E merkure, 11.12.2024, 10:47 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Bulqizë, një tjetër minator i vdekur

E diele, 10.02.2008, 04:45 PM


Rritet numri i viktimave në minierën e kromit Bulqizë. Miniera vazhdon të për-pijë jetë njerëzish.

BULQIZE/ ENVER DOÇI

Dje në mesditë humbi jetën tragjikisht minatori Njazi Alliu, 53 vjeç. Burime të sigurta informacioni thonë se ai humbi jetën në rrethana misterioze. Askush nuk mund të të thotë me saktësi sesi Alliu është përpirë nga një trimozhë e mbushur me krom dhe gurë. Teksa punëtorët e nëntokës, në nivelin e 16 ose siç konsiderohet nga minatorët “niveli i vdekjes” kanë hapur grykën e trimozhës për të nxjerrë materialin që ishte grumbulluar në të, kanë ngrirë kur kanë parë trupin e një njeriu që zbriti në vagonë bashkë me materialin inert. Minatori Alliu ka dalë i pajetë nga trimozha e minierës. “Ku vajti Njaziu?”, kanë pyetur minatorit njëri-tjetrin, kur kanë kuptuar se ai nuk ishte bashkë me ta në galeri. Prokuroria po heton intensivisht rreth ngjarjes enigmë që ndodhi dje në minierën e Bulqizës. Ishte rasti i parë kur një minator humbte jetën në mënyrë kaq tragjike, pa e parë askush, as shokët e frontit të punës. Fakti se Njazi Alliu punonte në një front pune dhe fakti se askush nuk e ka parë kur ai ka përfunduar në trimozhë, ka ngritur hipoteza të shumta. Pas afro një ore ngjarja është bërë publike, mirëpo drejtuesit e minierës shfajësohen duke thënë se minatori nuk ishte urdhëruar të punonte në atë front pune. Është rasti i tetë kur drejtuesit e minierës dhe ato të Ministrisë së Ekonomisë fajësojnë minatorët për aksidentet e ndodhura në minierë. Drejtori i minierës, Petrit Duva është shprehur se Njazi Alliu nuk kishte urdhër nga shefat e tij për të punuar në atë galeri. Të njëjtin argumentim kanë dhënë dhe drejtuesit e kompanisë që ka marrë me koncesion minierën. Në një njoftim për shtyp menjëherë pas ngjarjes, “Albanian Chrome ACR” deklaroi se minatori ka hyrë për të punuar në një galeri tjetër dhe jo në atë ku ishte urdhëruar. “Aksidenti ndodhi në nivelin L2/2 të minierës. Njazi Alliu kishte marrë në mëngjes urdhrin e punës për të punuar Frontin e Krahut të Parë L2/1C. Me vendim personal dhe pa urdhër pune ai është zhvendosur dhe ka nisur të punojë në vendngjarjen e aksidentit, ku edhe ka rrëshqitur në një trimozhë”, theksoi kompania, duke kërkuar zbatimin e rregullores së punës nga ana e minatorëve.
Njazi Alli ka lënë jetimë dy fëmijë. Familja e tij banonte në Fushë Bulqizë, në kushte të vështira jetese. Minatorët e Bulqizës u shprehën se ngjarja është e rëndë dhe se ata kanë frikë të rikthehen në punë sërish. Grupi hetimor ka shoqëruar në komisariati disa minatorë, pjesëtarë të grupit të punës, të cilët duhet të japin sqarime rreth ngjarjes së rëndë. Ngjarja e djeshme, ku humbi jetën minatori Njazi Alliu është bërë më e rëndë për familjarët e tij, pasi dhe vëllai i tij humbi jetën në minierë. Në tetor të vitit 2006, Beznik Alliu, minator në shembje vdiq ndërsa punonte në nivelin 14. Ai ishte pjesëmarrës në protestat e minatorëve të Bulqizës, të cilët kërkonin kushte pune dhe paga më të larta.

ngushellimi i berishes

Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi mbrëmë familjen e minatorit, Njazi Alliu, i cili humbi jetën gjatë punës në minierën e Bulqizës. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, përmes një mesazhi, kreu i qeverisë i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të minatorit. "Lutem që familjarët dhe njerëzit e tij më të afërt të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe për vdekjen e njeriut të tyre më të dashur", thuhet në mesazhin e kryeministrit.

reagon ps
“shpella e vdekjes”

“Shpella e vdekjes vazhdon në mënyrë sistematike të marrë jetë njerëzish, të lërë fëmijë jetimë, të lërë nëna të veja, sigurisht, pa asnjë mbështetje tjetër serioze financiare dhe pa asnjë garanci për të ardhmen e fëmijëve. Përveçse të jenë të shndërruar në një komunitet skllevërish, burra që ndahen çdo ditë në mëngjes me fëmijët e tyre, me idenë se nuk do të kthehen më dhe një komunitet skllavesh gra, të cilat presin me dorë në zemër nga dera nëse do të vijë apo jo babai i tre, katër, pesë apo gjashtë fëmijëve”, tha Rama.

reagon LSI
“vdekjet nje fenomen”

Sekretari për Bujqësinë dhe Mjedisin i LSI-së, Edmond Panariti, i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së minatorit Njazi Aalliu. “Ky është i teti minator që humb jetën si rrjedhojë i kushteve të pasigurta të punës, duke e shndërruar këtë në një fenomen, i cili rrezikon të përsëritet edhe në të ardhmen”, tha Panariti. Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon qeverisë të marrë masa për të ndalur këto tragjedi të përsëritura. “Ne i kërkojmë Qeverisë të tregohet e përgjegjshme dhe të marrë masa”, tha Panariti. 


8 minatore

kanë humbur jetën gjatë 13 muajve të fundit në minierat e Bulqizës, që nga Avni Duriçi, Besnik Alliu, Zaim Hysa, Hysen Elezi, Medi Jani, Sami Doga, Hekuran Gjata e së fundi Njazi Alliu. Secili prej tyre është detyruar të punojë në kushte të vështira, për hir të sigurimit të bukës së familjeve



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora