E premte, 26.04.2024, 09:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjimnazistët e Tiranës, 40% mbetës. Nota mesatare, 6.6

E shtune, 05.04.2008, 10:26 AM


Shifra alarmante. "Petro Nini" thyen rekordin për mungesat

Nuk arrijnë të marrin dot një notë kaluese dhe kanë numër të lartë mungesash. Kjo është situata e gjimnazeve të kryeqytetit. Në mbyllje të semestrit të parë, kalueshmëria është 63 për qind, çka do të thotë që pjesa tjetër, shprehur në përqindje 37, nuk ka marrë as 5. Drejtoria Arsimore e Tiranës bëri të ditur dje për "Shqip", se niveli mësimor është mjaft i ulët dhe këtë e tregojnë më së miri të dhënat statistikore. Referuar këtyre të dhënave, që janë përpiluar nga drejtoria një muaj pas mbylljes së semestrit të parë, vëmë re "se shkolla më e mirë në Tiranë, ‘Qemal Stafa‘ ka notë mesatare 7.5 dhe ajo më e keqja, që është ‘Avdulla Keta‘, ka notë mesatare 5.8". Për të nxjerrë këto, shifra zyra e statistikës ka mbledhur notat e semestrit të parë të secilës prej shkollave të kryeqytetit. Këto të dhëna tregojnë kalueshmërinë, notën mesatare dhe mungesat për shkollat e mesme të përgjithshme, shkollat e mesme profesionale dhe shkollat 9-vjeçare.

Për sa u përket shkollave profesionale vëmë re se ato kanë nivel akoma më të ulët. Kështu, kalueshmëria në 8 shkollat është në shifrën 61 për qind, ndërsa 39 për qind e nxënësve kanë mbetur në klasë. Më e dobëta syresh është shkolla e mesme Ekonomike dhe më pas Shkolla e Hoteleri-Turizmit. Nga 5226 nxënës, që kanë gjithsej këto shkolla, kanë kaluar 3192 prej tyre, pjesa tjetër duhet të japin lëndët për vjeshtë. Ndërkohë, rekord për mungesa është shkolla më e mirë profesionale në vend, Liceu Artistik "Jordan Misja". Nxënësit e shkollës së muzikës kanë dalë në këtë semestër me notë mesatare 7.4, por kanë bërë plot 30 mungesa për nxënës. Më pas vjen shkolla koreografie me të njëjtën fizionomi, me notë mesatare 7.3 në rang shkolle dhe numër mungesash 26 për nxënës.

Por le të kthehemi te gjimnazet që kanë në gjirin e tyre numrin më të madh të të rinjve, me 17542 nxënës në total, prej të cilëve pjesa më e madhe janë femra, 9615. Sipas të dhënave, nxënësit mbetës janë më së shumti meshkujt dhe për sa u përket mungesave gjinia nuk përbën ndonjë diferencë të madhe, mungojnë thuajse njësoj si vajzat dhe djemtë gjimnazistë. Për sa u përket rezultateve, vërejmë se nga 14 gjimnaze, katër janë në garë të vërtetë. Shkollat e mesme "Qemal Stafa", "Sami Frashëri", "Petro Nini Luarasi" dhe "Ismail Qemali" paraqesin notën mesatare më të lartë. Përkatësisht nxënësit e gjimnazit "Qemal Stafa" janë me notë mesatare 7.5 dhe tre gjimnazet e tjera kanë shifër të njëjtë, notë mesatare 7.4 secili. Ndërsa 10 gjimnazet e tjera janë të gjithë tek 6 apo pesa. Pra, pjesa më e madhe e shkollave të Tiranës kanë nxënës të një niveli të ulët të përgatitur. Duke parë tabelën veçojmë gjimnazin "Aleks Buda", nxënësit e të cilit shkojnë mesatarisht te nota 6, ndërsa nxënësit e gjimnazit "Eqrem Çabej" janë të nivelit 6.2. Edhe shkolla "Sandër Prosi" ka notë mesatare 6.2. Nota këto që nxënësit i kanë marrë përgjatë semestrit të parë mësimor, i cili ka nisur në shtator dhe ka përfunduar në janar. Në fund të çdo semestri, shkollat shpërndajnë dëftesat dhe mbledhin prindërit për rezultatet. Ata pranojnë se ky nivel i përgatitur në mësime i nxënësve u lë për të dëshiruar. Sipas drejtorëve, gjatë semestrit të parë, për shumë faktorë nxënësit mësojnë më shumë. Mbetësit, që nuk janë pak, por 40 për qind e nxënësve të arsimit të mesëm, do t‘i japin lëndët për vjeshtë. Sipas të dhënave të tabelës, në kolonën "nota mesatare", mësojmë se në gjimnazet "Myslym Keta", "Andon Zako Çajupi", "Partizani", "Sinan Tafaj" etj., nota mesatare është 6.5.

TE DHENAT E DREJTORISE ARSIMORE

36.4% e nxënësve të gjimnazeve janë vlerësuar me notën 4

6.6 është nota mesatare e shkollave të mesme të përgjithshme

23.2 është numri mesatar i mungesave për nxënës në gjimnaze

6.6 është nota mesatare e tetë shkollave profesionale

61% është kalueshmëria te profesionalet. Kanë mbetur 39%

92% është kalueshmëria në shkollat 9-vjeçare të Tiranës

14 është numri i shkollave të mesme të përgjithshme në Tiranë

57 është numri i shkollave 9-vjeçare në kryeqytetit

17542 është numri i nxënësve në shkollat e mesme të përgjithshme të Tiranës

6374 nxënës nuk kanë mundur të kalojnë klasën në shkollat e mesme të përgjithshme

5226 është numri i nxënësve të shkollave të mesme profesionale në Tiranë

2034 nxënës të shkollave të mesme profesionale kanë mbetur në klasë

46882 është numri total i nxënësve në shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit

3800 është numri i nxënësve mbetës në shkollat 9-vjeçare të Tiranës

"Qemal Stafa"

Ky është gjimnazi më i mirë i Tiranës, i cili ka notën mesatare më të lartë, në shifrën 7.5. Ndërsa niveli i përgjithshëm i gjimnazeve është nota 6.6

"Petro Nini Luarasi"

Ka nivel të lartë, pasi nota mesatare në rang shkolle është 7.4, renditet e dyta pas "Qemal Stafës", por është edhe shkolla që ka numrin më të lartë të mungesave

"Sami Frashëri"

Renditet ndër të parat shkolla në kryeqytet për nivelin e lartë, nota mesatare e nxënësve është 7.4 dhe numri i mungesave është mjaft i ulët, 16 për nxënës

"Ismail Qemali"

Hyn ndër shkollat më të mira, nota mesatare e nxënësve është 7.4 dhe numri i mungesave është 19 për nxënës. Kalueshmëria këtu është e lartë në shifrën 74.4%

ME DOBET

"Eqrem Çabej"

Kryeson listën e mbetësve. Pra është shkolla me kalueshmërinë më të ulët në Tiranë, me 47 për qind. Ndërsa nota mesatare e nxënësve është 6.2


"Aleks Buda"

Hyn në gjimnazet me nivel të ulët, ku nota mesatare e nxënësve është vetëm 6 dhe numri i mungesave këtu është i lartë, me 27.8 për nxënës

"Avdulla Keta"

Ky gjimnaz paraqitet me nivel të ulët mësimor, me notë mesatare të nxënësve 5.8, që është edhe niveli minimal në të gjithë Tiranën, ndërsa mungesat janë 17 për nxënës


"Arben Broci"

Është një gjimnaz me nivel të dobët nxënësish dhe kalueshmëri shumë të ulët. Nga të dhënat, kalueshmëria e semestrit të parë është 50%, mungesat 24 për nxënës

Semestri i parë në Tiranë, rekordin e mungesave e mban "Petro Nini Luarasi"

Çdo gjimnazist i Tiranës bën mesatarisht 23 mungesa në një semestër shkollor. Kjo është shifra që del nga të dhënat statistikore të Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Por ka edhe më keq, gjimnazi "Petro Nini Luarasi" rezulton të ketë shifrën 37.9 mungesa për nxënës. Është mbyllur në fund të janarit semestri i parë në të gjitha shkollat e vendit dhe në fund të shkurtit zyra e statistikave në drejtori ka përpiluar të dhënat në rang qyteti. Kështu, del qartë nga tabela se nxënësit e gjimnazeve mungojnë më shumë në shkolla se nxënësit e shkollave profesionale apo më të vegjlit, nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Për sa u përket shkollave të mesme profesionale rezulton se aty është 22.6 numri i mungesave për nxënës. Ndër 8 shkollat profesionale të Tiranës, ajo Elektrike ka numrin më të lartë të mungesave. Mesatarisht secili nxënës aty ka munguar 30 herë në shkollë për një semestër. Për t‘u admiruar janë nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Nga të dhënat rezulton se këto shkolla kanë nga 10 mungesa për nxënës. Po të krahasojmë një fëmijë që kalon nga shkolla 9-vjeçare në të mesme dallojmë se në këtë fundit ai mungon katër herë më shumë në shkollë. Numri i mungesave është kthyer në problem madhor për mësuesit dhe prindërit. Sipas tyre, nxënësit janë të gatshëm të braktisin mësimin herë pas here, me arsye dhe pa arsye. Dhe arsyeja kryesore e tyre është mospërgatitja në mësime dhe e dyta përtesa për të shkuar në orën e parë. Nga një vëzhgim i "Shqip" në shkollën "Petro Nini Luarasi", që mban rekordin e mungesave, vërejmë se drejtoria ka bërë mjaft përpjekje për të eliminuar mungesat, por fenomeni mbetet prezent. "Porta është e mbyllur dhe s‘dua, pa e kapërcej. Do rri në oborr deri sa të bjerë zilja, pasi kam ikur nga ora e fizikës". Kështu shprehet një gjimnaziste që rri në shoqërinë e bashkëmoshatarëve në orët e paradites. Mësuesit kujdestarë ruajnë deri diku traditën e njoftimit të prindit për mungesat, por ky nuk është një sistem i mirëfilltë pune. Më shumë prindërit informohen gjatë mbledhjeve mujore për prezencën e fëmijëve në shkollë. Gjithsesi, as kjo nuk e ka ulur fenomenin mungesë në shkollë pa arsye. Të dhënat flasin qartë. Janë afro 1686 nxënës në shkollën "Petro Nini Luarasi" dhe për një semestër kanë bërë plot 65 mijë mungesa në semestrin që sapo u mbyll. Por ky gjimnaz nuk është i vetëm, ndër më problematikët për mungesa renditet edhe shkolla e mesme e përgjithshme "Andon Zako Çajupi" me 29 mungesa për nxënës. Më tej, në listën e përpiluar nga Drejtoria Arsimore vjen "Partizani" dhe "Besnik Sykja", ku nxënësit kanë shënuar nga 25 mungesa gjatë semestrit. Ndërsa nxënësit që kanë bërë më pak mungesa janë në shkollën "Sami Frashri", "Myslym Keta" dhe "Qemal Stafa", me nga 16 mungesa për nxënës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora