E hene, 29.04.2024, 04:19 PM (GMT+1)

Mendime

Henri Çili: Po sikur ta shfajësonim qeverinë!

E enjte, 20.03.2008, 05:00 PM


Po sikur ta shfajësonim qeverinë!

Nga Henri Çili

Përgjegjësia e qeverisë në atë që ndodhi në Gërdec, me në krye ministrin e Mbrojtjes, nuk do më asnjë provë dhe debat. Si një qytetar që nuk beson dhe aq shumë tek qeveritë, dhe për më tepër kur si liberalë luftojmë për një sistem ku gjërat të mos na varen sa më shumë të ishte e mundur te qeveria, ajo që është alarmante në katastrofën e Gërdecit është mbetja zbuluar jo vetëm nga moskujdesi dhe papërgjegjshmëria që duhet të japë një qeveri ndaj qytetarëve të vet, por mbetja zbuluar dhe nga gjithçka tjetër që nënkupton një sistem demokratik për t’u garantuar nga mosfunksionimi a keqfunksionimi i qeverisë.
Ndaj për herë të parë, me përgjegjësi qytetare do të duhet ta ndajmë këtë përgjegjësi bashkë me qeverinë dhe Kryeministrin Berisha. Me një rend hierarkik, nëse sot do të duhet të bëja “avokatin e djallit” të qeverisë për këtë ngjarje, pavarësisë pamundësisë logjike për ta bërë këtë, do të bënim këtë renditje:
Ndërkombëtarët, misioni i NATO-s dhe BE-së në Shqipëri. Në Shqipëri veprojnë disa misione të NATO-s, BE-së dhe organizma, programe dhe projekte të tjera, të cilat i paguajmë apo i paguajnë taksapaguesit e nderuar perëndimorë pikërisht për të monitoruar, për të vëzhguar, për të tërhequr vëmendjen rreth çështjeve të sigurisë në këtë vend. Rreth ngjarjes në fjalë, të paktën deri në nivelin publik, asnjë aksion, veprim apo presion mbi autoritetet nuk ka ndodhur që të paralajmëronte këtë ngjarje. Ky është dështimi i parë.
Opozita. Opozita kontrollon qeverinë dhe mbi të gjitha opozita parlamentare ka kuptim pikërisht për të monitoruar të tilla elementë dhe çështje të qeverisë. Ne besojmë te kontrolli civil mbi forcat e armatosura dhe shërbimet sekrete, pikërisht sepse në këtë komision marrin pjesë deputetët e opozitës, të cilët monitorojnë, të miratojnë aktet ligjore, nënligjore, të kontrollojnë apo të alarmojnë publikun, me të drejtën e përfaqësimit të popullit që i njeh demokracia. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur pikërisht për këtë çështje. Përfshi kështu dhe këshilltarë lokalë të opozitës në Vorë.
Pushteti lokal. Kemi një nivel tjetër të pushtetit në këtë vend, që është pushteti lokal, i cili para se të jetë i partisë është pushteti i komunitetit të njerëzve që e ka zgjedhur. Rasti i Gërdecit, ku kryetari i Bashkisë së Vorës del dhe si qyqar thotë se “kishte bërë shkresë që në vend të fabrikës të bëhej një terren sportiv”, tregon se ne ende nuk kemi pushtet lokal në Shqipëri, se pushteti lokal në këtë vend janë disa të emëruar të partisë, të cilët janë nën nivelin e përgjegjshmërisë së ish–kryetarëve të komitetit ekzekutiv që emëroheshin nga qeveria komuniste.
Media, media është një dështim tjetër spektakolar në këtë tragjedi. Gjatë gjithë kësaj kohe që kjo fabrikë e rrezikshme punon jo më shumë se 15 kilometra larg redaksive kombëtare të mediave, asnjë lajm, reportazh, investigim nuk është parë në median shqiptare për këtë subjekt. Aq më tepër që kjo ishte një ngjarje, në të cilin merrnin pjesë qindra e qindra vetë, zhvillohej në mes të ditës dhe me akte formale, shkresa, kontrata jo aq vështirësisht të gjetshme.
Shoqëria civile, shumë organizata të shoqërisë civile, për çështjet e sigurisë, ambientit, të drejtave të njeriut, të punës etj., të cilat funksionojnë në këtë vend dhe marrin mjaft fonde nga ndihma e miqve perëndimorë, nuk qenë në gjendje, që për një situatë që zhvillohet një hap nga Tirana, të mund të bëjnë një raport, paralajmërim, të dërgojnë një shkresë apo të bëjnë një ankesë.
Sikur vetëm një prej këtyre mekanizmave të kishte funksionuar, nuk do të ishim sot në këtë tragjedi, edhe sikur të mos kishim as edhe një shpresë tek ekipi mediokër e kësaj qeveri në sektorët e mbrojtjes, ambientit apo punës e mbrojtjes sociale. Asnjë prej tyre nuk ndodhi dhe kjo është edhe më shqetësuese për të ardhmen se sa pasja në drejtimin e vendit të një ekipi që jo vetëm nuk jep më shpresë, por as nuk siguron më. Të gjithë jemi sot fajtorë për ndërtimin apo pjesëmarrjen tonë në një sistem, që nuk është se nuk funksion vetëm në majë të tij, por që nuk funksion askund. Kjo nuk do të thotë se qeveria nuk është përgjegjëse. ... e megjithatë ajo është përgjegjësja kryesore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora