E merkure, 21.08.2019, 02:45 PM (GMT+1)

Komente

Dorian Koçi: Sfida e madhe morale

E enjte, 03.01.2013, 01:22 PM


SFIDA E MADHE MORALE

NGA DORIAN KOÇI

Një burrë plak, pasi ka abuzuar për shumë kohë me një të mitur, e vret dhe i pret kokën. Një burrë ndaj të cilit është lëshuar një urdhër gjykate për t’u qëndruar larg gruas dhe fëmijëve të tij për shkak se është i dhunshëm, vret me çekiç gruan e tij në sy të fëmijëve. Përpara tyre një i dënuar që qëndron në gjendje të lirë vret kryekomisarin e Shijakut e kështu me radhë. Kjo është një pjesë nga kronika e zezë që vajtëm kohë që po lexojmë dhe shikojmë përmes mediave dhe që natyrshëm bëjnë cilindo që të bëjë një pyetje. Sa e sigurt është jeta jonë?

Kjo pyetje nuk bëhet në funksion të ndonjë propagande apo retorike për të fajësuar njërën palë apo për të nxirë realitetin, por është pjesë përbërëse e realitetit që po jetojmë. Shoqëritë në zhvillim dhe me vlera morale të përmbysura siç është kjo e jona, i përjetojnë dhimbshëm tronditjet sociale dhe natyrisht që rezultatet shpeshherë janë këto që na përplasen çdo ditë përmes ekraneve, por siguria e jetës dhe e biznesit përbën një nga shtyllat e vlerave të shoqërisë që kaq shumë kemi aspiruar për të bërë pjesë që nga viti 1991. Kështu, duam apo nuk duam, gjendemi përballë një paradoksi kulturor që nga njëra anë i kushton shumë më tepër rëndësi materializmit dhe dëshirës për t’u pasuruar sa më shpejt, por nga ana tjetër harron në vetvete njeriun dhe e lejon shpeshherë atë të shndërrohet në kafshë pasi morali i tij është tronditur shumë dhe nuk mund të gjejë asnjë pikë mbështetje ku të mbahet. Jemi duke përjetuar tre revolucione, atë seksual, feminist, dhe të rinisë së shpenguar! A e analizojmë ne anatominë antropologjike të këtyre fenomeneve? Marrëdhënie komplet të reja janë ndërtuar dhe barriera të vjetra janë shkatërruar, tabu të vjetra janë kapërcyer dhe mentalitete të reja janë formësuar, ndërsa ne të pambrojtur vazhdojmë që instinktet e një kohe të shkuar të gjallojnë egër mes nesh. Është pikërisht kjo përvojë negative që nuk ka legjislacion që ta ndalojë, ndaj ndërhyrjet në shoqëri duhet të jenë përpos atyre ligjore dhe kulturore, sepse nuk besoj se polici që është rrahur në fëmijëri të mos rrahë kur është në detyrë, ai që rreh dhe dhunon gruan e tij të mos e quajë si gjë që nuk prish punë në shoqëri! Jemi jo në fund apo në mes të rrugës apo jemi të hutuar në udhëkryq?

Këtë gjë nuk e dimë, por personalisht jam i sigurt se kësaj dileme mund t’i japë zgjidhje përforcimi i shtetit ligjor përmes përmirësimit të sistemit të drejtësisë, sfidës më të madhe të politikës shqiptare. Para disa kohësh, Kryeministri foli në mbledhje qeverie dhe kërkoi një përmirësim në legjislacion, për të vendosur si normë burgimin e përjetshëm në raste të tilla, nismë që sigurisht duhet përshëndetur por besoj se nuk është e mjaftueshme. Sigurisht që shumë veta do nxitojnë të thonë se ç’tjetër gjë mund të ofrohet përderisa është e vërtetë që dikur filozofia e një fjale të urtë “frika ruan vreshtin” ka pasur efekt. Mirëpo a mundet që parime të tilla humane, si kujdesi ndaj grave dhe fëmijëve apo kujdesi dhe siguria ndaj jetës së qytetarit të administrohen si në mesjetë nga pushteti i frikës? Ligjet që kemi, janë shumë të mira, por zbatueshmëria e tyre vazhdon të mbetet ende problematike. Vendi nuk ka nevojë për zgjedhjen e një emri të ri si Prokuror i Përgjithshëm, si dhe u zgjodh, por për një moral të ri të përzgjedhjes së njerëzve që punojnë në drejtësi. Sistemi bipartizan i përzgjedhjes së gjyqtarëve është një sistem i kalbur që deri më tash ka prodhuar vemje të pushtetit, sesa profesionistë të vërtetë, ndaj në kuadër të reformimit të drejtësisë, kjo përzgjedhje nuk duhet të jetë më ekskluzivitet i politikës. Zgjedhja e tyre e drejtpërsëdrejti nga komuniteti do të ishte një hap që do të përmirësonte shumë perfomancën e tyre profesionale pasi s’do t’i ishin askujt borxh për të kthyer ndere. Përqasja kulturore ndaj fenomeneve të tilla duhet të pushojë së qeni ekskluzivitet i disa shoqatave që vetëm identifikojnë probleme në sallat luksoze të “Sheratonit” në Tiranë dhe Hotel “Adriatikut” në Durrës, por pjesë përbërëse e kulturës shtetformuese dhe asaj shkollore në mënyrë që të formësohet drejt individi që në bankat e shkollës. Në zinxhirin e ngjarjeve që ndodhën në vitet ‘90 në Europën Juglindore ishte e lehtë për të rrëzuar komunizmin, por paska qenë shumë e vështirë për të ndërtuar individin e përgjegjshëm që nuk e keqkupton lirinë e demokracisë. Ky aspekt vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë që po tenton të bëhet europiane. A do t’ia dalim dot vallë? Koha dhe brezat që do vijnë, do ta tregojnë, por të paktën ne të sotmit duhet të zgjohemi nga gjumi letargjik për të vepruar në mënyrë të tillë për të bërë të mundur që ndërgjegjen tonë ta kemi të qetë se vërtet u përpoqëm.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT