E diele, 28.04.2024, 05:09 PM (GMT+1)

Mendime

Fillimet e ndërgjegjësimit në Serbi

E premte, 07.03.2008, 05:49 PM


Fillimet e ndërgjegjësimit në Serbi

Nga Andrej Nosov dhe Dragan Nikoliq
 
(Autorët janë aktivistë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd)

 
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe reagimit "spontan" të asaj që kryeministri e cilësoi si "mllef dhe hidhërim", pas ambasadave të thyera, linçit publik politik ndaj atyre me mendime tjera politike, si dhe thirrjes deklarative për "paqe dhe protesta paqësore", Serbia tashmë e ka prekur pikën më të ulët të katandisjes së saj. Problemi më i vogël për ne është që gjatë dekadave të kaluara jemi mësuar të shohim dhunë, që çdo ditë të përjetojmë dhe që spontanisht t'ua shkaktojmë atë të tjerëve përreth nesh. Problemi më i madh ndërkaq,është se politika e Sllobodan Millosheviqit, politika e dhunës, është kthyer zyrtarisht si politikë kryesore dhe nxitëse rreth së cilës ekziston koncenzusi i kryetarit demokrat, Tadiq, i atij që për pak u bë kryetar i Serbisë,Tomisllav Nikolliq, por edhe i të gjithë të tjerëve që ndoqën Vojisllav Koshtunicën në përpjekjet për ruajtjen e Kosovës.
 Kjo pikë e ulët e katandisjes së Serbisë dhe kjo frikë që secili qytetar e ndien në raport me të ardhmen njëkohësisht përbën një shans të madh, të cilin ne edhe njëherë po e humbim. Këtu bëhet fjalë për rastin që na është dhënë që shoqëria e Serbisë të ballafaqohet me gënjeshtrat e saja,ta rivlerësoj politikën e udhëhequr gjatë dekadave të fundit, t'i kthehet vetvetes dhe ti vërë kapakun dekadës së pushtimeve, vrasjeve, spastrimeve etnike,terrorit ndaj popullsisë së vet dhe banorëve të rajonit. Kosova nuk është nën sundimin e Serbisë që nga ajo ditë kur Sllobodan Millosheviqi projektin e tij e përfundoi me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova. Politika e pushtimit të territoreve dhe nacionalizmit centrist të shek 19-të është para rrënimit. Se a do të marrë kjo politikë edhe diçka me vete gjatë këtij rrëzimi,kjo varet nga elitat në Serbi. Mbase në vend të saj do të ndërtohet një politikë e re bashkëkohore,e bazuar mbi bashkëpunimin dhe respektin.
 Të gjithë u befasuan kur ndodhi 17 shkurti, kur u festua dhe u deklarua ajo që ne e kemi ditur se ka ndodhur qysh në qershor të viti 1999. Të gjithë po e legjitimojnë sjelljen e dhunshme, po flasin për të drejta shekullore dhe mitologji të tjera duke u thirrur në të drejtën "tonë" për t'i sunduar "ata". Po thonë se thyerjet nëpër  Beograd përbëjnë reagim shumë minorë krahasim me atë që na ka ndodhur neve. Po flitet që trashëgiminë kulturore, për bombardimet e NATO-s, për serbët e përvuajtur në Serbi. Dhe në këtë mes nuk thuhet kurrë as edhe një fjalë e vetme për shqiptarët, përveç kur i përmendin si "separatistë", terroristë, të papjekur, të paqytetëruar, pushtues të tokës sonë". Mbase për shqiptarët nuk flitet për shkak se refuzohet të flitet për të keqen që ka bërë Serbia. Për Serbinë, e keqja që Beogradi u ka shkaktuar shqiptarëve, zyrtarisht ka përfunduar më 17 shkurt.
Natasha Kandiqi është armiku numër një i shtetit, për shkak se, në emër të vlerave tjera, ka pasur guximin të ulet në Parlamentin e Kosovës. Disa media thonë se ajo nuk ka nevojë të ekzistojë. Të tjerëve u pengojnë Sonja Biserko apo Biljana Kovaçeviq-Vuço. Të tjerët i gëzohen ndalimit dhe shkatërrimit të LDP-së dhe me këtë rast edhe me sulmet ndaj banesës së Çedomir Jovanoviqit. apo fyerjeve e linçit që po u bëhen qytetarëve që i përfaqëson. Këto janë metoda të mirënjohura, sepse me to është shërbyer Millosheviqi. Koshtunica tani vetëm po e zbaton matricën e trashëguar nga paraardhësi I tij, njësoj siç e ka huazuar retorikën e tij. Ai ka bërë gjithçka që Serbinë ta lërë në baltë dhe që përmes frikës dhe terrorit ta bëjë Serbinë një provincë të re ruse, gjë që qartazi duket të jetë synimi i tij.
 Kolonia e fundit evropiane e ka fituar pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Që nga viti 1912, Kosova është sunduar me shpatë dhe me çizme. Njerëzit që jetojnë aty nuk janë pyetur për asgjë. Që nga fillimi i okupimit u është imponuar regjimi ushtarak. Në atë kohë u tha se ishin popull I papjekur për demokraci. Në vend të shtetit dhe të rendit civil, atyre u erdhën një varg oficerësh dhe zyrtarësh, kryesisht nga ata më të pëqinjtë, të dërguar në Kosovë si dënim. Shumë dëshmi nga kjo kohë flasin për dhunën, diskriminimin dhe sjelljen koloniale të sundimtarëve të rinj ndaj popullsisë së atjeshme shqiptare. Derisa ushtria e sundonte Kosovën, inteligjencia e Beogradit bënte plane për ndryshimin e demografisë së saj. Dokumentet e Klubit Kulturor Serb që kryesohej nga Sllobodan Jovanoviq dëshmojnë për zbavitjen e tmerrshme dhe të vrazhdët të elitës nacionale serbe. Për njerëzit diskutohej si të ishin mall në treg, diçka jo e gjallë, bëheshin kalkulime se sa dhe ku duhen lëvizur. Të njëjtat standarde do të zbatoheshin në mënyrë shumë më të efektshme gjatë fundit të shek. 20-të nga ana e akademikëve, shkrimtarëve, poetëve dhe priftërinjve…”Zhvendosja humane” do të bëhej politikë zyrtare, e cila si rezultat përfundimtar do të prodhonte Republikën Serbe në Bosnjë. Për shkak të kësaj sot është e mundur të flitet për një territor, por jo edhe për njerëzit e saj, të vihet një betim në emër të Kosovës, por të mos jepen pensione për shqiptarët, e tërë popullsia të hiqet nga listat zgjedhore dhe të mos i jepet e drejta për ndarjen falas të aksioneve shtetërore.
Partitë kanë ndryshuar emra, që nga radikalët popullorë e deri te Lidhja Komuniste, që nga Partia Socialiste e Serbisë e deri te Partia Radikale ose Partia Demokratike e Serbisë. Pushtimi kolonial ka vazhduar edhe pas Luftës së Dytë Botërore përmes sundimit ushtarak. Ndonëse kolonizatorëve të dikurshëm iu ndalua kthimi në Kosovë, shumë shpejt erdhën disa të rinj. Sundimi u vendos përmes masakrave të përgjakshme në Drenicë dhe në tërë Kosovën. Sërish,”nuk kishte kushte” për qeverisje civile. UDB-ja ka qeverisur si sovrane deri në vitin 1966. Shumë njerëz që sot janë të pasur, pasurinë e tyre familjare e kanë nga ari i vjedhur nga shqiptarët e Kosovës. Pas Plenumit të Brionit vjen deri te një relaksim i sundimit, por menjëherë pasi qarqet udhëheqëse vunë re se në Kosovë jetojnë njerëz që i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të cilët nuk pajtohen me gjendjen ekzistuese, sërish u kthyen në përdorim metodat e vjetra. Një vit pas vdekjes së Titos, Armata Popullore Jugosllave “vendos rend” në rrugët e Prishtinës, Pejës, Prizrenit… Numri i shqiptarëve të vdekur kurrë nuk u bë publik. Në fund, në vitin 1989, ”shpejtësia lehtësisht e premtuar” zuri plotësisht vendin e politikës legjitime. Me tanke shkatërrohet sovraniteti kosovar, vendoset një sistem i ngjashëm me aparteidin.
Nëse keni qenë shqiptar gjatë viteve të nëntëdhjeta, nuk  keni mundur të jetoni pa frikë, e lëre më të punoni në shkollë, spital, polici ose institucione qeveritare. Kur shqiptarët kësaj gjendje ju përgjigjën me dhunë, elita serbe sërish nuk pyeste se përse kjo po ndodhte, por iu kthyen sulmeve ndaj fshatrave, civilëve, fëmijëve dhe grave. Të qenët shqiptar nënkuptonte të ishe i dënuar me vdekje. Shumë prej tyre shpëtuan falë sasisë së arit ose parave që zotonin. Për të tjerët nuk kishte shpëtim.
 Vitet ’90 janë turpi i historisë serbe, dhe kjo duhet të thuhet qartë kur flitet për Kosovën. Sot në Kosovë, njësoj sikurse edhe në Serbi dhe në vendet e tjera të rajonit, një numër i madh i njerëzve pyesin se ku ndodhen më të dashurit e tyre, çfarë u ka ndodhur atyre dhe kush i ka vrarë. Përgjigjet në këto pyetje i mbanë të fshehura Voisllav Koshtunica dhe shërbimi i tij sekret. Përgjigjen në këtë pyetje e mbanë të fshehur edhe Boris Tadiqi, në emër të “stabilitetit dhe të ardhmes” dhe interesave të oligarkëve. Nuk do të ketë drejtësi as për serbët nëse të tjerëve nuk u tregojmë se çfarë u kemi bërë. Nuk do të ketë të ardhme tjetër nëse i mbajmë fshehur faktet. Kot bërtasin për krimet ndaj serbëve, për padrejtësitë e botës, për fuqinë e pabarabartë të Serbisë… Ivica Daçiqi na dërgoi shumë qartë porosinë nga salla e Kuvendit se politika e viteve ’90 u dëshmua sërish të kishte qenë e drejtë. Kur në vitin 1999 në Kosovë ndodhën hakmarrjet dhe sulmet ndaj serbëve në Kosovë, asnjë akademik ose shkencëtar nuk u përpoq të gjente se burimi i kësaj ishin sjelljet e shtetit të Serbisë. Ata nuk u përcaktuan se kjo ndodhi për shkak të zhvendosjes me dhunë të 800.000 njerëzve, vrasjeve masive në Mejë, Gjakovë, Suharekë, Podujevë, Izbicë apo Vushtrri. Ndoshta një konstatim i tillë do të shpëtonte më shumë jetë serbësh se sa cilido libër i shkruar në emër të mbrojtjes së Kosovës ose ndonjë prej atyre shkarravinave të shumta gazetareske që sot bëjnë thirrje për linç.
I tërë mekanizmi shtetëror ka marrë pjesë në fshehjen e gjurmëve të krimeve masive. Trupat janë varrosur anekënd Serbisë,janë djegur në fabrika dhe termocentrale,janë fundosur në Danub ose në Peruçac. Në këtë kanë marrë pjesë policë, oficerë, pjesëtarë të sigurimit shtetëror, politikanë, biznesmenë dhe liderë lokalë, gjykatës dhe prokurorë, Qeveria Serbe dhe partitë politike. Dhe pas gjithë kësaj që ka ndodhur, Serbia prapëseprapë është e habitur me atë që i ka ngjarë. Askund nuk shihet as edhe një pikë pendimi, as edhe një ndjenjë përgjegjësie apo gatishmërie për t’i ndryshuar sjelljet. Sot fatin tone e udhëheqin njerëzit, të cilët janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për humbjen e të drejtës së Serbisë për ta udhëhequr Kosovën. Gabimin e  tyre ata kurrë s’do ta pranojnë. Në vend të kësaj po përpiqen që të drejtën ndërkombëtare t’ua përshtatin ëndrrave të tyre. Po përpiqen ta shndërrojnë në një diçka të ngurrtë që s’mund t’u përshtatet rrethanave të reja. Kjo për shkak se ata me këto metoda edhe e sundojnë Serbinë. Në këtë mënyrë ata i bëjnë kushtetutat dhe ligjet. Ata janë përplot me fraza me fjalë të forta, port ë pazbatueshme. Në mënyrë shumë legjitime dhe legale, pjesa demokratike dhe e lirë e botës ka vlerësuar se ne nuk mund t’i terrorizojmë banorët tanë përgjithmonë. Ndoshta këtë vlerësim akoma se kanë bërë Kina dhe Rusia, por edhe kjo kohë do të vijë. Kur të jetë kështu, edhe njerëzit në Çeçeni dhe Tibet do ta fitojnë vendin e tyre të merituar në bashkësinë e popujve të lirë. Vendimin e botës (së paku të asaj pjese të mirë të botës) që ta njohë Kosovën e Pavarur, Serbia nuk duhet ta konsiderojë si dënim. Ky nuk është dënim por është një shans. Jo vetëm për Serbinë, por edhe për tërë botën në rrugën drejt forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kundërshtimit më vendimtar ndaj terrorit të diktatorëve lokale. Prej Pekinit deri në Havanë, prej Teheranit e deri në Moskë.
Serbia sot e ka për obligim që ta njohë Republikën e Kosovës. Që t’ua shtrijë dorën përfaqësuesve të atjeshëm legjitimë dhe të ndihmojë në krijimin e një shoqërie moderne dhe demokratike. Jo për shkak të ndonjë bindjeje se jemi më të përparuar dhe më të kulturuar, por për shkak se ky është minimumi i borxhit, të cilin ia kemi shoqërisë kosovare. Përmes Kosovës, ne duhet ta hapim edhe çështjen e shoqërisë në Serbi. Duhet t’i rishqyrtojmë të gjitha manipulimet dhe vlerat e gënjeshtërta, t’i reformojmë institucionet, të fillojmë të krijojmë një mendësi më kritike te të rinjtë, ta kthejmë për koke sistemin e vlerave dhe t’i vëmë gjërat në vendin e tyre. Nga gabimet e së kaluarës, Serbia duhet t’i mësojë rekcionet të cilat do të çojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të re dhe në të ardhme tjetër. Përmes legjitimimit të dhunës dhe sulmeve ndaj atyre që mendojnë ndryshe, pushteti vetëm se po e vazhdon praktikën e vjetër dhe tashmë të përjetuar. Mashtrohen shumë keq ata që mendojnë se në këtë mënyrë do ta shkatërrojnë mendimin kritik dhe nevojën për marrëdhënie tjera me fqinjët. Përmes “ngjarjeve popullore” të mëdha ne kthehemi vetëm prapa dhe i përsërisim gabimet. Kjo do të na kushtojë shumë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora