Shtesë » Lajme
Afganistani, si e pashe tmerrin e luftes
E hene, 25.02.2008, 05:53 PM
Afganistani, si e pashe tmerrin e luftes
Eriola Hazizolli - Koha Jone
Nje nga ushtaraket shqiptare, qe sherbyen per 6 muaj ne kontingjentin paqeruajtes ne Afganistan, eshte kthyer ditet e fundit prane familjes. Dashnor Xheli, ne nje rrefim ekskluziv per “Koha Jone”, tregon tmerret e luftes ne vendin e larget. Ndersa i duhej te luftonte kunder talebaneve, ndryshimit te temperaturave dhe mallit per familjaret, profesionisti 45-vjecar tregon per friken qe te kaplon ne vijen e pare te frontit. “Kur gjithcka ndizej tym e flake, ndersa qellohej me arme nga te kater anet, lexoja shprehjen e tmerrit ne fytyrat e ushtarakeve te rinj dhe mundohesha t’u jepja kuraje”, tregon rreshteri i repartit te Nderhyrjes se Shpejte ne fshatin Poshnje, te rrethit te Beratit.
Ne korrik te vitit te kaluar, pas rreth 3 muajsh stervitje, kontingjenti shqiptar prej 112 efektivesh te Kompanise se Pare te Batalionit te Trete te Repartit te Nderhyrjes se Shpejte, ne Poshnje te Beratit, u nis per ne vendin e larget ne zemer te Azise. Dashnor Xheli thote se askush prej ushtarakeve nuk u nis pa deshire. “Kur punon ne ushtri, cdo kerkese brenda teje vjen si nje urdher. Une nuk mendova gjate, ishte nje detyre, me sakte vazhdimi i nje detyre, qe une e kisha ndermarre shume vite me pare, kur vendosa te sherbej ne ushtri”. Efektivet shqiptare u dislokuan perkrah forcave italiane dhe belge ne aeroportin e Heradit.
Xheli kujton me mjaft emocione muajt qe ka kaluar ne sherbim ne Herad te Afganistanit. Gjate 12 oreve ne sherbim te bazes ushtarake, ai thote se perballej me tmerrin e luftes, qe vinin nga krismat, shperthimet dhe alarmet qe nuk mungonin. “Mund te ndodhte qe gjate nje dite sherbimi te kishte disa dhjetera sulme mbi bazen dhe aeroportin, qe ne kishim per detyre te ruanim. Ndonese ishim te armatosur mire, frika ekzistonte, pasi rreziku nuk dihej se nga mund te vinte”. Rreshteri tregon se kur ishte ne Shqiperi, kishte degjuar per rrezikun qe vinte ne lufte, por ne front gjithcka ishte ndryshe.
“Ne syte e ushtareve te rinj, une shikoja friken qe ndienin gjate sherbimit”, rrefen ushtaraku i vjeter. Gjate momenteve qe flisja me familjen, lutesha te mos kishte shperthime dhe siguroja familjaret e mi se nuk me kanosej as me i vogli rrezik. Lutesha qe gruaja dhe vajza ime mos te degjonte nga telefoni asgje qe kishte lidhje me luften. Por, ashtu si shqetesohesha per vete dhe familjen time, doja te isha prane cdo ushtari duke bere punen time si keshilltar”. Ne perfundim te misionit 6-mujor, Dashnor Xheli mendon se gjate atyre diteve ua ka bere me te lehte qendrimin ne Afganistan bashkeluftetareve te tij.
“Dashuria per vajzen me mbajti gjalle”
Baza ushtarake e Heradit ishte e vetmja ne nje zone mjaft te gjere, dhe kjo e bente nje shenjester “te lakmuar” per forcat armike. “Gjeja e pare, me te cilen jemi perballur ne mberritjen ne vendin e larget, ka qene vapa teper e madhe. Ne ditet e para ne Afganistan temperatura gjate dites shkonte deri ne 40 grade, nderkohe gjate nates ajo zbriste deri ne dhjete grade”. Pastaj duhet te perballonim mallin qe ndjenim per familjaret tane qe ndodheshin dhjetera mijera kilometra larg. “Kujtoja bashkeshorten time, Majlinden dhe vajzen time 14-vjecare, Majden. Ato e respektuan zgjedhjen time, ndonese me dhimbje. Ndersa flaket dhe tymi mbulonin pozicionet tona, dashuria per ta me mbante gjalle. Nuk doja qe vajza ime te rritej pa baba”.
Telefonatat, si fshihnim realitetin
Ushtaraket shqiptare ne Afganistan komunikonin pothuajse perdite me familjaret e tyre ne Shqiperi. “Casti me i veshtire ishte momenti kur flisnim me familjen, thote Dashnor Xheli. Gjate 12 oreve te dites ishim ne sherbim dhe ne rrezik te vazhdueshem per jeten. Por kur flisnim ne telefon, luteshim qe shperthimet te mos rifillonin”. Rreshteri thote se mundoheshin me te gjitha menyrat qe krismat e luftes t’i paraqitnin si nje dicka normale, qe ndodhte diku larg dhe qe nuk kishte te bente me ta. Por, shpeshhere, zeri i dridhur ne telefon i tradhtonte.
Dy dekada me uniformen e blerte
Dashnor Xheli nuk eshte nje ushtar i thjeshte. Ne moshen 45-vjecare, ai mban mbi supe dhjetera vite ne sherbim. Dy dekada me pare, teksa perfundoi periudhen e sherbimit te detyruar ushtarak, ai vendosi te mos e heqe me uniformen e blerte. Fillimisht sherbeu si nenoficer ne nje repart te xhenios. Prej disa vitesh, ai mban graden e rreshterit, por ajo per te cilen ndihet krenar eshte detyra e rendesishme e keshilltarit prane Repartit te Nderhyrjes se Shpejte, ne Poshnje, te rrethit te Beratit. “Detyra ime konsiston ne dhenien e asistences ushtarake, por dhe sociale nder radhet e ushtrise”, thote njeriu qe ka nje mision sa te rendesishem aq edhe delikat.
Si luftohej ne Afganistan
“Shume prane vendit te sherbimit, dhjetera automjete te talebaneve jane hedhur ne ere me eksploziv. Ne pak caste gjithcka rreth teje kthehej ne zjarr e tym. Nuk kishte se si mos te ndiheshe i frikesuar, kur pas kraheve degjoje krisma pa fund, qe vinin nga te gjitha anet e bazes ushtarake”. Aeroporti civil dhe ushtarak, qe kishte detyre te ruante kontingjenti shqiptar, ndodhej ne qender te Heradit dhe zinte nje siperfaqe te madhe. Brenda tij ishte ngritur edhe baza ushtarake. “Ka pasur qindra raste kur talebanet e vune ne shenjester aeroportin, duke qelluar kryesisht nga automjetet e tyre, qe pershkonin perimetrin e bazes me shpejtesi te madhe. Ndonese pikaseshin nga pika e vrojtimit, talebanet nuk ngurronin te vinin mina ne mjete, lende shperthyese, te cilat nuk dihej se nga komandoheshin dhe ushtaret gjendeshin ne mes te shperthimeve qe mund t’u merrnin jeten. Ushtaraku 45-vjecar tregon se ne shume raste ka pasur shkembim te drejtperdrejte zjarri mes forcave qe ruanin bazen dhe njesive talebane. “Dhjetera ushtare kane humbur jeten ne ate baze, ku ne sherbenim dhe pyetja qe i beje vetes gati cdo dite ishte nese do te shpetoje gjalle nga lufta”.