E diele, 28.04.2024, 01:54 AM (GMT+1)

Mendime

Ditari i Hillari Klintonit për shqiptarët

E shtune, 08.03.2008, 07:27 PM


Hillary Clinton
Një shtet i ri po lind në Europë në vendin e dardanëve të vjetër. Më në fund Shqipëria nuk do të ankohet se rrethohet nga shtete prej të clave ka pësuar sulme, pushtime dhe mënxyra të tjera historike. Mbasi nga Kosova, visi i dardanëve, kemi pasur veç të mira: grurë, misër dhe pavarësi.

Historia mijëvjeçare dhe ajo e re e fiseve iliro-epirote, të cilat sot njihen si shqiptarë, i përngjan një drame fort tragjike, e cila është luajtur më fort në skajet e trojeve të tyre. Le të largohemi nga federatat e shteteve të lashta ilire dhe epirote siç ishin shteti i mbret Agronit e mbretëreshë Teutës, i mbret Bardhylit, i mbretit Pirro, e të tjerë mbretërve, të kapërxejmë 2000 vjet e të vijmë në shekullin e 19t e në fillimin e shekullit të 20. Përsëri kemi Lidhjen e Prizrenit në Kosovë, Kongresin e shkronjave shqipe në Manastir (sot në Maqedoni), ngritjen e flamurit në Deçiç (sot në Mal të Zi)mbas 450 vjet robërie, dhe përsëri kryengritjet e fuqishme të Kosovës të cilat bënë të mundur ngritjen e flamurit në Vlorë – flamur i cili mund të kishte qenë ngritur fare mirë edhe në Prizren, në Shkodër apo Janinë.

E habitëshme përngjasia e historisë në këto troje me atë para 2000 vjetësh. Po asohere për ilirët dhe epirotët shkruanin veç historianë dhe komandantë ushtarakë të kohës – jo të paanshëm. Dardanët e rinj, të njohur si kosovarë, e që janë veç shqiptarë (Jam kosovar, pra jam shqiptar..) u bënë të njohur relativisht vonë, në vitet 80 dhe me protestat dhe gjakun e tyre bënë të njohur edhe shqiptarët e Shqipërisë, më të shumtë, por gojëzënë, nën shtypje të egër dhe pa dalëzotës në arenën ndërkombëtare. Fotografia “Zi në Kosovë” e Fransua Merijonit, e cila ju përngjan pikturave të Rembrandit (çmimi i parë në Ekspozitën e Shtypit Botëror 1990) ishte shprehje e përqëndruar e asaj çka po ndodhte prej kohe në Kosovë. Rënia e murit të Berlinit i bëri edhe më të njohur shqiptarët. Por kulmin e njohjes së tyre historike shqiptarët e mbrritën në vitin tragjik 1999 me luftën e Kosovës, përzënien me dhunë nga trojet e tyre dhe kthimin triumfal të përmasave biblike.

Viti i fundit i mijëvjeçarit të dytë i shleu historisë një pjesë të borxhit ndaj një prej kombeve më të vjetër të Europës: nën udhëheqjen e shtetit më të përparuar të Botës së Re (dhe botës mbarë) nisi një kryqëzatë e pazakontë kundër njerit prej shteteve më autoritare të Europës juglindore.

Si asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nga viktimë pushtimesh pafund, për coptimin e trojeve të të cilëve u bënë luftëra të mëdha deri vonë (Luftrat Ballkanike) u kthyen në faktor: më 2007 Shqipërinë e vizitoi Presidenti Bush. Por një president tjetër i mëparshëm e pati hapur jo pa vështirësi këtë shteg. Ishte kalorësi Bill Klinton, pasardhës i denjë i kalorësit të paqes Ëilson. Dhe kalorësi Klinton kish përkrah një Zonjë, fjala e së cilës ngriti peshë opinionin amerikan dhe atë botëror. Shqiptarëve ju ringjallën përsëri shpresat shekullore të lirisë. ("IF ËINTER COMES, CAN SPRING BE FAR AËAY?" - Kur dimri vjen, a mund pranvera te vonoje?)

Në ato muaj mars, prill e maj të vitit 1999, kur dukej sikur edhe qiejtë kishin vendosur të ishin kundër, fjala e Zonjës Klinton pati peshë jo të vogël. Në kollonën e saj javore në ‘Uashington Post’ prej marsit në qershor 1999 Kosova u bë tema kryesore e shkrimeve të saj që i shkruajti me gjithë shpirt: për tolerancën, për refugjatët, për ngjashmërinë e persekutimeve ndaj shqiptarëve me ato ndaj hebrenjve, për caqet e krimeve të Millosheviçit, për mbështetjen e SHBa, për kampet e refugjatëve dhe shpresën për t’ardhmen. Por Zonja e Parë e SHBA nuk u mjaftua me fjalë të shkrojtur. Zëri i saj ushtoi për në Bazat e Forcave Ajrore për të nxitur ndihmat e popillit amerikan për shqiptarët e epër t’iu uruar mirëseardhjen refugjatëveKosovës, në Shtëpinë e Bardhë për ndihmat humanitare e në Hollin Presidencial. Por nuk u mjaftua me kaq Zonja Klinton: udhëtoi në Ballkan dhe raportoi në Hollin Presidencial për çka pa dhe dëgjoi.

Edhe në ëndërrat më të bukura shqiptarët nuk kishin qenë nën ndore kaq të fortë.

Në se fjala e Presidentit Bill Klinton u kthye në ushtima avionësh e bombardimesh, të cilat së bashku me gjakun e UÇK-së dhe sarificat e pafund të popullit shqiptarëve sollën lirinë në Kosovë shrimet dhe zëri i Zonjës Klinton u kthyen në kronikë me një vlerë të paçmuar, ngritën ura dashurie mes popujve. Faleminderit ZZ. Klinton! Edhe në se vonon ngritja e monumentit tuaj në Kosovë ajo është e ngritur, madje e madhe fort në zemrat e gjithë shqiptarëve e sidomos atyre të Kosovës.

Biografi e shkurtër e Zonjës së Parë të SH.B.A. Hillary Rodham Clinton

Hillary Rodham Clinton mbrriti në Shtëpinë e Bardhë mbasi kishte qenë për 12 vjet Zonja e Parë (First Lady) e Arkansasit. Gjatë kësaj kohe ajo pati pasur mjaft role të tjera: bashkëshorte, nënë dhe zonjë shtëpie; partnere me kohë të plotë në një avokaturë; kryetare e një komiteti edukimi që vendosi standardet publike të shkollave në Arkansas. Në shumë raste Hillary Clinton ka folur për nevojën për “të gjetur ekuilibrin e duhur në jetë”. Përbërësit e kësaj barazpeshe për të janë familja, puna dhe shërbimi publik.

Hillary Diane Rodham lindi në Çikago, Ilinois, më 26 tetor 1947, bija e Hugh dhe Dorothy Rodham.

Hillary dhe vëllezërit e saj më të vegjël, Hugh dhe Tony, u rritën në Park Rixh (Park Ridge), Ilinois, në familje të lidhur fort me njeri tjetrin. Studente e shkëlqyer, ajo ishte edhe Gjurmuese (Girl Scout) dhe anëtare e grupit lokal të të rinjve metodistë.

U fut në Kolegjin Ëellesley më 1965. E diplomuar me nderime shkoi në Shkollën e Drejtësisë në Yale ku shërbeu në Këshillin e Botuesve të Revistës së Yales për Ligjet dhe Veprimin Social. Ndërkohë në Yale u thellua drejt mbrojtjes së interesave të fëmijëve dhe të familjeve. Po atje takoi Bill Clintonin, shok student.

Më 1973 Hillary u bë prokurore e Fondit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Mbas një viti u muar në punë nga ekipi i Hetimeve për Krime ndaj Shtetit pranë Dhomës së Përfaqësuesve. Hillary u largua nga Ëashingtoni dhe “ndoqi zërin e zemrës në Arkansas”, u martua me Bill Clintonin më 1975. Që të dy jepnin mësim në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Arkansasit në Fayetteville. Më 1980 ju lindi vajza Chelsea.

Në Arkansas Hillary punoi pa u lodhur për fëmijët dhe për familjet. Ajo themeloi grupin e Avokatëve për Fëmijët dhe për Familjet dhe punoi në Këshillin e Spitalit të Arkansasit për Fëmijët. Përveç kryesimit të Komitetit të Standardeve të Edukimit në Arkansas, zbatoi programin pionier “Programi për Udhëzime Shtëpie për Fëmijët Parashkollorë”. Shpejt ky program u bë model për shtetet e tjera. Sipas këtij programi mësuesit shkonin në shtëpitë e familjeve të paprivilegjuara, për t’u mësuar prindërve si të punonin me fëmijët e tyre në shkollë për t’i përgatitur në përgjithësi e për t’u mësuar të lexojnë. Në njohje të meritave të saj personale Hillary u shpall Gruaja e Arkansas-it për vitin 1983 dhe Nëna e Re për vitin 1984.

Më 1995 Zonja e Parë hapi një kolonë javore në gazetë quajtur “Le të bisedojmë” ku përshkruan përvojat e saj.

Më 1996 shkruajti librin “Duhet një Fshat dhe Mësimet e Tjera që Na Japin Fëmijët”, thirrje kombëtare që tërheq vëmendjen e gjithë shoqërisë për të marrë përgjegjësitë ndaj fëmijëve.

Më 1997 Zonja e Parë së bashku me Presidentin organizuan Konferencën e Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin dhe Mësimin në Fëmijërinë e Parë dhe Konferencën e Shtëpisë së Bardhë për Kujdesin ndaj Fëmijëve. Gjithashtu Zonja Clinton luajti rol të rëndësishëm në reformën legjislative për birësimin e fëmijëve.

Ashtu si paraardhëset e saja edhe Hillary Rodham Clinton sjell talentet e veta të veçanta në rolin e Zonjës së Parë. Prej mbrritjes në Shtëpinë e Bardhë Zonja Clinton e ka përdorur me kënaqësi këtë vend edhe për paraqitjen e arteve, guzhinës amerikane dhe mjeshtërive. Presidenti e emëroi në krye të Forcës Operative për Reformën Kombëtare për Kujdesin e Shëndetit, një nga synimet e tij parësore në marrjen e postit. Vetë Presidenti ka nënvizuar se: “Kemi një Zonjë të Parë me shumë talente ... e cila di më mirë se të gjithë si t’i mbledhë njerëzit bashkë rreth çështjeve të vështira, të arrijë me ngulm në konsensus dhe t’i çojë punët deri në fund”.

Shënimet Javore

Në vend të Parathënies

Bisedojmë

Katër vjet më parë pranova një ofertë për të shkruar një kolonë javore mbi jetën time si Zonjë e Parë. Jam përpjekur të shkruaj mbi tema të ditës dhe të çastit, të cilat preokupojnë mendjet e njerëzve – të gëzuara apo të trishtme, frymëzuese – dhe t’u përcjell një pamje të disa ngjarjeve që përndryshe nuk do të mund t’i vërenin.

Lexoni disa nga shënimet e mia më të fundit

Mbi ‘mijëvjeçarin’

27 janar 1999

Vetë numuri 1999 na sjell menjëherë ndër mend se për pak kohë do të festojmë Mijëvjeçarin. Kremtimi i etapave mijëvjeçare, që ze fill nga koha e Krishtit dhe është e shkruar në Shkrimin e Shenjtë, mund të mos ketë rëndësinë e traditave të tjera e madje mund edhe të keqkuptohet nga vetë të krishterët dhe ata që përdorin kalendarin perëndimor.

Kremtimi i afërt ka përhapur një interes të ri për ç’ka pat ndodhur në botën e krishtere në vitin 1000 P.K., kur Jerusalemi konsiderohej qendra e botës së krishtere. Në hartat e kohës Europa tregohej si një masë e madhe toke me skaje të mirënjohura, Azia dhe Afrika ishin të paplotësuara në mënyrë të misterëshme dhe Bota e Re as që shënohej fare.

Pjesa më e madhe e europianëve punonin tokën, të tjerë punonin për kishën, merreshin me tregtia apo me shërbim ushtarak. Jeta ish e shkurtër dhe pjesa më e madhe e njerëzve nuk i kalonin të dyzetat. Vajzat, përveç atyre që lindnin në familje të pasura apo bëheshin murgesha, nuk bënin shkollë.

Njerëzit e Europës mesjetare e masnin kohën me orë diellore apo uji. Ditëlindjet nuk i shënonte kush. Udhëtonin më këmbë, me kalë, me karro apo me anije dhe një shtegtim në Jerusalem zgjaste edhe dy vjet. Kultura e tyre, e ndikuar nga traditat e krishtere, ebreje dhe myslimane, ishte e pasur me fjalë të urta, prralla, legjenda, këngë dashurie, vjersha … dhe histori nga Bibla.

Këtij viti, me që po i afrohemi vitit 2000, e kemi përqëndruar vëmendjen ndaj pyetjeve të tilla si: Çfarë do të ndodhë dhe ku do ta kremtojmë? Ç’është “computer bug” dhe ç’do të më bëjë mua?

Por kësaj jave, në mbrëmjen e pestë të Mijëvjeçaritnë Shtëpinë e Bardhë, gjatë një sërë bisedash me artistë e studjues, me dijetarë dhe krijues nga fusha të ndryshme, po kërkonim t’u jepnim përgjigje jo këtyre pyetjeve por disa çështjeve më thelbësore: Ç’mund të nxjerrim nga e kaluara? Dhe si mund t’i shfrytëzojmë mësimet e marra për të gjetur kuptimin e të tashmes dhe të s’ardhmes?

Historiania Natalie Zemon Davis na printe në bisedat e Europës mesjetare, çmitizonte “imazhin e rremë për të krishterët e perëndimit që dridheshin nga frika në prag të vitit 1000”. Ajo spjegonte se “nuk kishte pasur një lëvizje të qartë apokaliptike të udhëhequr nga një profet i vetëm dhe të përqëndruar vetëm tek viti 1000, por më tepër ka pasur një ndjesi shpërndarë në disa dhjetëvjeçarë. Mijëvjeçari predikohej nga murgjit dhe kohë pas kohe për të flisnin peshkopë, murgesha, luftëtarë, gra, tregtarë dhe fshatarë. Ai sillte reagime të ndryshme: nga frika dhe pendimi në marrjen e nismave të ndryshme dhe gëzim”.

Periudha mijëvjeçare është dëshmitare e lëvizjeve optimiste dhe pesimiste – nga një anë lëvizje për paqe dhe nga tjetra djegie e heretikëve dhe përndjekie e hebrejve. Profesorja Davis vërejti se “Aftësia jonë për të ëndëruar, për të përfytyruar mund të sjellë të mira, por edhe të këqia… E kaluara na shtyn drejt nismave për vepra të reja dhe gjithashtu na ofron një burim shprese.”

Shpresa – apo shpresa e kalitur me realizëm – ishte në qendër të diskutimit, mbasi teologu Martin Marty na pruri përsëri tek e sotmja dhe na ftoi të mendojmë t’ardhmen. ‘Ishte filozofi i krishter Reinhold Niebur’, tha ai, “i cili u vu në kërkim të kuptimit në këtë suazë: “Gjatë jetës sonë nuk ia mbrrijmë dot të bëjmë atë që ia vlen ta bëjmë; prandaj na gjindet shpresa. Asnjë gjë e vërtetë, e bukur apo e mirë nuk merr dot kuptim të plotë në një suazë imediate të historisë, prandaj duhet të na shpëtojë besimi. Asgjë që bëjmë, sado e virtutshme qoftë, nuk mund t’ia arrijmë ta kryejmë vetëm, prandaj na shpëton dashuria. Asnjë vepër e virtutëshme nuk është aq e virtutëshme se sa na duket ne.. prandaj duhet të na shpëtojë forma përfundimtare e dashurisë që është ndjesa”.

Shpresa, besimi, dashuria dhe ndjesa. Profesori Marty vërejti se pikërisht këto mund të na çojnë përtej kuptimit fetar mbi vetë fundin tonë dhe të na ndihmojë të gjithëve “për të gjetur domethënien për mijvjeçarin, edhe në se ne nuk mund të shpallim se e kemi gjetur domethënien e mijëvjeçarit”. Bashkëshorti im e mbylli këtë mbrëmje tepër të veçantë duke u drejtuar një thirrje gjithë amerikanëve. Na kërkoi të hedhim në letër tri gjërat që na shqetësojnë më tepër dhe tri gjërat për të cilat kemi më tepër besim. Pastaj sugjeroi t’i përgjigjemi pyetjes “Çfarë mund të bëj unë lidhur me këto për të krijuar një t’ardhme më shpresëdhënëse?”.

Shpresoj se shumë prej jush do t’i përgjigjen kësaj thirrje. Flisni me familjet tuaja, me miq e shokë dhe kur të keni mbrritur në disa përfundime, ndajini me Shtëpinë e Bardhë.

Në se amerikanët gjejnë kohë për të marrë pjesë në këtë ushtrim të thjeshtë – të veprojnë në të tri fushat e mësipërme – do të jemi të mirëpajisur për shtegtimin tonë në t’ardhmen dhe në rrugën tonë për ruajtjen e vlerave dhe optimizmit për brezat që do të vijnë.

Mbi tolerancën

31 Mars 1999

Gjatë Luftës së II-të Botërore, qeveria franceze e Vishi-së i kërkoi Mbretit të Marokut Muhametit të V-të t’u dorëzonte autoriteteve një listë të ebrejve. Ai nuk pranoi. U bëri thirrje gjithë musulmanëve të qëndrojnë bashkë me vëllezërit dhe motrat e tyre ebrej dhe u përgjigj se ne nuk jemi as ebrej as arabë, por marokenë. Meqenëse kësaj jave udhëtova në Marok, u bëra dëshmitare e shumë shembujve si po vazhdon të zgjerojë rrethin e dinjitetit njerëzor ky vend. Dhe përfytyrova si duhet të ishte ndryshe jeta në pjesë të tjera të botës – sidomos në Kosovë – sikur gjithë udhëheqësit e botës të punonin për tolerancë dhe për paqe e jo për përçarje e luftë.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe 18 aleatët e saj të NATO-s përpiqen të ndalin gjakderdhjen etnike në Kosovë përpara se sa ajo të përhapet dhe të përpijë të tjera jetë të pafajshme, është e rëndësishme të kujtohet si filluan luftimet në këtë skaj.

Jugosllavia e mëparëshme, në udhëkryq midis Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, është shtëpia e shumë grupeve etnike. Lënda e parë për sherr ka qenë gjithnjë e pranishme, por pjesën më të madhe të kohës njerëzit me fe dhe etni të ndryshme patën gjetur mënyrat si të rrojnë bashkë për brezni të tëra.

Dhuna e sotme filloi dhjetë vjet më parë kur udhëheqësi i Serbisë Sllobodan Millosheviç, iu fryu flakëve të ndarjeve etnike për përfitime politike personale dhe i shfrytëzoi pasojat për të fituar luftën me fqinjët dhe me qytetarët e vet.

Ajo që po shohim në Kosovë, ashtu si edhe më parë në Bosnjë dhe Hercegovinë, s’është veçse pastrim etnik. Refugjatët shqiptarë etnikë, në pjesën më të madhe musulmanë, po vërshojnë me dhjetra mijra duke ikur prej shtëpive të tyre e duke u përpjekur të mbrohen nga forcat ushtarake dhe policore serbe, të cilat siç njoftojnë, po djegin shtëpi dhe fshatra të tërë, shkatrrojnë dyqane shqiptare, ndajnë burrat dhe djemtë nga familjet, i ekzekutojnë gjakftohtë, mbledhin dhe vrasin prijësit e komunitetit. Atyre më me fat që mbeten gjallë u thonë të ikin nga Kosova dhe të mos kthehen kurrë më.

Vitin e kaluar takova një mjeke e cila punonte me refugjatë të ikur prej dhunës në Kosova. Ajo më rrëfeu si trajtoheshin familjet e dëbuara kur zbrisnin nga malet: ishin të llahtarisur, të sëmurë e të pangrënë. Edhe ata që nuk ishin të dëmtuar fizikisht, më tha ajo, bartnin vragat e plagëve psikologjike për ç’ka patën parë dhe patën hequr.

E gjithë kjo pat filluar përpara se NATO t’ua niste goditjeve ajrore kundër forcave që shtypnin këtë popull tërësisht të pambrojtur. Tashmë është e qartë se ndërkohë që kosovarët zhvillonin bisedime paqe në Francë me përfaqësuesit e qeverisë serbe, presidenti Milosheviç planifikonte fushatë për shkatrrimin sistematik të Kosovës – plan që po e zbaton tani. Po qe se NATO do të kish ndenjur mënjanë pa bërë gjë, padyshim që ai jo vetëm që do të kish nisur ofensivën e tanishme, por do të kish vazhduar i pandëshkuar derisa të vriste apo të shpërngulte pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare.

Për këtë arësye bashkëshorti im dhe aleatët tanë të NATO-s janë të vendosur të këmbëngulin derisa Millosheviçi të përqafojë paqen apo derisa të kemi kufizuar dukshëm aftësinë luftarake të tij.

Dhënia e një zgjidhje paqësore të përherëshme tragjedisë në Kosovë nuk do të mbrrijë pa një çmim. Por ne duhet të bëjmë çdo gjë që duhet për të bërë që tensionet etnike të zgjidhen me forcën e argumentave, jo me forcën e armëve.

Nuk është punë e lehtë ta zgjerosh rrethin e dinjitetit ndaj gjithë njerëzve. Ashtu si kemi mësuar në Shtetet e Bashkuara dhe siç pashë në Marok kësaj jave, një qeveri mund ta vendosë me detyrim të drejtat e njerëzve dhe të krijojë një klimë të përshtatëshme tolerance, por ama janë vetë njerëzit ata vetë mund të vendosin të duan apo të urrejnë. Veç njerëzit vetë mund të vendosin nëse do të kenë harmoni të plotë me të tjerët që u përkasin feve, kombësive apo grupeve etnike të ndryshme.

Këto ditët e fundit u kam bërë këtë pyetje disa marokenëve që kam takuar: “Si e mësojnë tolerancën fëmijët tuaj?” Mora gjithnjë të njejtën përgjigje: fëmijët e mësojnë tolerancën në shtëpitë e tyre. E mësojnë në shkollat e tyre. E mësojnë në vendet ku falen. Dhe e mësojnë në komunitetin e tyre sa herë shohin të rritur që nuk pranojnë të sillen në mënyrë të ngushtë apo të përçmojnë krijesat e tjera njerëzore.

Është koha ta përvetësojmë këtë mësim dhe t’i mësojmë fëmijët tanë të jenë tolerantë dhe të respektshëm ndaj gjithë njerëzve, t’u shkojnë pas prijësave që punojnë për paqe dhe ta dinë mirë se rrethi i dinjitetit njerëzor është tepër i gjerë dhe ka vend për të gjithë.

Shqiptarët kosovarë bëhen refugjatë

7 Prill 1999

Si shumë njerëzve nëpër botë, ditët e fundit më faniten pamjet e shqiptarëve etnikë të përzënë nga shtëpitë e tyre nga Sllobodan Millosheviçi. Larg e larg vendit, tregimet e tyre nganjëherë duken si të një kohe të shkuar. Megjithatë, tragjikisht, të gjitha ato janë tepër të vërteta.

Javën e kaluar shkruajta për një mjeke e cila vitin e fundit ka kujdesur refugjatët në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës. Përfytyroni ndjenjën e ngushëllimit përzier me tmerr të bashkëpuntorëve të mij kur panë mjeken Vjosa Dobruna të intervistohet në televizion. Kjo grua me dinjitet dhe pasion, me të cilën pata pirë çaj në Shtëpinë e Bardhë pranverën e kaluar, tashmë është vetë refugjate.

Mbas marrjes nga shtëpia e vet të një shoku të saj, veprimtar i njohur i të drejtave të njeriut, Dr. Dobruna u fsheh shtatë ditë rresht. “Flija në shtëpi të ndryshme”, tregonte. Kur ajo u përpoq të kthehet tek apartamenti i vet, gjeti policinë, të cilët rrahën shoferin e saj dhe e detyruan me forcë të largohet nga Prishtina.

Dr. Dobruna ankohet për kushtet e vajtueshme që përballojnë refugjatët. “Po ndodh një mënxyrë e madhe”, thotë ajo ndërkohë që tregon si i vdiq në krahë një foshnje 17 ditëshe.

Kemi dëgjuar ngjarje të tilla nga viktimat e tjera të pastrimit etnik të Millosheviçit. Në 14 muajt e ndërmarrjes prej tij të fushatës së pastrimit etnik, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre më shumë se 800 000 shqiptarë, një në tre shqiptarë etnikë të Kosovës. Kushtet që po përballin këta njerëz janë të tmerrshme.

Shumë njerëz kanë ecur me milje nga qytetet e fshatrat, të detyruar nga tytat e pushkëve të braktisin vendin pa marrë asgjë nga pasuria e tyre, pa dokumenta identifikimi. Ata kanë duruar temperatura nën zero, shi e dëborë. Mijëra kanë rënë në kurth në “tokën e askujt” përreth kufirit maqedon, pa ushqime, pa ujë, pa ndihmë shëndetësore.

Një mjek që pat punuar për një agjenci ndihme raportonte se ai dhe fëmijët e tij kishin mbetur pa ushqime për katër ditë dhe se nuk e dinte edhe sa ditë do të mund të duronin.

Një tjetër i dëbuar thoshte, “U bënë katër net që fëmija im po fle nën shi. Natën e fundit e detyrova të zgjohet mbasi e kishte trupin shumë të ftohtë dhe duhej të lëvizte për t’u ngrohur. Bataniet u lagën dhe nuk kishim ku t’i thanim dhe edhe rrobat tona i kishim qull”. Mbase ata që ikën janë fatlumë. Raportet nga Prishtina përshkruajnë ushtarët dhe policët serbë t’i grumbullojnë shqiptarët si bagëti në qendër të qytetit e të shtien drejt tyre. Burrat i veçuan nga familjet e tyre dhe po i mbajnë nëpër fabrika, stadiume apo gjetkë brenda vendit.

Një i dëbuar tha “Ata na gjuajnë me snaiperë. Ata vranë një nga fqinjët tanë, një plak 70 vjeç, një vajzë 16 vjeç dhe një djalë të vogël që ishte vetëm 5 vjeç.

Një shtëpiake kujtonte me tmerr: “Ata po na vrisnin fëmijët. Po na vrisnin burrat. Po na digjnin shtëpitë e po na i vidhnin të gjitha – televizorë, mobilje, të gjitha. Rrëmbyen para dhe stolitë e grave. Ata hynë me armë nëpër shtëpitë ku fshiheshim, na urdhëruan të dalim jashtë dhe u mbanin thikën në fyt fëmijëve tanë”.

Ashtu si ka ndodhur gjithnjë në raste të tilla, populli amerikan iu përgjigj mënxyrës që po vuanin refugjatët kosovarë. Meqë të gjithë patën parë vetë pamje të gjalla dhe patën dëgjuar ngjarje rrënqethëse, u përgjigjën me bujarinë e tyre të zakonshme. Këtu, në Shtëpinë e Bardhë ne patëm telefonata panumur që ofronin dhurim parash, sende dhe shërbime. Shumë thoshin madje se dëshëronin të merrnin refugjatë në shtëpitë e tyre dhe të birësonin fëmijët e mbetur jetimë nga lufta.

Përpara se të fillonte ofensiva serbe, Shtetet e Bashkuara patën dhënë 100 milion $ ndihmë humanitare dhe patën dërguar shumë ushqime për nevojat e gjysëm milion njerëzve për tre muaj. Tani, Presidenti ka siguruar edhe 50 milion $ të tjerë për operacionet; ai njoftoi krijimin e një komiteti të posaçëm për ndihmat dhe mendon të pranojë përkohësisht deri në 20 000 të dëbuar.

Kur njerëz të veçantë këtu apo gjetkë në botë pyesin se çfarë duhet të bëjnë për të ndihmuar, ka vetëm një përgjigje: Më e rëndësishmja është të kruhen mirë xhepat dhe të bashkëpunohet me aq sa mundet me organizatat e ndihmës të cilat po punojnë për të siguruar ushqim, strehim, veshje dhe kujdes mjekësor për refugjatët.

Shpresoj se njerëzit në mbarë botën do të kërkojnë si të ndihmojnë viktimat e këtij agresioni të mbrapshtë. Në se dëshironi të jepni një kontribut, ka një numur falas ku mund të merrni njoftime: 1-800-USAID RELIEF, apo 1-800-872-4373. Në se jeni të lidhur me internet, mund të shkoni tek vendi ëeb i USAID ëëë.info.usaid.gov.

Është koha të ngrihemi të gjithë kundër kësaj rishfaqje të tmerrëshme të dhunës dhe urrejtjes të cilat e kanë damkosur së tepërmi këtë shekull.

Persekutimet e hebrejve të mos përsëriten në Kosovë

14 Prill 1999

“Pesëdhjetepesë vjet më parë, një djalë i vogël hebre nga një qytezë në malet Karpate u zgjua në një vend turpi të përherëshëm quajtur Bukenvald. Më në fund ai u lirua, por zemra nuk i ndjente dot gëzim. Mendonte se kjo nuk do të përsëritej kurrë më”.

Kështu fillonin shënimet e Elie Ëiesel, mbijetues i Holokaustit dhe fitues i Çmimit Nobel të Paqes të Hënën natën në Mbrëmjen e Shtatë të Mijëvjeçarit, në Shtëpinë e Bardhë mbi “Rreziqet e Indiferencës: Mësime të nxëna nga një Shekull Dhunëmadh”.

Duke përshkruar takimin e tij me trupat e SHBA që e çliruan nga llahtaritë e kampit të përqëndrimit, vijonte: “I çliruar një ditë më herët nga ushtarët amerikanë kujton sa u zemëruan ata për çka panë. Edhe sikur të rrojë gjatë e të mplaket, do t’u jetë gjithnjë mirënjohës për atë zemërim dhe për atë dhembshuri. Megjithëse nuk ua kuptonte gjuhën, syt’e tyre i thoshin atë që donte: ushtarët do kujtonin dhe do dëshmonin.” I pata kërkuar Elie Ëiesel-it të marrë pjesë në një nga leksionet e Mijëvjeçarit më se një vit më parë. Atëkohë nuk do të ma kish marrë mendja se kësaj jave, me që njerëzit kudo në botë kremtojnë Yom Hashoah – ditë e caktuar për të kujtuar Holokaustin – do të gjendeshim duke parë fëmijët në Kosovë të mbushnin përplot trenat, të larguar nga shtëpitë dhe familjet e tyre, me fëmijëri të grabitur. Si ka mundësi që kjo të ndodhte përsëri?

Cikli i leksioneve të Mijëvjeçarit synon të na japë mundësinë për të kthyer kokën nga e kaluara jonë, për ta pasur udhërrëfyes kur përfytyrojmë t’ardhmen. Në mbrëmjet tona të mëparëshme patëm kremtuar historinë e Amerikës, zbulimet kulturore e shkencore.

Por për të nderuar të shkuarën duhet të mësojmë prej saj. Duhet të vështrojmë jo vetëm arritjet tona më fisnike por edhe dështimet tona më të mëdha. Kur zgjedhim shtegun e indiferencës, mospërfillim mësimet e të kaluarës. Elie Ëiesel i kupton tmerret që burojnë nga indiferenca dhe ia ka kushtuar jetën dëshmimit të tyre që ato të mos përsëriten më. Indiferenca mund të tundojë e madje të joshë, paralajmëron ai. Dhe jep kuptimin e të mbyllurit në vevete dhe të ngurrimit: “Është mjaft më lehtë t’i largosh sytë nga viktimat, të shmangësh përzierje të tilla të vështira në punën tonë, në ëndrat, në shpresat tona. Veç të tjerave është bezdi dhe shqetësim të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e të tjerëve.”

Por, spjegon ai “Indiferenca është gjithnjë shok i armikut. Sepse përfiton agresori dhe kurrë viktima e tij së cilës i shtohet dhimbja kur ndjehet harruar. Në se nuk u japim zë vuajtjeve të të burgosurve politikë nëpër qeli, fëmijëve të uritur, refugjatëve pashtëpi, në se nuk ua lehtësojmë vetminë përmes një shkëndije shprese, i mërgojmë nga kujtesa njerëzore. Dhe duke iu mohuar njerëzoren, ne tradhëtojmë vetveten. Indiferenca, pra, nuk është vetëm mëkat, por edhe ndëshkim.”

Më 1999 nuk mjafton mospranimi për të kryer krime ndaj njerëzores. Nuk mjafton vetëm të vështrojmë thellë zemrat tona dhe të themi se nuk paskemi urrejtje. Duhet të bëjmë më tepër. Sa herë që lejojmë pa kundërshtuar një shpifje fetare apo racore, apo nuk i përgjigjemi një përbuzje, zgjedhim rrugën e indiferencës. Zgjedhim rrugën e shpërfilljes së historisë – zgjidhje që na ndëshkon jo vetëm ne por madje edhe fëmijët tanë.

Ja përse jemi në Kosovë.

Po të zgjidhnim indiferencën kur shihnim njerëzit të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre nën tytat e pushkëve dhe të ngarkuar nëpër vagona trenash, dënonim jo vetëm ata por veten tonë. Po të zgjidhnim indiferencën kur shihnim dokumentat e tyre të identitetit të konfiskohen, fshirjen e vetë pranisë së tyre nga regjistrimet historike, ne do të bëheshim shokë të armikut.

Presidenti e di se çfarëdo veprim ushtarak që ndërmarrim nuk mund t’u japë fund mllefeve të vjetra apo të shërojë plagët e freskëta të hapura natën. Por veprimi ynë mundëson që njerëzit t’i zgjidhin ndryshimet mes tyre përmjet forcës së argumentave e jo përmjet forcës së armëve dhe duke vepruar kështu do të mësojnë të jetojnë bashkë.

Kur Elie Ëiesel pranoi Çmimin Nobel të Paqes, ai kujtoi shumë vjet më parë kur pyeste të jatin si do të mundte bota të heshtëtë. Dhe ai përfytyroi të njejtin djalë të vogël ta pyesë sot, “Çfarë i ke bërë t’ardhmes sime? Çfarë ke bërë me jetën tënde?” Këtij djali do t’i tregoja se jam përpjekur ta mbaj gjallë kujtesën dhe se jam përpjekur të ndeshem me ata që do të kishin harruar, thotë Elie Ëiesel. Ja çfarë ka bërë Elie Ëiesel. Na ka mësuar të mos harrojmë kurrë. Na ka bërë t’u vemë veshin viktimave të urrejtjes dhe të së keqes. Na ka ndihmuar të kuptojmë rreziqet e indiferencës.

Krimet e Millosheviçit dhe mbështetja jonë për kosovarët

5 Maj 1999

“Po shkruaj sepse fytyrat e fëmijëve të trembur që ikin nga lufta në Kosovë më dalin vazhdimisht parasysh,” fillon një letër drejtuar Shtëpisë së Bardhë nga Port Jervis, Nju Jork. “Vendi ynë DUHET t’i ndihmojë këta njerëz dhe madje shpejt.”

Ja disa letra të tjera që Presidenti dhe unë kemi marrë mbi refugjatët nga Kosova:

Një grua nga Pleasanton, Kaliforni, shkruan: “Më thoni, ju lutem sa i kushton një komuniteti (siç është kisha ime) për të ndihmuar një familje kosovare? E marr me mend çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa gjë prej gjëje, në të ftohtë, në uri dhe e detyruar të shkojë në një vend me tjetër kulturë që nuk e njeh dhe ku nuk ka njerëz të njohur.”

Kjo nga Sandy, Utah: “Në shtëpinë tonë kemi dy dhoma gjumi tepër dhe jemi gati që me to të ndihmojmë për strehim një familje refugjatësh. Mbështesim atë që po bëni dhe dëshërojmë të ndihmojmë me ç’mundim.”

Dhe në fund një nga San Diego: “Në emër të familjes sime dëshëroj të paraqes një ftesë për të pritur në shtëpi një familje nga Kosova. Jemi duke i ndjekur lajmet gati gjatë gjithë ditës dhe ndjehemi të detyruar të ndihmojmë me mundësitë tona. Maqedonia po i dërgon refugjatët nëpër shtëpi në brendësi të vendit dhe edhe ne do të dëshironim njëlloj t’i strehonim. Besojmë se përpjekjet humanitare duhet të fillojnë nga sejcili. Shpresojmë se gratë e tjera shtëpiake do të ndihmojnë në të njejtën mënyrë.”

Këto letra përfaqësojnë vetëm një pjesë të valës së madhe të letrave që kanë mbrritur në Shtëpinë e Bardhë në mbështetje të refugjatëve dhe më kujtojnë një nga arësyet përse ndjehem krenare që jam amerikane. Kurdoherë dhe kudo ku njerëzit kanë nevojë të ndihmohen, amerikanët janë të gatshëm t’i ndihmojnë.

Kësaj jave udhëtova në Fort Diks, në Nju Xhersi, për të përfaqësuar Presidentin dhe popullin e Shteteve të Bashkuara në dhënien e mirëseardhjes në vendin tonë grupit të parë të refugjatëve kosovarë të mbrritur nga Maqedonia. Ashtu si qindra mijra të tjerë ata ishin dëshmitarë të mizorive rrënqethëse.

Në Gjakovë, në Kosovë, 19 vetë – pjestarë të tri familjeve – të cilët po rrinin fshehur në bodrumin e një shtëpie u zbuluan nga autoritetet serbe. Të gjithë u pushkatuan dhe shtëpia u dogj. Trupat u flakën rrugëve të Mejës, nga ku disa ditë më parë janë njoftuar vrasje të dhjetra e dhjetra njerëzve. Një grua tha, “Kam parë kaq shumë tmerre sa që nuk dua të kem më sy.”

Kudo refugjatët kërkojnë të dashurit e tyre që i kanë humbur. Një çift i ri i dëshpëruar kërkonte çmendurisht lajme për foshnjen e tyre 17 ditëshe që e patën lënë në pavionin e trajtimit intensiv në spitalin e zonës kur forcat serbe i përzunë nga shtëpia e tyre. Mjerime të tilla si ai i një vajze 10 vjeçare e cila kujdes të vëllanë më të vogël ndërkohë që autoritetet po përpiqen t’u gjejnë prindërit nuk janë më pazakonta.

Gjatë një 24 orëshi më parë kësaj jave, në Maqedoni mbrritën më shumë se 11 600 kosovarë, duke e çuar kështu në afro 700 000 numurin e refugjatëve dhe njerëzve të shpërngulur, të cilët morën rrugët nga sytë këmbët nga terrori që Slobodan Millosheviçi dhe rregjimi i tij po ushtrojnë ndaj shqiptarëve etnikë që jetojnë në Kosovë. Barra e kampeve të refugjatëve në rajon është stërmadhe dhe shumë vende kanë pranua t’u japin strehë atyre që e kanë më të domosdoshme apo kujt ka të afërt në gjendje t’i strehojnë.

Një pjesë prej atyre që vijnë në Shtetet e Bashkuara kanë të afërm të cilët mezi po i presin t’iu mbrrijnë. Familje, kisha dhe agjenci në mbarë vendin do të sponsorizojnë strehimin e të tjerëve. Me dhjetra mijra amerikanë kanë ofruar ndihma të llojeve të ndryshme. Ja ç’mund të bëni: për shkak të kostos së lartë të transportit, ruajtjes dhe shpërndarjes të sendeve të pakërkuara, veshjeve dhe shërbimeve, agjencitë e ndihmave parapëlqejnë dhurime të parave. Për të mësuar listën e agjencive që pranojnë kontribute mund të telefononi numurin falas: 1-800-USAID-RELIEF (1-800-872-4373). Nga vendosja e linjës së drejtpërdrejtë më 6 prill, janë marrë 43 631 thirrje telefonike. Mund t’i drejtoheni edhe vendit në internet: ëëë.interaction.org. Në se keni t’afërm në kampet në Shqipëri dhe Maqedoni dhe dëshëroni t’i sillni këtu, apo në se dëshëroni njoftime mbi agjencitë lokale për strehimin e refugjatëve në zonën tuaj, mund t’i drejtoheni numurit falas: 1-800-727-4420 ose në e-mail kosovo@interaction.org.

Çdo ofertë ndihme është ofrim shprese. Populli i Amerikës po i dërgon popullit të Kosovës një mesazh shumë të fortë: Nuk jeni të braktisur. Nuk jeni të harruar. Sllobodan Millosheviçi nuk ia arriti dot të fshijë identitetin tuaj nga faqet e historisë dhe ai nuk do t’ia dalë dot të zhdukë praninë tuaj nga vendi i prindërve dhe gjyshërve tuaj.

Ne mund të sigurojmë ndihmë të përkohëshme, por e dimë se ajo që dëshërojnë dhe kanë më tepër nevojë refugjatët është të kthehen në atdheun e tyre. Ky piksynim është arësyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s i mbeten besnikë misionit që kanë ndërmarrë.

Deri ku mbrrijnë caqet e krimeve në Kosovë?

19 Maj 1999

Fytyrat e tyre nuk do të shfaqen më në faqet e para të gazetave dhe revistave tona, por janë ende gati 750 000 shqiptarë kosovarë të cilët nuk mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre për shkak të vendimit të pamëshirshëm të Presidentit serb Sllobodan Millosheviç. Vetëm në Maqedoni janë rreth 250 000.

Javën e fundit udhëtova në Maqedoni për të vizituar kampin e refugjatëve Stenkovac I, të vendosur jashtë Shkupit në një vend të veshur, me kodra të gjelbra plot ferma të vogla. Mijra tenda – në rreshta sa të ha syri – mbulojnë pllajën e gjerë sa 80 fusha futbolli. Plot 31 000 refugjatë – pjesa më e madhe fëmijë – e kanë mbushur plot e përplot kampin gjashtë javët e fundit.

Ish një ditë e nxehtë dhe e thatë kur mbrrita në Stenkovac për të takuar një pjesë të burrave, grave dhe fëmijëve të cilët e kishin bërë këtë qytet tendash shtëpinë e tyre të përkohëshme. Pjesa më e madhe e tyre ishin ndarë nga një pjesëtar të familjes gjatë turravrapit për të ikur gjallë nga Kosova dhe të gjithë po mbijetojnë me shpresën se shpejt një ditë do të kthehen në fshatrat e tyre dhe do të bashkohen me të dashurit e vet.

Një grua 63 vjeçare më tha se nuk dinte ku e kish vajzën dhe nipërit e mbesat. Ata ishin bashkë me fëmijët e së resë kur policia serbe iu shpërtheu shtëpinë, iu vuri pushkët në grykë dhe i urdhëroi të largohen.

Një nga burrat që takova qante kur kujtonte varrimin e një miku në fshat të vet. Policët serbë rrethuan kortezhin mortor ndërkohë që ata qëndronin në buzë të varrit duke i kërcënuar se do t’i vrisnin të gjithë. Pastaj iu xhvatën shqiptarëve paratë dhe sendet e çmuara dhe i përzunë.

Fola edhe me një burrë, i cili me një anglishte fare të mirë, më tha se e shoqja me fëmijët kishin shkuar tek i jati i saj, kur erdhën serbët dhe e detyruan të largohet menjëherë pa ta. Sot e gjashtë javë ai po përpiqet ende për t’i gjetur.

Nuk do të harroj kurrë historinë e fundit që ndjeva asaj dite. Një grua më përshkroi të shtyrat e turmës së njerëzve që ngarkoheshin si bagëti nëpër trena për t’u larguar nga Kosova. Mbante fort përdore të bijën më të madhe, e cila kapte përdore të bijtë më të vegjël. E lemerisur ndjeu se dora e vajzës po i rrëshqiste nga dora e vet. E shtrënguar me forcë nga autoritetet të hypte në tren, kuptoi se i kishte humbur të bijat dhe të shoqin që po përpiqej t’i gjente. Edhe ajo sot po rron pa marrë asnjë lajm ku i ka dhe pa ditur në se i kanë mbetur gjallë.

Për 10 vjet rresht Millosheviçi po e shtyp popullin shqiptar në Kosovë. Më së pari ata u ndaluan të shkojnë në teatër apo në ndeshje sporti dhe ia u mbyllën shkollat. Pastaj, lagje mbas lagje, Millosheviçi filloi t’u japë urdhër familjeve të braktisin shtëpitë derisa filloi t’i përzejë shqiptarët kosovarë në ato përmasa të mëdha për të cilët jemi dëshmitarë në dy muajt e fundit.

Njëherë e një kohë këta njerëz jetonin në shtëpitë e tyre. Prindërit punonin dhe fëmijët shkonin në shkolla. Sot, gjenden grumbuj-grumbuj nëpër tendat e mbushur përplot. Ata presin në radhë për ushqim – bukë, peshk kutie, lëngje dhe qumësht. Ata mbajnë radhë për të shkuar në banjat e lëvizëshme, për të folur në telefon dhe për të marrë një lajm për të dashurit e tyre që ju mungojnë.

Dhe ata janë më fatlumët.

Megjithëse kushtet ku jetojnë nuk mund të merren as me mend nga shumica jonë, ata kanë ushqim dhe strehë të varfër. Afro 20 organizata ndihme të mbikqyrura nga Shërbimet Katolike të Ndihmës drejtojnë kampin Stenkovac I, kujdesin fëmijët, sigurojnë ndihmë mjekësore dhe shërbime sociale.

Ka dy shkolla të UNICEF-it dhe një qendër të rinjsh që drejtohet nga një organizatë izraelite, ku fëmijët e gjithë moshave mund të shijojnë art e joshje të ndryshme, lojna e muzikë. Kryqi i Kuq gjerman ka hapur një spital. Nga Franca e madje nga larg siç është Taivani kanë mbrritur grupe mjekësore. Komiteti Ndërkombëtar i shpëtimit, grup amerikan, po përpiqet të ribashkojë familjet. Dhe shumë refugjatë vetë punojnë vullnetarë për shërbimet në kamp.

Të gjithë njerëzit që takova në Stenkovac kanë një gjë të përbashkët: sejcili dëshëron të kthehet në shtëpi. Dhe përkundrejt tmerreve që kanë hequr, të gjithë më thanë sa mirënjohës u janë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s për qëndresën ndaj Sllobodan Millosheviçit. Ndërsa refugjatët më tregonin historitë e tyre, sytë iu mbusheshin me lot ashtu siç u janë mbushur zemrat përplot me shpresë.

Veton Sylejmani, i cili erdhi kësaj jave këtu me të shoqen dhe me djalin shtatëvjeçar Albert e përmblodhi më së miri mendimin e tyre kur tha në Shtëpinë e Bardhë, “nuk di ç’të them tjetër përveçse Zoti e bekoftë Amerikën.”

Ne nuk mund t’i braktisim këta njerëz. Ne duhet t’i tregojmë e ritregojmë historitë e tyre, sepse nuk ka arësyetim më të fortë përse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë të NATO-s janë në Kosovë. Nuk ka justifikim më të fuqishëm përse ne nuk do të jepemi derisa të këqiat e shkaktuara nga Millosheviçi të kenë marrë fund dhe këta refugjatë të jenë kthyer të jetojnë edhe një herë përsëri në shtëpitë e tyre, në paqe dhe siguri.

Nga kampet e refugjatëve tek shpresat për t’ardhmen

23 Qershor 1999

Muajin e shkuar zbrita në një kamp refugjatësh në Maqedoni quajtur Stenkovac I. Atje, në një ish fushë aeroporti të nxehtë e me pluhur, dhjetra mijë refugjatë të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre në Kosovë nga tirania mizore e Sllobodan Millosheviçit, po përpiqeshin të ruanin edhe grimcën më të vogël të dinjitetit njerëzor. Çdo refugjat që takova ishte ndarë nga një njeri i dashur – nënat nga bijtë, burrat nga gratë. Çdo njeri veçmas shpresonte të kthehej në shtëpi. Ju premtova se Shtetet e Bashkuara nuk do t’u kthenin shpinën, se do ta bënim të mundur kthimin.

Kësaj jave u ktheva në Stenkovac me bashkëshortin tim. Mbas 79 ditë bombardime të NATO-s qielli mbi Jugosllavi është i heshtur, forcat ushtarake serbe janë tërhequr nga Kosova dhe refugjatët po përgatiten të kthehen në shtëpi. Kthimi i tyre nëpër shtëpi nuk do të jetë i lehtë. Ndërkohë që paqeruajtësit po hyjnë në Kosovë, po bëhen dëshmitarë të dorës së parë të caqeve tmerrshme të shkatrrimit: varre masive, dhoma torturash, qindra fshatra të djegur, gra të përdhunuara dhe fëmijë të detyruar të shohin prindërit e tyre të vriten mizorisht.

Në dhënien e sigurisë se refugjatët mund të kthehen në Kosovë paqeruajtësit kanë një detyrë të madhe përpara. Duhet të pastrohen minat dhe shtëpitë duhet të rindërtohen. Familjet kanë nevojë për strehë, ushqim dhe ujë si dhe për njoftime për fatin e pjestarëve të familjeve që ju mungojnë. Serbët që mbeten në Kosovë si dhe shqiptarët kosovarë duhet të çarmatosen.

Partnerët tanë europianë po mbajnë pjesën më të rëndë të kësaj barre, por është gjithashtu në interes të Amerikës të luajë rolin e vet në përtritjen e Kosovës si dhe në interes të Europës Juglindore për çuarjen e Kosovës në rrugën drejt një t’ardhme të lulëzuar, me paqe e të sigurt. Lufta u ka sjellë humbje të mëdha jo vetëm Kosovarëve por edhe shteteve fqinje.

Maqedonia, për shembull, po jetonte një rritje ekonomike modeste, por inkurajuese, duke u radhitur në ekonomitë më të suksesëshme të rajonit. Megjithatë, tani eksportet ndaj parnerit të saj më të madh tregtar, Serbisë, janë ndalur. Investimet e huaja janë shterur, lidhjet bazë të transportit janë prerë dhe papunësia është ngritur në 35 përqind. Vetëm në industrinë tekstile, e cila përbën rreth 25 përqind të ekonomisë, mijra vende pune do të humbin nga fundi i verës në se puna nuk do të rimëkëmbet.

Në maj takova një grua të quajtur Danica Georgieva, firma e vogël e së cilës me 6 punonjës punonte me kontratë për shoqërinë amerikane të veshjeve Liz Claiborne. Kur Danica më tha se për shkak të luftës Claiborne i pati zvogëluar së tepërmi porositë, i premtova se do të bëja ç’mund për ta ndihmuar.

Në kthimin tim në Maqedoni kësaj jave, Paul Charron, dretues i kompanisë Liz Claiborne udhëtoi me mua për të paraqitur një projekt i cili jo vetëm që do të ndihmojë refugjatët por do të sigurojë edhe vazhdimësinë e veprimtarisë për puntorët maqedonë. Duke filluar nga fundi i këtij muaji kompania e tij do të dhurojë një fabrikë, modelet dhe ekspertë për të prodhuar 250 000 këmishë e pantallona për refugjatët, duke krijuar kështu 3 000 vende pune për punonjësit maqedonë të tekstileve. USAID do të financojë prodhimin dhe shpërndarjen e veshjeve dhe agjencia e ndihmave Mercy International do të sigurojë shpërndarjen e tyre refugjatëve.

Fitorja në Kosovë është triumf i një komuniteti ndërkombëtar të bashkuar kundër forcave shnjerëzore dhe të urrejtjes. Por ajo është edhe triumfi i individëve të panumurt e të pashpallur: nga ushtarët trima amerikanë dhe të NATO-s deri tek mijra familjet bujare, punonjësit e ndihmave dhe të veprimtarive të tjera, të cilët hapën zemrat, shtëpitë dhe portofolet e tyre për të ndihmuar që çdo refugjat kosovar të mund të kthehet një ditë në shtëpi me dinjitet. Kur Presidenti u dha urdhër për luftë forcave tona të armatosura, ai deklaroi tri qëllime: së pari t’i bëhet e mundur popullit kosovar të kthehet në shtëpi i sigurt; së dyti, t’u kërkojë forcave serbe të largohen nga Kosova; dhe së treti të vendosë një forcë ndërkombëtare sigurie me NATO-n në qendër për të mbrojtur popullsinë e këtij vendi të shqetësuar, si serbë ashtu edhe shqiptarë. Jam krenare se Amerika u qëndroi e palëkundur këtyre synimeve dhe se ato po realizohen.

Padyshim se shumë herë do të keni dëgjuar të thuhet: Shekulli i 20 u bë më gjakderdhësi në histori. Miliona njerëz të pafajshëm vdiqën sepse kombet demokratike iu përgjigjën shumë vonë së keqes dhe agresionit. Tani, nga vendosmëria e Amerikës dhe e aleatëve tanë të NATO-s, ky shekull dhune nuk do të mbyllet me brutalitet të padobishëm por me një konfirmim të dinjitetit dhe të drejtave njerëzore. Shpresoj që kjo të jetë në themel të shekullit t’ardhëshëm. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora