E diele, 28.04.2024, 03:16 AM (GMT+1)

Mendime

Interviste me kompozitorin e shquar prof.Akil Kocin

E hene, 10.03.2008, 07:00 PM


Bashkëbisedoi: Fahredin Shehu

" Poetët janë profetë të bukurisë, trazirës dhe harmonisë, trininë të cilën e njeh vetëm arti i dashurisë"
Saban Sarenkapic. KUDILEMA

Akil Koci
Fillimi i kësaj bisede më një thënie të një poeti i cili ka filluar vonë të shkruaj prozë, miku im nga Sarajeva Shaban Sharenkapiq, për t’u ndërlidhur me figurën e Akil Kocit mund të duket paradoksal, mirëpo Simfonia e krijimtarisë muzikore, figura ekscentrike dhe e gjallë, elementi human dhe fondi i begatshëm i Akil Kocit çdoherë më bën të admiroj gjithë këtë pleromë të cilën ai e artikulon në mënyrë aq poetike, aq tq harmonizuar aq të mbarsur me dashuri sa që jam larguar nga prezantimet biografike të tipit të atashuar dhe poster-ik.
Kështu që kam kërkuar nga Akil Koci që ta bëjmë një bisedë më kontemplative dhe të qetë njëlloj sikur vet, në vetminë krijuese përsiat për vetën, artin dhe gjithë çka ai bën. Pra të me flet ashtu si kur flet me vetvetën.
Pyetjet nuk janë parashturuar që të zhvillohet një bisedë stereotipe, por të ekstraktohen ato që Akil Koci ndoshta nuk ka dashur asnjherë t’i thotë askujt, me qëllim të zbulimit të disa atributeve të çmuara të tij që i ka mbajtur sekret dhe të cilat nuk i ka manfestuar më herët, e që të ta liroj erandjen për hundët e shëndosha në këtë parfumeri shpirtërash.
Për pyetjet e mia njeriu i madh më thotë:
Së pari dëshiroj të them pyetje që mi keni shtruar që të përgjigjem janë të nivelit shumë të lartë, serioze dhe kërkojnë përgjigjen adekuate, jo vetëm me qasjet e personalitetit tim si njeri, krijues, por edhe më gjerë, pra filozofike pse jo edhe shpirtërore, si imazhe ku artikulohet edhe jeta shpirtërore për të cilën ne krijuesit dhe artistët e përjetojmë si sintezë kosmogonike, metafizike me një gjerësi artistike me të cilën e shprehim qartë në artin që e krijojmë me një kohë hapësirë semantike, por jo në rrafshin mitik, por real duke krijuar vepra me tematikë shpirtërore, sidomos kur semiotika ka për qëllim formën dhe përmbajtjen e caktuar.
Pra, krijimet që kanë për bazë e elementët shpirtërore të shenjta nuk kanë retorikë të zbrazet dhe gjykimeve të njëanshme dhe aprioristike, por janë punuar me një besim të plotë në atë kompleksitetin e gjerë dhe kategorik të vërtetësinë e saj.
Me gjithë atë do të mundohem që të jem i qartë dhe me argumente duke u nisur nga diskursi se forcën krijuese e transformuese që posedon njeriu është edhe argument i veprimtarisë së tij artistike dhe estetike.

Pyetja ime ishte:

Kur jeni njohur për herë të parë me Akil Kocin?

-Jam formësuar në një familje me tradita të larta patriarkale në kuptimin me pozitivë prej babait i cili bënte pjesë në ata të paktë intelektual të Prizrenit, i cili ka folur shumë gjuhë dhe ka punuar në vitet e 1900-ta si përkthyes në konzulatën e Austrisë.
Pra, prej babait intelektual dhe nënës shtëpiake me virtyte të pastra fetare dhe kombëtare si i njëmbëdhjeti fëmijë prej gjithësej dymbëdhjetë sa kemi qenë, kam një edukatë sipas mendimit tim, tani kur i analizojë gjërat mire, isha i bindur, gjë që edhe tani jam më së i bindur për ndershmërinë e tyre si njerëz edhe si prindër jo vetëm pse na flisnin bukur dhe qartë, por ata kërkoni nga që ta flisnim të vërtetën, pa hipokrizi, larg intrigave dhe për një shpirt të pastër dhe të lirë, por pa e harruar edhe identitetin tonë kombëtarë. Kjo ishte motoja e tyre e edukatës që na jepnin edhepse prej viteve 1938-41 kemi jetuar në Shkup në një rreth shumetnik, shumë kulturor dhe shumë gjuhësor e kjo ka qenë rrezik prej asimilimin tonë.
Me qëllim e bëra këtë hyrje për të mundur t’i përgjigjëm pyetjes mjaft të vështirë. Akili e ka njohur Akilin atëherë, kur nuk kam mundur ta dijë se unë si qenie jam pjesë e këtij universi si një univers brenda universit njerëzor, si një qenie e ndërgjegjshme, brenda, të themi me gjuhën filozofike, parimeve të përgjithshme njerëzore, sepse më së vështiri në ketë botë të detronizuar jo vetëm në aspektin kulturor, por në çdo pikëpamje të jeshë njeri, me identitet, e në mungesë të saj vjen dëshpërimi dhe të gjitha pasojat me te ose siç ka thënë poeti Richard Kewarney në veprën e tij “Europe sans rivage” Nëse një pemë është më shumë se një pemë është edhe një strehë, një fryt,një, freski, një hije dhe rrënjët e shtrira thellë, sepse tek secili nga ne, tek secili nga popujt tanë, ajo ka një strehë, një hije, një rrënjë”, pra, Akili nuk i ka ditur të gjitha këto dhe është dashur të kaloj një kohë e gjatë, por e rëndësishme është se njeriu duhet me veprime, pasion dhe
dinamikë të jetës, të jetë jo vetëm i ndershëm por edhe gjithnjë i ri në gjithësinë e shpirtit përreth shumë sfidave dhe labirinteve që na rrethojnë çdo ditë në çdo kohë. Pra, shkurt, edhe sot kur jam në dekadën e tretë të jetës Akilin nuk e njoh sa duhet dhe çdo kush që thotë se e njeh vetën e fletë të pa vërtetën, sepse njeriu me një gjest, veprim mund t’i humb të gjitha që tërë jetë ka punuar. Pra, Akili AKILIN nuk e njeh sa duhet edhe pse mendoj se e njeh.

F. Sh. Sa keni marrë dhe sa i keni dhënë kulturës shqiptare?

Nëse kemi parasysh se kultura shqiptare i ka rrënjët nga ajo e para ardhësve tanë, pra që nga Antikiteti, Mesjeta, Renesanca, shekulli XVI dhe XVII-Klasicizmi e deri sot si qytetërim modern, është gjë e domosdoshme që të shtrohen disa pyetje për të ardhur deri te pyetja e Juaj, sepse, populli i ynë duke kaluar nëpër këto epoka, të cilat nuk janë të varfra, nga shumë aspekte, e sidomos nga mendimi filozofik, estetik e pse jo edhe artistik dhe shkencor, pyetjet e Juaja kanë dhe përfshijnë ketë objektiv, është e domosdoshme që të përmendim ca të themi mendime jo vetëm të mia por edhe të shumë shkencëtarëve, filozofëve, artistëve për të plotësuar dhe për ta kuptuar këtë shtrirje kohore, për ta konceptuar rolin e kulturës, e cila u krijua shpesh-herë edhe në kushte të pa përshtatshme për një zhvillim normal të saj. Megjithatë sipas parimeve kronologjike do të shohim se si të parët tanë i kanë dhënë njerëzimit me dijen e tyre qofshin si prijës shteti, luftëtar, filozof,
shkencëtar, shkrimtar, arkitekt, muziktar etj., vlera të pakontestueshme duke filluar që nga Antikiteti e deri sot. Me të drejtë thotë Dora d’Istria: ”Arbëria gjithmonë njerëz të mëdhenj ka nxjerrë”.
Ndoshta, ndonjëri mund të mendojë se këto qasje janë anakronike, por duhet të flasim realisht në bazë të shkrimeve se kultura e jonë e tanishme është vazhdimësi dhe produkt i një kulture më të hershme, si produkt i shpirtit të një populli dhe jo si një metafizikë e përgjithshme, bazuar jo vetëm në doktrinën Hegeliane, por edhe në shumë disiplina të tjera filozofike.
Pa e zgjatur shumë të parët tanë kanë dhënë mbi 10 Perandor të Perandorisë Romake, mbi 30 Sadri Azema në Perandorinë Otomane, kurse në art, shkencë dhe kulturë kanë qenë mbi njëqind figura të ndritura, persona të njohur duke filluar që nga Niketë Dardani muziktarë i shekullit IV, Jan Kukuzeli, Kolë Dursaku dhe mbi dhjetë të tjerë muziktarë të famshëm, skulptorë dhe arkitektë Radovani, Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, piktor, skulptorë e dijetarë shqiptarë, Marinë Biçikemi, Mikel Maruli, Zef Albani, Gjon Albanezi dhe me dhjetra të tjerë në Itali kurse arkitektët në Turqi; Sinan Atiq Aga, Mehmet Sadefqari, Arkitekt Kasemi, Ustah Mehmet Isaja si dhe shumë personalitete të shekullit të kaluar dhe Rilindësit të cilët luftuan jo vetëm me armë, por edhe me penë si janë Karl Gega, Ismail Efendi Dedei, Luigj Karl Albanesi, Dhimitër Mihail Toskani, Alekdsandër Mojsiu, Naim Frasheri, Patër Gjergj Fishta, Fan Noli, Krist Maloku dhe shumë të tjerë.
Në një tempull të lashtësisë janë shkruar vetëm dy fjalë me shumë domethënie “ Njih vetveten”, pra duke e njohur vetë vetën edhe si popull edhe si person kam marrë shumë nga kultura shqiptare, kurse kontributi i im është modest për t’iu bashkangjitur kësaj kulture.

F.Sh. Çka është muzika dhe pse muzika?

Në shkollën e mesme muzikore në Prizren ka qenë një profesor i cili sa herë vinte në mësim na pyete Çka është muzika? ne ishim të detyruar t’i përgjigjemi si papagaj “Muzika është art që ta kënaqë veshin”, gjithnjë kam dyshuar në atë përgjigje aq të thjeshtë aq të pa kripë edhe atëherë si nxënës edhe më vonë, sepse përgjigja nuk përkonte me thelbin e problemit me fuqinë reale të saj, pse jo edhe me artin që paraqet një filozofi në vete.
Duke e ditur se ajo posedon në vete vrujime, fshehtësi dhe një provokim të madh; dhe duke filluar nga këto parime që i kam kuptuar më vonë si student, duke lexuar dhe studiuar fenomenin e këtij arti, kam vërejtur se ajo kishte edhe shumë elemente të tjera edhe më të rëndësishme se sa ajo që “ta kënaq veshin “.
Kështu bie fjala nëse bazohemi në studimet që nga filozofët më të hershëm Konfucie , i cili muzikës i jep një rëndësi të qartë mbi natyrore, duke thëne “se muzika prodhon njëfarë kënaqësie, pa të cilën nuk mund të bëjë natyra njerëzore”, kurse Pitagora, i jep atribute shkencore i cili nga ai aspekt edhe e studion ”duke mos i besuar thjesht veshit dhe duke bërë llogaritje matematikore mbi tingujt” për deri sa estetët mesjetar duke u bazuar në idetë e filozofëve Platonit dhe të tjerëve, muzikën e pranojnë si bukuri eterne dhe hyjnore, kurse filozofët e shekullit tonë i japin atribute edhe më të rëndësishme.
Ndoshta ca thëniet e personaliteteve të shquara dhe të ndritura i japin një vlerësim më të madh në planin jo vetëm filozofik/artistik, por edhe estetik këtyre konkluzioneve të përmendura .
Hajnrih Hajne i thotë “Muzika është diçka e çuditshme. Mund të thosha se muzika është një mrekulli. Pasi ajo qëndron midis mendimit dhe dukurisë, midis shpirtit dhe materies”, Alfonc Dodes “Muzika është një planet tjetër”,”Muzika është arti i të menduarit me tinguj” Zhul Kombarje,”Muzika është gjuha e engjëjve” Tomas Karli, ”Pas heshtjes,ajo që shpreh më mirë atë që nuk shprehet, është muzika” Aldus Hakslej, Martin Luter thotë” Djalli nuk qëndron aty ku ka muzikë”, dhe po e mbarojmë me thënien e Leon Tolstoit” Muzika është skenografia e emocionit”, pra për muzikën kemi me mija thënie të tjera poetike të dala nga përvoja krijuese, meditimet dhe ndjesitë për ketë art të bukur.
Siç pamë ajo posedon shumë vlera përveç hedonizmit e që të gjitha nuk mund t’i përmbledhim në një përgjigje, por mendimi estetik në universin e saj universal koncepton muzikën si “harmoni shpirtërore”.
Pra, pikërisht për ketë arsyeje vjen përgjigja tjetër Pse muzika?, edhe pse nuk kam qenë i vetëdijshëm si i ri për rolin e saj në jetën e njeriut, më vonë e kam kuptuar jo vetëm për ta qetësuar kërshërinë time, por edhe për ta zgjeruar dijen time për këtë art i cili më vonë më behet jo vetëm vokacion i rëndomtë por krijues si qasje empirike, shkurt jeta e ime.

F. Sh. A i besoni binomit Artist-Altruist?

Jo vetëm që i besoj, por ajo duhet të jetë dhe është gjithnjë prezente në krijimtarinë e çdo artisti, sepse aplikon dhe vë relacione me konsumuesin jo vetëm përmes diskursit artistik, por edhe ,,prodhimeve,, të tija artistike nga dëshira për të bërë mirë, sepse ato nuk paraqesin vlerë personale dhe autoriale, por shtrihen edhe në universin dhe identitetin kombëtar, edhe pse universialiteti duhet ta ruaj identitetin e vet jo vetëm krijues por edhe më gjerë.
Vepra artistike krijohet jo për vetë autorin e saj, por për një opinion më të gjerë, pra ai flijon vetën me punën e vetë artistike dhe dëshiron, synon për të bërë mirën vetës edhe të tjerëve.
Një vepër letrare, muzikore, e artit pamor, skulpturë janë pjesë integrale e një kulture të përgjithshme të një komb i të një rrethi që merr përmasat e një logosi, etnosi dhe si atribut personal ravijëzon që jetën personale ta shndërron për të mirën e kolektive. Prandaj ky binom si nocion i fuqishëm duhet të rrezatoj si strukturë dhe si sintezë reprezentative.

F.Sh Çfarë roli luan feja në krijimtarinë e Juaj?

Feja ose fetë si sisteme besimesh, kanë luajtur një të rol të madh në jetën e njerëzve që nga kohërat e lashta e deri më sot.
Nuk do të hyjë në shpjegim të saj, sepse nuk jam i thirrur, megjithatë para se të jap përgjigjen në pyetjen e shtruar jam i obliguar t’i sqaroj ca teza që mund të themi lirisht se ato nuk janë oponencë ndaj realitetit në art dhe jo vetëm në art por edhe në jetën shoqërore e sidomos në atë filozofike dhe artistike për të cilën në pyetjen e Juaj edhe insistoni.
Që nga krishterimi i hershëm dhe para kësaj ndarjeje në shekullin e katërt pas Krishtit në Perandorinë e Perëndimit (Roma) katolicizmi dhe atë të lindjes (Konstatinopoja) Ortodoksizmi, hasim në divergjenca të mëdha në art dhe shkencë pse jo edhe në ndarje të tjera.
Mirëpo, kuptimi për fenë dhe Zotin si i gjithëpushtetshëm, si qenie supreme, hyjnore pa fillim e mbarim, pra si Demiurgu i cili krijojë botën duke i dhënë një kuptim ontologjik harmonisë së kozmosit nuk ndryshoi ky parim, por shtrihej edhe në art dhe kështu kemi Gregorinë e Nisës (331-395) pas Krishtit, i cili i drejtohet Dhiatës se vjetër me këto fjalë ku pos tjerash thotë ”....dëgjoi këngën që këta qiej i këndonin Perëndisë që i kish krijuar”. Pra në qendër të vëmendjes ishte Zoti por edhe Jezu Krishti si Njeri Perëndi, pra të gjitha artet ishin në shërbim të Zotit dhe fesë, ndërtimi i kishave, Bazilikave dhe Katedraleve duke thënë ”.... janë krijuar jo nga arti dhe fuqia njerëzore, por me porosi të Zotit”.
Në një atmosferë të tillë dhe me edukatë ekumeniste s’ka se si mos të i kushtohen artit sakral krijuesit më eminent botorë.
Bah kompozoi shumë vepra sakrale ” Mesha h-mol“ vepër madhështore edhe pse Luteran kompozoj veprën kishtare katolike, Beethoveni kompozoi “Meshën solemne” edhe shumë vepra të tjera. Ai ka marrë vetëm elementet e formës kishtare, por e ka habitur opinionin me një radikalizëm duke thënë se “vetëm arti dhe shkenca ngrisin njeriun deri te Hyu”.
Vepra sakrale hasim edhe të shumë kompozitor anë e mban Evropës, kompozitorëve të shteteve dhe kombeve të ndryshëm, kurse në artin pamor u krijuan vepra kapitale si janë ato të Rafaellos “Zonja me vello”ose ” Madona me fëmijë” në Pallatin Pitti simbol i bukurisë mistere, veprat e Leonardo da Vinçit dhe Mikelanxhello Buonarotit, paraqesin kulmin e krijimtarisë jo vetë në Kapelën Sikstine, por edhe në shumë kisha dhe katedrale duke shprehur tërë atë art të tyre mbresëlënës.
Me mija shembuj kishim cituar por vendi në këtë përgjigje nuk lejon. Kështu pra tërë artin mesjetar edhe atë të më vonshëm ishte bazuar në figura hyjnore, kurse më vonë te rilindësit ato zëvendësohen dhe me figura të jetës së përditshme. Po te ne ç’ndodhte? ishim nën robërim e Perandorisë osmane ku mbizotëroj arti oriental ndaj artit oksidental, më e keqja ndodhi në trojet tona me arritjen e sistemit komunist që predikonte se “feja është besim i verbër...tërësi dogmash që i japin një botëkuptim fund e krye idealist i cili është armik i betuar....”, u krijua në trojet këndej dhe andej kufirit një kataklizmë sa i përket kësaj çështjeje.
Unë i edukuar në një familje krishtere u gjeta si ri në dilema dhe sfida nga më të ndryshmet, edhe pse i vogël krejt, lindin në mua dyshime të cilat nuk i kuptoja, sepse edukata në shtëpi me atë në shkollë ishin diverguese.
Tani po kthehem në pyetjen e Juaj.
Feja nuk ka luajtur rol në krijimtarinë time të hershme, por besimi ndaj sajë ka qenë gjithmonë prezent.
Për arsye tanimë të njohura, krijonim vepra me tematikë nga “Lufta Nacional Çlirimtare”, për Titon dhe të tjerë kurse më atë anë kufirit për lloj Komesarësh, Xhaxhain dhe palaço të tjerë në frymën e realizmit socialist edhepse në shkollimin e rregullt në Akademinë muzikore bënim edhe muzikë sakrale në orët e lëndës Kontrapunkt për të njohur formën e saj.
Aty këtu ndonjëri prej kompozitorëve tanë shqiptarë të Kosovës kompozonte edhe këngë për fëmijë por me pseudonime, kurse më vonë filluam të krijojmë edhe vepra të tilla duke filluar që nga Lorenc Antoni, Vinçenc Gjini, Zeqirja Ballata, Rrauf Dhomi, Gjergj Kaçinari, Bernardina Mjeda dhe ndonjë tjetër. Sa i përket krijimtarisë time kam ca vepra me tematikë sakrale të krijuara nga një shtytje e brendshme si Vox Dei “Mesha Nata e kërshëndellave, ”Gloria për Atin” , ” DeProfondis” , ”Te Deum” dhe ca të tjera.
Porse veprat Kantata “Nënës së Dhembjës”, pastaj ”Gloria Festive”; e para e shkruar në gjuhën parë më ndyshe. ”Gloria festiva –Nënës tereze”, u ekzekutua 2 herë nga Kori dhe Filharmonia e Kosovës, njëherë me rastin e Shenjtërimit të Sajë dhe herën e dytë me rastin e jubileve të mija, janë kompozuar me një dashuri dhe shpejtësi marramendëse.
Mirëpo, te unë e as te kolegët e mi nuk ka qenë problemi që ka tingëllim të muzikës sakrale, por pse nuk është më ajo shprehje si në veprat e mia të hershme që kam përdorur një gjuhë ”me tendenca të muzikës moderne e avangarde”, por një gjuhë krejt tjetër, duke mos e përfill shprehjen e krijimtarisë më të hershme. Kolegët e mi nuk e din se sot ajo muzikë ”Avangarda” e viteve të 50- 60 , u krijua nga zemërimi dhe protesta si organizim total i të gjitha elementeve të shkollës së Darmshtatit si dhe ndaj diktaturës të cilën e zbatonin Boulez, Nono dhe Stockhauzen”, thotë klasiku muzikës moderne Krzystof Penderecki, kurse ai i u kundërvu regjimit komunist Rus përmes muzikës sakrale me veprën madhështore me premisa antologjike ” Mundimet sipas Lukes”.
Ai ka menduar se “elektronika është ardhmëria, por ajo ta hup identitetin autorial” shton Penderecki. Mjerisht kompozitorët tonë e sidomos këta të Shqipërisë sillën rrotull rreth kësaj muzike edhe pse ajo ka humbur primatin dhe aktualitetin.
Pra, edhe unë me ketë muzikë me tingëllime hyjnore në vazhdën e një ligjërimit muzikor aktuale kam krijuar ato vepra sakrale që i përmenda më parë, sepse për një Shenjtë siç është Nëna e jonë e madhe Nëna Tereze s’mund të përdorën britmat dhe vikamat të një aleatorike të pa kontrolluar.
Sot duhet kërkuar aktualitetin në Minimalizmin e Philip Glass-it, të Thjeshtësisë së re, dhe shprehje të tjera aktuale, çdo krijues ka të drejt të ndjek rrugën më të përshtatshme që ai mendon se duhet ta ndjek, tek e fundit edhe ajo është njëra nga elementët qenësore të drejtave të njeriut .
Në muzikën time më të re i është thënë stop ekzekutuesit dhe improvizimeve të tija, ndonjëherë të suksesshme e ndonjëherë improvizimeve pa imagjinatë dhe më nuk ka liri në ekzekutimin e veprave të mia, por në mënyrë të prerë duhet t’i përmbahen notave të veprës.
Me veprat sakrale disa kompozitor kanë mundur të mbërrijnë në qiell, kurse Bahu, Mocarti dhe Beethoveni kanë arritur nga qielli.

Akil Koci ende mbanë çiltërsinë fëmijërore në krijimtari dhe atitudë gjë që e sakralizon personin e tij dhe kjo e bën të ngritet mbi përditshmërinë apo të thellohet duke u fshehur dhe ikur nga portretizimet e skicuara dhe të çastit.
Në mend më bie ndodhia e një ekspozite në SHBA se si një kritik i artit pamor në ekspozitën e Jackson Pollock i drejtohet autorit: “Pikturat e tua nuk kanë fillim as nuk kanë mbarim”, Pollock tronditet nga lumturia se e ka arritur këtë dhe pikërisht këtu e zbulon se ka arritur ta portretizoj ekzistencën një diçka që nuk ka fillim dhe nuk ka mbarim. Njëlloj si Akil Koci me gjithë këtë që patëm mundësi të kuptojmë e që na e dha dëshmoi se e arriti supertemportalitetin që dmth se shtrihet në gjitha dimensionet të kompaktësuar në miniaturë në një të vetnmin emër simbol AKIL KOCI.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora