Kulturë
Burhanedin Xhemaili: Blerim Hyseni - ''Ndërmjet rreshtave''
E hene, 11.06.2012, 06:13 PM
Recension
(Me rastin e promovimit të librit në Librarinë e Çarshis në Shkup më 8 Qershor 2012)
Nga Burhanedin Xhemaili
Libri i
Blerim Hysenit ”Ndërmjet rreshtave” është libër publicistik që strukturohet nga
tërësia e shkrimeve që trajtojnë çështjet politiko-shoqërore të kohës, të botuara
në shtypin e përditshëm në gjuhën shqipe në hapësirat shqiptare. Për të depërtuar
më lehtë në brendësinë e librit, hapim portën e titullit simbolik të librit “Ndërmjet
rreshtave” që na orienton më tepër te nënteksti, që kërkon kujdes më të madh për
të krijuar një interkomunikim më të dobishëm në raportin lexues-libër dhe
autor, natyrisht se kjo arrihet kur lexuesi është aktiv gjatë leximit dhe
komunikimit produktiv...
Blerim
Hyseni nga përvoja e një gazetari të zellshëm me përgatitje profesionale në gazetari,
ka kujdes të veçantë për mendimin e shprehur dhe fjalën publike në këto ese, vështrime
analitike, si dhe në dy intervistat e tij që nxjerrin botëkuptimin e tij
intelektual për çështjet aktuale në Kosovë,
Maqedoni, dhe më gjërë.
Gjatë leximit
të këtij libri të parë të autorit vërejmë kulturën gjuhësore të autorit që e
pasuron bindshëm diskursin publicistik, të sforcuar me peshën e mendimit
argumentues të transmetuar nga autori në çdo punim si materie e veçantë... Po
ashtu, duke u bazuar në tërësinë e veprës publicistike, kur i qaset problemeve
të nxehta që kërkojnë dije, dhunti, guxim, vizion, dhe intencë kreative për t’u
ballafaquar me rrjedhat shoqëro-politike, autori i përmbahet rregullave
parimore duke respektuar kodin njerëzor dhe gazetaresk... Gjithashtu duke e
analizuar veprën dhe temat e shtjelluara, autori na duket impulsiv, po edhe i
matur, kritik po edhe sugjerues i mirë, kur i qaset fenomeneve devijuese dhe
arritjeve pozitive...
Vlenë të theksohet
edhe një karakteristikë tjetër, se autorin në fjalë e interesojnë temat e rëndësisë
së veçantë, duke nisur nga gjuha shqipe standarde si vlerë kombëtare, që me të drejtë
u kundërvihet zërave irracional dhe tendencioz që mundohen ta mohojnë këtë vlerë
unikale... Pastaj me forcën e argumenteve të pranueshme i shpreh qëndrimet
objektive për zhvillimin arsimor dhe kulturor të shqiptarëve në Maqedoni, për
implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, të garantuar ndërkombëtarisht...
Blerim
Hyseni përmes këtij libri e nxitë dhe e
motivon diskursin politik për arritjen e të drejtave nacionale sipas parimit dialektik, dhe jep mesazhe të qarta për
zhvillimin e demokracisë, integrimin e brendshëm dhe euro-atlantik si
domosdoshmëri e kohës dhe rrethanave aktuale...
Autori në
këto shkrime cilësore me mjeshtri i qaset problemeve shoqëro-politike duke përdorur
parimin shkak-pasojë, dhe jo vetëm që i vë në thumbin kritik veset e këqija dhe
devijimet në shoqëri, por jep ide dhe vizione pozitive për të funksionuar
politikat progresive dhe zhvillimore, parim ky i natyrshëm dhe frytdhënës.