E premte, 26.04.2024, 09:23 AM (GMT+1)

Mendime

Avni Klinaku: Gjigantët e historisë dhe liliputi  i pavarësisë

E hene, 24.03.2008, 02:42 PM


Gjigantët e historisë dhe liliputi  i pavarësisë

Reagim ndaj artikullit të Halil Matoshit, “Rilindasi i fundit Qosja e &” botuar në gazetën “Express”, të datës 18.3.2008

Shkruan: Avni Klinaku

(Duke ditur se historianët e publicistët tanë të njohur nuk do ta marrin mundimin t’i përgjigjen H. Matoshit për shkrimin e tij skandaloz dhe duke pasur parasysh temën e prekur nga ky publicist, pa as më të voglën përpjekje që ta marr rolin e avokatit të Qosjes, Putos e Godos, për gazetën tuaj do t’i them disa fjalë për këtë shkrim).

Që në fillim të artikullit të tij H. Matoshi na bën me dije se gjuha e tij nuk do të jetë aspak mirëdashëse dhe përpjekje për debat apo sqarim, por siç edhe njihet  ai gjithmonë: kontradiktor, fyes e grindavec dhe mbi të gjitha “analist i mirë i rrethanave kombëtare e ndërkombëtare”, - siç po shitet ai.

“Nuk kam ndërmend të polemizoj me historianë dhe publicistë shqiptarë të mendësisë nacional-socialiste, glorifikuese dhe jokritike. Sepse, janë egocentrik dhe manipulatorë të (pa)vetëdijshëm, horra që nuk i shquan patriotizmi qytetar dhe ligjor, por nacionalizmin e kanë strehë të fundit” . Kështu i asgjëson që në fillim Halili i ditëve të sotme “historianët dhe publicistët shqiptarë” me të cilët “nuk e paska ndërmend të polemizojë”, sepse qenkan “nacional-socialistë”, “glorifikues dhe jokritik”, “manipulatorë (të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm), horra etj., etj.

Megjithatë, edhe pse “nuk e ka ndërmend të polemizojë” (të fyejë, po!) Halili ynë pasi që i ka veshur rrobat e metalta, ka vënë në kokë përkrenaren, ka ngjeshur mirë e mirë shqytin e tij (problem e ka vetëm shqytarin: Lila nuk pranon historian, publicist a çfarëdo qoftë profesioni që shqytari i tij të jetë shqiptar, sepse ai ka rrezik, - rrezik krejt i padëshirueshëm për pragmatistin e përkryer, - të jetë nacionalist, manipulator, apo horr ). Pra, pasi i ka bërë tërë përgatitjet e tij donkishotiane, ai e drejton shtizën e tij vdekjeprurëse drejt kolosëve të historisë e të letrave shqipe (Rexhep Qosjes, Arben Putos e Sabri Godos) dhe i akuzon të gjithë ata pa përjashtim për hiç më pak se nacional-socialistë, d.m.th. nazistë, d.m.th. fashistë hitlerianë. Por, si kalorës i zoti që është, Halil kalorësi i ditëve të sotme nuk mund të mos japë edhe disa goditje në të djathtë e në të majtë (Adem Demaçi, Albin Kurti e Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i nënshtrohen forcës së krahut të tij!).

Nga i gjithë artikulli i Halil Matoshit, si porosi përfundimtare del se populli shqiptar nuk u dashka të kërkojë bashkim me Shqipërinë. Dhe populli shqiptar nuk u dashka të kërkojë bashkimin e tij në një shtet të vetëm për këto arsye:

1) Nuk e paskemi të drejtën historike!

“Gjithçka që ata (ata = historianët dhe publicistët shqiptarë – horrat nacionalistë!) thonë e shkruajnë për Kosovën si pjesë e aneksuar e Shqipërisë nga Serbia (më 1913-tën) është thjesht shmangie nga e vërteta historike, për më tepër nacionalizëm primitiv. Historiografi që mbështetet në mite nacionale. “Aneksimi i Kosovës” – thonjëzat janë të H.M. – është thjesht propagandë në shërbim të ideologjisë nacionaliste”...

2) Kërkesa për bashkim kombëtar sipas H.M. nuk qenka në përputhje me politikat e sotme pragmatiste!

“Por ai (Rexhep Qosja – vër. ime) e ka humbur kohezionin e pragmatizmit politik duke u lëshuar në aventurat për me ba histori jo me ba  të vërtetën!”

3) Kosova është dhe do të mbetka përgjithmonë shtet i pavarur dhe sovran!

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen, nëse nuk bëhemi Nostradamusë e të besojmë në farë fati hyjnor, apo në ndonjë apokalipsë!? Nuk jam nga ata që u besojnë miteve të vjetra dhe që krijojnë të reja”.

4) Do t’i hidhëronim aleatët – shpëtimtarët!

“ Duke e shitur bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm si interes madhor kombëtar, këta (R. Qosja, A. Puto, S. Godo dhe të gjithë ata që kërkojnë bashkim kombëtar – vër. A.K.) i anashkalojnë shpëtimtarët e Kosovës, ShBA-të  dhe BE-në, anashkalojnë NATO-n dhe integrimet euroatlantike ndërshqiptare si interesin më madhor të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, pra si interesin vital të shqiptarëve në rajon”.

5) Do t’ bënim nervoz armiqtë - serbët dhe rusët!...

“Deklarata të tilla jo vetëm që e ushqejnë ultranacionalizmin serb, kursin armiqësor rus dhe hezitimin evrocentrist: a u desht që Kosova të bëhet shtet”...

Dhe e fundit:

6) Rrezikojmë ndarjen e Kosovës 60%:40%!

“Ndërsa në rrafshin praktik intenca e Kosovës për bashkim me Shqipërinë çon pashmangshëm në ndarje territoriale midis shqiptarëve dhe serbëve, diku në përmasa 60:40. Dhe kur të kihet parasysh efekti domino në Ballkan, ndarja e tillë shkakton luftëra të reja të përgjakshme në rajonin tonë dhe definitivisht e zhvendos kategorinë e të drejtës nga shqiptarët tek serbët dhe aleatët e tyre”.

Këto janë gjashtë arsyet kryesore sipas Halil Matoshit pse Kosova nuk u dashka të kërkojë të bashkohet me Shqipërinë.

Duke rrezikuar që lexuesi do të mërzitet nga një shkrim më i gjatë dhe duke pasur parasysh natyrën e gazetës, do të përpiqem që sa më shkurt t’iu përgjigjem këtyre gjashtë “arsyeve” pse ne “nuk u dashka të kërkojmë” bashkimin tonë kombëtar.

E drejta historike

Edhe pse H.M. nuk e thotë asnjëherë drejtpërdrejt se populli shqiptar nuk e paska të drejtën historike për bashkimin e trojeve ku ai përbën shumicën e popullsisë në një shtet të vetëm (këtë deklaratë si duket ai akoma nuk guxon ta bëjë krejt hapur), tërthorazi këtë ai e bën shumë herë në artikullin në fjalë. Më skandalozja në këtë drejtim është thënia e tij se “<<aneksimi i Kosovës>>, - thonjëzat janë të H.M., - (nga ana e Serbisë – vër. A.K.) është thjesht propagandë në shërbim të ideologjisë nacionaliste... Them se është më skandalozja sepse i gjithë opinioni si vendor, ashtu edhe ai ndërkombëtar (e pranoi publikisht apo jo) e di se gjenerata të tëra të popullit shqiptar u përpoqën, demonstruan, u burgosën, luftuan e u vranë pikërisht për ta bërë të qartë aneksimin e Kosovës edhe të trojeve të tjera shqiptare nga ana e Jugosllavisë dje dhe nga ana e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi sot. Për ta bërë të qartë dhe për t’u çliruar nga ky aneksim shumë gjak u derdh, z. Halil. Edhe themelet e kësaj (pa)varësie-shkëputjeje të Kosovës nga Serbia - janë të lara me gjakun e bijave dhe bijve më të mirë të këtij populli, z. Halil. Është në ndërgjegjen tënde nëse do t’i pranosh faktet apo jo, apo do që të vazhdosh e t’i quash faktet historike mite dhe mbrojtësit e tyre nacional-socialistë, manipulatorë, horra e etj.

I vetmi fakt prapa të cilit fshihet H.M. është se Kosova “kurrë nuk ka qenë nën juridiksionin e Shqipërisë” që të mund ta quajmë veprimin e Serbisë aneksim të Kosovës.

Nuk mund të besoj se Halil Matoshi nuk e di se territoret shqiptare (së paku të banuara historikisht me shqiptarë) gjatë historisë kanë ardhur vazhdimisht duke u tkurrur dhe janë tkurrur vazhdimisht nga fqinjët tanë dhe se ky veprim nuk mund të quhet ndryshe veçse a n e k s i m.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë së sotme më 1912 është bërë pikërisht edhe për ta ndaluar këtë tkurrje të mëtutjeshme. Ata që e kanë shpallur shtetin e pavarur shqiptar nuk ia kanë përcaktuar këta kufij që i ka sot Shqipëria. Shqipëria e pavarur, i ka nënkuptuar të gjitha territoret e banuara me shqiptarë, por forca e madhe e pushtuesve të trojeve shqiptare dhe ndikimi i vogël i popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare kushtëzuan padrejtësinë e madhe të copëtimit të Shqipërisë (të territoreve të banuara me shumicë shqiptare do të thoshe ti, H.M. për të shpëtuar, nëse ky është ndonjë shpëtim). 

2) dhe 6) Aventura, mungesa e pragmatizmit dhe rreziku i ndarjes së Kosovës.

Duke e akuzuar Rexhep Qosjen për “humbje të kohezionit e të pragmatizmit politik”, H.M. parasheh një aventurë të frikshme e cila mund të çojë edhe deri te luftëra të reja dhe ndarje të Kosovës 60% : 40%.

Frika të tilla gjatë historisë kanë ekzistuar dhe nuk kemi si t’i shërojmë. Madje populli thotë: Për tut’ s’ka hajmali. Jo rrallë herë para luftërave çlirimtare janë shfaqur edhe zëra të tillë të panikut e të disfatizmit akuza për çlirimtarët për mungesë kohezioni e pragmatizmi etj., etj.. Por në zhvillimet e sotme politike një frikë e tillë e Halilit më duket krejt e paarsyeshme sepse luftëra çfarë ai parashikon nuk shihen askund në horizont dhe se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund dhe do të bëhet edhe pa luftë.

Mundësia e ndarjes së Kosovës është një parashikim më realist i H.M., por habit fakti se si paska menduar H.M. se ajo ndarje do të jetë 60% : 40%. Nga e ka nxjerrë Halili këtë 40% të territorit të Kosovës si risk të Serbisë, këtë besoj se gjithkush është i interesuar ta dijë.

Sipas H.M. Pavarësia e Kosovës pengon bashkimin kombëtar

Edhe vetë projektuesit e pavarësisë së Kosovës, kur e kanë vënë ndalesën e bashkimit të Kosovës me ndonjë shtet tjetër, e kanë ditur dëshirën e vërtetë të shqiptarëve për bashkimin e trojeve të tyre në një shtet të vetëm dhe mundësinë që e krijon pavarësia e sovraniteti në këtë drejtim, përkundër betimeve e zotimeve në të kundërtën të kastës së sotme politike apo të ndonjë halili a liliputi tjetër të pavarësisë.

Pavarësia e sotme e Kosovës është një zgjidhje koniunkturale që i është bërë çështjes shqiptare në Kosovë dhe ndalesa apo cungimi i sovranitetit është produkt i këtyre koniunkturave. Dhe si çdo gjë tjetër në këtë botë edhe koniunkturat nuk vendosen përgjithmonë. Me një presion demokratik të popullit shqiptar, pa ndihmën e Nostradamusit, pa fatin hyjnor dhe pa ndodhur asnjë apokalips, por vetëm me një referendum popullor populli shqiptar i Kosovës do të vendosë nëse dëshiron apo jo t’i bashkohet Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj jo që nuk e pengojnë bashkimin kombëtar, por janë ndihmesë në rrugën e bashkimit. Vetëm pavarësia e cunguar, pavarësia pa sovranitet, pavarësia liliputiane janë pengesë për integrim dhe bashkim të plotë kombëtar si pjesë e bashkëpunimeve e integrimeve ndërkombëtare.

Me kërkesë për bashkim do t’i hidhërojmë aleatët!

(Për saktësi Halil Matoshi nuk e ka përdor termin “hidhërim” por “anashkalim”. Mirëpo një anashkalimi tillë thotë H.M. mund të çojë në ndarje dhe luftëra të reja...dhe zhvendosje të së drejtës tek Serbia dhe aleatët e saj...Pra nëse ne kërkojmë bashkim kombëtar, do të ndodhin gjërat e imagjinuara nga Halil donkishoti dhe “shpëtimtarët” tanë në hidhërim e sipër do ta zhvendosin të drejtën nga ana jonë tek Serbia...!!!).

Pa u lëshuar thellë në histori dhe pa pasur nevojë t’i rikujtojmë pozicionet e atyre që ne sot i quajmë aleatë e shpëtimtarë me rastin e krijimit të Shqipërisë, mund të ndalemi vetëm në historinë më të re të Kosovës e t’i shohim pozicionet e “shpëtimtarëve” tanë dhe do të shohim se ata kanë qenë prerazi kundër pavarësisë së Kosovës, madje edhe në trajtat e sotme të saj dhe kur shqiptarët kanë këmbëngulur e kanë luftuar edhe pozicionet e tyre kanë lëvizur. Kanë lëvizur e do të lëvizin gjithmonë në përputhje me rrethanat dhe me interesat e tyre. “Shpëtimtarët” tanë dhe të gjithë aktorët tjerë të politikës ndërkombëtare nuk i ndërtojnë pozicionet e tyre në bazë të hidhërimeve apo çfarëdo emocioni tjetër por vetëm mbi interesa.

I bëjmë nervoz – i ushqejmë armiqtë tanë!

“Deklaratat e tilla (pra aneksim i Kosovës, e drejtë historike e popullit shqiptar, kërkesa për bashkim kombëtar) jo vetëm që e ushqejnë ultranacionalizmin serb, por...)

Ultranacionalizmi serb nuk ka lindur e as nuk është mbajtur gjallë nga deklaratat e shqiptarëve, por nga historiografia nacionaliste serbomadhe, si zëdhënëse e interesave hegjemoniste të Serbisë. Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare (duke përfshirë këtu edhe deklaratat që ndihmojnë në këtë drejtim) nuk e ushqejnë, por krijojnë premisat për t’u fashitur përgjithmonë nacionalizmi serb, maqedonas, malazez e madje edhe ai shqiptar. Zgjidhja që i është bërë sot Kosovës (sipas Pakos së Ahtisarit), pavarësi e mbikëqyrur, e kushtëzuar dhe e kufizuar, me mohimin e së drejtës së shqiptarëve për të qenë shqiptarë, me mohimin e sovranitetit të këtij populli, me enklavat e barikaduara serbe, me veriun e qeverisur nga Serbia janë ushqyes të përhershëm dhe të mjaftueshëm për ultranacionalizmin serb. Vetëm zgjidhja e plotë e çështjes shqiptare krijon mundësinë e një fqinjësie më të mirë se deri më sot.

Në vend të përfundimit:

Nuk më ka rënë as të dëgjoj e as të lexoj nga një shqipfolës akuza më të rënda (shpifje deri në fyerje) për historiografinë shqiptare, nëpërkëmbje e tallje me luftërat e popullit shqiptar dhe të figurave gjigante të historisë e të publicistikës së tij. “Nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar” është luftuar edhe më herët, por askush deri më tani nuk e ka marrë guximin që historiografinë dhe publicistikën shqiptare ta quajë nacional-socialiste (fashizëm i tipit hitlerian).

Pas shpalosjes së flamurit kosovar, stemës dhe himnit, pas kushtetutës së “komuniteteve” të Kosovës, pas ndalesave të shumta për popullin shqiptar, a duhet të fillojmë të mësohemi (madje edhe të përgatitemi) me një valë të re të luftës kundër “nacionalizmit  dhe irredentizmit shqiptar”, edhe pse në një formë më moderne e më perfide?!

Është ky vetëm një budallallëk i H.M. apo “çka ka shpia e nxjerr thmia”, - kjo mbetet të shihet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora