Mendime
Kastriot Myftaraj: Homos Gërdecikus si ekzemplar i qytetarit shqiptar
E premte, 21.03.2008, 11:31 AM
Homos Gërdecikus si ekzemplar i qytetarit shqiptar
Nga Kastriot Myftaraj
Një nga aspektet skandaloze të ngjarjes së Gërdecit është evidentimi i Homos Gërdecicus, që përbën një ekzemplar të qytetarit shqiptar.Gjëja që të bënte më shumë përshtypje në deklaratat e banorëve të Gërdecit pas tragjedisë ishte se ata kishin qenë të vetëdijshëm për rrezikun që bartte fabrika e vdekjes që ishte ngritur atje në mes të një zone të banuar, ishin plotësisht në dijeni të sasisë kolosale të barutit dhe tritolit, të dalë nga procesi i çmontimit të municioneve, që ishte depozituar atje, të sasisë së madhe të municioneve të depozituar atje, në pritje të çmontimit, ishin të vetëdijshëm për mungesën e kushteve më minimale të sigurisë në të cilat punohej. E megjithatë ata nuk u bashkuan që të dalin dhe të bllokojnë rrugën për të protestuar për këtë gjë, siç bënë pas shpërthimit, nuk shkuan në gazeta, televizione, të kërkojnë që të sensibilizohet publiku dhe politika, qeveria dhe opozita për këtë çështje. Nuk iu drejtuan me apele kryeministrit, Presidentit, Avokatit të Popullit, OJF-ve. Ata u ngritën vetëm kur ndodhi shpërthimi. Kështu do të bënte një komunitet njerëzish Homos Sapiens, për të mbrojtur jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, shtëpitë e tyre dhe pronat e tjera të tyre. Pra, ata do të reagonin si Homo civicus, si komunitet që mbron vetveten me anë të aktivizmit civil. Banorët do të bashkoheshin për të ndaluar rrezikun e përbashkët potencial mbi komunitetin. Në rast se banorët e Gërdecit do të kishin vepruar kështu dhe do të ishin ngritur që në qershorin e kaluar kur u hap fabrika, ose edhe më vonë, e gjithë ajo që bëhej në Gërdec do të ishte bërë publike, me ç’ rast qeveria do të detyrohej ta largonte që andej fabrikën e vdekjes, dhe tragjedia nuk do të kishte ndodhur. Banorët e Gërdecit janë Homo Sapiens dhe megjithatë ata nuk vepruan kështu. Ata nuk vepruan kështu se ata edhe pse janë Homo sapiens nuk janë Homo civicus. Ata reagojnë vetëm ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë për vetveten, familjen, që shfaqet tek gardhi i oborrit të shtëpisë, tek pragu i derës. Fabrika e vdekjes ishte për ta një rrezik jashtë pragut të shtëpisë, apo gardhit të oborrit, çka e bënte atë një problem që nuk ishte i tyre derisa rreziku që përbënte ajo nuk kishte sjellë pasoja drejtpërdrejt për ta. Madje ata e shikonin atë si një gjë nga e cila mund të përfitonin personalisht duke u punësuar atje, madje duke marrë dhe fëmijët e tyre për t’ i ndihmuar. Kur ndodhi tragjedia, ata reaguan si komunitet njerëzish që kishin pësuar nga ajo që kishte ndodhur. Tashmë ata bllokojnë rrugën, protestojnë, kërkojnë që qeveria të shkojë tek ata, ndryshe kërcënojnë se do të shkojnë ata tek qeveria. Ky është Homos Gërdecicus. E keqja është se Homos Gërdecicus nuk është vetëm në Gërdec, ku është një komunitet njerëzish ruralë, në pjesën më të madhe të ardhur nga zonat malore të Veriut të Shqipërisë, dhe që banojnë kryesisht në një zonë informale. Homos Gërdecicus nuk është vetëm në Gërdec por është edhe në qytetin e Durrësit, ku banorët i shikojnë depozitat e kompanive greke të naftës që janë në port, fare pranë një zone urbane shumë dendësisht të populluar, jashtë çdo norme sigurie ndërkombëtare, me atë indiferencë që banorët e Gërdecit shikonin fabrikën e vdekjes. Nëse depozitat e naftës në portin e Durrësit do të marrin zjarr natën, kur njerëzit janë në gjumë, nga shpërthimet dhe reja vdekjeprurëse e zjarrit dhe tymit do të vdesin dhe asfiksohen 200 mijë vetë, që do të zgjohen gjysmën të asfiksuar dhe nuk do të mund të orientohen në shtëpitë e tyre ku vala goditëse e shkaktuar nga shpërthimet, që do të përcjellë tym dhe zjarr, do të shkaktojë zjarre dhe shpërthime të reja. Banorët e Durrësit janë të vetëdijshëm për këtë gjë, shpesh bisedojnë për të, e megjithatë nuk reagojnë. Nëse do të ndodhë tragjedia, ata (ata që do të mbeten gjallë) do të reagojnë si banorët e Gërdecit. Homos Gërdecicus është dhe në Tiranë ku në lagjet e ndryshme të qytetit, deri në qendër, ka shumë pika shitjeje karburanti, Të tilla ka dhe në botë, por ato kanë kapacitet të vogël dhe kanë masa shumë të larta sigurie. Ndërsa në Tiranë ato kanë kapacitet të madh dhe masat e sigurisë janë shumë larg standardeve. Madje, në disa pika karburanti në mes të Tiranës, vetëm disa metra larg pallateve, kam parë të shiten dhe bombola gazi të lëngshëm. Nëse do të shpërthejë një nga këto pika karburanti do të vdesin disa qindra njerëz, ndër ata që kanë shtëpitë atje, ata që janë në dyqanet apo kafenetë pranë tyre, ata që ecin në rrugë, ose udhëtojnë me makina. Banorët janë të vetëdijshëm për rrezikun e megjithatë heshtin për të. Ata janë Homo Gërdecicus edhe pse janë kuintesenca e popullsisë urbane të Shqipërisë. Nëse do të ndodhë tragjedia ata do të reagojnë si njerëzit e Gërdecit pas shpërthimit në Gërdec. Homos Gërdecicus shqiptar është në qytetin e Tiranës, në periferitë rurale dhe informale të tij, është në provincë, është gjithandej. Gërdecasi është shqiptari për antonomazi. Para disa ditësh isha ulur me disa intelektualë në një kafene pranë një pike karburanti pak metra larg Sheshit “Skënderbej”, në qendër të Tiranës dhe po dëgjoja përgjigjet e pyetjes që shtrova unë për qëndrimin e çuditshëm të njerëzve të Gërdecit, siç e shtjellova në fillim të këtij shkrimi. Pasuan shpjegime për mentalitetin rural, fisnor të këtyre njerëzve një pjesë e mirë e të cilëve kanë ardhur nga fshatrat e Veriut, për mungesën e sensit komunitar civil etj., etj., të gjitha gjëra që i dëgjon rëndom në forumet e së ashtuquajturës shoqëri civile të Tiranës. Pasi i dëgjova një copë herë i pyeta se si shpjegohej sjellja e e popullsisë që banonte në pallatet rreth pikës së karburantit, pjesa më e madhe e të cilëve të ndërtuar në kohën e komunizmit dhe të populluar nga elita urbane e Tiranës, dhe që nuk reagonte përballë rrezikut. Në përgjigje të kësaj pyetjeje argumentet filluan të justifikohen, duke u thënë gjera si jo po dhe popullsia urbane tradicionale në Shqipëri vjen nga një traditë e caktuar, ai që quhet mjedis urban duhet marrë në sens relativ etj., etj. Shkurt, u thashë, qytetari shqiptar, si banor i zonave urbane më të zhvilluara, praktikisht në thelb nuk ndryshon nga banori rural i Gërdecit. Këtu nuk më dhanë përgjigje. Dikur, Zhozef Dë Mestrë, duke iu përgjigjur pyetjes të Rusoit se si është e mundur që njeriu, i cili lind i lirë, e gjen veten gjithandej në shoqëri të lidhur me pranga, përgjigjej se kjo është njëlloj si të thuash se përse delet që lindin mishngrënëse janë bar. Qytetari shqiptar, Homos Gërdecicus, është si “delet”, i lindur “mishngrënës”, pra që në letër ka liri dhe të drejta të cilat mund t’ i ushtrojë si Homos civicus për të mbrojtur interesat e veta, por megjithatë ai “ha bar”, pra hesht, rri indiferent para rrezikut që i vjen nga abuzimi i qeveritarëve. Kjo sjellje e ka origjinën tek një mentalitet i trashëguar nga shumë breza të formuar në një mjedis osman dhe bizantin, ku Homos civicus nuk njihej, dhe ku reagohej vetëm ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë personal dhe familjar. Homos Gërdecicus ekziston edhe në të ashtuquajturën shoqëri civile. Lëvizja “Mjaft”, G-99 e Erion Veliajt dolën pas ngjarjes që të protestojnë dhe të kërkojnë dorëheqen e kryeministrit Berisha. Por ata të gjithë e dinin se në Gërdec ishte fabrika e vdekjes se ata janë në dijeni të asaj që bëhej në Gërdec, se një ditë para se të ndodhte shpërthimi në Gërdec, Erion Veliaj, në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, foli për biznesin me armët dhe municionet, duke lënë të kuptonte se dinte shumë për këtë çështje. Por, Veliaj, si drejtues i “Mjaft” heshti për këtë çështje, nuk organizoi një protestë. Pse? Se protestat e Veliajt dhe “Mjaft” janë aktivitete të paguara nga ambasadat dhe organizatat e huaja. Për këtë çështje Erionin nuk e kishte paguar kush, kështu që ai nuk mori mundimin të reagonte. Kështu që edhe Erion Veliaj dhe njerëzit si ai janë Homo Gërdecicus. Prandaj ata protestuan për Gërdecin dhe nuk kanë protestuar kurrë për depozitat greke të naftës në portin e Durrësit. Në thelb edhe kryeministri Berisha, ministri i mbrojtjes Mediu, Presidenti Topi dhe qeveritarë të tjerë, janë Homo Gërdecicus, se ata mendonin për përfitimin abuziv që do të vinte nga fabrika e vdekjes në Gërdec, duke qenë indiferentë ndaj rrezikut të saj. Fatmir Mediu, si Homo Gërdecicus, nuk e perceptonte dot se fabrika e vdekjes e Gërdecit realisht ishte projektuar në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes, pranë dritareve të zyrës së tij, dhe praktikisht shpërthimi atje, do ta flakte dhe Mediun tutje nga kolltuku i ministrit. Edhe kryeministri Berisha, si Homo Gërdecicus, nuk e mendonte se fabrika e Gërdecit ishte projektuar në trotuarin para selisë së Këshillit të Minsitrave dhe se rrezikonte ta flakte nga kolltuku i kryeministrit. Në këtë çështje, edhe Presidenti Topi, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, edhe drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri, janë sjellë si Homo Gërdecicus. Edhe liderët e opozitës u sollën si Homo Gërdecicus, se ata nuk mund të mos ishin në dijeni të asaj që ndodhte në Gërdec se Gërdeci për ta është pjesë e “bazës” së partisë ku kanë seksionet partiake dhe votuesit. Ata e dinin por fërkonin duart duke uruar të ndodhte ajo që ndodhi që t’ u hiqej qafe Berisha. Kështu ata bënin llogari cinike si Homo Gërdecicus të vërtetë. Largimi i Berishës nga posti i kryeministrit qetëson Homos Gërdecicus shqiptar të revoltuar, por Homos Gërdecicus është një problem i madh që mbetet me ikjen e Berishës. Si i bëhet me Homos Gërdecicus, pra me shqiptarin? Shqiptari është votues Homo Gërdecicus, që nxjerr deputetë Homo Gërdecicus që nxjerrin qeveritarë Homo Gërdecicus, që nxjerrin një Prokuror të Përgjithshëm Homo Gërdecicus. Prokurorja e Përgjithshme- Homo Gërdecicus, Ina Rama, filloi çështjen penale për çështjen e Gërdecit, por ajo nuk bën asgjë për çështjen e depozitave greke të naftës në portin e Durrësit që është qyteti i saj i lindjes. E pra, ajo mund ta fillonte çështjen kryesisht, edhe nga njoftimet në media, siç ia lejon ligji, dhe t’ i bllokonte ato, duke i penalizuar ata që i kanë ngritur. Por ajo nuk bën asgjë. Dilema qendrore shqiptare është se si do të kemi pushtetarë të mirë në të gjitha pushtetet, kur ata dalin nga vota e Homo Gërdecicus. Homo Gërdecisus nuk mund të ketë sovranitet, ai duhet vënë nën një sovranitet qeverisës të pavarur prej tij, dhe që përbëhet nga shqiptarë që nuk janë Homo Gërdecicus.