Shtesë » Lajme
Ardian Ndreca: “Lider-i Màximo” Fidel Castro na la
E enjte, 21.02.2008, 04:52 PM
“Lider-i Màximo” Fidel Castro na la
Nga Ardian Ndreca
Ardian Ndreca |
Udhtimi revolucionar i Kastros ka qenë nji udhtim drejt hiçit, por gjatë rrugës shenjat e dukshme të asaj aventure kanë qenë vrasjet e burgimet e kundërshtarëve politikë, propaganda e shfrenueme, kufizimi i lirive dhe mbajtja e nji sistemi diktatorial konstant.
Projekti “Cuba Archive” ka publikue shifrat e terrorit kastrist.
9240 martirë: 5640 të pushkatuem, 1203 të pushkatuem pa gjyq, 2199 të vdekun në burg, 198 të zhdukun. Prej 9240 martirëve të lirisë 216 kanë qenë gra, prej të cilave 11 të pushkatueme e 20 të vrame pa proçes legal; 94 kanë qenë të rinj nën moshën 18 vjeç; prej tyne 22 vetë kanë përfundue përpara nji skuadre pushkatimi dhe 32 janë pushkatue pa gjyq.
Të dhanat janë të paplota, venë në dukje dokumentuesat e kësaj qendre. Nuk duhen harrue 77833 të ashtuquejtunit “balseros” – ata që janë mbytë ndërsa përpiqeshin me u arratisë nëpërmjet detit që ndan Kubën me SHBA-në.
Dikur Kuba ishte mike e Shqipnisë, por mike e largët dhe e pafuqishme me ndikue ne idetë revolucionare të shokut Enver.
Marksizmi kuban ishte i nji natyre tjetër, marksizëm hispanik pak macho dhe pak kalorsiak, rum dhe puro, kangë dhe valle – e njikohsisht shtypje dhe diktat monopartiak.
Sot Kastroja tërhiqet prej pushtetit. 50 vjet në pushtet janë shumë, pushteti të lodh dhe të shkatrron, sidomos kur nuk ka asnji rrugëdalje.
Ne kemi pa sesa sakrifica kanë ba pushtetarët tanë gjatë kohës së komunizmit.
Terrori si mjet qeverisjet kushton shumë: si për ata që e pësojnë si për ata që e ushtrojnë.
Vrasjet, burgimet, internimet, torturat bajnë që në ndërgjegjen e atyne që i kryejnë të zanë vend nji ide e palëvizshme dhe paranojake: çdokush mund të m’a cënojë jetën!
Po të lexojmë tekstet e librave me kujtime, plenumet, fjalimet, veprat – do të shohim se Enver Hoxha ka jetue me ketë mendim deri në fund të ditëve të veta.
Pritja e nji gjame, e nji atentati, e nji tentative vrasjeje duhet të ketë kontribue me e çue drejt vorrit edhe “birin më të dashur të popullit shqiptar”.
Kastroja mbajti 50 vjet pushtetin dhe tashti po tërhiqet pa triumfalizëm, mbasi e din se ka dështue krejtsisht.
Nuk do të shkojë gjatë dhe bustet e kujtesa e tij do të fshihet prej faqes së dheut, populli kuban ka për ta shlye njollen që i la regjimi kastrist.
Ajo që duket e paspjegueshme asht se diktatorët vdesin shumë shpesh në shtrat dhe mjaft rrallë në litar.
Dënimi kapital për nji diktator nuk asht shenjë hakmarrje, asht vetëm themel drejtësie.
Shumëkush do të kujtojë 25 dhjetorin 1989: pushkatimin e diktatorit Çaushesku dhe të grues së tij.
Efekti i asaj batareje qe i menjihershëm në Tiranë, ku gjithçka u tkurr dhe u përdrodh e mandej u zhdrivillue në të fundmen valë terrori.
Sot Kastroja s’e ka as privilegjin me i dhanë kujt besim me “ramjen” e tij për shkak të moshës. Komunizmi i vërtetë ka mbarue para se të mbaronte diktatori i fundit.
Ajo që mund të bajnë sot kubanët asht me e mbajt gjallë Kastron, me e mbajt gjallë sa me ua tregue vizitorëve të huej që përmallohen mbas tij.
Fideli, Hoxha, Çaushesku, Honeckeri, Brezhnevi, Kim II Sungu, Pol Poti nuk jetojnë ma!
Jetojnë e nuk jetojnë.
Gjithsesi sot Kuba fillon me marrë frymë ma lirshëm, jo pse gazeta “Granma” botoi lajmin e tërheqjes së Kastros, por pse ndihet se marksizmi kuban ka mbarue e ndoshta mbas pak javësh liria do të triumfojë dhe të ikunit në Florida do të mund të kthehen pa frikë në atdheun e vet.
Çdo ramje diktature ruen diçka magjike: nji krisëm, nji shembje që sjell fundin e nji ngërrçi e të nji ankthi pesëdhjetëvjeçarë.
Kuptohet, mbasi të restaurohet liria, edhe në Kubë, të gjithë, tue nisë prej funksionarëve të naltë dhe atyne ma të privilegjuemve, do të dalin tue thanë se e kanë urrye me gjithë shpirt Kastron dhe komunizmin e tij.
Ndërkaq do të mbesin jetima me qindra intelektualoidë europianë që shkojshin te Kastroja me shijue fitoret e revolucionit nën diellin e nxehtë kuban edhe pse rrogat e majme i merrnin në vende kapitaliste.
Nji prej tyne asht edhe balerina Carla Fracci e cila thonte para disa kohësh se e dinte mirë se Kastroja asht nji diktator, por ama baleti në vendet socialiste asht shumë i vlerësuem dhe kjo mjaftonte për me e çmue Kastron!
Kastros i ka këndue edhe Neruda... të cilin, të qenunit poet i madh s’e ka pengue me qenë njikohsisht edhe teveqel i madh.
Si do t’ia bajnë populli kuban pa barbudon e vet e pa fjalimet e tija që shkonin rrëkaj për orë e orë?
A mund ta ndihmojmë ne popullin kuban!?
Gjithsesi, lajmi i mirë erdhi: Hasta el fin del comunismo cubano!
E ndërkaq në lokalet e Havanës kangëtari i zakonshëm do të vijojnë me këndue me za të marrun kangën “La gloria eres tú”: “...eres un encanto / eres mi ilusión”
Komentoni
Artikuj te tjere
Human Rights Abuses in Kosovo
Shpresat e demokracisë lidhen ngushtë me kërkimin e myslimanëve të moderuar të Lindjes së Mesme
Nikola Sarkozi: Ndryshoni harten e Evropes!
Zezaku u vra pasi u zu duke bërë seks me shqiptaren
“Greqia persekuton te denuarit shqiptare”
Bulqizë, një tjetër minator i vdekur
“Adem Jashari”, shkatërrohet në Beograd
Pacienti ne vdekje klinike, mjeku ne kafe
Zenun Pajaziti: I ftoj qytetaret te cojme mesazhe paqeje ne bote
“Shqiptaret, ja çfare perfitojne nga lehtesimi i vizave”
Çmimi i bukës në Tiranë, 120 lekë
Të bëhesh e virgjër me 10 mijë lekë
Grabitja ne Angli, parate ne Shqiperi
Maria Montessori, Një jetë kushtuar fëmijëve
Dea, vajza e një Dëshmori të Atdheut
Shesin beben per 3 mije euro
“La Republica”: Miliband ka propozuar shpalljen e pavaresise me 4 shkurt
Formula e betimit të mafiozëve dhe struktura e tyre
Nuset shqiptare në Serbi
Vrasjet më të bujshme të realizuara nga mafia