur dita, që do të veprojnë edhe me përmendoret e heronjëve të tyre. Sepse heronjët i përdhosin vetëm diktaturat. E diktaturat nuk vlerësojnë kombin por vetëveten. Kështu që ata nuk kanë bërë tjetër sot veçse kanë investuar në shkatërrimin e kombit të tyre.

Sot të gjithë flisnin. Por labi thotë: “Si kofini pas të vjelit”. Nuk duhet pritur, për të parë se ç’po ndodhë. Pritja është vdekje. Kombi jeton çdo ditë. Fytyrën e ka të kthyer nga ju të nderuar politikanë e shtetarë. Merrni përgjegjësitë që u takojnë mos vazhdoni pafundësisht të hidhni baltë mbi njëri tjetrin, ju siguroj se populli e kupton shumë mirë kur e mashtroni. Ngrijeni tytën e armës mos e mbani në oxhakun tuaj. Qëlloni më larg nëse doni të jeni të nderuar. Mos u trembëni, edhe sikur dikush t’ua hajë ato 100 kilogramët e mishit të trupit, nuk bëhet ndonjë hata e madhe, por iu siguroj se askush nuk do t’ua cënojë vetëm krimbat në varr si gjithë njerëzve të tjerë. Thirrini ndërgjegjes, se shqiptarët kanë shumë nevojë t’iu shohin si njerëz dinjitoz dhe me guxim e inisiativë.



(Vota: 103 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora